Thursday, January 11, 2018

Me prit...

Reflektimi i Arbrit         Kapitulli XXII


       Pavarësisht përpjekjeve të Klajdit për ta nxjerrë nga paraburgimi një orë e më parë, Arbri parandiente që s’kishte për të dalë shpejt prej atje. Ishte i sigurt se Soni e kishte përgënjeshtruar dëshminë e mëparshme. Tani ai s’kishte më alibi. Por, në vetvete ndihej i qetë. Është ajo lloj sigurie që ta jep vetëm pafajësia. Në mos herët, vonë do dilte prej aty. Ajo që e shqetësonte ishte tjetër gjë. A do ia dilte Soni Kristo t’ia helmonte gjakun së bijës? Nëse ai s’do ta kishte më Amardën, Amin e tij, edhe sikur të dilte prej andej, liria do t’i mungonte sërish. Tani kishte një përkufizim të ri për lirinë: Liria është e vlefshme vetëm atëherë kur dashuron dhe dashurohesh prej njeriut të zemrës.
     Nuk dinte nëse të menduarit pa ndërprerje do ta ndihmonte për të kuptuar më tepër, për të sistemuar jetën e vet, apo për ta larguar nga realiteti. Largimi nga realiteti ndonjëherë mund të jetë fatal për shëndetin mendor. Por, hë për hë këtë frikë e la mënjanë. I duhej patjetër ca rregull në kokën e vet.
      Disa muaj pas mbrëmjes së maturës, veçanërisht si pasojë e tentativës për vetëvrasje të Amardës, Arbri reflektoi dhe u bë më i përgjegjshëm për pjesën që i përkiste atij. Kishte bërë një gabim, kishte tradhtuar të dashurën, dhe besimin e saj.
      Tradhtia në vetvete nuk ishte një motiv i mjaftueshëm për ta shtyrë Amardën në vetëvrasje. Nëse çdo femre të tradhtuar i shkrepte të vetëvritej, atëherë dënimi më i përshtatshëm për tradhtarët ishte me vdekje. Kjo do të qe katastrofë e vërtetë. Kush e di se në ç’shifra do katandisej popullsia! Shumëkujt mund t’i duket absurd arsyetimi i Arbrit. Edhe ai e dinte se çfarë mund të thoshin, apo të mendonin të tjerët. Ndaj, dhe në atë kohë e shtronte çështjen në mënyrë që t’iu jepte përgjigje pikëpyetjeve të shumta që mund të ngriheshin.
      - Nëse unë jam i dashuruar me Amin dhe ajo gjithashtu është e dashuruar me mua, nëse kemi pothuajse tri vjet të lidhur bashkë, si është e mundur që maksimumi që ajo mund të më japë janë vetëm disa puthje? Dhe mos mendoni se kush e di se ç’puthje janë. Janë puthje çukitëse. E di se ç’janë puthjet çukitëse? Askush s’mund ta dijë veç meje, personit të vetëm që ka pasur fatin t’i provojë. Të tilla janë vetëm puthjet e Amit, të cilat nuk zgjasin më shumë se koha që i duhet një zogu të çukasë një kokërr grurë. Thashë grurë dhe jo misër, pasi në këtë rast koha do ishte më e gjatë. Unë si mashkull kisha dhe kam nevojat e mia, në fund të fundit cili është ai që nuk i ka? Nevoja, të cilat ajo si e dashura ime prej tri vjetësh as m’i kishte plotësuar dhe as kishte ndër mend të m’i plotësonte. Mos duhej të prisnim martesën!? Kjo gjendje ishte bërë e padurueshme.
     Pra, nëse vetëvrasja e Amit erdhi si pasojë e tradhtisë sime, mos duhej që prej kohësh të kisha vrarë veten se e dashura ime nuk më plotësonte as nevojat e as dëshirat? Nëse dikush, nga këndvështrimi moralist do të më flasë për vlera të padiskutueshme siç është p.sh. sinqeriteti, të tjerë me siguri do ta duartrokisnin. Më falni, por si mund t’i thosha të dashurës sime: dua të jem deri në fund i sinqertë me ty. Sa të mbaroj pak punë me Klarën dhe do kthehem te dashuria jonë e madhe, te lumturia jonë që shpresojë shumë të zgjasë për gjithë jetën.
