Monday, January 15, 2018

Me prit...

Pushteti i katërt       Kapitulli V


    Të mërkurën në mëngjes, Amarda ishte në punë qysh në orën gjashtë. Sytë i dukeshin të përflakur, pavarësisht se nuk kishte derdhur qoftë edhe një lot të vetëm. Nuk kishte mbyllur sy gjithë natën. Megjithatë, s’hiqte dorë nga puna, pa të i dukej vetja e pavlerë.
    Pacientja, e cila kishte lënë takim në mëngjes herët, ishte një vajzë bionde, shumë elegante. Kishte veshur fustan të shkurtër ngjyrë rozë, triko të shkurtër të bardhë dhe këpucë gjithashtu të bardha. S’i ndodhte shpesh të kishte paciente një kukull barbi. Me siguri, mendoi Amarda, duhet të ketë një ditë të ngjeshur, përndryshe nuk do zgjidhte këtë orar. S’të linte përshtypjen e një njeriu që zgjohet herët. Por, mund të kishte krijuar përshtypje të gabuar. Iu kujtua një shprehje e Arbrit: Njeriun prite nga veshja dhe përcille nga mendja. Ndoshta deri në fund mund të ndërronte mendim lidhur me të.
     - Unë sa herë shkoj te dentisti se ç’kam një frikë të madhe!
     - Këtë herë nuk duhet të kesh frikë e dashur, siç e sheh unë jam dentiste,- i tha Amarda duke buzëqeshur. Buzëqeshja e saj kishte gjithmonë efekt pozitiv te pacientët.
     - Unë sa herë shkoj te dentisti më bie të fikët,- vijoi ajo sikur të mos e kishte dëgjuar aspak atë që sapo i kish thënë Amarda.
     E hetoi me kujdes në fytyrë. Nuk dukej e frikësuar. Atëherë, përse thoshte se do t’i binte të fikët? Me ata çamarrokët e vegjël s’lodhej e nuk mërzitej duke i llastuar e përkëdhelur, por nuk ndodhej para një rasti të tillë.
     - Më duhesh zgjuar sa të më flasësh për shqetësimin që ke, dhe të bëjmë grafinë më pas, nëse të bie të fikët, s’ka problem, kur të mbaroj të zgjon tamponi me alkool.- Sërish ajo nuk foli. Amarda u ndje sikur po fliste me vete. Ndoshta buzëqeshjeve të saj u kishte ardhur data e skadencës.
    Pas një ore e gjysmë kishte përfunduar. Ishte e kënaqur nga puna e bërë.
    - Mbarova e dashur. Ja që nuk të ra të fikët. Është diçka e mirë, pasi tregon se fobia jote nuk ekziston më. Duhet të jesh krenare për veten.
    - Ku të më binte të fikët, ti m’i bëre nervat kaçurrel.
    Pacientja mblodhi buzët nga inati, por s’foli më. Amardës iu kujtua një tjetër shprehje e Arbrit për vajza të tilla, kur ata bënin praktikat e detyrueshme universitare: Ato gjithçka përreth tyre e duan rozë, kolltukun në të cilin ulen, mbushjen e dhëmballës, furçën e dhëmbëve, madje edhe gazet e trupit i lëshojnë ngjyrë rozë.
    Ishte e pashmangshme të jetonte pa sjellë ndër mend Arbrin, fjalët e tij, buzëqeshjet, ngrohtësinë. Asnjëherë s’kishte arritur të kuptonte nëse jeta pa të humbiste plotësisht shijen, apo ishte e paguximshme për të jetuar si një qenie më vete dhe e pavarur. Përsiatje të tilla vetëm do ta lodhnin dhe s’do ta shpinin askund. Sa më shumë ta mbushte trurin në këtë mënyrë, aq më të mëdha ishin mundësitë të çoroditej.
     Dy pacientët që erdhën më vonë ishin fëmijë. Doktor Ksejdi nuk pranonte të punonte asnjëherë me ta. Në fillim Amarda kujtonte se ai i urrente, por me kohën ishte bindur se nuk ishte e vërtetë. Kishte kapur disa vështrime vjedhurazi. Ndonjëherë i qe dukur i mallëngjyer. S’guxonte ta pyeste. Marrëdhënia e tyre ishte e përsosur, ashtu siç qe, e fokusuar vetëm te puna, nuk donte ta shkatërronte. Nëse ai do t’i tregonte ndonjë të fshehtë të tijën, atëherë edhe ajo do ndihej e detyruar të hapej me të dhe nuk e donte këtë lloj afrimiteti.
    Sapo përfundoi me fëmijët, doktor Ksejdi e njoftoi se po e priste shefi në zyrë. Çudi, mendoi Amarda, ai nuk erdhi nga jashtë, kishte gati gjysmë ore që punonte. Ç’të donte shefi?
     Me të hyrë në zyrë, Amarda nuhati një aromë të mirë. Nuk ishte e mundur që aty të kishte pica, të paktën jo në këtë orë të mëngjesit.
   - A e di? Statistikat tregojnë se obeziteti po bëhet çdo ditë dhe më i rrezikshëm. Pas disa vitesh, për nga numri i viktimave që do shënojë, do ia kalojë edhe kancerit.
    Amarda e pa me habi Pandi Rrënjën. Ai vërtet i kishte ca kilogram tepër, sidomos në pjesën e barkut, por nuk po kuptonte ç`hynte kanceri në këtë mes. Ç’lidhje kishte ajo me obezitetin?
    - Ulu nëse më do të mirën!- tha ai duke hapur kapakun e njërës prej kutive të picës.
