Monday, January 15, 2018

Me prit...

Dëbimi                Kapitulli IV


      Posa u zgjua, Arbri pa me keqardhje se vendi i Amardës ishte i zbrazët. Ajo ishte çuar më herët se zakonisht. Telefonoi në agjenci dhe kërkoi leje. Lexoi për disa orë radhazi. S’kishte përfunduar ndonjë libër në kohë kaq të shkurtër. I ati kishte të drejtë. Do t’i vlente në marrëdhënien e tij me Amardën.
     Po, doktor Brojeri ia kishte dalë të ndihmonte pacientin e tij, por mbi të gjitha kishte ndihmuar veten. Kura e bisedës, siç e quajti Lu Salomeja, i kishte shëruar që të dy nga demonët që s’i linin të qetë. Po Arbri? Si do ia dilte të ndihmonte Amardën dhe veten? Diçka ishte e sigurt. Ajo, si dhe Niçja, nuk do pranonte asnjëherë me vetëdije një kurim të tillë. I duhej patjetër një ide, por çfarë?
     S’kishte dëshirë për të shkuar gjëkundi. Nisur nga gjendja e tij emocionale, më mirë të mos takonte njeri. Me siguri e vetmja arritje do ishte t’u prishte humorin të tjerëve. Shkoi në palestër. Ishte vendi ideal për situatën në të cilën ndodhej. Duke u përpjekur të largonte stresin dhe të kthjellonte idetë, djersiu shumë. Një mënyrë e mirë për të shkarkuar energjitë negative. Situata nuk ishte e lehtë. Vështirësia më e madhe nuk ishte të zgjidhte ndonjë problem mes të dyve, por të kuptonte cili ishte ai problem deri atëherë i padukshëm për sytë e tij. Amarda e kishte një arsye që s’pranoi të martohej me të.
     I qe futur një rruge pa krye. Nuk kishte asnjë pengesë reale. Por, kjo ishte edhe pjesa më e ndërlikuar. Ai ishte gati të luftonte që ajo të bëhej bashkëshortja e tij. Por, kundër kujt? Kundër çfarë?
    Kishte ardhur koha që ata të uleshin në anët e kundërta të një tryeze. Shpesh kishte menduar se gjithë mosmarrëveshjet e një çifti zgjidhen në shtrat, por ishte gabuar. Ndarja e të njëjtit shtrat mund të kthehet ndonjëherë në detyrim për të dyja palët. Aty nuk sheshohet asnjë mosmarrëveshje, vetëm se përkohësisht fshihen më thellë.             Mendoi se kishin nevojë të merrnin gjithçka me radhë, qysh nga fillimi. Çfarë i pëlqente dhe çfarë nuk duronin te tjetri. Çfarë i kishte ndarë e çfarë i kishte bashkuar. Ishte më i vendosur se kurrë për ta ndihmuar Amardën. Edhe nëse ajo nuk do pranonte të martohej me të, ai përsëri do ta ndihmonte. I detyrohej asaj vajze, por edhe vetes. S’mund të jetonte me brerjen e ndërgjegjes. Nëse ai kishte gabuar me të, duke e gënjyer, duke e tradhtuar, apo duke e përdorur për të arritur qëllimet e veta, të paktën duhej t’i shpjegonte arsyen. Në këtë mënyrë, ajo mund ta kuptonte, ndërsa ai të ndjehej i lehtësuar.
     I erdhi ndër mend kushërira e tij Jola, e cila studionte në Milano për psikologji. Kohët e fundit nuk ishte takuar shpesh, por kishin folur në skype. S’ishte nga ato komunikimet sa për të formuar trungun familjar. Deri diku kishin krijuar një afrimitet me njëri-tjetrin.
     Ajo i kishte shkruar se do të vinte në Shqipëri së afërmi, por Arbrit nuk i kujtohej se cilës kohe i referohej ajo. Mendoi t’i shkruante. Do ta pyeste kur do kthehej. Me siguri ajo do ta ndihmonte. Në këtë pikë ku gjendej kishte nevojë për ndihmë profesionale.
