Takimet Kapitulli XXIII
Pas një nate pa gjumë, Amarda vrapoi të merrte taksi.
Klajdi do shkonte në punë më herët se zakonisht, ndërsa
ajo donte të fliste ballazi me të, për të mësuar deri në detaje
atë që kishte ndodhur në komisariat. Për fat të keq po
vonohej. Druhej se s’do arrinte në kohë.
Pranë saj ndaloi një makinë, xhami i së cilës u ul ngadalë.
Amarda s’e ktheu kokën andej. S’merrte mundimin as t’u
përgjigjej të panjohurve e jo të udhëtonte me ta. Por, zëri që
dëgjoi s’qe i ri për veshin e saj. Ishte Geri.
As të vdekur s’donte ta kishte pranë. Sapo kujtonte
emrin e tij i vinte ndërmend plani që kurdisi me Klarën
dhe gjithë telashet që pasuan. Kur mbyllte sytë, i dilnin
përpara të nxirat e dikurshme në shpinë. Geri ende s’kishte
paguar për atë që i kishte bërë. Ajo i ishte betuar vetes se
do hakmerrej ndaj tij. Edhe sikur të ishte gjëja e fundit që
do arrinte në jetë, ajo ishte e gatshme ta bënte. Geri s’e
meritonte të ishte aty ku ishte. Le të priste disa ditë për
të shkëmbyer vendet me Arbrin. Burgu është vendi që i
takon një njeriu si ai.
Para se Amarda të merrte veten nga përhumbja në
parafytyrime mbi të ardhmen e Gerit, ai zbriti nga makina
dhe duke e përqafuar fort e puthi me zhurmë në të dyja
faqet. Kur Amarda u kthjellua plotësisht e pa veten në
sediljen e pasme të Benz ML-s. S’ishte e vështirë ta
kundërshtonte e t’i thoshte në sy se ishte një ndyrësirë, se
nuk donte ta shihte kurrë dhe të mos hipte në makinën e tij.
Por, për momentin kishte diçka shumë më të rëndësishme
se krenaria e saj. Arbri duhej të shkëmbente vendin me Gerin një orë e më parë. Nëse ajo ishte pranë Gerit, do ta
kishte shumë më të lehtë për të vijuar linjën e hetimeve. Për
këtë do ta ndihmonte edhe Olti me informacionet e gjetura.
- Dukesh shumë më e bukur nga sa të mbaj mend! Dhe
të mendosh se kanë kaluar në mos gaboj... shtatë vjet.- i tha
Geri duke përveshur buzët e tij hollake nga një e qeshur
që nuk i shkonte me fytyrën, ose së paku kështu i dukej
Amardës,- A mund të më tregosh çelësin e bukurisë tënde?
Gjithmonë nëse nuk është sekret.
- Faleminderit Geri, je gjithmonë shumë i sjellshëm. Por,
hë për hë do ta mbaj sekret. Nëse do ta bëja publik kam frikë
se njerëzia do dilte rrugëve pa e larë fytyrën në mëngjes.
- Jo vetëm inteligjente, e shkolluar, e zellshme në punë,
e bukur, por modeste dhe me humor të hollë. E ç’do donte
një mashkull më shumë nga një femër?
- Para.
- Po një mashkull që ka para sa do t’i mjaftonin disa
brezave në vazhdim, ç’do donte më tepër nga një femër?
- T’i shkulte dhëmbët e dhëmballët e në veçanti tetën,
atë që quhet ndryshe dhëmballën e syrit.
- Çfarë the Ami?- Geri lëvizi pasqyrën duke i kërkuar
sytë. S’po u besonte veshëve. A e kishte dëgjuar mirë? Për
një çast iu duk sikur ato fjalë i ishin adresuar atij dhe jo një
mashkulli në përgjithësi.
- A the se humori im është i hollë? Sforcohu pak
për ta kuptuar! Të pasurit janë më dorështrënguar dhe
kirurgjia e dhëmballës së syrit është nga shërbimet më të
kushtueshme. Nejse, s’dua të të mërzis me sekrete nga jeta
ime profesionale.
- Në fakt do të më pëlqente të dija më shumë sekrete
nga jeta private.
- Mund të ndalosh aty, përpara kryqëzimit se arrita. Sa
për jetën private mund të flasim kur të duash, s’kam asgjë
për të fshehur. Vetëm se tani s’kam kohë. E lëmë për herë
tjetër të pimë një kafe.
Amarda zbriti nga makina para se Geri t’i hapte derën.
Nuk i pëlqente të hiqej si zonjë e rëndë, aq më tepër me të.
- E the sa për të thënë apo vërtet do të pish kafe me
mua?
- Unë asnjëherë s’flas sa për të thënë diçka.
- Të siguroj se do jetë më shpejt nga ç’ta pret mendja.
- S’e kam me ngut. Kam pritur shumë për të t’i thënë
ato që do të them, mund të pres edhe ca. Shihemi Geri!- këtë
herë Amarda e shtriu krahun plotësisht përpara. S’mund
të duronte edhe një herë as përqafimet e as puthjet e Gerit.
Shpejtoi për në apartamentin e shokëve të saj dhe e
gjeti Klajdin duke dalë. Ai i shpjegoi shpejt se hë për hë
Arbri i kishte punët keq. Kishte mundësi që po sot të merrte
masën burgim. Kjo masë zakonisht merrej pasi kalonin
njëzetë e katër orë në paraburgim dhe s’gjendeshin prova
për shfajësimin nga akuzat. Nëse ndodhte kjo, atëherë do
ishte shumë më e vështirë për të dalë prej andej. Klajdi
s’mund ta ndalonte, s’kishte në dorë asgjë. Me ç’dukej,
gjithçka ishte kundër tij.
Amarda këmbënguli që të kërkonin ndihmën e avokatit
për të cilin punonte ai, por tarifat i kishte shumë të larta dhe
asnjëri prej tyre s’kishte aq para mënjanë. Klajdi shpejtoi
hapin pas telefonatës që mori nga zyra e avokatisë, duke
i thënë Amardës se do fliste me avokatin dhe nëse ai ishte
dakord do t’i telefononte. Sa për vizitat mund të lejoheshin
vetëm të nesërmen në mëngjes, atë ditë, me sa dukej, Arbri
nuk do takonte askënd.
Për fat të mirë kishte edhe disa minuta kohë para
se Olti të ikte në punë. I kërkoi të hidhte një njoftim në
internet për të shitur makinën. Këtë vendim e mori brenda
një sekonde të vetme. Kishte nevojë urgjente për para. Liria
e Arbrit ishte shumë më e rëndësishme se makina e saj.
Olti ende s’kishte mundur të identifikonte personin që
kishte futur videon në internet, por i tregoi disa të dhëna
të gjetura për Gerin. Ishte habitur që ai, kohët e fundit, përdorte shumë më tepër rrjetet sociale për t’u afruar
me shoqërinë e dikurshme. Në veçanti kishte shpeshtuar
kontaktet me Ajlën.
Ajla... Sa ditë kishte pa e parë? Që prej daljes nga
spitali as ishin takuar e as kishin folur në telefon. Amardës
s’i kishte rënë ndër mend, por s’mund ta fajësonte veten
pas asaj që i kishte ndodhur. Nëse ajo thjesht kishte
harruar, Ajla e kishte një arsye, madje një arsye të fortë për
mosinteresimin e saj. Duke e njohur e dinte fare mirë që
s’kishte lidhje me afrinë që ishte duke krijuar me Gerin.
Në fund të fundit, s’i kishte folur ndonjëherë për atë që
dyshonte, dhe madje ishte e sigurt se e kishte bërë ai. Pra,
Ajla mund të afrohej me Gerin pa pasur si qëllim të largohej
nga shoqja e saj më e mirë.
Sa të afërt ishin bërë ata? Qëndrimi me Gerin mund të
kthehej në një rrezik të vërtetë. Një zot e dinte se me çfarë
ishte marrë ai gjithë këtë kohë. Njerëz të tillë vetëm me
punë s’merren. Duhet ta takonte Ajlën dhe t’i kërkonte të
qëndronte larg prej tij. S’donte që Ajla ta pësonte as si ajo
dikur e as si Klara tani. Geri përveçse ndyrësirë ishte edhe
i rrezikshëm.
Olti do t’i vijonte kërkimet edhe në internet-kafenë
që punonte. Para se të ndaheshin i bëri disa foto makinës
së Amardës, i duheshin që t’i hidhte në internet së
bashku me njoftimin. Më pas punoi në fotoshop për të
mos u dukur targa. Vendosi numrin e tij të celularit, për
t’i shmangur të tjera telashe shoqes së tij në periudhën e
vështirë që po kalonte.
