Tuesday, January 16, 2018

LARG



    Përshkruaj një hark kohor, duke lënë pas jetën monotone dhe shtegëtoj drejt së shkuarës që më ngjan me një ëndërr.
     Aty ndihem e qetë, e dashuruar, e lumtur, madje edhe krenare për atë që kam arritur.
    Ti je pranë meje e më bën të ndiejë aq lumturi, saqë nuk besoj se ekziston një çast tjetër i dytë, po kaq i lumtur. Do doja që ky çast të ishte përjetësi...
    Më duhet të largohem nga streha e së shkuarës, në po atë mënyrë që zgjohemi nga një ëndërr e bukur. Rikthehem në të tashmen, nga ku e djeshmja e lumtur është shumë larg.
    Lumturia e e dikurshme ngjan me shkëlqimin e bukur, por të shkurtër të një meteori. Gjithë sa më mbeti në xhepat e zemrës, është hiri i kujtimeve.
    Ka aq shumë kohë që të pres, saqë ndiej se jam bërë një me pritjen.  Jetoj e përmalluar. S’e kuptoj përse duhet t’na braktiste fati.
    Ndonjëherë mendoj se po paguaj për çastet e lumtura me ty. Vuajtjet më janë bërë një me jetën, me shpirtin.
    E pavarësisht se strukem herë pas here në strehëzën e saj, e shkuara është larg. Edhe ti je larg. Ndërsa lumturia është shumë më larg se ju.


    Sërish, unë mbaj ndezur dritën e shpresës brenda shpirtit tim. Koha kur do të jemi bashkë, s’mund të jetë larg.

No comments:

Post a Comment