     - Më vjen keq shef, por nuk kam uri,- u përgjigj Amarda me sinqeritet, dhe ndjeu një lehtësim që më në fund kuptoi fjalët e tij, që i kishte rënë nga Kina.
    - Mos dëshiron që unë të vdes e të më marrësh klinikën?
     Amarda u sforcua, por nuk mundi të qeshte, madje as të vinte buzën në gaz. Hapi kutinë dhe mori një copë picë. Ishte më mirë se t’u hynte debateve të kota e të pavlera. Pandi i mbushi gotën me ujë mineral.
     - Ndoshta do ishte më mirë birrë, por…
     - Absolutisht. Asnjë gram alkool ditët që kam pacient.
     - Por, ti ke pasur pacient pothuajse çdo ditë këto dy vitet e fundit. Sa kohë ke pa vënë alkool në buzë?
     - Pothuajse që kur kam nisur punën. Përjashtim bëjnë vetëm nja dy raste. Të shtunat mbrëma, kur të dielën e kisha pushim. Nuk mund t’i lejoj vetes të pi kur të nesërmen kam pacient. Nuk është etike.
     - Më pëlqejnë njerëzit e përkushtuar, që kanë respekt për punën e tyre,- Amarda miratoi me kokë,- por s’jam dakord me ata njerëz, të cilët respektojnë më shumë punën se veten.
     - Më falni, por nuk po kuptoj ç’doni të thoni.
    - Amarda, përse punon kaq shumë? Ndoshta jam i patakt, por kam dashur prej kohësh të ta bëj këtë pyetje.
     - Unë nuk punoj më tepër se doktor Ksejdi.
     - Atij ia kam bërë këtë pyetje qysh në fillim. Ai punon për të mos menduar, për të harruar.
     - Mua më pëlqen puna që bëj. Veç kësaj, kam nevojë për para.
     - Unë të përgëzoj për përkushtimin. M’u bë shumë qejfi kur bleve makinën.
     - Kisha hequr para mënjanë dhe doja t’ua jepja prindërve, por ata nuk pranuan. Pothuajse më detyruan ta blija. Iu thashë se nuk më hynte në punë. Sipas tyre ia vlen edhe sikur ta përdor vetëm për të shkuar tek ata.
      - Bënë shumë mirë që të bindën. Amarda, ka ardhur koha të mendosh për vete. Njeriu nuk është dy herë njëzetë e pesë vjeç. Më shiko mua dhe time shoqe. Ti e di sa para marrim nga klinika. Ç’i duam? Dietë nga diabeti, dietë nga kolesteroli, aparati i tensionit me vete, nivelin e glukozës në gjak e masim para dhe pas buke. Shtresat e dhjamit kanë zënë vend mirë dhe as u shkon ndër mend të na shqiten nga trupi. Dhëntë Zoti të mos na shkojnë në tru, se atëherë na ngelet vetëm të kyçemi në shtëpi. Nuk është jetë. Kjo është të gënjesh veten se po jeton. Paratë, jo vetëm që nuk teprojnë kurrë, por as nuk mjaftojnë kur bën plane të mëdha.
     - Nuk po ju kuptoj shef, mos është një vendim për të më hequr qafe? Po më pushoni nga puna në mënyrë të kulturuar?       - Jo, jo, as që bëhet fjalë. Është thjesht një paralajmërim, se kur të të shoh të lodhur do t’i them Ksejdit të t’i marrë gjithë pacientët, madje dhe ata çamarrokët e vegjël që ngjisin përherë pas teje. Kuptohet, për pacientët e marrë do të të japë një përqindje.     Më në fund Pandi Rrënja ia arriti qëllimit. E bëri Amardën të vinte buzën në gaz. Ndjeu një lehtësim. Tani ishte pak më i qetë. Më mirë të dilte nga zyra dhe ta linte vetëm. Le të hante picën ngadalë dhe të shlodhej.
    Ajo diçka shkarraviste mbi kapakun e kutisë së picës. Mendoi se vinte thjesht nga nervozizmi, apo lodhja. Mori telekomandën e televizorit, e ndezi. Instinktivisht shtypi numrin katër, ishte Kanali i Lajmeve. Ai parapëlqente lajmet për të shtyrë kohën.
     - Në vijim të këtij edicioni informativ do t’iu njohim me një ngjarje jo të zakontë, gati-gati e pabesueshme. Diçka e tillë nuk është shfaqur ndonjëherë në ekranin tonë. Për më shumë, në lidhje direkte gazetarja Klara Ristani.
    - Përshëndetje! Këtë herë jemi jashtë qytetit dhe kemi ndjekur rrugën që të shpie në Elbasan. Ndodhemi vetëm pak kilometra jashtë Tiranës, në qendrën tregtare Mesdheu, padyshim më e madhja në vend. Më saktësisht do thoja se jemi në një dyqan lodrash për fëmijë. Për fat të keq s’do të lançojmë ndonjë tërmet çmimesh. A e dini se ç`ka ndodhur këtu pasditen e të hënës së 18 marsit rreth orës 17:00? Regjia, pamjet ju lutem!
    Pandi Rrënja vuri re se pamjet që po shfaqeshin në ekran nuk ishin nga kamera profesionale, ato ishin marrë nga kamerat e sigurisë së qendrës tregtare.
    - Shihni me kujdes këtë vajzë. Është duke ecur ngadalë. As që mund ta merrni me mend se çfarë është e aftë të bëjë ajo. Nuk po u besonte syve, ishte Amarda, megjithëse e veshur ndryshe dhe me zor njihej, ishte ajo. Edhe orari përkonte, të hënën ajo ishte larguar më herët nga puna.