Amarda s’dinte ç’të bënte. Duhej të fliste me Ajlën, por
s’ishte një bisedë për t’u bërë në telefon. Ajo me kohë i kishte
kuptuar qëllimet e Gerit. I vinte keq për Ajlën, të cilën ai po e
shfrytëzonte për të arritur synimin e tij. Këtej e tutje duhej të
ishte e kujdesshme, të mos i tregonte asgjë të rëndësishme.
E dinte se ajo joshej shpejt nga paraja dhe ai nuk do kursehej
në këtë aspekt. Kështu Ajla në një farë mënyre do ndjehej e detyruar t’iu përgjigjej pyetjeve të tij mbi shoqen e vet.
Megjithëse orari i zakonshëm i punës së Ajlës s’kishte
ardhur akoma, ajo i tha Amardës që s’kishte kohë për të
pirë një kafe bashkë, siç vepronin zakonisht. Por, ja që
takimin përpara bankës ku punonte s’mund ta shmangte.
Amarda po e priste aty. U gëzua kur e pa të vinte. E kishte
marrë malli. Por, Ajla iu duk e ftohtë. Të paktën Geri i
kishte dhuruar një buzëqeshje atë mëngjes, megjithëse të
pakëndshme, ndërsa shoqja më e mirë qëndronte e ngrysur.
- Ajla, ti se ç’ke! Jam e sigurt se ngutja jote s’lidhet me
orarin e punës, apo gaboj?
- Lidhet vetëm me punën Amarda. Ti e di sa nevojë
kam për para, s’do ia falja vetes të arrija me vonesë dhe të
më pushonin.
- Po cili do të të pushojë Ajla, roja, apo pastruesja? Në
bankë nuk ndodhet askush tjetër, unë u interesova para se
të vije ti.
- Domethënë... ti s’ke më besim te shoqja jote,
përndryshe nuk do...
- Ti se ç’ke Ajla, të lutem ma thuaj!- ndërkohë Amarda
i kapi duart me të sajat dhe po i kërkonte sytë, siç vepronin
kur ishin ende fëmijë dhe s’i fshihnin asgjë njëra-tjetrës.
Ajla uli sytë përtokë. Ç’dreqin kishte bërë që s’merrte
guximin ta shihte në sy?
- Nuk kam asgjë Amarda, asgjë. E kam me ngut dhe
më duhet të iki. Ishte hera e dytë që ia thoshte emrin e
plotë. S’e kishte bërë ndonjëherë. Edhe duart i shkëputi
nga duart e shoqes së vet, madje as në sy s’merrte guximin
ta shihte.
- Lidhet me Gerin! Përse tani që ke shpeshtuar kontaktet
me të je distancuar me mua? Ajla, ti e ke një arsye. Të lutem
ma thuaj!
- Shko e pyet tët ëmë më mirë për arsyet e mia dhe jo
mua!
Amardës i lëshuan sytë shkëndija kur e dëgjoi Ajlën të fliste në këtë mënyrë për mamanë e saj. Si guxonte? Ajo
praktikisht ishte rritur në shtëpinë e tyre. Soni Kristo e kishte
dashur dhe trajtuar si ta kishte vajzën e vet. Zemërimi dhe
zhgënjimi i Amardës ishte aq i madh, saqë s’e vuri trurin
në lëvizje dhe u bë e tëra preh e ndjesive të saj. I flakëroi
një shuplakë fytyrës, e cila ishte aq e fortë, sa në faqen
e Ajlës mbetën gishtat e hollë e të gjatë të Amardës. Ajo
kishte reflekse të forta, por në këtë rast s’mundi të bënte
një parashikim të saktë, madje as e hamendësoi veprimin
e shoqes së saj. Vetëm pasi mori shuplakën ia mbërtheu
menjëherë dorën me dy duart e saj.
- Si guxon? Nuk të vjen turp që bën një veprim të tillë
ndaj meje?
- Turp të të vijë ty, që flet ashtu për mamanë time, ajo
të do siç më do edhe mua.
Ndërkohë roja i sigurisë i kishte ndjekur gjithë veprimet
e vajzave. Ai e dinte se ato ishin shoqe dhe mes tyre duhet
të kishte thjesht ndonjë keqkuptim. Iu afrua dhe u këshilloi
të futeshin brenda. Aty do të flisnin më me qetësi.
Të dyja vajzat kokulur ngjitën ngadalë shkallët e
ndërtesës. Ajla ishte zemëruar, madje tërbuar ndaj shoqes
së vet, e cila merrte guximin ta gjuante me shuplakë dhe ku
se, para vendit të saj të punës. Ndërkohë që lotët i dilnin pa
pushim prej syve, thoshte me vete se shoqja e saj duhej t’i
kërkonte njëqind herë të falur për veprimin e padrejtë dhe
fyes që kishte bërë ndaj saj. Edhe Amarda ishte e zemëruar e njëkohësisht e tërbuar.
Ajla kishte ofenduar në mënyrë vulgare Amardën dhe
mamanë e saj, por ishte e tërbuar edhe me veten. Si arrinte
të kryente një veprim të tillë? Ishte një gjest rrugaçërie. A
do ia falte ndonjëherë vetes? Iu rikthye edhe një herë frikës
së disa ditëve më parë. Mos po marrosej? Kishte dalë nga
vetja. Thoshte fjalë dhe kryente veprime të papeshuara.
Ajo s’ishte kështu. Ndjente neveri ndaj vetes.
Ose... ndoshta s’duhej t’i kërkonte aspak falje vetes për një veprim të tillë. Kishte mbrojtur figurën e së ëmës
s’kishte bërë ndonjë gabim. Ishte Ajla ajo që duhej t’i
kërkonte falje, madje një mijë herë. Soni Kristo meritonte
respekt. Sapo të shkonte në apartament do ta puthte dhe
do ta përqafonte, do t’i thoshte se ishte mamaja më e mirë
në botë. Ajo kishte vite të tëra që sakrifikohej për Amardën,
ndërsa ajo s’kishte arritur t’ia shpërblente.
Pas pesëmbëdhjetë minutash Amarda doli nga banka
kokulur, duke fshirë lotët. Sapo zuri vendin e shoferit nisi
të qante me ngashërim dhe të godiste timonin me grushte,
duke vënë në punë atë pak forcë të mbetur. Fashot e bardha
u përskuqën nga gjaku. Sipas këshillës së mjekut, në rast të
tillë duhej të shkonte urgjentisht në spital. Por, shëndeti
fizik ishte shqetësimi i fundit për të. Pas disa çastesh, fshiu
lotët, mori frymë thellë dhe i telefonoi Klajdit.
- Ami, avokati është shumë i zënë dhe s’ka kohë të të
takoj, madje s’ka kohë as të flasë me mua për këtë çështje.
Nëse krijohet ndonjë mundësi do të të marr vetë, dakord? - Klajdi... të mora për diçka tjetër. Përse Arbrin e
arrestuan për së dyti ndërkohë që nuk është gjendur ndonjë
provë tjetër kundër tij?
Klajdi nuk po fliste. Amarda e donte patjetër një
përgjiigje, ndërkohë që dëgjonte vetëm frymëmarrjen e tij
të shpeshtuar.
- Atë dikush e akuzoi sërish, apo jo?
- Po.- u përgjigj Klajdi me gjysmë zëri.
- Dhe s’bëhet fjalë për ish të dashurin e Klarës.
- Jo!
- Të lutem Klajdi, më thuaj se personi që e akuzoi nuk
ishte mamaja ime!
- S’mundem! Më vjen keq Amarda, por ishte ajo.-
Klajdi priste që shoqja e tij të qante e të ngashërehej, por
për habinë e tij zëri i saj iu duk i kontrolluar dhe i qetë,
megjithëse me një timbër jashtëzakonisht të ftohtë.
- Të lutem Klajdi, a mund të ma dërgosh numrin e Gerit me mesazh? E di që e ke. Të pashë kur u ngjite në
makinën e tij, ai po të priste. Në fund të fundit s’ishe duke
bërë asgjë të keqe për ta mbajtur të fshehtë, apo gaboj?
- Numrin e Gerit the? Të lutem qëndroji larg atij, të
lutem Amarda! Unë s’kam asnjë lidhje personale me të,
është vetëm çështje pune. Shefi i kishte dhënë numrin tim
dhe më kërkoi të takohesha këtë mëngjes.
- Të lutem Klajdi, më dërgo numrin e tij! Sa për të tjerat
është jeta jote dhe mund të bësh ç’të duash. Të lutem, as
mos më telefono dhe as mos eja të më takosh. Miqësia jonë,
apo çfarëdo që të ketë qenë përfundon këtu.
Amarda mbylli telefonin. S’kishte asnjë kuptim që ajo
bisedë të zgjatej më tej. Ish shoku i saj ia kishte thënë emrin
gjatë. Kjo tregonte distancim. Më mirë kështu. S’mund ta
fajësonte veten për prishjen e miqësisë së tyre. Nëse dikush
të tradhton në këtë mënyrë, vetëm shok s’mund të jetë. Pas
pesë apo gjashtë thirrjeve të humbura nga Klajdi më në
fund erdhi mesazhi me numrin e Gerit.
