Thursday, January 11, 2018

Me prit

Eksperimenti              Kapitulli XXIV


     Me të shkuar në klinikë, Amarda nisi me kolegun e saj biseda të përgjithshme. Donte të kuptonte nëse ai do ruante atë afërsi që kishin arritur kur folën disa ditë më parë, apo nëse në marrëdhëniet e tyre do ishin thjesht kolegë.
      Ai ia thirri emrin shkurt dhe iu duk më i qeshur, madje i lumtur. Kur i vuri re të gjitha këto, nuk nguroi t’i kërkonte ndihmë. Doktor Ksejdi pranoi ta ndihmonte.                     Parapsikologjia ishte një degë e psikologjisë që e magjepste. Çdo të re në këtë fushë ai e lexonte me ëndje. Sidoqoftë, kur në klinikë të përfundonte orari me pacientët, do lexonin edhe një herë materialet në internet dhe pasi të krijonin atmosferën e nevojshme do nisnin eksperimentin. Vetëm një kusht ishte i detyruar t’i vendoste Amardës. Më parë duhej të hante diçka. Kështu do të ishte më e aftë për ta përballuar eksperimentin.
     Për të ngrënën e Amardës u kujdes personalisht Pandi Rrënja, madje jo vetëm për të, por për të tre. Edhe ai do ishte së bashku me ta në atë që ata e quanin eksperiment. Por, më parë ai po i përgatiste për të parë programin investigativ Fiks Fare që transmetohej në Top chanel.
     Kur filloi programi, të tre ishin përballë ekranit me kutitë përkatëse të picave përpara. Amarda dhe doktor Ksejdi e kishin kuptuar se shefi po kurdiste diçka, por s’menduan se do kishte këtë madhështi. Ai u pati thënë se kishte planin e duhur dhe njerëzit e duhur. Ja përse e kishte patur fjalën.
      Gazetari që kishte ndjekur çështjen ishte po ai që kishte ardhur para ca kohësh në klinikë dhe e kishte bezdisur Amardën me ankimet e tij teksa i pastronte dhëmbët. Sa keq e kishte ndjerë veten Amarda atë ditë. Me dhjetëra herë i kishte kaluar nëpër mend ideja që t’i kërkonte të ngrihej nga poltrona dhe të ikte për të mos u kthyer më kurrë.
     Sidoqoftë ajo kishte mundur t’i rezistonte me stoicizëm ankesave të tij të kota dhe vështrimeve të cilat ndjente se po e fëlliqnin. Por, në fund ai e kishte përgëzuar për punën dhe i kishte shtrënguar dorën si një zotëri i vërtetë. Ja pra, ai s’mund të kryente një hetim pa u siguruar më parë për sjelljet e mjekes stomatologe të lakuar së fundmi në ekrane. Pandi Rrënja kishte të drejtë, ata ishin profesionist.
      Me anë të kamerave të fshehta ishte realizuar diskreditimi i pronarit të Kanalit të Lajmeve, i cili siç u kishte thënë edhe më parë Pandi Rrënja ishte njëkohësisht pronar i një klinike dentare të porsahapur, shumë pranë klinikës së tyre. Kronika ishte e gjatë, por fjalët e pronarit, ku thoshte se ishte treguar aq i zgjuar, saqë betejën e tij për të shkatërruar konkurrencën, e kishte fshehur bukur pas hakmarrjes së vogël dhe interesante të gazetares Klara Ristani ishte goditja e madhe që ai i dha vetes.
     Kur e pyetën nëse do vijonte me ndonjë gazetar, apo gazetare tjetër projekti që ishte parapërgatitur ta drejtonte Klara Ristani, ai iu përgjigj se një projekt i tillë s’kishte ekzistuar as në ide. Nevojiteshin shumë para për t’i dhënë jetë ëndrrës së gazetares së vdekur dhe ai s’kishte ndërmend të shpenzonte kot në këtë mënyrë. E kishte sajuar diçka të tillë për ta bërë Klara Ristanin ta merrte më seriozisht punën e vet.
    Klarën e gjorë e kishin përdorur, e kishin shtyrë të bënte atë që bëri. Ajo shpresonte të realizonte ëndrrën e një jete të tërë, duke shkelur mbi shpirtin dhe profesionalizmin e Amardës.