     Arbri e priti Amardën për drekë, por ajo s’erdhi. Nuk donte ta shqetësonte, por mendja nuk i largohej prej saj. Sidoqoftë, po përpiqej ta kuptonte. Duke e njohur mirë, mendonte se kur të kthehej do ta përqafonte dhe do t’i kërkonte falje që kishte krijuar distancë. Kështu ishte ajo. Asnjëherë s’e mbante gjatë mërinë. Me siguri më vonë do ta merrte për dore për të shkuar në dhomën e tyre. E kishte marrë malli për të shijuar përkëdhelitë e saj, për t’i ndjerë aromën. Donte ta shtrëngonte fort pas vetes, aq shumë sa të mos kuptohej më ku fillonte njëri e ku mbaronte tjetri. Duhet ta bindte se ajo i përkiste atij, plotësisht.
     Vendosi të gatuante diçka. Në fushën e gastronomisë ishte vërtet i talentuar, pa çka se përtac. Asnjëherë s’kishte gatuar një vakt të rëndësishëm për Amardën, ishte mjaftuar me mëngjesin, por edhe këtë e kishte bërë shumë rrallë.
     Ai nuk e kishte shfaqur veten plotësisht para saj. Ishte i sigurt se edhe sikur t’ia niste nga zero, ishte i aftë ta bënte sërish të humbiste mendjen pas tij. Përgatiti një darkë të këndshme dhe romantike njëkohësisht. U tregua i kujdesshëm të mos e tepronte në këtë pikë. Amardës nuk i pëlqente kur kalohej masa. Për këtë arsye, qirinjtë aromatikë nuk i vendosi mbi tryezë, por të strukur mirë në dy kënde të dhomës së ndenjies. Lulet i vendosi në dhomën e gjumit. Muzika vinte nga studioja, në të cilën ndodhej rafti i librave që zinte plotësisht një faqe muri, një shtrat në qoshe dhe në qendër tryeza e studimit, e cila kishte vend për tri persona. Mbi të ishte vendosur kompjuteri, i cili ishte ndezur dhe shfaqte baladat më të ndjera të të gjitha kohëve. Kështu gjithë apartamenti kishte në mënyrë harmonike një atmosferë të këndshme dhe çlodhëse.
    Më në fund dera kërciti. Për Arbrin erdhi momenti që kishte pritur prej orësh. Në sfond ishte një baladë e mrekullueshme e Brajan Adams, Please forgive me.
    Amarda dukej e lodhur, e sfilitur. S’kishte vënë gjë në gojë qysh nga dreka e djeshme. Arbri iu afrua dhe e puthi në buzë. Ato ju dukën të ftohta, ndërsa Amarda pothuajse nuk reagoi, u sforcua të buzëqeshte, por ishte një përpjekje e dështuar. Pothuajse u rrëzua kur hoqi këpucët.
    - Ami, ne duhet të flasim seriozisht zemër, nuk mund të refuzosh.
    - Këtë po mendoja dhe unë. Duhet të flasim, seriozisht.
    Arbri nuk dinte nga t’ia niste. Ishte i sigurt se po të përdorte pak takt do ia dilte mbanë ta bindte për idenë e vet. Ata kishin nevojë të flisnin bashkë, madje gjatë. Por, kishin nevojë edhe për këshillat e një specialisteje, siç ishte Jola. U ulën të dy në dhomën e ndenjjes, pranë e pranë.
     - Ami, unë kam marrë një vendim të rëndësishëm për sa na përket ne të dyve. Jam i sigurt se posa ta dëgjosh e ta mendosh me qetësi do ta miratosh.
     - Abi!- kështu e thërriste ajo kur ishin fëmijë.- Edhe unë kam marrë një vendim të rëndësishëm, por nuk jam kaq e sigurt nëse do të të pëlqejë.