    - Siç e shihni, takon Arbri Spiron, modelin e njohur. Ja edhe djali që kishte qenë mbrëmë në zyrën e tij. Amarda ishte ende me shpinë nga televizori dhe vijonte të shkarraviste në kutinë e picave me sy të përhumbur.
    Deri këtu gjithçka duket normale. Hyjnë brenda, ajo sheh përreth sikur të jetë duke kërkuar diçka, apo dikë. Amarda u kthye nga Pandi, i cili rrinte si i ngrirë para ekranit.
     - Vendos duart në tëmtha, çfarë po i ndodh kësaj - ishte ajo. Amarda nuk po u besonte syve.
     - Ky është çmimi që duhet të paguash kur shoqërohesh me vipa,- i tha Pandi, më shumë për të thënë diçka. Me siguri ishte vetëm një kronikë rozë. Zakonisht njerëzit nuk bezdisen, madje janë gati të paguajnë për të parë fytyrën e tyre ekraneve.
     - Hyjnë në dyqanin e lodrave për fëmijë, ecin, ecin sërish. Vajza duket normale. Ndalon para biçikletave dhe ja ku mrekullohet përpara një puzzle. Ndërkohë shihni me kujdes Arbër Spiron! Po ulet në gjunjë, shikoni se çfarë ka në dorë… një unazë fejese. Sa e sa vajzave është duke iu thyer zemra tani dhe do donin të ishin në vendin e saj. Asnjë përgjigje… Arbri pret... Dhe tani, shihni me kujdes! Ishin pamjet e marra nga secila prej kamerave të sigurisë në rendin që i kishte parë Amarda.
     - A e dini se ç’ndodhi me kamerat? Vetëm vështrimi i kësaj vajze në dukje normale, ka shërbyer që ato të dalin jashtë funksionit, duke iu thyer çdo pjesë e thyeshme. Shtrohet pyetja një milion dollarëshe: Si ia doli kjo vajzë, në dukje krejt normale, të nxjerrë jashtë funksionit dhe të shkatërrojë plot tri kamera? Për këtë s’mund të përgjigjet një gazetare. Detyra ime përfundon këtu. Linja në studio.
      - Faleminderit Klara! Arrite sërish të na lësh pa fjalë. Vijojmë me kronikë, këtë radhë nga rajoni...
     Pandi Rrënja deri atëherë kishte qenë aq i zënë duke parë ekranin e televizorit, saqë nuk ia kishte hedhur sytë Amardës që dukej e zhytur përtej ekranit. Edicioni vijoi me një tjetër kronikë, ndërsa Amarda dukej krejt e përhumbur dhe e hutuar.
    - Ç’janë këto broçkulla? Nuk dinë se si të mbushin minutazhin e lajmeve. E si u thyekërka kamera? Aq më tepër tri të tilla!
     Pa mbaruar fjalën Pandi Rrënja, ekrani i televizorit kërciti duke u bërë njëqind copa. S’po u besonte syve. Akoma s’ishte kthjelluar, kur Amarda ra mbi dysheme. Doktor Ksejdi hyri menjëherë. Kishte dëgjuar zhurmën.
     E morën Amardën dhe e çuan në dhomën e mobiluar nga bashkëshortja e Pandi Rrënjës. Ajo ishte një grua tepër fisnike dhe rrallë vinte aty. Më dendur ai priste miqtë e tij apo të afërmit. I pëlqente të humbisnin në biseda të gjata me ta.
     Ndërkohë, me duart që i dridheshin, i sigurt se po bënte veprimin e duhur, Pandi Rrënja formoi numrin e Arbrit. Doktor Ksejdi i vendosi tamponin me alkool nën hundë dhe i mati presionin e gjakut. Pasi Amarda u përmend i bëri një qetësues. Efekti ishte pothuajse i menjëhershëm. E zuri gjumi. Vetë ishte i detyruar të shkonte te pacienti që e priste. Do përpiqej të mbaronte sa më parë.
     Kur Arbri hyri në dhomë, pa Amardën që flinte. Në dukje ishte e qetë. Serumi ecte ngadalë. Ndoshta gjithçka kishte ndodhur ishte pasojë e mosushqyerjes. Pranë saj ishte doktor Ksejdi, i cili i mbante dorën mes duarve të tij. Pandi Rrënja qëndronte pak më tutje, me sy të përlotur. I theri në zemër kur e pa Amardën në atë gjendje, por i theri në zemër edhe kur pa veprimin e doktor Ksejdit. S’kishte parë kurrë dikë aq pranë saj.
      - Si është? Çfarë i ndodhi?
      - Tani është mirë. Dalim flasim në zyrë!
     Kur hynë në zyrë, qelqet përtokë nuk ishin më. Për një çast Pandi mori frymë i lehtësuar. Por, sapo pa televizorin, u kthye në realitet. S’dinte nga t’ia niste. Gati-gati nuk ishte duke i besuar as vetë ato që thoshte.
     Arbri, sa më shumë dëgjonte rrëfimin e Pandi Rrënjës, aq më tepër bindej se ky ishte një njeri me të cilin mund të fliste. Nxori celularin nga xhepi dhe panë disa herë me kujdes pamjet që ai kishte filmuar të hënën pasdite. Më pas e fiku celularin, situata kishte nevojë për qetësi. Pandi kuptoi se pamjet që kishte parë në edicionin informativ nuk qenë sajuar. Ajo që mbetej e pashpjegueshme ishte si mund të dilnin jashtë funksionit kamerat me një vështrim.      - Ama kjo qenka kamera?- këto fjalë të Amardës i vunë në mendime të thella. Ajo vërtet ishte kthyer nga secila prej kamerave me vështrim të egërsuar. Por, vetëm kaq. Pamjet nuk thoshin asgjë më tepër. Po tani? Çfarë do ndodhte tani?