     Ish i dashuri i Klarës kishte bashkëpunuar me Pandi Rrënjën. Ai s’ishte aspak djalë i keq. Rrethanat e kishin detyruar të vepronte ashtu siç veproi. Duke nxjerrë pamjet nga kamerat e sigurisë, ai ishte përpjekur të ndihmonte njeriun e zemrës dhe jo të shkatërronte jetën e Amardës.
      Më pas, Klara ishte bërë e pandalshme. Sa herë i kishte thënë se s’duhej të vazhdonte më tej, se po bënte diçka të gabuar. Por, ajo ndjente se ishte fare pranë realizimit të programit të saj me problematikë sociale, i cili do trajtonte më së shumti problemet e fëmijëve dhe grave të dhunuara. Aq shumë këmbëngulte Klara në të vetën, saqë pas kundërshtimeve të pandalshme të të dashurit të saj, i kishte kërkuar të largohej nga apartamenti. Deri atëherë këtë s’e dinte askush. Ai ishte paraqitur në polici si i dashuri i viktimës dhe jo si ish i dashuri i saj.
     Nëse në listën e të dyshuarve për vrasjen e Klarës ishte fshirë emri i Gerit, tani ishin shënuar dy emra të tjerë. Ish i dashuri i saj dhe pronari i Kanalit të Lajmeve. I pari sigurisht që kishte arsye. Ajo kishte kërkuar të ndahej prej tij për të ndjekur rrugën, madje ëndrrën e vet. Pastaj ishin edhe videot që qarkullonin në internet. Ai s’e kishte përmendur këtë pjesë, por me siguri ishte tërbuar kur i kishte parë. I dyti kishte arsye të tjera. Klara e kishte ideuar programin deri në detaje dhe e kishte lënë mbi tryezën e tij të punës. Platforma kërkonte jo vetëm shumë para, por edhe shumë guxim në përgatitjen dhe realizimin e saj. Titulli i programit ishte: Të akuzoj ty!         Në këtë program s’do flitej në përgjithësi për dhunën, për dhunuesit, apo të dhunuarit. Ky program do nxirrte emrat e vërtetë të dhunuesve dhe fytyrat e të dhunuarve. Do kishte bashkëpunim me shoqata të ndryshme joqeveritare, të cilat mbronin të drejtat e grave dhe fëmijëve. Do kishin bashkëpunim me avokatë që do ofroheshin të ndihmonin vullnetarisht personat e dhunuar, si dhe me Avokatin e Popullit. Lidhja me policinë duhej të ishte patjetër në nivelin e duhur.
      Personat të cilët do akuzonin, duhej të ishin qysh më parë të sigurt se fjala e tyre nuk do binte në vesh të shurdhët. Mbi personat përgjegjës duhej të vepronte patjetër forca e ligjit. Një rubrikë e veçantë e programit do t’i rezervohej informimit, me qëllim njohjen e plotë dhe të thellë me pjesë të kodit civil dhe kodit penal, të së drejtës civile dhe të së drejtës penale që lidhen me gratë dhe fëmijët.                                     Pronari i Kanalit të Lajmeve kishte më shumë se një arsye që të vriste Klarën: t’i rrëmbente projektin e programit të saj për ta realizuar me gazetarë më profesionist se ajo, apo ta shiste këtë ide në një tjetër televizion të gatshëm për të investuar mbi të. Por, ai kishte edhe një tjetër arsye për ta vrarë. Askush s’duhej të mësonte se, në fakt, s’kishte qenë thjesht një hakmarrje personale e gazetares bukuroshe, por diçka shumë më e madhe se kjo.
      Të gjitha këto Amarda i bluante në mendjen e saj ndërkohë që programi kishte përfunduar dhe doktor Ksejdi vazhdonte punën e vet me pacientët e fundit. As u ngrit nga vendi për të vajtur qoftë edhe një minutë atje ku punonte ai. Mos ndoshta po i dilte nga zemra profesioni i saj? Dhe ta mendoje se atë profesion e kishte dashur me gjithë shpirt. Po nëse s’gjente si gjithmonë një strehëz të sigurt aty, ku mund të strukej kur të vinin problemet?              Pasi u përcoll edhe pacienti i fundit, dera e klinikës u mbyll nga brenda. Askush s’duhej t’i shqetësonte. Pandi Rrënja dhe Amarda shpresonin që ajo të kishte ndonjë imazh, ku të shihte qartë fytyrën e vrasësit. Sa për mënyrën se si ishte vrarë Klara, Amarda dinte gjithçka. Kishte pasur një imazh qysh nga koha e gjimnazit, madje ia kishte bërë të ditur edhe Klarës.
