Wednesday, January 17, 2018

LAVDIA


 Lavdi! Vetëm e vetëm duke ëndërruar ti provoje nga pak magjinë e vetisë së saj dehëse. E ndjeje se ishe gati të luftoje kundër gjithçkaje dhe gjithkujt për ta arritur atë.
    Dhe kështu vepron. Angazhohesh i tëri, me mish e me shpirt. Ditë pas dite, derisa koncepti kohë e hapësirë mjergullohen dhe sfumohen aq shumë, saqë s’ia del t’i dallosh ku përfundon njëri dhe ku nis tjetri. Ndërsa njerëzit që takon përgjatë rrugëtimit tënd, janë thjesht mjete për t’ia arritur qëllimit...
     Më në fund, pas luftrave të tua të mëdha e të vogla,  ti e ke tashmë trofeun e shumëlakmuar, lavdinë. Dehja prej saj të ka shkëputur plotësisht nga realiteti. Duke qëndruar pezull, duke u endur mes reve të bardha puplore, mes ngazëllimit dhe krenarisë, vë re që në rrezen tënde të shikimit s’është askush.
     Njerëzit me zor dallohen. Janë aq larg! Duken të vegjël, por jo vetëm për faj të largësisë. Ata nuk kanë qëllime të mëdha dhe të rëndësishme në jetën e tyre. Pa dëshirën për lavdi, a nuk është njeriu fare i vogël dhe i parëndësishëm!?
    Por ti ke nevojë për të paktën një prej tyre, për faktin e thjeshtë se të duhet dikush për të ndarë dehjen nga magjia e lavdisë. Dikush nga ajo mizëri njerëzish, ku secilin prej tyre, ose e ke shkelur me këmbë për të arritur qëllimet e tua, ose ke qenë i gatshëm për ta bërë po të lypsej.


    Nëse për ty të qenit i lavdishëm ishte qëllim mbi qëllime, të mbetet t’i gëzohesh...

Elda Gjini

No comments:

Post a Comment