    - Do t’i hedh në gjyq!- tha Arbri. Me sa dukej ai kërkonte të gjente diçka a dikë tek i cili të shfrynte dufin.- Nuk kanë asnjë të drejtë të bëjnë publike pamjet filmike, s’është e ndershme.
    - Mua s’më shqetëson ndershmëria. Dua të di çfarë duhet bërë për Amardën. Ajo po e përjeton shumë keq këtë situatë.
     Pandi Rrënja thirri vajzën që punonte te kasa. I kërkoi të njoftonte mjeken stomatologe që do zëvendësonte doktor Ksejdin. Ai duhej t’i ndihmonte për të kuptuar diçka.
     Pas gjysmë ore ishin të tre rreth tryezës. Secilit iu desh t’i rrëfente doktor Ksejdit atë që kishin biseduar me njëritjetrit më parë. Sa më shumë rrëfenin, humbisnin në detaje, të cilat mendonin se ishin të nevojshme. Në përfundim të rrëfimeve të tyre, doktor Ksejdi po largonte njërën prej kutive të picës nga tryeza. Mendoi ta hidhte në kosh. E kush do ta hante? Me stilolaps aty ishte skicuar objektivi i një kamere. Të tre ngulën sytë tek ai imazh.
    - Para se të hapja televizorin Amarda po zhgarraviste diçka. Nuk i dhashë rëndësi. Kujtova se ishte një mënyrë për të hequr lodhjen dhe stresin.
    Askush nga të dy nuk foli. Ishin bërë tërë sy e vesh për të dëgjuar doktor Ksejdin. Ai vërtet nuk është psikolog, por nga mjekësia di shumë më tepër se një veteriner dhe një model të marrë së bashku.
     - Fakti që Amarda ka përmendur kamerat dhe gjendja e ankthit të saj mund të shpjegohet me teorinë PJSH, që do të thotë perceptimi jashtëshqisor. PJSH-ja lejon kapjen e informacionit (perceptimit) jashtë sferës normale të shqisave. Kjo është edhe arsyeja që quhet shqisa e gjashtë.
      - Edhe në gjumë Amarda ka përmendur fjalën kamera. Si shpjegohet kjo?
      - Nëse subjekti është i përgjumur, PJSH-ja mund të shfaqet në ëndrra. Nëse subjekti është i hutuar, ose tepër i zënë në veprimtari të vetëdijshme, PJSH-ja mund të ndikojë në mënyrë të pavetëdijshme mbi sjelljen e tij. Shfaqjet dhe reagimet e subjektit janë nga më të ndryshmet.
    Doktor Ksejdi pa fytyrat e Pandi Rrënjës dhe të Arbrit. Kishin diçka të përbashkët, shprehnin hutim. Dukej që ata s’kishin kuptuar asgjë. Ndoshta ngaqë tensioni i situatës ishte tepër i madh. Vendosi t’ua shpjegonte më thjesht. Duhej një shembull konkret nga jeta, as gjuha divulgative nuk besonte se do t’i bënte punë.
    - E keni parasysh kur nuhasim dhe kuptojmë çfarë ka brenda në tenxheren me presion? Megjithëse është e mbyllur mirë dhe ne nuk shohim asgjë, kjo nuk na pengon të gjejmë çfarë ka aty. Kështu funksionon shqisa e gjashtë.
     - Por ndonjëherë ngatërrohemi me aromat. Sidomos me ato gatimet e reja, unë nuk mund të gjejë se ç’ka gatuar ime shoqe edhe kur e shoh në pjatë. Si mund të bëjmë një përcaktim të saktë duke u nisur vetëm nga aroma?
     - Por kur e shijon, e kupton çfarë është, apo jo?
    - Sigurisht që po.
    - Edhe subjekti mbi të cilin vepron PJSH-ja nuk është i sigurt mbi vërtetësinë e të dhënave paraprake, deri në momentin kur është vërtetuar saktësia, pra kur ndodh në realitet.
    - Na ngatërrove ca Ksejdi! Ç’do të thotë subjekt?
     - Subjekti është personi. Në këtë rast Amarda.
    - A është diçka e keqe kjo PJSH-ja?- pyeti sërish Pandi Rrënja.
    - Si mund të bëhet ta largosh shqisën e gjashtë?- pyeti Arbri.
     - Nuk është e keqe, absolutisht. As nuk ke përse të bësh përpjekje për ta larguar. Madje, parapsikologët këshillojnë që njerëzit duhet të bëjnë gjithçka për ta përsosur dhe për  ta përdorur në dobi të tyre.
     - Ngjan pak me një parashikim të së ardhmes, apo gaboj?- pyeti Pandi Rrënja.
     - Jo, nuk gabon, por edhe këtu si gjithkund ka një lidhje shkak-pasojë. Thënë më thjeshtë, njeriu mund të përpiqet të shmangë diçka që ai nuk dëshiron që të ndodhë, dhe për të cilën ka informacion se mund të ndodhë. Pra, i jepet mundësia për të ndërhyrë. Ndaj dhe parapsikologët i mëshojnë idesë së tyre se shqisa e gjashtë nuk i pengon aspak njerëzit, vetëm se ata duhet të dinë ta shfrytëzojnë maksimalisht atë.