       Në dhomë u krijua qetësi absolute. Më parë Pandi Rrënja i kishte folur Amardës për rëndësinë e asaj që po bënin, por doktor Ksejdi ia kujtoj sërish. Ishte një ndër pikat të cilat i kishin lexuar dhjetëra herë. Motivimi i subjektit psikologjikisht, duke i dhënë zemër, duke krijuar një atmosferë të përshtatshme emocionale, duke i dhënë një motivim të saktë.
      Por, doktor Ksejdi dinte edhe diçka tjetër për eksperimentet në parapsikologji dhe nuk donte ta ndante me ta. Ekzistonin edhe raste kur eksperimenti funksiononte dhe subjekti e mohonte këtë, duke mbajtur plotësisht të fshehtë mendimet, apo imazhet e shfaqura në sytë e mendjes. Sidoqoftë, qëllimi i përfshirjes së tij në këtë eksperiment nuk ishte të arrinte ndonjë sukses të jashtëzakonshëm, por të ndihmonte Amardën.
     Kaluan disa minuta, të cilat të treve iu dukën si orë. Amarda rrinte si e mpirë dhe nuk thoshte asgjë. Doktor Ksejdi mendonte se ishte më mirë sikur eksperimenti të mos funksiononte. Ai ishte i sigurt se vrasësi ishte Arbri. S’kishte aspak besim tek ai djalë, aq më tepër te jeta që mund t’i ofronte koleges së tij. I dukej i aftë për gjithçka, përveçse për t’i ofruar asaj një jetë të qetë e të sigurt, sa për jetë të lumtur as që bëhej fjalë.
      Amarda tha me zë të lartë qëllimin që ajo donte të arrinte: Dua të gjejë vrasësin e Klarës dhe të nxjerrë Arbrin nga burgu. Këtë dëshirë të sajën e përsëriti disa herë, ndryshimi ishte se zëri i saj sa vinte dhe bëhej më i dobët, derisa u bë i padëgjueshëm. Atëherë doktor Ksejdi përsëriste këto fjalë në formën e urdhrit. Ishte ai që drejtonte këtë lloj eksperimenti. Pas disa minutash Amarda mori një pamje të sfilitur. Me siguri diçka i qe shfaqur në sytë e mendjes. Kolegu i saj s’merrte guximin ta pyeste, apo ta ndërpriste. Ai e dinte se nëse e shkëpuste, mund të ishte e pamundur të rikthehej sërish aty ku ishte.
      - Hë bijë, pe gjësend?- e pyeti Pandi Rrënja me dashamirësinë e një babaxhani.           - Diçka krejt të parëndësishme, Klarën duke shkruar në kompjuter. S’jam shumë e sigurt, por më duket se ishte ditar. Pas saj ishte njerku, i cili i shkonte pranë dhe ajo s’e vinte re, pasi ishte e përqendruar në atë që po shkruante. Ai i vendosi dorën mbi sup duke i shqiptuar emrin. Menjëherë ajo mbylli dosjen që e kishte emërtuar Ditari. Ishte një dokument i mbrojtur, në mënyrë që të mos hapej nga askush tjetër veç saj.
     Sa e mërzitur ishte që e kishin shkëputur prej ditarit! Fundja ditari është një shkrim tejet personal, siç është personale dhe hapësira e dhomës sonë, të cilën s’do donim të na e shkelte askush pa leje.- tha Amarda e përhumbur në mendime dhe mbi të gjitha e zhgënjyer që kishte parë diçka aq të parëndësishme.
     - Si thua, do ta provojmë edhe një herë?- pyeti Pandi Rrënja me një dëshirë të pamatë për të ndihmuar Arbrin e njëkohësisht Amardën për të qenë sërish bashkë. Ata ishin si dy pëllumba. Ishin çifti më i bukur që kishte parë.- Jam i sigurt se këtë herë do ketë diçka më të rëndësishme,- i tha për t’i dhënë zemër,- ti do arrish te vrasësi i Klarës. Arbri do dalë shpejt nga burgu.