Amarda pa veten në pasqyrën e makinës. Kishte
kaluar vetëm pak më shumë se një javë që ajo kishte prerë
damarët dhe kishte lakmuar vdekjen për të shpëtuar nga
problemet që i kishte quajtur të pazgjidhshme. Tani, asgjë
nuk ishte zgjidhur. Problemet ishin shumëfishuar, por ajo
s’mund t’ia lejonte vetes luksin e të menduarit të shpëtonte
prej tyre duke u larguar nga kjo botë. Arbri kishte nevojë
për të më shumë se kurrë. Do bënte të pamundurën për ta
nxjerrë prej andej.
- Alo! Geri, Amarda jam.
- Amiii! Çfarë kënaqësie të dëgjoj zërin tënd. Në telefon
duket edhe më i bukur. Si thua, do të më japësh kënaqësinë
të pimë një kafe bashkë?
- Sikur të të jepja më shumë kënaqësi do të të vinte
keq?
- Gjithçka që vjen prej teje është e këndshme.
- Meqenëse kemi shumë për të folur, përse nuk e lëmë më mirë të hamë darkë bashkë, p.sh. në orën tetë? Si thua?
Restorantin zgjidhe ti, për mua s’ka problem.
- Mezi po pres që ora të shkojë tetë! Nëse i lëviz akrepat
duke...
- Në orën tetë fiks Geri! Në të njëjtin vend ku më more
në mëngjes.
Amarda s’kishte durim të priste telefonatën e Klajdit
ndaj u nis për në studion e avokatisë në të cilën punonte ai.
Koha ecte shpejt dhe duhej të bënte të pamundurën që Arbri
të mos merrte masën burgim pa afat. I vetmi njeri që mund
ta ndihmonte për këtë ishte avokati për të cilin punonte
Klajdi. Në karrierën e tij rreshtoheshin vetëm fitore.
S’donte t’ia dinte nëse nuk kishte lënë takim. Mjaftonin
pesë minuta për t’i thënë si qëndronte çështja. Sa për paratë,
ato s’ishin më problem. I kërkoi Oltit të vendoste një çmim
të ulët për makinën që të shitej sa më shpejt. I duheshin ato
para brenda ditës.
Kur hyri në studion e avokatisë, sekretaria nuk ishte
në vendin e saj të zakonshëm. Klajdi i doli përpara për
ta ndalur me çdo kusht. Avokati kishte dhënë urdhër të
prerë, s’donte asnjë vizitë. Amarda e pa se nuk do ia dilte
dot me të mirë. Ngriti mëngët e gjata të bluzës dhe i tregoi
fashat e gjakosura.
- Ti e di se ç’jam e aftë të bëjë nëse gjërat nuk shkojnë
ashtu siç dua. Nuk besoj se je aq i pashpirt sa për të mbajtur
një vdekje në ndërgjegjen tënde të bardhë si dëbora. Klajdi u bë mënjanë. Ishte hera e parë që nuk i bindej
urdhrit të punëdhënësit të tij. Dera e zyrës ishte e pambyllur plotësisht. Ajo trokiti
lehtë, por avokati, i cili ishte kthyer me shpinë nga dera
dhe po fliste në telefon nuk e dëgjoi. Amarda u kollit për
të njoftuar praninë e saj. Avokati u rrotullua fytyrëngrysur
në kolltukun e tij. Egërsimi i fytyrës për faktin se po shihte
që dikush kishte hyrë pa leje në zyrën e tij, flokët e rëna
për faj të viteve të kaluara, apo ekzagjerimi i përmasave nga kilogramët që kishte marrë, nuk e bënin atë fytyrë të
panjohur për Amardën. Ajo e kishte parë, po ku? Sytë e
tij i thoshin diçka. Ai u ngut të mbyllte telefonatën duke i
kërkuar falje personit që kishte në linjë.
Amardës iu duk i njohur zëri i tij. S’kishte të bënte
me fjalët shfajësuese që përdori për t’i dhënë fund bisedës
telefonike. Ai zë i thoshte: Mbahu pas meje! Edhe pak...
edhe pak.
S’gabohej. Ai ishte njeriu që i shpëtoi jetën. Ishte njeriu
që e nxori nga valët e rrëmbyera të lumit Shkumbin, duke
rrezikuar jetën e vet.
- Urdhëroni zonjushë!- i foli ai duke u munduar të
ruante qetësinë dhe duke i treguar një karrige për t’u ulur.-
Si mund t’ju ndihmoj?
- Erdha për peshk të freskët. Keni besoj. Një peshkatar
si ju!
- Po qe se po kërkoni dyqan peshku jeni gabuar. Mund
të merrni rrugën drejt dhe të ndaloni te kryqëzimi në të
djathtë,- tha ai duke u përpjekur të tregohej i qetë.
- Sa vjet keni që jeni diplomuar zoti avokat? Me sa
shoh nga diploma që keni vendosur në mur, keni plot
pesëmbëdhjetë vjet. S’besoj se para gjashtë vjetësh ishit
vërtet duke peshkuar, apo jo?
- Së pari unë s’jam marrë kurrë me peshkim. Së dyti,
më mungon durimi. - S’është nevoja të përdorni as grep e as rrjetë kur
peshqit e mëdhenj vijnë drejt e në studion tuaj. Kështu nuk
u humbet as durimi. Përse po më ndiqnit atë ditë? Dhe ju
gjetën të zhveshur si një peshkatar. Po të ndodhte ndryshe,
të gjithë do kuptonin nga veshja juaj e shtrenjtë se nuk
ndodheshit rastësisht atje. Le më pastaj ajo shprehja juaj:
Bëjë mirë pa kërkuar asgjë në këmbim...
- Nuk mendoni që së pari duhet të më falënderoni për
atë që bëra? Së dyti, unë rrezikova jetën për ju, pa kërkuar
asgjë si shpërblim.
- Sa për shpërblimin, e keni marrë që ç’ke me të. Jam
e sigurt se e keni marrë paradhënie. Prej sa viteve keni si
klient tuajin Gerald Kotheren zoti avokat?
- Që prej tetë vjetësh.- u përgjigj një zë pas shpinës së
saj. Ishte Geri.
Përsëri kurthe. Sa më shumë të rrëmonte në të shkuarën
e saj, më shumë kurthe zbulonte. Pas tyre fshihej Geri, por
për fat të keq jo vetëm ai. S’duhej ta kishte takuar aty, jo
në atë mënyrë. I kishte kërkuar të hanin darkë bashkë e të
bisedonin me qetësi për të kuptuar më shumë, por as vetë
s’besonte se ai fshihte kaq shumë.
- Megjithëse ke qenë mijëra kilometra larg meje,
përsëri hija jote më ka ndjekur nga pas. Përse Geri? Përse
të interesonte çdo hap që unë hidhja?
- E the bukur. Më interesonte dhe më intereson çdo
hap që ti hedh. Si bashkëshorti yt i ardhshëm kam të drejtë
të interesohem për gjithçka që të ndodh.
- Si the Geri, si bashkëshorti im i ardhshëm? Më duket
se po sheh ëndrra me sy hapur.
- Ulu të lutem! Duhet të bisedojmë me qetësi.
- Është më mirë të dalim e të flasim gjetkë. Kjo nuk
është një bisedë që bëhet këtu.
- E keni gabim zonjusha Amarda Kristo. Kemi
përgatitur gjithë dokumentacionin e nevojshëm mbi këtë
çështje.
- Një nga ne s’është në rregull. S’po arrijmë të
kuptohemi.
Geri i bëri gati karrigen. Amarda u ul, jo për të mos
ia prishur Gerit, por sepse mendja i vinte rrotull. Niste
të kuptonte e njëkohësisht s’donte të kuptonte asgjë.
Avokati doli jashtë për t’i lënë disa minuta vetëm. Nëse
ata binin dakord mes tyre, gjithçka ishte gati, mbetej
vetëm të firmosnin.
- Ti më njeh prej vitesh dhe e di se unë jam djalë korrekt
dhe serioz. Nëse dikush tjetër të propozon për martesë para kamerave, sepse është vip, ose do të dalë në ekran, unë të
bëjë një propozim shumë më serioz, përpara një avokati.
- Po më flet për propozim martese?
- Po. Nuk dua asgjë më shumë nga jeta, vetëm të
martohem me ty. Jam gati të nënshkruajmë një kontratë
paramartesore, besoj se do biem dakord.
- Geri, përse do të martohesh me mua?
- Të njoh prej një jete të tërë Ami. S’ka në botë një
vajzë më të mirë se ty. Ke gjithë cilësitë për të qenë një
bashkëshorte e mirë, nëna e denjë e fëmijëve të mi.