     Nëse më thoni se bëra gabim që, për të shfryrë epshet e mia, zgjodha shoqen time dhe njëkohësisht shoqen e ngushtë të së dashurës sime, unë do t’u them se nuk e zgjodha unë. Ajo u ofrua vullnetarisht. Vetëm gjesti i saj, edhe sikur unë të mos e kisha lëshuar veten, dëshmonte se ajo as ishte e as kishte qenë ndonjëherë shoqe e ndonjërit prej nesh. Unë isha vërtet në udhëkryq, ndërsa Klara jo. Sa puthje kishim shkëmbyer ne me Amin në tre vjet, Klara kishte pasur të dashur. Ajo ishte kthyer në klasën tonë pak a shumë në autoshkollë.
     Vetëm të ndershmit s’mundën të merrnin patentën, ndonjë si puna e Klajdit. Ndoshta edhe ai po priste martesën. Ai donte t’i mësonte Klarës domethëniet e fjalëve: dashuri, monogami, përjetësisht. A ka vallë diçka që zgjat për gjithë jetën? As jeta vetë nuk zgjat.
      Nëse më qortoni për kohën e papërshtatshme dhe vendin e papërshtatshëm që zgjodha, po ju them se kisha vite që prisja. Ndoshta është turp ta them, por fundja nga e vërteta asnjëherë s’duhet pasur turp. Kisha ëndërruar që kur të ishte hera ime e parë të ishte dashuri dhe jo seks. Mos duket absurde thënë nga një mashkull? Nëse Ami kishte ndërmend të priste fejesën, apo më keq akoma martesën, unë jo. Nuk mund të prisja më, por të them të drejtën as nuk doja. Më kishte ardhur në majë të hundës kjo situatë. Dhe ndoshta bëj gabim që them, por nuk jam penduar për veprimin që kreva, e as besoj se do të vijë ndonjë ditë në të cilën do pendohem.
     Unë i kërkova disa herë falje Amit, por ajo s’më kërkoi kurrë falje, dhe dyshoj nëse do të vijë ndonjë ditë në të cilën ajo të kuptojë sa më bëri të vuajë duke mos përmbushur jo vetëm nevojat e mia, por edhe detyrën e saj si e dashura ime. Për të sinonimi i fjalës i dashur është shok i ngushtë. Ami fatkeqësisht nuk arriti të më kuptonte, në të njëjtën mënyrë edhe unë nuk arrita ta kuptoja. Por, unë nuk jam fajtori, ose të paktën jo i vetmi fajtor për atë që ndodhi.
      Në klasë kemi pasur gjithmonë një shprehje: E kush e kupton Amin? Dhe përgjigja ishte: Mësuesit. Kjo pasi shumica e klasës kujtonte se mendja e saj, si dhe e Klajdit, mbushej vetëm me mësime. Prindërit e saj, të cilët asnjëherë në mënyrë të drejtpërdrejtë s’më bënë fajtor për atë që i ndodhi Amit, në vetvete lehtësoheshin kur mendonin se unë ekzistoja. Duke hedhur fajin tek unë shkarkonin përgjegjësitë nga vetja, në këtë mënyrë ndjeheshin prindër më të mirë se ç’ishin në të vërtetë. Ata shtireshin sikur të mos kishte ndodhur asgjë. Kështu nuk i zgjidhnin problemet, por i bënin përkohësisht të padukshme.
     Unë s’mund të veprojë në këtë mënyrë. S’kënaqem duke i fshehur problemet. Nëse s’mund t’i zgjidh, të paktën dua të bëjë analizën e plotë për të kuptuar përse kanë lindur ato. Ndaj bëra kërkimet e mia të imtësishme në internet, për llojin e vetëvrasjes që zgjodhi Ami, ndoshta në këtë mënyrë do kuptoja më tepër. Kisha vërtet nevojë.