     - Më mirë e lemë për një herë tjetër,- tha doktor Ksejdi, i sigurt se ajo që do t’i vinte në sytë e mendjes koleges së tij nuk do ishte aspak e këndshme, madje ajo as kishte për ta ndarë me ta. Do ishte aq e tmerrshme, saqë ajo s’do ta besonte që ishte e vërtetë. Me siguri do humbiste ndjenjat dhe më pas do t’u thoshte se nuk mbante mend asgjë.          Vetë Amarda ishte e sigurt për t’i shkuar deri në fund dhe ashtu vepruan. Të tre ishin me zemër të dridhur. Ç’do t’i vinte ndër mend? Çfarë do t’i ndodhte asaj?
     Amarda mbylli sytë, për pak minuta ndenji e qetë. Më pas nisi të dridhej lehtë. Në ballë iu shfaqën disa bulëza të vogla djerse, të cilat sa vinin e rriteshin. Gjendej në shtëpinë e saj në fshat. Ishte qershor, s’e vinte në dyshim. Dardhat përreth shtëpisë ishte pjekur të gjitha dhe kishin përkulur degët nga pesha e madhe.
      S’ishte ndonjë nga qershorët e shkuar. Përballë shtëpisë së saj, ngjitur në murin rrethues të një shtëpie tjetër ishin posterat e kandidatëve për deputet në zgjedhjet vendore të 23 qershorit. Mes tyre shqoi fytyrën e qeshur të Gerit. Dukej se po i qeshte asaj. Pa e kuptuar se si Geri doli nga fotoja dhe u bë i gjallë e serioz. Ishte veshur me kostum të zi e kravatë të errët. Kishte pamje hijerëndë, madje-madje mund ta quaje solemne.
      E çuditshme, në qershor, kur të gjithë vishen sa më lehtë, Geri ishte me kravatë. U afrua drejt saj dhe e përqafoi. Ajo mbështeti kokën mbi supin e tij. Si mundej ajo të lejonte Gerin ta përqafonte, aq më tepër atje, në oborrin e shtëpisë së saj, nën hijen e dardhave tashmë të pjekura? Mbështetja e kokës mbi supin e tij ishte një veprim krejt absurd dhe i pafalshëm.
     Por, veshja e saj ishte edhe më e çuditshme se veshja e Gerit, apo përqafimi i tyre. Ajo mbante një fustan të bardhë nusërie, jo shumë të fryrë në pjesën e poshtme. Nga pas kishte një bisht të vogël sirene, ndërsa në pjesën e bustit ishte mbuluar me gurë të çmuar, të cilët kishin formën dhe shkëlqimin e luspave të peshkut.
     Mos ndoshta ajo do pranonte propozimin e Gerit për martesë vetëm e vetëm që Arbri të dilte nga burgu? Të martohej me Gerin ishte njësoj sikur të vdiste. Jeta e saj, në këmbim të lirisë së Arbrit. Për dashurinë njeriu bën çfarëdolloj sakrifice dhe çmendurie. Madje, mund edhe të heqë dorë me vullnet të lirë nga jeta e vet.
      Bulëzat e djersës në ballin e saj sa vinin e rriteshin. Erdhi një kohë që s’kuptohej më ku përfundonte njëra e ku niste tjetra. Të dridhurat shtoheshin dhe frymëmarrja shpeshtohej. Kraharori i saj ngrihej e ulej në mënyrë të frikshme. Padi Rrënja dhe doktor Ksejdi shkëmbyen vështrimet. Ishte e sigurt se eksperimenti po funksiononte.           Duhej të bëheshin gati për fazën tjetër. Ishin të sigurt se ajo s’mund ta përballonte gjithë këtë emocion. Me siguri do t’i binte të fikët. Doktor Ksejdi afroi pambukun me alkool dhe ia vendosi nën hundë. Kjo do t’i bënte mirë. Në atë kohë, nga sytë e mbyllur të Amardës nisën të pikonin lotë. Doktor Ksejdi thoshte me vete se do të qe më mirë sikur të mos i vinte asgjë në sytë e mendjes. Ai ishte i bindur se vrasësi ishte Arbri. Le t’ia linte prokurorisë ta vërtetonte këtë. Për Amardën ishte një peshë e madhe, të cilën ajo s’mund ta përballonte.
      Atëherë kur ata prisnin ta ndihmonin, pasi ishin plotësisht të sigurt se do humbiste ndjenjat, ajo nisi të qajë me zë dhe të ulërijë, por aq thekshëm, saqë Pandi Rrënja dhe doktor Ksejdi u drodhën duke parë njëri-tjetrin në sy. Ajo thërriste pareshtur emrin e së ëmës.