- Kaq me gjakftohtësi e llogarit jetën ti Geri? Më
vlerëson si një kukull. Po ndjenjat? Apo, se mos ke pasur
ndonjëherë ndjenja ti!
- Unë s’jam njeri pa ndjenja. Jam prej mishi e prej gjaku
si gjithë të tjerët. Të gënjej po të të them se nuk ka pasur
femra në jetën time. Por vetëm njëra prej vajzave që njoh
më bën të më vlojë gjaku.
- Dhe kur të vlon gjaku, ç’bën ti Geri? Manipulon një
vajzë, e dërgon te i dashuri i vajzës që i ke vënë syrin,
përdor shpirtbutësinë e saj, bëhesh supi ku ajo kërkon të
mbështetet, e shoqëron në shtëpi, e puth pa dëshirën e saj
dhe pastaj abuzon me të kur ajo është e pavetëdijshme.
- Prit, prit, prit... t’i marrim gjërat me radhë. Para se të
të puthja t’u afrova pranë dhe ti s’lëvize për t’u larguar. Ti
u drodhe e tëra në krahët e mi. Edhe ti ndjeje. Unë as që
guxova të përfitoja prej teje. Nëse do këmbëngulja mund të
kishim arritur më tej, ti më kupton se ç’dua të them..
Amarda ngriti dorën t’i gjuante me shuplakë fytyrës,
por ai ia kapi dorën në ajër para se ajo të bënte atë që kishte
nisur. Me të nuk ishte aspak e lehtë si me Ajlën.
- Në familjen tonë s’do ketë dhunë e dashur, vetëm
respekt, komunikim dhe dashuri.
- Si guxove Geri, si guxove të abuzoje me mua? Shpina
ime ishte mbushur me të nxira. Ç’më bëre kur unë s’isha e
vetëdijshme?
- Vetëm u përpoqa të sillja në vete, por ishte shumë e
vështirë, u tremba pasi s’kisha asnjë eksperiencë në këtë
fushë. Mora një kushëririn tim në telefon, që studionte
infermieri dhe bëra ç’më tha ai. S’doja të të çoja në spital. E
dija se do tronditeshe më tepër.
- Mjaft me gënjeshtra Geri! Si mund të më gënjesh duke
më parë drejt e në sy?
- Kur u konsultova më pas me një mjek, më tha se
gjithçka vjen nga rënia e nivelit të glukozës në gjak. Shkaku
kryesor është shqetësimi i menjëhershëm.
Kur ke humbur
ndjenjat për herë të fundit?
- Mbrëmë.
- Kush të ndihmoi?
- E ç’të duhen këto gjëra?
- Të lutem, m’u përgjigj sepse është e rëndësishme!
- Arbri dhe Klajdi më ndihmoi.
- Edhe ata nuk besoj se dinë më shumë se mua në
këtë fushë. Ke më shumë të nxira sot apo atë natë që të
ndihmova unë?
- Nuk kam asnjë të nxirë.
- Ngrije bluzën ta shohim të dy shpinën tënde.
- Me ç’të drejtë më kërkon diçka të tillë?
- Me po atë të drejtë që ti më akuzon mua për një gjë që
as e kam bërë e as kam pasur ndonjëherë për qëllim ta bëjë.
As vetë Amarda s’e mori vesh përse e ngriti bluzën.
Ndoshta për të diskretituar gënjeshtrat e Gerit. Për habinë
e saj shpina kishte disa të nxira, madje më tepër se dikur.
Në shkëmbimin e vështrimit, duket se të dy erdhën në
të njëjtin nivel për të folur. Amarda u ul në karrige dhe
po mendohej. Sa shumë kishte vuajtur pa shkak. E kishte
imagjinuar Gerin si një mostër. Qe ndjerë e ndotur dhe e
padenjë për Arbrin.
Pas disa minutash Geri theu heshtjen.
- Kurrë s’kam bërë ndonjë të keqe, ndaj teje dhe
njerëzve të tu të dashur. Unë të dua Amarda Kristo. Për të ta siguruar këtë që them, jam gati të nënshkruaj një
kontratë paramartesore. Klinika ku ti punon do jetë e jotja.
Një apartament në qendër të Tiranës do jetë në emrin tënd.
Një vilë, zgjidhe ti se ku, në Durrës, në jug të vendit, apo
në Pogradec, zgjidh vetë. Makinë prodhim i këtij viti dhe
shofer personal. S’do lodhesh me punët e rëndomta të
shtëpisë, për këtë do marrim njerëz të specializuar të na
ndihmojnë. Ti mund të bësh vetë ç’të pëlqen, të vazhdosh
punën tënde duke qenë shefe e klinikës, apo të kujdesesh
për fëmijët tanë.
- Përse mendon ti Geri se unë duhet të martohem me
ty?
- Sepse unë jam një njeri që të dua. Të ofroj një jetë të
sigurt dhe të qetë. Unë i kam kaluar aventurat në jetën time
dhe tani jam gati për vatrën familjare. Të ofroj një pozitë në
shoqëri që Arbri s’ta ofronte kurrë.
Kur u përmend emri i Arbrit, ajo s’duroi dot. I pikonte
zemra gjak për të edhe pa ia lënduar njeri plagën.
- Arbri është një njeri i ndershëm, që përpiqet të jetojë
me djersën e vet. Më do dhe më respekton.
- Edhe unë me djersën time kam punuar, madje kur
Arbri ka gërhitur, unë shpëlaja fytyrën me ujë të ftohtë
që të më dilte gjumi dhe të vazhdoja punën. Kam bërë
shumë sakrifica për të arritur këtu ku jam sot. Nejse, është
një çështje që hë për hë s’na hyn në punë. Ami! Të jesh
bashkëshortja e një deputeti s’është gjë e vogël
- Mos the gjë deputet?
- Po Ami. Po përfundoj procedurat e deklarimit të
pasurisë dhe do jem gati për të kandiduar si deputet.
- Deputet? Po ti je i paarsimuar Geri. S’mund të bëhesh
deputet pa diplomë, apo eksperiencë në një fushë të
caktuar.
- Unë jam i diplomuar dhe me master shkencor, shpirt.
Po s’më besove, i thuaj Oltit se ta vërteton ai. I gjori! Ka
mbaruar informatikë dhe merr aq para sa ç’merr gjyshja
309
Më prit...
ime pension. Ai mund të të japë çfarëdolloj informacioni
për një çokollatë, ose më lirë akoma, për një cigare.
- Me ç’të drejtë morale më kërkon që të martohem me
ty kur e di se unë dashuroj Arbrin prej një jete të tërë?-
hë për hë asaj nuk i shkonte ndër mend të debatonte mbi
Oltin. I vetmi shqetësim në kokën e saj ishte Arbri.
- Arbri! S’mund të jetë mashkull një si ai, që s’di të
bëjë të lumtur një vajzë të mrekullueshme si ti. Nëse ai do
të donte vërtet s’do vraponte pas çdo fustani që shihte.
Një njeri i tillë, i cili shtyn të dashurën e tij deri aty sa t’i
mërzitet jeta dhe të mos lërë gjë pa bërë kundër vetes,
duhej ta kishte bërë gati litarin me kohë. Do ishte shumë
më e ndershme t’ia kishte futur vetes.
- E meqenëse ai nuk ia ka futur vetes, ia fusin shokët,
apo jo?
- Do të thuash që ti s’e di kush e bëri denoncimin e
mbrëmshëm? Më vjen keq ta jap këtë lajm, por ishte
mësuese Soni, mamaja jote. Edhe njeriu yt më i afërt
mendon se ai është një gabim në jetën tënde. Ajo është e
gatshme ta largojë prej teje me çdo kusht.
Amardës iu duk se iu përmbys bota. Ajo e dinte tashmë
këtë, dinte gjithashtu se mamaja e saj i kishte kërkuar Ajlës
të mos i afrohej më Amardës, pasi ishte një ndikim dhe
një shembull i keq për të. Të gjitha këto e bënin të vuante
tmerrësisht. Ajo i kishte telefonuar së ëmës dhe i kishte
thënë që s’do kthehej më kurrë në apartament dhe kjo nuk
ishte një zgjidhje e bërë nga Amarda. Me veprimet e saj e
ëma e kishte larguar e flakur jo vetëm nga apartamenti, por
edhe nga jeta e saj. Kur të gjitha këto i dinte, atëherë përse
të thëna nga Geri këto fjalë dukeshin shumë më mizore?
- Unë e di sa e ke dashur ti Arbrin. Unë jam i gatshëm
ta ndihmojë që të dalë nga burgu. Edhe sikur ai të jetë gati
për të dalë në gjyq, unë mund të zhduk provat materiale
një natë para gjyqit. Dëshmitarë okularë s’ka dhe ai
automatikisht është i lirë. I japin vetëm disa muaj burgim,
310
Elda Gjini
të cilin e ka kryer deri atëherë.
