Karakteri im nuk është aspak i rastësishëm. As i trashëguar gjenetikisht, madje as i formuar natyrshëm gjatë rritjes sime. Unë kam marë më të mirën prej pjesëtarëve të familjes.
Për të arritur te përzgjedhja më është dashur t’i studiojë gjatë dhe në mënyrë shumë të kujdesshme.
Mamaja. Njeriu më i bukur dhe më i shtrenjtë për mua. Ajo nuk i shtrohej nën këmbë askujt, madje as gjyshit siҫ bënin gjithë të tjerët. Përherë e kam admiruar në heshtje për vendosmërinë dhe papërkulshmërinë e karakterit të saj. Fjalëpak, por gjithmonë vetëm fjalë me vend.
Në të njëjtën kohë, admiroja edhe gjyshin. Në të kundërt, atij nuk i mungonin asnjëherë fjalët. S’kishte bisedë që të bëhej në shtëpi dhe ai të mos jepte mendimin e vet, madje të arrinte në një vendim, i cili ishte i detyrueshëm për t’u zbatuar nga të gjithë në familje. Me një autoritet të padiskutueshëm. Ishte shumë hijerëndë dhe kushdo mendohej mirë para se t’i drejtonte fjalën.
Familja jonë ishte tipike patriarkale. Sa shumë ëndërroja që së shpejti të rikalohej në matriarkat! Doja të isha në pamje dhe në shpirt si ime më, por të kisha njëkohësisht edhe autoritetin e padiskutueshëm të gjyshit. Nuk ishte një ëndërr kalimtare. I kisha dhënë formën e një plani të studiuar deri në detaje. Plani ishte plotësisht sekret.
Gjyshja ime është e dashur, e dhembshur, e përkushtuar ndaj gjithkujt në familje. Na trajtonte të gjithëve si të ishim fëmijët e saj të mitur. Ende nuk mund ta kuptojë si mund të ekzistojë një njeri kaq vetmohues.
E vogël shumë gjëra nuk i kuptoja, por dashurinë e saj të pamatë e ndieja. Fajësoja veten për ndjenjat e mia. Unë nuk e shpërbleja. Doja më tepër mamanë.
Gjyshja nuk pranoi t’më ҫonte në ҫerdhe si gjithë moshatarët e mi, madje edhe në kopësht më ҫoi vetëm në grupin e tretë. Jo vetëm tani që jam e rritur, por qysh në fëmijëri e kuptoja se ajo ndihej shumë e vetmuar dhe kishte dëshpërimisht nevojë për dashuri. Edhe unë, megjithëse fëmijë i paditur, instiktivisht i afrohesha gjithmonë e më tepër.
Më pëlqente të strukesha në prehrin e saj. Aty llastohesha më shumë se ҫdokund tjetër. Me gjithë dashurinë e madhe dhe nevojën për të, nuk kam dashur t’i ngjajë shumë. Njerëz të tillë nuk e gjejnë kurrë lumturinë e tyre. Janë të lumtur vetëm nëse i bëjnë të tjerët të lumtur. Unë nuk do bëja kaq shumë për askënd në botë.
Edhe im atë kishte specifikat e veta në karakterin e tij. Ai ishte i rezervuar. Kurrë ndonjë fjalë e tepërt prej tij. Ishte aq i kujdesshëm dhe i matur, saqë gjithkujt i drejtohej me ato fjalë që ishin vetëm për të.
Im atë kurrë nuk fyente, apo ofendonte ndokënd. Edhe kur ishte në kundërshtim të plotë me mendimin e ndokujt, tregohej aq i kujdesshëm në përzgjedhjen e fjalëve, saqë askujt nuk i vinte keq se nuk ishin duke ndarë të njëjtin mendim.
Edhe kur argumentonte mendimin e vet, duke rrëzuar përtokë tyrin, përsëri asnjë nervozizëm nga pala përballë. Megjithëse fëmijë, më habiste ky fakt. Me kalimin e viteve habia u kthye në magjepsje. Im atë ishte një diplomat i shkëlqyer.
E pra, kuadri i familjes ishte i plotë dhe i qartë. Më mbetej të merja pjesëzat më të mira nga secili dhe të krijoja mozaikun e karakterit tim.
Krenare dhe ballëlartë si ime më, autoritare si gjyshi, diskrete dhe diplomate si im atë, e dashur si gjyshja, por vetëm në rastet më të volitshme dhe më të domosdoshme.
Mungonte një pjesës për të arritur në një karakter të përsosur. Nuk e kisha parë tek askush nga familjarët e mi, por e kisha vënë re të flinte brenda meje. Më mbetej vetëm ta zgjoja dhe ta bëja pjesë solide të karakterit tim. Ambicien.

No comments:
Post a Comment