     Jo, ajo s’mund të ishte vrasësja e Klarës. E si mund të ishte ngritur nga shtrati në gjendjen që ishte? Kjo ide duhej fshirë nga mendja menjëherë. Por, doktor Ksejdi nisi të vlerësonte gjithë elementët. Asgjë s’duhej të quhej e vogël, ose e pamundur, përndryshe s’mund të gjendej rruga për te vrasësi. Po sikur të ishte e vërtetë? Jo, jo, doktor Ksejdi duhej ta zbonte nga mendja këtë ide të çmendur.
     Gjendja e Amardës dukej se po përkeqësohej. Doktor Ksejdi s’priti më dhe i bëri një injeksion. Me siguri tani ajo do qetësohej dhe do flinte. Por ja që nuk ndodhi kështu. Ajo u ngrit ndenjur në shtratin ku e kishin shtrirë dhe më në fund hapi sytë. Fshiu lotët dhe u mundua të merrte një pamje të qetë, sikur asgjë të mos kishte ndodhur.
      - Duhet të takoj time më! Duhet të jem me të. A mund të më shoqërojë ndonjëri prej jush deri në apartamentin tim?- iu drejtua Amarda me zë thuajse të fikur, sikur po pëshpëriste me vete.
     - Si jo,- tha Pandi Rrënja që e mori veten i pari nga ky ndryshim i menjëhershëm,- por do ishte më mirë të të shoqëronim të dy, në mënyrë që të mos i mbetej qejfi asnjërit. Ai qortoi me sy doktor Ksejdin për pamjen hijerëndë që kishte marrë. Nuk ishte koha t’i kërkonin llogari Amardës dhe të përcaktonin nëse eksperimenti kishte pasur sukses apo jo. Ata i kishin premtuar ndihmë dhe ishin të detyruar ta mbanin fjalën. Nga ana e vet, ajo s’u kishte premtuar të ndante me ta imazhet që mund të kishte.
      Amarda pranoi në heshtje shoqërimin prej të dyve. U nisën menjëherë për në apartamentin e saj. Kur Soni u dha te dera, Pandi Rrënjës iu duk aq e habitur dhe e mallëngjyer që shihte të bijën, sikur të kishte menduar se ajo s’do të shkelte më kurrë atje. E mbyti me të puthura e përqafime. Por, më shumë përshtypje dy shoqëruesve të Amardës u bëri forca që gjeti ajo për t’i folur së ëmës e për ta përqafuar pareshtur.
      Vetëm pas disa minutash Soni mblodhi veten dhe takoi Pandi Rrënjën dhe doktor Ksejdin. I ftoi brenda gjithë mirësjellje, pavarësisht orës së vonë. Pandi Rrënja pranoi dhe qortoi me sy doktor Ksejdin, që me sa dukej s’ishte aspak dakord me këtë veprim të papeshuar mirë. Ishte një orë e papërshtatshme dhe në atë apartament ndodheshin vetëm dy femra.
      Por, edhe Pandi Rrënja kishte arsyet e veta. Ç’kishin këto gra që bënin sikur po takoheshin pas një ndarjeje shekullore? Kurrë më parë s’kishte qenë kaq kurioz dhe i gatshëm për të futur hundët në jetën e të tjerëve. Ndoshta, Amarda dyshonte se vrasësja e Klarës ishte e ëma, dhe pasi e kishte vërtetuar edhe në vizionet e saj, kishte rendur për në apartament. Mos ndoshta ky përqafim i stërzgjatur, lotët dhe mallëngjimi do të thoshin se ajo e kishte falur të ëmën dhe se këtë çështje do ta mbyllte këtu? Vetëm kjo mund të shpjegonte mallëngjimin dhe mirënjohjen që i lexohej, jo vetëm fytyrë, por në gjithë qenien e Soni Kristos.
     Me gjithë dëshirën për të mësuar më tepër, kurioziteti i Pandi Rrënjës nuk arriti ndonjë rezultat. Sjellja e tyre vijonte t’i dukej e çuditshme, madje e pakuptimtë. Amarda dhe Soni po që mësuan diçka të re dhe të çuditshme. Pas disa ditësh doktor Ksejdi do zhvendosej përgjithmonë në Amerikë, atje ku kishte jetuar më parë. Amardës iu mbushën sytë me lot. Pra, ai kishte arritur ta falte bashkëshorten e tij. Iu afrua doktor Ksejdit dhe e përqafoi me sy të përlotur. Kush e di, ndoshta biseda e disa ditëve më parë e kishte bërë të reflektonte, për të arritur në këtë vendim kaq të rëndësishëm dhe të drejtë.