- Të lutem Geri, s’dua të dëgjoj më asgjë.
- Mamanë tënde mund ta çojmë për kurim në Gjermani.
Atje zemra e saj mund të bëhet si më parë.
- Mjaft Geri! S’’të duroj dot më. Unë nuk jam një mall
në shitje.
- Ty të shiti mamaja kur denoncoi të dashurin tënd.
Të shiti babai, kur të la të punoje ditë e natë si qeni për
të paguar apartamentin që as e morën mundimin ta
regjistronin si pronë tënden. Të shitën të dy prindërit kur ti
i bëre keq vetes, dhe e fshehën për të mos prishur imazhin
e familjes shembullore. Po të kishin çuar te një psikolog do
ishe shëruar dhe nuk do tentoje përsëri të vrisje veten. Por,
për ata ishin më të rëndësishme dukjet se shëndeti mendor
i vajzës së tyre. Të shiti i dashuri yt kur donte të bëhej i
famshëm e të dilte në ekrane. Të ka shitur sa herë shihte
një fustan femre dhe vraponte pas duke të harruar. Të shiti
shoqja jote e ngushtë kur të mori të dashurin.
Unë s’po të blej. Unë po të ofroj një jetë princeshe,
sepse ti e meriton.
- Mjaft Geri! S’dua të dëgjojë më asgjë prej teje. Unë
nuk jam në shitje, kjo është fjala ime e fundit.- tha Amarda
duke shtrënguar fort veshët me të dyja duart. Geri po
thoshte gjëra të tmerrshme, por ato bëheshin shumë më të
tmerrshme duke qenë pothuajse të gjitha të vërteta.
- Pa ndihmën time Arbri do kalbet në burg. Kanë
pamjet nga një kamer vëzhguese e një biznesi privat aty
pranë që tregojnë hyrjen dhe daljen e Arbrit në pallat. Kanë
shenjat e gishtave të tij ngado. Kanë gjetur flokët e tij në
shtratin e Klarës. Ai do dënohet minimumi me njëzetë e
pesë vjet. Kështu asnjëri prej ju të dyve nuk do jetojë për të
paktën çerekshekulli. Janë shumë vite Ami, janë po aq vite
sa kemi jetuar ne që nga lindja jonë. Mendohu!
Nëse ti pranon propozimin tim, secilit prej jush i
rikthehet jeta e vet, dhe çdonjëri mund të jetë i lumtur.
311
Më prit...
Mendoje me qetësi! Është mundësia e jetës tënde. S’të
leverdis ta humbasësh. Dhe mos e shit kot makinën. Me aq
pak para s’do bëje asgjë.
Amarda mori kontratën paramartesore që kishte
përgatitur Geri dhe e bëri copë-copë.
- As e vdekur s’do martohesha me ty Geri. Harroje! Sa
për Arbrin, ai do dalë shpejt nga burgu edhe pa ndihmën
tënde. Unë do ta gjejë vrasësin e Klarës, qoftë gjëja e fundit
që do bëjë në jetë.- aq shumë i shtrëngoi grushtet Amarda,
saqë fashot u ngrohën prej gjakut, i cili i vlonte në deje prej
tërbimit.- Më mirë të them e kam gjetur. Më duhet vetëm
të mbledh provat për ta vërtetuar.
- Pasi të lodhesh pa arritur asgjë, eja te unë. Oferta ime
është ende e vlefshme, megjithëse jo edhe për shumë kohë.
Ajo që grise është vetëm një kopje e kontratës. Jam i sigurt
se do shihemi shpejt. Unë di të pres.
- Mos u lodh më kot duke shpresuar Geri. Kjo është
hera e fundit që shihemi.
- Po darka e sotme? Ne kishim vendosur edhe orarin.
- Sapo u anulua, në po atë mënyrë që u anulua edhe
martesa jonë.
Amarda doli e xhindosur nga studioja e avokatisë.
Duhej të shkonte urgjentisht në spital. Mjeku i kishte
thënë se nëse plagët gjakoseshin mund të kishte probleme
serioze. Por, telefonata që mori nga Olti e bëri që të fshinte
nga mendja problemet e saj fizike. Kur ndezi makinën
sytë ende i lëshonin xixa prej inatit. Në këtë kohë ndjeu
një tronditje të menjëhershme. Duke ikur mbrapsht dhe
me sinjale të pandezura, ishte përplasur me një makinë
që po parkohej përbri.
E tërbuar, zbriti nga makina duke përplasur derën fort.
Kontrolloi me kujdes makinën e saj. S’duhej t’i shkaktonte
asnjë gërvishtje. Ajo mezi priste që ta shiste. S’kishte kohë
ta çonte te mekaniku. Ndërkohë nga makina tjetër zbriti
vajza që ishte në timon.
312
Elda Gjini
- Mos u shqetëso, s’kam asnjë gërrvishtje!- tha Amarda.
- Kush duhet të shqetësohet për fenerin tim?
- S’ka gjë, atë ta paguaj. Rëndësi ka që s’ka dëme makina
ime. Më duhet ta shes dhe s’kam kohë për ta shpënë te
mekaniku. Më thuaj sa bën dëmi dhe ta paguaj.
- Unë jam...- tha vajza duke zgjatur dorën. Ndërkohë
ajo pa fashat e Amardës të përgjakura. Gjaku rridhte
ngadalë,- Ç’është kështu? Po ky gjak? Në këtë gjendje
s’mund të prekësh timonin. Ngjitu shpejt në makinën time!
Do shkojmë në urgjencë.
- As që bëhet fjalë. Më thuaj sa bën dëmi, ta paguaj dhe
të iki, s’kam kohë për të humbur.
- Nëse nuk pranon të shkojmë në urgjencë as unë e as ti
s’lëvizim prej këtej. Do presim sa të vijë policia.
Amarda pranoi në heshtje, s’kishte rrugë tjetër. Para se
të niseshin për në spitalin ushtarak, vajzat u kujdesën që të
zhvendosnin prej aty makinën e Amardës. Në këtë mënyrë
menduan të shmangin problemet me policinë.
Vajza e re,- të cilën shumë mirë mund ta quajmë
edhe shoqja e re duke u nisur nga sjellja e saj,- qëndroi
me Amardën ndërkohë që ajo mjekonte plagët dhe u
konsultua me mjekun neokirurg, i cili e operoi. Amarda e
kuptoi menjëherë se ajo studionte për mjekësi. Edhe vetë
neokirurgu u habit me njohuritë e thelluara që kishte ajo
mbi këtë fushë. Ai e përgëzoi vajzën duke i thënë se po të
kishte dëshirë dhe vullnet mund të ecte përpara në jetë.
Amardës iu ndalua çfarëdolloj lëvizje dhe sforcim i
duarve. Tani ajo s’mund të bënte asgjë. Mjeku ia vendosi
duart brenda disa dorezave të çuditshme, të cilat kishin
ngjitësa gjithandej. Mund t’i hiqte vetëm kur të flinte. Po
materialet që kishte marrë për të përkthyer? S’e dinte a
mund ta prisnin, paratë i kishte marrë paradhënie.
Ndoshta ishte më mirë që tani, së bashku me shoqen
e re të uleshin diku, të pinin diçka dhe t’i paguante paratë
që i detyrohej. Më pas do vraponte për te Olti. Ende pa
313
Më prit...
folur për planin e saj ra zilja e celularit. Ajo e kishte futur
në çantë, të cilën e mbante shtrënguar me krahun e djathtë.
Shoqja e re e ndihmoi për ta nxjerrë. Kërkoi nëpër çantë
dhe dora i kapte gjithandej pakot me para që Amarda
kishte aty. Përse i mbante gjithë ato para me vete?
Ishte Olti. Kishte gjetur një blerës për makinën. Çmimi
që kishte rënë dakord ishte vetëm njëqind euro më pak
se ç’e kishte blerë Amarda. Pas një ore makinën duhej ta
shpinte në internet-kafenë ku punonte Olti.
Sapo u ulën në një vend të qetë, shoqja e re s’nguroi
ta pyeste përse e kishte këtë nevojë të ngutshme për para.
Çantën e kishte plot, do shiste makinën, çfarë tjetër?
Amarda iu rrëfye sikur ta njihte prej një jete të tërë.
I bënte përshtypje mënyra se si e dëgjonte shoqja e re.
S’kishte parë ndonjëherë njeri më të vëmendshëm. Fytyra
e saj i dukej e njohur, ndërsa zëri jo. Ajo zakonisht i mbante
mend njerëzit nga zëri dhe jo nga tipare të caktuara në
pamjen e tyre. Me kalimin e viteve pamja e njerëzve në të
shumtën e rasteve ndryshon më tepër se zëri.
Një orë më vonë të dyja vajzat ishin me Oltin dhe me
personin e interesuar për të blerë makinën e Amardës. Më
pas shkuan te noteri për të bërë akt-shitjen. Tani Amarda
ishte pa makinë. Pikërisht në kohën kur i nevojitej më tepër.