     - A mund të fillojë unë i pari?
     - Të lutem!
     - Dakord.
    - Abi! Unë mendoj se për pak kohë duhet të jemi larg. Sikur të shkoje për disa ditë në shtëpinë e Oltit dhe Klajdit?
     - Shpirt! Thuamë se nuk ndjen për mua dhe unë iki përgjithmonë, jo vetëm për pak kohë.- Arbri ishte i bindur, se duke i thënë kështu, do ta bindte që t’i kthente fjalët mbrapsht. Kjo frazë funksiononte përherë. Ai e njihte mirë rrugën më të shkurtër, e cila arrinte direkt në zemrën e saj.
     - Ti e di mirë se këtë nuk ke për ta dëgjuar asnjëherë nga goja ime.
    - Unë nuk mund të iki dhe të të lë kështu, në këtë gjendje, aq më tepër vetëm. Ti po kalon një periudhë të vështirë. Ke nevojë për ndihmë.
     - A mban mend ndonjë periudhë të vështirë në jetën time që unë ta kem kaluar me ty, apo me dikë tjetër pranë? Asnjë. A e di përse? Sepse nuk ka pasur asnjë të tillë.
     - Ami, të lutem më lejo të të ndihmojë, nuk kërkoj asgjë në këmbim.
     - Edhe unë po të kërkoj të njëjtën gjë, të më ndihmosh. Të lutem! Kam nevojë të jem vetëm.
    Arbri e mbështolli të tërën me krahët e tij të fortë. Ia lexonte në sy nevojën për ngrohtësi. Ajo sërish mbeti e ftohtë. E kuptoi se ishte e pamundur t’i ndryshonte mendje.
    - Dakord, do veproj siç thua ti, por jo pa më dëgjuar më parë. Nëse nuk do të martohesh me mua, dakord s’ka problem. Nëse nuk do të jetosh me mua, përsëri jam dakord, respektoj dëshirën tënde. Nuk do as të jemi të dashur? I japim fund atëherë.
    Unë kam gabuar me ty, shumicën e premtimeve nuk i kam mbajtur,- u mendua për një hop dhe vijoi,- Ami, e mban mend premtimin e parë që të kam bërë, se do të të mbroja nga kushdo që do të bënte të vuaje? Ai premtim u bë me çiltërsinë e një fëmije. Me po atë çiltërsi unë jam gati ta përsëris sot. Nëse nuk të intereson diçka më tepër, më lejo të jem miku yt.
     - Ma thuaj shkurt të lutem, çfarë kërkon prej meje?
     - Ha darkë dhe unë do iki. Jam i sigurt se ke qysh dje në drekë pa futur gjë në gojë. Nuk është rasti të thuash se ke ngrënë diçka në punë. Ky justifikim u dogj dje.
    - Mirë,- pohoi ajo, lau duart në lavamanin e kuzhinës dhe u ul për të ngrënë. Asnjëherë nuk rrinte në shtëpi me veshjen që shkonte në punë, por me sa dukej ishte radha e përjashtimit nga rregulli. Teksa hanin, ose më saktë teksa bënin sikur, ajo nuk harroi t’i thoshte: Të lumshin duart!- Arbri mendonte se do bënte mirë t’i telefononte Ajlës që të flinte aty. Vetëm kështu do ishte pak i qetë.
    Pasi përfunduan së ngrëni Arbri vendosi në frigorifer ushqimet që kishin mbetur të paprekura, ngriti tryezën, lau enët dhe më pas duhej patjetër të ikte. Përgjatë kohës e kishte shoqëruar muzika e hidhur e kërcitjes së dhëmbëve dhe gishtave të Amardës. I kishte thënë shpesh se kërcitja e gishtave ishte shumë e dëmshme, por ishte një veprim të cilin ajo e bënte pa vetëdije kur ishte e tensionuar. Shumë rrallë arrinte ta kontrollonte. Arbi s’dinte të bënte të tjera punë që të zgjaste edhe ca qëndrimin aty.