     Vetëvrasja me mbidozë barnash farmaceutikë është një metodë që sjell gëlltitjen e tabletave në një dozë shumë më të madhe se niveli i rekomanduar, ose kombinimin e tabletave të ndryshme, të cilat, të marra së bashku, mund të kenë efekte fatale. Sidoqoftë, vdekja nuk është e sigurt, pasi tabletat që merren nga goja mund të nxirren me anë të të vjellit para se ato të përthithen nga organizmi.
      Lavazhi gastrik është zgjidhja më e mirë për t’iu kundërvënë kësaj lloj vetëvrasjeje. Vetëvrasja me mbidozë barnash farmaceutikë është mënyra më e zakonshme e vetëvrasjes, sidomos prej atyre që i marrin këto tableta. Në të tilla raste ky veprim sfumohet aq shumë, saqë nuk mund të thuhet më nëse ishte një akt terapeutik, ndonëse mbidozë, apo tentativë për vetvrasje. Në shumë pak raste shënohen vdekje nga një veprim i tillë. Më shumë se një mënyrë për të vrarë veten, duket se është një mënyrë e dëshpëruar për të kërkuar ndihmë.
      - Me sa di unë, Amin s’e ndihmoi kush. Në fund të fundit ajo as kërkon e as pranon ndihmë. Do që t’iu tregojë të tjerëve dhe vetes se mund t’ia dalë mbanë për mrekulli edhe pa ta. Por, e vërteta qëndron ndryshe. Këtë nuk e them unë, por faktet.
     Pas pesëmbëdhjetë muajsh, m’u desh sërish të  kërkoja në internet për llojin e vetëvrasjes që kishte zgjedhur Ami kësaj here. Këtë radhë qe më e komplikuar. Ishte njëkohësisht hedhje nga lartësia dhe mbytje. Ky rast nuk cilësohej si një mënyrë ekstreme për të tërhequr vëmendjen dhe për të kërkuar ndihmë. Kuptohej qartë se Ami e kishte pasur seriozisht.
      Vetëvrasja nga mbytja konsiston në aktin e të ndenjurit nën ujë, ose nën lëngje të tjera, por të qëndruarit i zhytur aq gjatë, sa për të shkaktuar asfiksimin. Si pasojë e asfiksimit, truri privohet nga oksigjeni. Uji mbërrin në laring, aty ku epiglota mbyllet hermetikisht, duke bërë të pamundur kalimin e lëngjeve dhe ajrit.
     Uji në fakt tenton të mbushë mushkëritë në një moment të dytë, atëherë kur vdekja ia ka behur dhe çdo refleks është zhdukur.
     Si edhe në rastet e tjera, nëse mbytja ndërpritet para vdekjes, personi mund të rifitojë jetën e tij dhe nga vetëvrasje do kishim thjesht një tentativë vetëvrasjeje. Por, nëse procesi është ndërprerë vonë, mungesa e oksigjenit mund të ketë shkaktuar dëmtime serioze në tru, të cilat do ta shoqëronin personin përgjatë gjithë jetës së tij.
     Bëhet fjalë për një mënyrë vetëvrasjeje të praktikuar rrallë, sepse kërkon një moslëvizshmëri të admirueshme nga ana e atij që e kryen. Ndaj dhe shpesh mbetet në tentativë.
     Por, kjo lloj vetëvrasjeje shpesh mund të jetë shumë komplekse. Kështu s’kemi vetëm mbytje, p.sh. mes dallgëve të detit, apo ujërave të rrëmbyera të lumit. Njëkohësisht personi mund të zgjedhë p.sh. të hidhet mes dallgëve nga lartësia e një anijeje, apo të hidhet në lumë nga një urë. Në të tilla raste është e zakonshme humbja e ndjenjave si pasojë e rënies dhe e përplasjes me sipërfaqen e ujit. Në këtë rast, kontakti me ujin bën të pashmangshme mbytjen.