Paratë i mori të gjitha në dorë. Çanta e saj tani s’kishte më
asnjë hapësirë boshe. Sërish zile celulari, këtë radhë nuk
ishte zilja e Amardës. Por, gjithsesi vinte nga çanta e saj.
Kërkonin Arbrin, për t’i thënë se po niseshin për në
apartamentin e tij që t’i sillnin mobiliet e porositura. Amarda
në fillim u tha se po gaboheshin, më pas u kërkoi adresën
për t’i pritur atje. Shoqja e re ishte e gatshme ta shoqëronte.
Pallati ishte tetëmbëdhjetëkatësh. Ndërtimi i tij sapo
kishte përfunduar dhe shumë pak apartamente kishin
nisur funksionimin e tyre. Këtë vlerësim Amarda e bëri
nisur nga dritaret të cilat kishin perde dhe ballkonet me
rroba të nderura, apo me vazo lulesh.
314
Elda Gjini
Folën te zyra e shitjeve dhe shërbimeve. Arbri u kishte
lënë një kopje çelësi. E dinte se herët a vonë do gjendej pas
hekurave dhe Amarda do kujdesej për apartamentin e ri.
Ishte në katin e tretë. Kati i preferuar i saj.
Amarda rrotulloi çelësin me duart që i dridheshin.
Pak nga pak ajo frika e mëparshme iu davarit. Nisur nga
zbrazëtia e apartamentit, ai s’kishte nisur ende funksionimin
e tij. Pra, Arbri s’kishte bërë një jetë të dyfishtë, siç pandehu
ajo në fillim. Ai kishte planifikuar gjithçka deri në detaje. Pas
dasmës së tyre ata do zhvendoseshin për të jetuar së bashku.
Ja pra, aty duhej ta kishte kaluar Arbri natën që nuk
shkoi te shokët e vet. Bëhej fjalë për natën e vrasjes së
Klarës. Asnjëherë s’kishte dyshuar tek ai. Por edhe Arbri
nga ana e vet s’mund të gjente ndokënd që të dëshmonte
se ku e kishte kaluar atë natë.
Gjatë gjithë këtyre viteve që kishte punuar si model dhe
kishte pasur të ardhura të mira, ai nuk kishte shpenzuar
asgjë. As dhurata për familjen, as makinë për vete, madje
as motor. Në të shumtën e kohës lëvizte me urban, ndërsa
distancat më të shkurtra i përshkonte në këmbë. Kjo u
bënte përshtypje të gjithëve.
Amarda asnjëherë s’kishte pasur guximin ta pyeste
sa fitonte dhe si i shpenzonte gjithë ato para. Propozimi
për martesë që i kishte bërë ai s’kishte qenë një vendim
i momentit. Me sa dukej, ai e kishte planifikuar për vite
me radhë martesën e tyre. Si nuk i kishte folur më parë as
për apartamentin dhe as për martesën? Iu kujtuan fjalët e
tij: Surpriza të tilla vijnë vetëm një herë në jetë, ja përse të
mungon simpatia për to.
Kur hyri në atë që duhej të ishte dhoma e gjumit,
mbeti pa fjalë. Dy faqe muri ishin lyer me ngjyrë të bardhë,
ndërsa dy të tjerat ngjyrë mente të lehtë. Ngjyra e preferuar
e Arbrit, për sa i përket qetësisë dhe çlodhjes që i jepte syve
të tij. Edhe pllakat e dyshemesë ishin në po ato ngjyra,
duke e ndarë dhomën diagonal.
315
Më prit...
Me të hyrë në dhomën e ndenjjes, në një kornizë të
stërmadhe pa foton e tyre. Të njëjtën foto si edhe në puzzele.
Poshtë saj ishte një shkrim: Sikur ta kishim jetuar… Pra
edhe Arbri e kishte menduar. Sa herë që shihte atë foto,
Amarda përpiqej të parafytyronte si duhej të kishte qenë
jeta e tyre nëse atë mbrëmje do ta kishin jetuar bashkë dhe
jo shpenzuar secili më vete.
Poshtë fotos, në dysheme ishte diçka. Amarda e njihte
mirë atë kuti të vogël. Ishte unaza që kishte refuzuar
vetëm pak kohë më parë. E vendosi në gisht. Sa bukur
dukej aty! Atë unazë s’do ta hiqte nga dora, për sa kohë të
merrte frymë, ajo unazë do të qëndronte aty përgjithmonë.
E puthi mes lotësh dhe i bëri një premtim vetes. Ajo s’do
lejonte më askënd dhe asgjë të futej mes tyre. Ata do ishin
bashkë, madje shumë-shumë të lumtur. S’mund ta dinte
nëse do zgjaste përgjithmonë, por fundja në jetë asgjë nuk
është e përhershme. Ata do të ishin bashkë për aq kohë
sa dashuria e tyre të jetonte. Fshiu lotët dhe u kthye në
realitet. S’ishte vetëm. Nuk duhej të bënte figurë të keqe
para shoqes së re. Ktheu kokën pas. Sa mirë që ajo s’e
kishte parë në një çast të tillë dobësie.
Pllakat ishin në ngjyrë të zezë dhe ngjyrë pana.
Pikërisht ajo ngjyrë që Arbri s’e shquante dot prej së
bardhës. Sidoqoftë, ai e kishte mbajtur mend. Sa me dashuri
ishte bërë gjithçka në atë apartament! Tavani i kuzhinës
ishte i kaltër. Gjithë ndriçuesit ishin futur në të. Ndriçuesi
i qendrës ishte më i madh, si një diell, ndërsa të tjerët sa
vinin dhe zvogëloheshin.
Më pas, hyri në një dhomë tjetër, e cila ishte pak më
e vogël se dhoma e tyre. Sytë iu mbushën me lot. Arbri
kishte planifikuar një dhomë për fëmijët. A do kishin
ndonjëherë fëmijë? Pas sa vitesh do dilte Arbri nga burgu?
Sa e tmerrshme ishte të sillte ndër mend fjalët e Gerit, se
Arbri do qëndronte në burg po aq vite sa ç’kishin jetuar
deri tani. Fshiu lotët me të shpejtë. Nuk duhej të qante
316
Elda Gjini
më, s’duhej të ndillte keq. Për më tepër aty, në dhomën e
fëmijëve të tyre s’duhej të kishte asnjë lot.
Iu betua sërish vetes se do bënte gjithçka që Arbri të
dilte nga burgu. Ndjeu të dridhura në trup. A ishte me të
vërtetë e gatshme për të bërë gjithçka që ta shihte Arbrin
jashtë burgut? Nëse Arbri dënohej, siç i kishte thënë Geri,
me të paktën njëzetë e pesë vjet heqje lirie, a do mundej ajo
të martohej me Gerin për të nxjerrë Arbrin nga burgu? Nëse
e bënte ishte njësoj sikur të mos jetonte më. Të martohej me
Gerin ishte kurorëzim i asaj që kishte nisur plot tri herë,
me ndryshimin e vetëm se këtë herë do të quhej një mision
i përmbushur dhe jo i lënë përgjysmë. Më mirë të vdiste.
E dinte se as Arbri nuk do ta donte kurrë një liri të tillë.
Po ç’duhej të bënte? Ndoshta hë për hë më e mira ishte të
kthehej me këmbë në tokë, të vijonte të shihte apartamentin
e ri, apartamentin e tyre.
Edhe këtu ishte luajtur me ngjyrat, si në dhomën e tyre
të gjumit. Dy mure ishin në ngjyrë të lehtë rozë, ndërsa dy
të tjerët të kaltër. Dyshemeja ishte shtruar me një parket të
gjelbër, i cili të krijonte përshtypjen se ishe duke ecur mbi
bar natyral. Ndërsa tavani, ai ishte një mrekulli më vete.
Ishin kombinuar ngjyrat, ndriçuesit dhe piktura. Ishte
sistemi ynë diellor në plotësinë dhe bukurinë e tij absolute.
Amarda kaloi disa momenteve idilike në apartament
përpara se të vinin punëtorët për të sjellë mobiliet. Shoqja e
re s’e kishte shqetësuar, madje kishte ndenjur aq larg, saqë
për pak harroi se nuk ishte vetëm.
Ajo e vuri re menjëherë unazën në gishtin e Amardës
dhe i tha e bindur se gurët e saj ishin diamante origjinal.
Amarda u zhyt në mendime. Sa kishte kushtuar ajo unazë?
Shpresonte që jeta të mos i sillte nevojë më të madhe e të
ngutshme për para, e të mos i shkonte ndër mend ta shiste.
Ajo unazë duhej të qëndronte në gishtin e saj për sa kohë
zemra i rrihte për Arbrin. Uroi me gjithë qenien e saj të
ishte përgjithmonë.