    - Mirë parandjenjën e shpjeguam, por si do shpjegojmë thyerjen e kamerave dhe të televizorit?
    - Kjo shpjegohet me teorinë e psikokinezës PK. Aftësia për të ndikuar në realitetin rrethues nëpërmjet forcës së mendimit. Në letërsinë parapsikologjike, njerëzit duke shfrytëzuar fuqinë e mendjes, mund të lëvizin dhe ngrenë objekte të largëta, kushtëzojnë procese shërimi, ekspozojnë pamje mbi pllaka fotografike, ndryshojnë drejtimin e shigjetës së busullës, ndezin drita, krijojnë zhurma të çuditshme...
    - Prit pak prit! Ti the se të gjitha këto ndodhin në letërsi dhe jo në jetën reale, apo jo?
    - Po, thashë se ndodhin në letërsinë parapsikologjike. As që e përmenda jetën reale.
     - Përse? Nuk ka diçka që i shpjegon?
     - Është edhe një tjetër teori, polter geisti. Ajo përfshin çrregullime me karakter fizik, zhurma, lëvizje objektesh, që duket se ndodhin pa ndërhyrjen e vepruesve fizikë. Kërkimet në këtë fushë janë të vështira sepse dukuritë ndodhin papritmas, në mungesë të vëzhgimit.
    - Por unë e pashë me sytë e mi,- tha Pandi Rrënja me vete,- dhe kjo nuk ishte as letërsi e as kinematografi. Ç’dreqin është atëherë?
     - Tani nisa të kuptoj,- tha Arbri dhe më në fund i shkëlqyen sytë, të cilët deri atëherë ishin dukur të shuar,- ndaj Ami nuk pranoi të martohej me mua. Ka menduar të shmangte këtë që po ndodh.
     - Ndoshta... Këtë vetëm ajo e di,- tha Pandi Rrënja, me pamjen e një njeriu të zhytur thellë në mendime.- Sa në merak jam për atë vajzë!
     - Nuk ka asgjë për t’u shqetësuar. I duhet vetëm të çlodhet.
     - Edhe për sa kohë do të flejë Ami?
     - Të paktën edhe për disa orë.
     - A mund të qëndrojë këtu edhe për ndonjë orë? Më duhet patjetër të bëjë diçka,- pyeti Arbri, por çuditërisht nuk priti përgjigje. Me hap të shpejtë doli sakaq nga zyra.
     - Ky mund të jetë djalë shumë i mirë, por me Amardën nuk kanë asgjë …
    - Jam i sigurt se ai televizion nuk do ta lërë me kaq. Buja që do bëjë lajmi, i cili është i veçantë në llojin e vet do t’i detyrojë të rrëmojnë. Gjithkush në jetën e vet ka diçka për të fshehur, ose së paku diçka që s’do donte ta ndante me të tjerët. Kjo nuk është gjë e mirë.
     - Shef! Mos edhe ti zotëron shqisën e gjashtë?
     - Nuk lidhet me parandjenjat. Thjesht jam duke shqyrtuar faktet. Ajo që po zien në tenxheren me presion ka aromë shumë të keqe. Amarda do dalë e dëmtuar nga kjo histori.
    - Nëse vendos të martohet me të, atëherë po që do dalë e dëmtuar.
     - Ç’ke me djalin? Ç’të ka bërë? Me sa po kuptoj të ka rënë në kokë për Amardën.
     - As njëra e as tjetra. Thjesht jam i bindur se mes tyre nuk ka për të funksionuar kurrë.
    - Deri më sot nuk të kisha dëgjuar të shprehje mendimin tënd për ndokënd. Ti flet vetëm për punën. Përse mendon se mes tyre s’mund të funksionojë?
    - Ai ka ende nevojë të rritet, të piqet, ndërsa Amarda nuk është gati të adoptojë një fëmijë të tillë, të papërgjegjshëm për të krijuar familje.
      - Kjo është në dorën e saj. Ç’mund të bëjmë?
    - Thjesht të kujdesemi për të. Askush nga ne nuk ka të drejtë të ndërhyjë në jetën e saj.
    Ndërkohë Arbri shkoi në qendrën tregtare Mesdheu. Kërkoi të takohej me personin përgjegjës për atë që kishte ndodhur. Mendoi të bënte këtë hap para denoncimit. Klajdi, shoku i tij më i mirë, ishte avokat dhe do t’i shpjegonte procedurat që duheshin ndjekur.
     Pas disa minutash pritjeje takoi një djalë të ri që ishte një lloj shefi, por tamam-tamam nuk e mori vesh se ç’qe. S’ishte nevoja për prezantime. Me sa dukej ai e njihte Arbrin.
    Aty kishte gjetur bashkëpunim në realizimin e surprizës së tij për Amardën, as që kishte menduar se do të haste në një problem të tillë. Si guxuan të bënin publike ato pamje? Përse s’kishin kontaktuar më parë me të?