    S’mori valixhe me vete. Donte një pretekst për të ardhur të nesërmen në mëngjes. Do fliste me Ajlën dhe ajo patjetër do t’i sugjeronte diçka. Te dera kryesore, kur ishte gati të dilte, Amarda i tha qartë të mos i telefononte Ajlës,  pasi donte të qëndronte vetëm. Nuk duhej ta bënte këtë gabim. Ishte e prerë në vendimin e saj.
    Po tani? Doli nga apartamenti. E kishte planifikuar ndryshe... Si mund ta linte vetëm në gjendjen që ishte? T’iu telefononte prindërve të saj? Kjo nuk hynte në punë. Ata do alarmoheshin, do linin punët për të ardhur, dhe nga ana tjetër Amarda do ndihej edhe më keq. Nuk dinte ç’të bënte.          Po doktor Ksejdi? Ai punonte çdo ditë me Amardën. Po sikur të hynte në klinikë dhe të fliste me të? Krenaria e mashkullit i ulërinte të mos shkonte, por këtë radhë kishte vendosur seriozisht ta ndihmonte njeriun që dashuronte, të mendonte vetëm për të. Do ta flakte egoizmin. Me siguri do ta gjente rrugën e duhur.
     Hyri në klinikë. Çuditërisht në atë orë të vonë gjeti aty edhe Pandi Rrënjën. Më mirë kështu. Doktor Ksejdi kishte pacientin e fundit. Pandi Rrënja me mirësjellje e ftoi të ulej në zyrën e tij. Ai e kuptoi menjëherë se nuk ishte një vizitë mirësjelljeje, Arbri kishte diçka që e shqetësonte, përndryshe s’do vinte aty në atë orë të vonë.
    Kur hyri, doktor Ksejdi kishin bërë thjesht bisedat e zakonshme të njerëzve që sapo prezantohen. Arbri nuk dinte nga t’ia niste.
    - Fol bir! Ç’hall ke?- e pyeti me ton atëror Pandi Rrënja.
    - Arbrit iu errësua vështrimi kur dëgjoi fjalën hall. Kishte përballë dy njerëz të panjohur dhe duhej t’u paraqiste hallin e vet.
     - Mos duhet të dal?- pyeti Ksejdi.
     - Jo, dua të flas me të dy. Të them të drejtën nuk di nga t’ia nis. Ami është shumë e lodhur, punon shumë. Më duket se e gjithë kjo është shumë për të. Vetëm pasi përfundoi fjalinë kuptoi se e kishte përdorur tri herë fjalën shumë. Kjo ndoshta ngaqë ndjehej ngushtë, shumë.
     - Amardën e dua si vajzën time, por ç’halle mund të ketë ajo vajzë s’di të të them.
     - Sot ishte shumë e lodhur. Disa herë i thashë të shkonte në apartament dhe të qetësohej, por nuk më dëgjoi, madje s’hëngri asgjë. S’e besova kur më tha se kishte ngrënë mëngjes para se të vinte.
     - Mos i ka ndodhur këtu diçka që ta bezdisë, që ta shqetësojë?- kjo pyetje e bëri Arbrin të ndihej i poshtër. Ai ishte duke shkarkuar përgjegjësitë nga vetja, dhe në një farë mënyre po ua hidhte atyre.
      - Nuk di ç’të them. Këtu nuk ka pasur absolutisht asnjë problem. Ne me Amardën kemi një marrëdhënie mjaft të mirë, të sinqertë, të hapur, të çiltër, besim reciprok, por kjo fokusohet vetëm në fushën profesionale, për pjesën tjetër unë nuk di asgjë.
    Arbri kujtoi se sa herë Ami i qe dukur e ftohtë, kishte menduar se ishte për shkak të doktor Ksejdit, kolegut për të cilin ajo kurrë s’kishte thënë një fjalë të keqe. E përshkruante me pak fjalë: profesionist, i edukuar, i komunikueshëm, korrekt. Përcaktimi kishte qenë i saktë.