317
Më prit...
Arbi kishte dhënë si paradhënie një pjesë të shumës,
por mobiliet ishin të kushtueshme. Do t’i duhej të
paguante paratë deri në qindarkën e fundit. Do ishte sërish
pothuajse duarbosh. Deri atëherë i kishte quajtur paratë të
rëndësishme për jetën e një njeriu, por kurrë ndonjëherë s’e
kishte menduar se ato mund të ishin kaq jetike.
Të paktën shoqja e re s’i kërkoi shumë para. Shkuan
bashkë te mekaniku dhe e lanë makinën atje. Amarda do
paguante të nesërmen vetëm dëmin që kishte bërë.
Tani të dyja vajzat ishin pa makina. Fatkeqësia e
përbashkët bëhet më e durueshme. Asnjëra prej tyre s’i
ankohej tjetrës. Ishte e dukshme se shoqja e re përpiqej që
pa rënë në sy të kalonin sa më shumë kohë bashkë. Për
Amardën prania e saj në këtë ditë të vështirë, ndoshta më të
vështirën nga të gjitha ditët që kishte jetuar deri atëherë, ishte
një mbështetje e madhe. S’kishte pasur ndonjëherë një shoqe
të tillë, së cilës t’i fliste hapur dhe pa ndrojtje për gjithçka.
Pasdite u nda prej saj. Vetëm atëherë i ra ndër mend se
nuk i dinte as emrin. Ç’figurë të keqe duhej të kishte bërë!
Po si kishte qëndruar pothuajse gjithë ditën me të dhe s’e
kishte ndjerë të nevojshme t’i thërriste në emër? Ndoshta
në periudhën aq të vështirë që po kalonte duhej të tregohej
më pak e ashpër ndaj vetes dhe t’ia falte disa gabime.
Më në fund Amarda gjeti kohën për të shkuar te Olti.
Kur ishin takuar më parë kishin folur vetëm për shitjen e
makinës dhe asgjë më tepër. Zemra i rrihte fort. E dinte se
vrasësi i Klarës ishte Geri, por duheshin gjetur prova për
të bindur jurinë. Sa për Amardën, ajo s’kishte nevojë për
asnjë provë që t’i vërtetonte vetes pafajësinë e Arbrit.
Olti e priti me buzë në gaz, por dukej që ishte thjesht
prej mirësjelljes dhe jo për ato që kishte zbuluar. U ulën të
dy para një kompjuteri dhe nisën të flisnin me zë të ulët.
Internet-kafeja ishte plot me njerëz.
- Çfarë është kjo Olti?- e pyeti Amarda e habitur, pasi
kishte hedhur sytë në ekranin e kompjuterit. Ishte e sigurt
318
Elda Gjini
se ajo që ishte duke punuar Olti në PDF ishte një kopertinë
libri.- Mos ke nisur ndonjë punë me kohë të pjesshme?
- Jo, jo! Është kopertina e librit të babait të Arbrit. Jam
i sigurt se mund të arrijë diçka më interesante se kopertina
që do i paraqesin në shtëpinë botuese. Duke e njohur mirë
e di se çfarë i pëlqen.
- Xhaxhi Beni po bën një libër?
- Në këtë libër ai pasqyron punën e një jete të tërë.
Gjithçkaje të pëlqyer dhe të nënvizuar gjatë leximit i
është rikthyer sërish duke përzgjedhur më interesanten.
Personalisht e përgëzoj për këtë që po bën.
- Në situatën që po kalojmë kjo duket absurde. Si mund
t’i shkojë mendja te libri?
- Pavarësisht se sa të vështira janë situatat që kalojmë,
koha nuk ndalet, por ecën me të njëjtin ritëm. Nëse me
paraqitjen e një situate të vështirë ne heqim dorë nga të
jetuarit, kjo pastaj është zgjedhja jonë.
- Ti e kishe fjalën te unë dhe jo në përgjithësi, apo jo
Olti?
- Pavarësisht se ku e kisha fjalën, ti e kupton vetë se je
një përjashtim nga rregulli. Nejse, për këtë s’mund të bëjë
asgjë.
U deshën disa minuta qetësie për të nisur sërish
bisedën, këtë radhë aty ku i interesonte vërtet Amardës.
- Videoja e parë me Klarën është hedhur në You Tube
nga Geri. Në atë kohë ai ka qenë në Itali. Atje regjistrohen
të dhëna të plota nëse hap një adresë e-mail. Shiko! Këtu
del emri, mbiemri, mosha, qyteti dhe shteti. Në video është
data dhe ora e hedhjes.
- E dija, isha e sigurt se Geri ishte vrasësi. Faleminderit
Olti, tani Arbri do dalë nga burgu,- tha Amarda e ngazëllyer
duke përqafuar Oltin.
- Prit Ami, prit! Geri ka hedhur videon, por nuk është
ai vrasësi i Klarës.
- Edhe ti po e mbron? Sot e humba një shok. Mos duhet
319
Më prit...
të të humbas edhe ty Olti?
- E përse e humbe një shok? Ai ishte vetëm duke
bërë punën e tij. A e di sa me fat jeni ti, Klajdi dhe Ajla që
mund të fusni në punë diplomat tuaja? Më shiko mua, të
diplomuarin në informatikë, që punoj këtu,- tha Olti duke
parë rreth e rrotull me sy pothuajse të përlotur,- mendon
se është kjo që kam dëshiruar dhe dëshiroj për jetën time?
E di ti Ami sa paguhem unë? Aq pak sa për të mbuluar
vetëm qiranë, dritat, ujin, gazin dhe paketën e cigareve. A
e di ti që unë akoma marr para nga shtëpia? Nëse prindërit
s’më dërgojnë para unë vdes urie. A e di ti Ami që Mario, i
cili studio për mësues biologjie ushtron profesionin fisnik
të mësuesit në serën e vet atje në fshat? Po që Greta, shoqja
jonë e dashur që ka mbaruar ekonomikun shet bulmet?
Sigurisht që e di. Po që paguhet më pak se mua e di? Edhe
atë punë e ka gjetur me mik.
Në komunën tonë janë tri fabrika të mëdha të
përpunimit të qumështit: SOAL, LUFRA dhe DELTADONI.
Babai i Gretës i njeh të tre pronarët e tyre. Shkoi e foli me
ta, për t’i gjetur një punë së bijës që është diplomuar me
nota të mira. Edhe punën e shitëses e gjeti me mik. Si mund
të gjejë ajo një punë për të qenë?
Po nëse Geri do vinte në klinikën tënde, dhe pronari i
klinikës të thoshte se nëse nuk i shërben zotërisë klient do
të të hiqte nga puna, si do veproje ti Ami? Unë e di që ti
për nga natyra je krenare, por mos mendo se ne që bëjmë
punë të rëndomta s’jemi. A do hiqje ti dorë nga puna dhe të
vije p.sh. të pastroje lokalin tim? Jo, sigurisht që jo, madje
duket një pyetje idiote. Po Klajdi ç’duhet të bëjë nëse heq
dorë nga puna? Mundohu t’i mendosh gjërat pak më thellë
Ami! Ne të gjithë e duam Arbrin, e duam jashtë dhe jo pas
hekurave.
- Për fat të keq jo të gjithë e duam jashtë,- tha Amarda
ende e përhumbur në mendime. Olti s’i kishte folur
ndonjëherë kështu. Ai kishte të drejtë. Ndoshta Klajdi s’i
320
Elda Gjini
kishte asnjë faj.
- Ne të gjithë e duam Arbrin jashtë Ami. Edhe
mamaja jote. Nëse ajo bëri një veprim të gabuar, e bëri nga
dëshpërimi. Nuk është e lehtë të shohësh për të disatën
herë fëmijën tënd që lufton me vdekjen. Nuk ke vetëm ti
probleme, të gjithë kemi. Sikur të mendonim se të vrasësh
veten është një mënyrë për të zgjidhur problemet duhet ta
kishim bërë me kohë.
Ti për të gjitha ke fajësuar Arbrin dhe Klarën, këtë e di
gjithkush rreth e qark teje, pra s’është ndonjë sekret. Atëherë
nuk është e natyrshme që mësuese Soni të mendojë se tani
që Klara vdiq dhe Arbri është në burg ti do jetosh e qetë?
Me mënyrën që ke zgjedhur të zhdukësh problemet e
tua i ke shtuar. A mund të flenë të qetë prindërit e tu? Jo
dhe jo. Ata jetojnë me ankthin se të bijës do t’i mërzitet jeta
përsëri dhe ata s’do kenë më fatin ta shohin gjallë. Ti duhet
të kesh durim Ami dhe ta falësh mamanë tënde për atë që
bëri! Unë jam i sigurt se ajo do pendohet shpejt. Në këtë
kohë Oltit iu desh të linte bisedën përgjysmë dhe të ngrihej.