Po mundohej të ishte sa më i qetë. I kujtohej grushti që i kishte dhënë profesorit të anatomisë. Po të ishte për grushta, ishte gati të jepte me dhjetëra që t’i dilte inati, por e dinte mirë që në këtë mënyrë s’do zgjidhte gjë. Ajo që mësoi nga shefi ishte e çuditshme. Sapo kishin parë që pamjet nga kamerat e sigurisë së tyre ishin bërë publike, menjëherë e kishin shkarkuar nga detyra personin përgjegjës. Rregullat në kontratën e punësimit kishin qenë të qarta dhe ai kishte firmosur pasi ishte njohur me to. Thyerja e çdonjërës prej rregullave shoqërohej me sanksione të veçanta, në rastin konkret me pushim nga puna. Sa për daljen jashtë funksionit të kamerave të sigurisë, s’mund të fajësonin askënd. Përderisa nuk ishin goditur, madje as ishin prekur, nuk mund të flitej për fajtor. Arbri e njoftoi se do ngrinte një padi, ndaj donte të dhëna të sakta mbi personin përgjegjës. Shefi, i cili kishte studiuar ligje, i tha se ishte e drejta e tij, por nuk ishte i sigurt se në përfundim të një procesi gjyqësor do fitonte diçka. 85 Më prit... Maksimumi që mund të arrinte ishin faqet e para të gazetave. Ç’do të bënte me Amardën? A duhej të njoftonte prindërit e saj? Një ditë më parë ajo i kishte kërkuar prerazi të largohej nga apartamenti. Tjetër mënyrë kishte ajo për të zgjidhur problemet, të tjera mënyra kishte ai. Sidoqoftë, më parë duhej ta shihte si ishte, më pas të mendonte me qetësi si duhej vepruar. Klajdi do ta këshillonte se ç’mund të bënte nga ana ligjore. Nëse celularin do e kishte ndezur, me siguri ai nuk do kishte reshtur së rëni. Por, nuk mund t’i gëzohej gjatë kësaj qetësie. E mendoi situatën më thellë dhe e ndezi menjëherë. Po sikur Pandi Rrënja ta merrte? Nga thirrjet e humbura asnjëra s’ishte kryer prej tij. Pothuajse gjithë thirrjet ishin kryer nga rrethi shoqëror. Çudi që nuk i kishte telefonuar i ati. Ndoshta ngaqë ishte në punë dhe ende nuk dinte asgjë. Kur arriti në klinikë, Amarda flinte e qetë. Me pamjen e saj dukej sikur kërkonte ndihmë. Si ta ndihmonte? Ndjehej më i pafuqishëm se kurrë. Pandi Rrënja e thirri në zyrën e vet. Ajo që mësoi nuk i pëlqeu. Situata kishte ecur shpejt, kishte marrë tatëpjetën. Kanali i Lajmeve vijonte të endte fije të tjera. Në studio kishin ftuar një psikolog. Ishin pak a shumë ato shpjegime që u kishte dhënë doktor Ksejdi më parë. Fotoja e Amardës shërbente si sfond i përhershëm. Ç’do të bënin? Nuk mund ta mbanin vazhdimisht me qetësues. Herët a vonë do t’i duhej të hapte sytë dhe të përballej me realitetin. Nga mendimet e solli në vete Pandi Rrënja. I kujtoi të fliste patjetër me prindërit e Amardës, me siguri duhej të ishin alarmuar, madje mund të ishin rrugës për në Tiranë. Arbri i ra telefonit të nënës së saj. U përgjigj Sokoli, babai i Amardës. Në zërin e tij kishte lodhje dhe shqetësim. - Si është Ami? Mos i ka ndodhur gjë? - Jo, jo. Nuk i ka ndodhur asgjë e keqe, por kohët e fundit ka qenë e lodhur. - Në ç’kuptim e lodhur? Nga puna e tepërt? Sa herë i 86 Elda Gjini kam thënë të mos punojë shumë! - Unë mendoj se është më mirë të vish e ta shohësh vetë, madje të vini të dy. T’i qëndroni pranë, të flisni me të. Jam i sigurt se do t’i bëjë mirë. - Jo Arbri, nuk mund të vijë asnjëri prej nesh. Më fal, por tani më duhet ta mbyll. - Unë them se duhet të gjeni patjetër kohë për të ardhur. Kam frikë mos përsëritet ajo që ka ndodhur edhe herë tjetër. - Këtë mos e thuaj as për shaka! Dëgjo Arbri! Atëherë ishit fëmijë dhe fëmijëve u falen budallallëqet, sado të mëdha qofshin. Tani nuk keni më as kohë e as moshë për gjëra të tilla. Kujdesu për Amin! Po e lë në duart e tua. Kam besim te ty. Arbri u çudit. Sokoli i mbylli telefonin pa e përshëndetur. Ai nuk ishte thjesht kandidati i tij për vjehërr. Sokoli dhe babai i Arbrit, Arbeni ishin shokë fëmijërie. Marrëdhëniet shoqërore i kishin lënë vendin marrëdhënieve familjare. Edhe bashkëshortet e tyre ishin bërë mikesha të mira. Marrëdhëniet mes dy familjeve nuk ishin cenuar as atëherë kur gjithçka ishte krisur e thyer mes Arbrit dhe Amardës. Sokoli ishte sjellë me të si një baba. Me kalimin e kohës, nuk i pëlqente t’i thërriste xhaxhi Sokoli. I pëlqente t’i thërriste Koli, siç bënte i ati. Atij s’i nevojitej një tjetër figurë atërore, një shok po. Madje, një mik më tepër është gjithmonë i volitshëm. Diçka i kishte ndodhur atij, po