      Soni dhe Pandi Rrënja shkëmbyen një vështrim si për  të pyetur njëri-tjetrin: Po ç’dreqin pati kjo? Por, asnjëri prej të dyve nuk foli. Për një sekondë Soni parafytyroi si do kishte qenë jeta e së bijës po të ishte martuar me doktor Ksejdin. S’ishte rasti për të bërë supozime të tilla, por diçka ishte e sigurt, cilido kandidat për të bijën i dukej shumë më i mirë dhe më i përshtatshëm se Arbri.
     Pandi Rrënja u mundua të vijonte bisedën normalisht, duke e shpërfillur atë që sapo kishte ndodhur, shpërthimin sentimental të Amardës, e më pas pjesërisht edhe të doktor Ksejdit.
      - Duhet të kujdesesh që Amarda të shërohet shpejt!- iu drejtua ai Sonit,- me ikjen e doktor Ksejdit klinikën do ta drejtojë ajo. E meriton këtë vend pune. Për dy vjet ka punuar me përkushtim dhe me…                    Amarda s’ishte duke e dëgjuar shefin e saj. Iu kujtuan fjalët e Gerit, se ajo do ishte pronare e klinikës ku punonte nëse martohej me të. Dukej se jeta po tregohej mjaft bujare, duke i dhënë kështu mundësi zgjedhjeje, të ishte pronarja, apo drejtuesja. Në dreq të vinin Geri dhe klinika bashkë. Ajo që i interesonte ishte liria e Arbrit. Mezi priste mëngjesin për ta takuar.
     Sonit i ra në sy mosinteresimi i së bijës për një çështje kaq të rëndësishme. Një rast i tillë s’vinte dy herë në jetë. Nëse Amarda s’ishte aq e zgjuar për ta kapur në ajër një mundësi të tillë, atëherë ajo do kujdesej personalisht për këtë. Ai vend pune duhej të bëhej patjetër i Amardës, ajo e meritonte.
      - Do kujdesem shumë për time bijë dhe ju sigurojë se më parë nga sa mendoni, do jetë e aftë t’i rikthehet punës si më parë. Edhe për vendin që po i ofroni, mendoj se është në lartësinë e duhur, vetëm se ajo s’e ka pasur ndonjëherë ëndërr të qenit në krye. I pëlqen më tepër ajo siguria që i ofron puna e përhershme. Këtu Soni nisi të mendonte se e bija në këtë pikë i kishte ngjarë asaj. Sa e sa herë i kishin sugjeruar të bëhej drejtoreshë në shkollën ku ajo jepte mësim prej një jete të tërë. S’kishte pranuar. Gjëja e fundit për të cilën kishte nevojë ishte të krekosej për postin e saj. S’donte që ta vlerësonin nga titujt, por për vlerat e vërteta që kishte.
     Pasi mbetën vetëm, ëmë e bijë patën një bisedë të gjatë. Në përfundim të saj, secila ishte më e qetë se në fillim. Por, Sonit i përplaseshin ende në kokë fjalët që e bija i kishte thënë në mëngjes, se s’do t’i mjaftonte gjithë jeta që ta falte për atë që kishte bërë. Ajo madje i kishte thënë se s’do kthehej më kurrë në apartament dhe që s’donte ta shihte më. Ç’mrekulli ndodhi që e bëri të ndryshojë mendje? Kë duhej të falënderonte për këtë, Pandi Rrënjën, doktor Ksejdin, apo thjesht fatin? Jeta po i jepte shumë më tepër nga sa meritonte. Lutej vetëm për diçka të fundit dhe më pas mund ta priste vdekjen e qetë. Ami duhej ta harronte Arbrin. Dashuria në zemrën e saj duhej të vdiste.
      Ishte e vështirë që një zjarr aq i madh të shuhej përnjëherësh, por mund të shuhej ca e nga ca. Ajo ishte e gatshme t’i ndërpriste oksigjenin dhe t’i hidhte ujë këtij zjarri. A do jetonte mjaftueshëm për të marrë edhe këtë kënaqësi të fundit nga jeta?

No comments:

Post a Comment