Një nga klientët do largohej dhe duhej të bënte pagesën.
Amarda fshiu lotët. Olti s’i kishte folur ndonjëherë në
këtë mënyrë. Madje askush s’i kishte folur kështu. Vërtet u
kishte shkaktuar kaq probleme e dhimbje prindërve të saj?
Sa vajzë e padenjë ishte! Pavarësisht të gjithave, s’mund ta
falte të ëmën. Ajo e dinte që Amarda s’mund të jetonte pa
Arbrin. Ç’priste të arrinte duke e mbyllur pas hekurave?
Mos ndoshta vdekjen e së bijës? Ajo që kishte bërë mamaja
e saj ishte e pafalshme.
- Jo Olti, sado të përpiqem s’mund ta fal mamanë time
për atë që bëri.- i tha ajo Oltit sapo ai u ul në vendin e
mëparshëm,- Më ka bërë të vuaj tmerrësisht. Ma ka thyer
zemrën.
- Po ti? Ata kanë vuajtur tmerrësisht dhe pafundësisht
prej teje.
- Po, por është ndryshe, sepse unë s’kisha për qëllim
321
Më prit...
t’iu bëja keq atyre, por vetes.
- Në mënyrën e vet as mamaja jote s’e kupton që po bën
një veprim të gabuar. Nëse s’mund ta falësh për gabimin
e tanishëm, falënderoje për veprimin e mëparshëm. Nga
alibia që sajoi ajo, Arbri pati mundësitë të qëndronte edhe
disa ditë jashtë dhe të zgjidhte shumë çështje të lëna pezull.
- Nuk është se nuk dua ta fal. Thjesht s’mundem.
- Mirë Ami! Është më mirë që tani ta mbyllim këtë
bisedë. Me sa shoh është e kotë ta vazhdojmë, mendimet
tona s’takohen në asnjë pikë.
- Ç’ke zbuluar për Gerin që je kaq i bindur që s’është ai
vrasësi i Klarës?
- Më pëlqen mënyra se si formulove pyetjen.
Përfundimet e mia nuk mbështeten as në hamendje e as
në supozime, por në fakte. Geri ka ardhur në Shqipëri të
nesërmen e vrasjes së Klarës.
- A është kjo një e dhënë e besueshme?
- Është një e dhënë që vërtetohet lehtësisht. Geri ka
udhëtuar me avion nga Milanoja në Tiranë.
Amarda ndjeu t’i shembej toka nën këmbë. Si ishte e
mundur që vrasësi s’ishte Geri? Bindja se qe vetëm disa
hapa larg së vërtetës i jepte siguri. Tani duhej t’ia niste
sërish nga e para. S’i mungonte as dëshira e as vullneti,
vetëm se nuk ia kishte aspak idenë se ç’rrugë duhet të
ndiqte. Po nëse nuk ishte Geri, atëherë kush ishte?
- Kam zbuluar edhe diçka tjetër, shumë interesante...
Tanimë Amardës asgjë s’mund t’i dukej interesante.
Ajo dëgjoi vetëm pjesërisht atë që Olti i rrëfente. Geri ishte
duke blerë gjithë restorantet dhe komplekset që kishin
falimentuar në komunën Kolonjë. Secili prej tyre mbante
tabelën: Shitet, ose jepet me qira. Rrinin gjithë kohës
mbyllur dhe hapeshin vetëm në ditët që ishin të prenotuara
për dasma. Më në fund, Amarda erdhi në vete plotësisht
atëherë kur Olti iu drejtua me pyetje.
- Po ç’dreqin i do gjithë këto restorante dhe komplekse
322
Elda Gjini
që nuk vlejnë për asgjë? Po të vlenin për diçka, të zotët
s’kishin përse t’i shisnin, apo jo Ami?
- Ata s’vlejnë asgjë për njerëzit e thjeshtë, ndërsa për
deputet vlejnë që ç’ke me të?
- Ç’lidhje kanë deputetët? Ti i ke parë vetë se si janë
katandisur, a mund të hyjnë deputetët në ndonjë restorant
të tillë që në vend të tabelës që uron mirëseardhjen njofton
shitjen?
- S’thashë se ndonjë deputet do hante aty drekë a
darkë, thjesht do që të jetë pronar i tyre.
- Mos më thuaj se Geri ka lidhje me deputet. Po të jetë
e vërtetë më duhet të mbytem në ndonjë pellg me ujë të
ndenjur.
- Është më mirë të heqësh dorë nga ideja e mbytjes
para se të më dëgjosh ç’do të të them. Geri po përfundon
procedurat e deklarimit të pasurisë për të kandiduar si
deputet.
- Kjo është qesharake! E kush mund ta ketë nxjerrë nga
goja një sajesë të tillë?
- Nuk është aspak sajesë Olti. Geri ma tha vetë. Madje
më propozoi për martesë përpara avokatit për të cilin
punon Arbri.
- E përse duhet të të propozonte për martesë përpara
avokatit?
- Sepse kishte përgatitur një kontratë paramartesore.
- Një kontratë paramartesore the? Ç’përfitoje ti prej saj.
- Nëse kujtesa s’më bën lojëra, një apartament në
qendër të Tiranës, një vilë pushimi ku të dëshiroja, klinikën
ku punoj... kaq mbaj mend.
- Po për Arbrin ç’të premtoi?
- Ky ishte asi që ai fshihte nën mëngë. Si shpërblim të
nxjerrjes së Arbrit nga burgu, unë të pranoja të martohesha
me Gerin.
- Po nëse kundër tij ka prova materiale, si do ia bënte
për ta nxjerrë të pafajshëm? Kjo është e pamundur.
323
Më prit...
- Me sa kuptova do organizonte vjedhjen e provave
materiale në gjykatë një natë para gjyqit. Mua më duket
absurde.
- Mos të të duket dhe aq absurde. Diçka e tillë ka
ndodhur edhe më parë, e kam ndjekur në televizor.
- Ndërsa mua m’u duk e pamundur. S’ma merrte
mendja se diçka e tillë mund të ndodhë vërtet.
- Në Shqipëri mund të ndodh gjithçka... Po ti ç’ke ndër
mend të bësh?
- Olti, si mund të ma drejtosh këtë pyetje?! Ti e di se
Arbri është gjithçka për mua. Unë e dua më shumë se jetën
time.
- S’e kisha për propozimin e martesës,- vijoi Olti pasi
kishte marrë përgjigjen që priste,- si do vazhdosh rrugën
pa krye të vërtetimit të pafajësisë së Arbrit?
- Nuk është rrugë pa krye. Unë jam e sigurt se Arbri do
dalë prej andej.
- Për këtë edhe unë jam i sigurt, por se kur, këtë nuk di.
Ami, përse s’i përdor aftësitë e tua për të marrë të dhëna
për vrasësin e Klarës?
- Nuk funksionon kështu Olti. Të gjitha vizionet e
deritanishme më kanë ardhur natyrshëm.
- Po, por unë kam lexuar në internet se është diçka
që mund të kontrollohet. Krijohen kushtet që personi me
aftësitë që ke ti të ketë vizione.
- Çfarë kushtesh duhet të krijohen?
Olti i kërkoi falje Amardës dhe u drejtua për te dy
klientët e porsaardhur. Ajo pati kohë të reflektonte. Si nuk i
kishte shkuar më parë në mend se në këtë mënyrë mund të
zbulonte diçka? Posa të vinte Olti do ta pyeste se ç’kushte
duhej t’i krijonte vetes.
- Ta jap adresën në të cilën i kam lexuar, por unë
shqetësohem për ty Ami. Klajdi më tregoi për atë natë që
të ra të fikët. Tha se ishte e tmerrshme dhe se ai me Arbrin
s’dinin si të të ndihmonin.
324
Elda Gjini
- Po ti vetë ma këshillove diçka të tillë, ndërsa tani më
thua ndryshe... Ç’duhet të bëj sipas teje?
- Përpara se të kryesh një eksperiment të tillë me veten,
kujdesu që të jesh me një njeri që di si të të ndihmojë në
rast nevoje.
- Ksejdi. Do shkoj në klinikë dhe do flas me të.
Amarda ndenji edhe për disa minuta të tjera me Oltin.
E falënderoi për gjithë sa kishte bërë për të dhe u nis për
në klinikë. Për të shkuar në apartament s’i ra ndër mend.
Nuk donte as ta shihte të ëmën pas asaj që kishte bërë.
Tani kishte ku të shkonte, në apartamentin e ri. Sa bosh
do t’i dukej pa Arbrin! Por, habitej edhe më tepër për
faktin se ajo s’i kishte telefonuar dhe as i kishte dërguar
ndonjë sms. As i ati s’e kishte telefonuar. Sidoqoftë, tani
kishte një çështje më të rëndësishme për të zgjidhur, të
tjerat mund të prisnin.

No comments:
Post a Comment