çfarë? Ishte koha më e papërshtatshme për gjëegjëza. Për disa minuta u përhumb në mendime. Zilja e celularit më në fund e lidhi me realitetin. Ishte i ati. Nuk mund ta mbyllte, duhej të fliste me të, patjetër. Zëri i të atit ishte i ashpër dhe i prerë. - Nëse do t’i bësh reklamë vetes përse nuk del tek Arjan Çani? Nuk e sheh se ç’bën ai? Çdo muaj atje vete Lek Plepi. Shkoni e bëhuni shokë bashkë! - Babi, nuk është fjala për reklamë! Pamjet janë të 87 Më prit... vërteta. Nuk ka asgjë të sajuar. - Po më thua të vërtetën Abi? - Unë gjithmonë të kam thënë të vërtetën, edhe atëherë kur ka qenë për t’u fshehur. - Si është e mundur bir? Përse Ami nuk pranoi të martohej me ty? Se mos ti… - Jo ba, jo. Këtë herë nuk kam bërë asgjë. Doja t’i bëja gjërat siç duhet. E mendova gjatë, dhe të martohesha me Amin ishte ajo që doja më shumë. - Po përse nuk na the një fjalë mor bir? - Mendoj se jam i rritur për të marrë një vendim të tillë. Pastaj, kjo nuk është gjë e re për asnjërin prej jush. - Ke të drejtë. Po Ami si është? Nuk besoj se asaj i ka pëlqyer të shohë veten në televizor. - Nuk është dhe aq mirë. - Të lutem bir, kujdesu për të! - Është hera e dytë që ma përsërisin këtë brenda pak minutave. - Fole me Kolin? Të tregoi? - Po, fola me Kolin, po ç’duhej të më tregonte? - Jo, jo asgjë. - Unë kuptova se kishte diçka të çuditshme që nuk e lejonte të vinte në Tiranë, po se çfarë... Ma mbylli telefonin në fytyrë. - Mos ia merr për keq bir! - Është mërzitur se nuk i kërkova dorën e së bijës? - Sikur të ishte kjo! - Po ç’është atëherë? - Koli sapo ka shtruar të shoqen, Sonin në spital. Mjeku thotë se 48 orët në vazhdim janë kritike. Të lutem, mos i trego gjë Amit! Soni vetëm këtë përsërit: Mos i thoni gjë vajzës, unë do bëhem mirë! - Çfarë ka? - Ende nuk kanë arritur në një diagnozë të saktë, por dyshojnë se gjithçka vjen nga zemra. 88 Elda Gjini - Përse e mban në Lushnje dhe nuk e sjell në Tiranë? - Mjekët për momentin ia kanë ndaluar zhvendosjen, thonë se mund të ketë pasoja fatale. - Si mund t’i ndihmojmë? - S’di ç’të them. Unë jam me të në spital. Nuk kam ndër mend ta lë vetëm. Ti kujdesu për Amin. Pranon apo nuk pranon të martohet me ty, kjo pak rëndësi ka. Ti e ke për detyrë të kujdesesh për të. Dëgjove? - Po ba. Të njëjtën gjë mendoj dhe unë. Po pati të reja më thuaj. - Edhe ti. Qofsh mirë bir! Kur Amarda hapi sytë ishte në apartamentin e saj, në shtratin e saj. Iu deshën disa minuta të kthjellohej. Arbri ishte aty, ulur në një karrige pranë shtratit me laptopin mbi gjunjë. Mbante mend mirë që i kishte kërkuar të ikte, sepse donte t’i kalonte e vetme problemet e saj. A mundej? Mbylli sytë sërish. Ndihej aq e lodhur sa të qëndronte ashtu për ditë të tëra. I kujtohej. Arbri i kishte premtuar t’i qëndronte pranë, ta ndihmonte. E shihte, por fytyra e tij i ngatërrohej me imazhin që kishte parë në televizor. Sa e marrë ishte treguar. Nëse do kishte dëgjuar zemrën, nuk do kishte pasur asnjë telash. S’kishte ditur ta kapte çastin. Tani mund të ishte duke provuar fustanin e bardhë të nusërisë. Sa herë e kishte ëndërruar në fëmijëri. Mbylli sytë për t’i sjellë në mendje ato përfytyrime të largëta, kur ajo ëndërronte të hynte në Manastirin e Ardenicës me fustanin e bardhë, dhe Arbri e priste në altar. Ishte një vend i bukur dhe i shenjtë. Jo më kot kishte zgjedhur pikërisht atë vend për të vënë kurorë heroi ynë kombëtar, Skënderbeu. Përpiqej të risillte në sytë e mendjes ëndrrën e sa e sa viteve. Nuk mundej. Shihte veten me të bardha, por ishte bluza e bardhë e punës. Mjek pa fund, aparatura mjekësore, serume e injeksione. Hapi sytë duke u dridhur. Si nuk i kishte dhënë rëndësi asaj zhurme krrak që kishte dëgjuar atëherë? 89 Më prit... E shihte Arbrin tek rrinte ulur në karrige, pranë shtratit të saj, pranë atij shtrati që e kishin ndarë bashkë. I vinte keq që s’do kishte më net të tjera. Duke i kërkuar të largohej nga apartamenti, ia kishte ndaluar. Ai ktheu kokën drejt saj dhe sytë i shkëlqyen kur ndeshën vështrimin e përhumbur të Amardës. U panë në sy gjatë dhe askush nuk foli, sikur fjalët të kishin mbaruar. Ajo u ngrit ngadalë dhe u mbështet me kujdes. Arbri vendosi laptopin mbi komodinë. Nuk dinte ç’ti thoshte më parë. - Je më mirë tani? Ke nevojë për diçka? - Jo, jo!