      - S’duhej konsideruar thjesht fat, por një mrekulli e vërtetë që plani për vetëvrasje i Amit kishte dështuar sërish  dhe kishte mbetur thjesht në tentativë. Personi që e kishte nxjerrë atë nga ujërat e rrëmbyera të lumit nuk meritonte vetëm mirënjohje, meritonte shumë më tepër. Por, ai ishte zhdukur dhe s’kishin mundur t’i mësonin as emrin. Sikur të kisha qenë atje… Por, jeta është e gjatë dhe unë jam i sigurt se një ditë do ta takoj.
     Për sa i përket herës së tretë, s’ka ekspert të kësaj fushe në botë që të më thotë se Ami s’e kishte seriozisht. Ishte diçka që e pashë me sytë e mi dhe që e përjetova me gjithë qenien time. Ishte e tmerrshme. Sidoqoftë, u thellova sërish në kërkime. Edhe kësaj radhe zgjodha sërish të njëjtët autorë, studimi i tyre ishte mjaft serioz.
     Gjakderdhja konsiston në arritjen e vdekjes përmes humbjes së gjakut. Kjo vjen zakonisht si pasojë e plagosjes, apo prerjes me dashje në vendin ku ndodhet një arterie. Nëse vendi i prerjes zhytet në ujë të ngrohtë, atëherë fluiditeti i gjakut rritet ndjeshëm.
     Për sa i përket prerjes së venave, ajo mund të kalojë pulsin dhe të dëmtojë tendinat, të cilat kontrollojnë muskujt e dorës, duke shkaktuar një reduktim të përkohshëm, ose të përhershëm të aftësive ndjesore dhe lëvizore. Mund të duhen disa orë për të arritur te vdekja nga gjakderdhja. Nuk është një mënyrë që bëhet menjëherë fatale. Por, ndonjëherë përveç venave dëmtohet edhe arteria, në këtë rast specifikohet si vdekje që vjen si pasojë e dëmtimit të arteries, ndërsa gjakderdhja vdekjeprurëse si pasojë e dëmtimeve venoze është më e rrallë.
      Mund të duhen disa orë që personi të arrijë te vdekja si pasojë e gjakderdhjes. Ekziston një mënyrë për të shpejtuar vdekjen, vendosja e venave të prera në ujë të ngrohtë.
      Por, edhe në rastet kur prerja e venave praktikohet me qëllim tërheqjen e vëmendjes, i shkakton shumë probleme kirurgëve të dorës dhe neurokirurgëve. Muskujt që lëvizin kockat e trupit ndodhen në parakrah, ndërsa tendinat e tyre kalojnë nën ligamentet e pulsit. Si pasojë, dora mund  edhe të humbë aftësinë e saj për t’u mbyllur. Pothuajse gjithmonë këto veprime të të dëmtuarit të vetes sjellin si pasojë të pashmangshme bashkëjetesën me dëmet estetike dhe paaftësinë e përhershme.
      Pasi kishte sjellë ndër mend tri tentativat për vetëvrasje të Amardës ishte i dërrmuar. Ndihej fajtor për secilën prej tyre. Ai e meritonte burgun, por jo për vrasjen e Klarës. Ai meritonte të burgosej përjetë për të gjitha ato që i kishte shkaktuar Amardës.
     Por, nëse jeta kishte qenë bujare duke ia rrëmbyer prej duarsh vdekjes njeriun më të dashur për të, a mund të ishte aq mizore sa t’ia shkëpuste prej zemrës dashurinë që ajo ndjente për Arbrin?
      - Më prit… Edhe vetë u habit kur dëgjoi këto fjalë. Për herë të parë në jetën e tij po i fliste vetes me zë të lartë. Mos po marrosej? Kaq shpejt? Jo, nuk ishte ai që kishte folur dhe aq më pak ato fjalë po i drejtoheshin Arbrit. Ishin fjalët e zemrës së tij. Këtë herë s’kishte mërmëritur nën zë, sepse zemra tjetër së cilës po i drejtohej ishte larg. - Më prit…

No comments:

Post a Comment