     - Edhe ato që di unë janë shumë sipërfaqësore. Ajo nuk flet kurrë për veten. Nuk ankohet asnjëherë për asgjë. Punon shumë, flet ngadalë e ëmbël, buzëqesh dhe kaq. Arbri u ndje keq dhe s’dinte çfarë të thoshte. Pandi Rrënja e nxori nga situata.
    - Na jep numrin e telefonit dhe nëse ka diçka të marrim ne. Sa për të ngrënën, mos u mërzit fare, nga nesër do merrem personalisht me këtë punë, dakord? Në këtë fushë e quaj veten specialist.
    Më bëri përshtypje që, në një reklamë, e quante dashurinë për ushqimin si dashurinë më të sinqertë në botë,- tha ai më shumë për të ndërruar bisedën.- Të jesh i sigurt, se Amarda nuk mund të jetë ndryshe nga njerëzit e tjerë.
    Biseda u mbyll me një shtrëngim duarsh.
     Gjithë atë natë Arbri s’vuri gjumë në sy. Ishte i gatshëm të qëndronte poshtë pallatit të Amardës, nëse ajo do kishte nevojë për të, duhej që patjetër të ishte atje. Ndenji gjatë aty, duke bërë ecejake herë të shpejta e herë të ngadalta. Më në fund arriti të bindte veten se nuk shërbenin për asgjë.
    Sa keq u ndje kur hyri në apartamentin që kishte jetuar më parë. Ishte qeni i braktisur në kërkim të një strehe. Olti i kishte thënë ditën që u transferua, se aty do kishte gjithmonë një vend për të. Duke e njohur, e dinte se ai s’mund të rrinte gjatë në një vend, as tek Amarda, sidomos tek ajo.      Kur e panë në derë, i dhuruan nga një buzëqeshje të hidhur si dhuratë për mirëseardhjen, siç kishin bërë sa herë mësonin një histori të re të Arbrit. dhe për dhimbjen që i shkaktonte Amardës. Ishin të sigurt se edhe këtë herë shkak i ndarjes duhej të qe ndonjë histori e tij, ndoshta ishte bërë edhe publike. Ai nuk mund të mburrej para tyre për aventurat dhe bëmat e tij. Të gjitha këto e bënin Amardën të vuante thellësisht, madje e kishin çuar edhe në marrjen e vendimeve ekstreme. As Olti e as Klajdi s’mund të qeshnin mbi dhimbjen e shoqes së tyre.
     Sa mirë që nuk më pyetën, mendoi Arbri. Nuk dinte t’i jepte shpjegime as vetes. Ndoshta nuk duhej të kishte pranuar për asnjë arsye të jetonin në apartamentin e saj. Jo se nuk kishte këmbëngulur në të kundërtën, por Amarda kish qenë e prerë, ose do jetonin bashkë aty, ose askund tjetër. Deri pak më parë mendonte vetëm të ndihmonte Amardën, ndërsa tani edhe për të justifikuar dëbimin e pësuar. Telashet asnjëherë nuk vijnë vetëm. Mjaft të të mbërthejnë e të të fusin në vorbullën e tyre.
     Kishte nevojë të mos mendonte, pasi këtë kishte bërë gjatë gjithë ditës. Ndoshta një banjë e ngrohtë dhe më pas gjumë ishin pikërisht ato që i duheshin. S’ia kishte ënda për asgjë tjetër.
     Sido që të shkonte, e nesërmja nuk mund të ishte më e keqe se e sotmja. Ai shquhej për ide, diçka do t’i vinte ndër mend. Dhe fundja, nuk kishte përse të anulonte gjithë çka kishte planifikuar në lidhje me jetën e re në çift. I pëlqente t’i thoshte vetes moton e tij të përhershme: Nuk ka vajza të pathyeshme, ka djem të pavullnetshëm.

No comments:

Post a Comment