- u përgjigj ajo e sigurt. Amarda ishte aq krenare, saqë asnjëherë s’u kërkonte diçka të tjerëve, as Arbrit. Pasoi një heshtje, gjatë së cilës të dy ndjeheshin si të qenë ulur mbi gjemba. - A e dije ti se Klara Ristani punonte në Kanalin e Lajmeve?- ishte Amarda që theu heshtjen e para. - Po, e dija. - Mban ende lidhje me të? - Jo, prej kohësh kam shkëputur çfarëdolloj lidhjeje. - Po ajo, të ka marrë në telefon? Të ka dërguar mesazhe? - Jo, nuk është bërë e gjallë. - Jam e sigurt se pas gjithë kësaj fshihet Klara. Nuk është rastësi që e ka përgatitur ajo kronikën. - Nuk besoj. Them se ka bërë vetëm punën e saj. Ç’do fitonte me këtë? - Për Klarën, nuk ka aspak rëndësi çfarë fiton. Për të është më e rëndësishme të humbasin të tjerët. Ky është specialiteti i saj. - Ami, je e lodhur, nuk e kupton se në këtë mënyrë lodh veten edhe më shumë? - Arbri, kur asaj i bie ndër mend diçka, e bën. Ajo tani ka në dorë një forcë shumë më të madhe se më parë, ndaj është më e rrezikshme. - Përse tani na qenka bërë më e rrezikshme? Ç’e bën atë 90 Elda Gjini më të fortë sipas teje? - Media! A nuk quhet media pushteti i katërt. Ajo e di këtë dhe po e shfrytëzon më së miri në favor të saj. - Po të jemi të bashkuar, ajo s’na bën dot asgjë. - Sikur të ishte kaq e thjeshtë! Jo Arbri, jo! Ti duhet ta ndalësh,- ai, i habitur nga fjalët, e saj e pa me sy të shtangur,- të lutem, ndale! Nëse të ka mbetur qoftë edhe pak dashuri për mua, fare pak, ndale të lutem! Është gjëja e fundit që të kërkoj. - Mendova të flas me Klajdin se ç’mund të bëjmë nga ana ligjore. - Nga ana ligjore the? Të lutem! Mos më bëj të qesh! Nëse ligji është mashkull, Klara flirton me të sa t’i shkojë pas e t’i futet në shtrat. Hiq dorë nga kjo mënyrë! - Atëherë ç’duhet të bëjë? - Mos më pyet mua. Ti e njeh mirë Klarën. Nuk besoj se ka ndonjë milimetër në trupin e saj që nuk e ke… - Mjaft Ami! A e di se ç’je duke thënë? Kjo është shprehja e Klarës. Të ka folur në këtë mënyrë? Çfarë të ka thënë tjetër ajo bushtra? - Kur u bë bushtër ajo Arbri? Dikur ishte aq e mirë, saqë harrove gjithçka më kishe premtuar. Nuk e di çfarë më lëndoi më shumë, dhimbja, apo turpi. - Dëgjo zemër, ajo tani i përket së shkuarës. - Këtu gabon. Me Klarën ke luajtur, por nuk i vendos ti rregullat. Klara ka dashur të luante me ty. - Tani po gabon ti. Isha unë që i dhashë fund lojës, siç e quajte dhe çfarëdolloj marrëdhënieje me të. - Asgjë nuk ka marrë fund Arbri. Ajo ka shtatë vjet që na përndjek. Mes nesh ka qenë përherë hija e saj. Edhe këtu, në këtë shtrat nuk kemi qenë asnjëherë vetëm unë dhe ti. Kush e di se sa net më ka dalë gjumi nga makthet. Në ëndërr shihja Klarën që qeshte, që tallej me mua dhe më vinte thonjtë në fyt. Asnjëherë nuk na ka lënë të jetojmë të lumtur, madje as të qetë. Vetëm kur ajo të mos 91 Më prit... jetë më do marr frymë lirisht. - Nuk ia vlen të flasim për të. Kjo bisedë nuk do na çojë askund. Shkuan në dhomën e ndenjjes dhe hapën televizorin. Duhej të shihnin medoemos edicionin informativ në Kanalin e Lajmeve. A do kishin paturpësinë për të ecur më tej? Ende nuk kishte filluar. Ishin disa kronika të parëndësishme për kafshë të rralla nga kopshte zoologjike në vende të ndryshme të botës. Qëndronin të dy aq të heshtur, sikur ato kafshë kishin rëndësi jetike për ta. Zilja e celularit i bëri të hidheshin përpjetë. Arbri u përgjigj me zë të ulët, dhe më pas doli në korridor. Amarda as që kishte ndër mend ta pyeste se me kë dhe për çfarë po fliste. Asaj i mjaftonte që ai të ndalte Klarën, mënyrën, apo njerëzit që do ta ndihmonin mund t’i zgjidhte ai vetë. Për herë të parë pranonte plotësisht vërtetësinë e shprehjes: Mjeti gjithmonë justifikon qëllimin. - Ami, a e di çfarë? Ti kishe të drejtë. Nuk ishte thjesht një rastësi. Pas gjithë kësaj është Klara. Djali që ka nxjerrë filmimet nga qendra tregtare Mesdheu është i dashuri i saj. Isha atje sot, dhe më thanë se për këtë veprim e kanë pushuar nga puna. - Tani do jetë edhe më e vështirë. Me një njeri të vetëm edhe mund t’ia dalësh mbanë, por kur janë dy… - Mos u shqetëso zemër, për ty do bëja gjithçka,- i tha Arbri duke veshur xhaketën e lehtë ngjyrë kafe,- mos e harro asnjëherë këtë. Nuk ishte nevoja për sqarime. Asaj nuk i interesonte rruga për te problemi, por zgjidhja përfundimtare e tij. Arbri i kërkoi të kujdesej për veten dhe të mbante celularin hapur.

No comments:

Post a Comment