Rendje Kapitulli XX
Para klinikës pa Arbrin. Një copë herë vuri re se si
ai bënte ecejake sa për të shtyrë kohën. Me siguri kishte
ardhur t’i kërkonte falje për mungesën e tij të gjatë. Ta falte
ishte veprimi më me mend dhe më i bukur që ajo mund të
kryente. Më pas, me siguri do t’i kërkonte të ktheheshin
bashkë. Ata kishin lindur për njëri-tjetrin.
Iu afrua me zemër të dridhur dhe e përshëndeti që
disa hapa larg. Sa bukur ishte të ndjente sërish zemrën t’i
rrihte aq fort për njeriun që dashuronte, për njeriun me të
cilin donte të kalonte gjithë pjesën e mbetur të jetës së saj.
Ai ia ktheu përshëndetjen ftohtë, duke mos i zgjatur as
dorën. Sytë e tij nuk ishin indiferent. Ajo dinte të lexonte
në ta më mirë se në një libër.
Përse nuk sillej natyrshëm? Ai diçka fshihte, por ishte
e sigurt se nëse e pyeste, nuk do t’i zbulonte asgjë. Kështu
ishte Arbri, i pëlqente të zgjidhte vetë se ç’duhej të tregonte
dhe kujt duhej t’ia tregonte. E pyeti si kishte qenë dhe deri
në ç’masë kishin fituar duart e saj aftësitë lëvizore. Amarda
iu përgjigj shkurt. Kuptoi se ai s’kishte ardhur ta takonte e
ta pyeste për shëndetin.
- Erdha të të pyesë nëse të intereson të bashkohesh me
ne për të gjetur vrasësin e Klarës. Mos bëra gabim?
- Kujt i referohesh me ne?
- Klajdi dhe unë. Klajdi mbulon anën ligjore, por ka
nevojë edhe për ne.
- E përse iu dashka Klajdit ndihma jonë?
- Sepse ne njohim anë të Klarës që ai s’i njeh.
Hezitoi përpara se t’i përgjigjej. Ndoshta Klara do mbetej përjetësisht një hije mes tyre. Mos duhej ta duronte
deri në vdekje praninë e saj?
- Arbri! A mund të më thuash sinqerisht përse të
intereson kaq shumë të gjesh vrasësin e saj?
- Mund edhe ta shmangie këtë pyetje, por sidoqoftë,
më vjen mirë që të paktën për diçka je e sinqertë. S’lidhet
vetëm me akuzat ndaj meje për vrasje. Megjithëse një ditë
do reshtin së drejtuari gishtin drejt meje, unë sërish s’do
gjejë qetësi. Vetëm kur fajtori i vërtetë të jetë pas hekurave
do thërras me zë të lartë se jam i pafajshëm. Por, nuk është
vetëm kjo. Në një farë mënyre ne i detyrohemi Klarës. Si
thua, e ndjen të bashkohesh me ne?
Ndërkohë pranë tyre ishte afruar makina e cila
po merrte mbeturinat që përmbanin kazanët. Amarda
shrytëzoi rastin për të bërë një monolog me zë të lartë.
Megjithëse ishin pranë e pranë, Arbri s’arriti ta dëgjonte
nga zhurma e madhe.
- Po, por me një kusht, ta mbaj sekret arsyen e pranimit.
Kjo është një treshe e stisur: Njeriu që e dashuroi me gjithë
shpirt dhe që nuk mundi të merrte qoftë një grimë dashuri
prej saj. Njeriu që e futi në shtrat sa herë ndjeu të ftohtë.
Dhe e treta edhe më e çuditshmja, ish shoqja e ngushtë, e
tradhtuara që kur s’dinte ku të fuste kokën ia fuste vetes.
- Pranon?- e pyeti Arbri me zë të lartë pasi ishte afruar
më tepër.
- Dakord!- iu përgjigj ajo në po të njëjtën mënyrë. Kur
të ishte i lirë Klajdi, do mblidheshin në apartamentin e
tij. Sa për Amardën dhe Arbrin ata ishin të gatshëm kur
t’i thërriste ai, përkohësisht nuk punonin. Amarda sepse
nuk mund të komandonte duart e saj, ndërsa Arbri sepse
s’mund të komandonte muskujt e fytyrës së tij.
Amarda shpejtoi hapin për në apartament. Iu drejtua
studios që të shihte edhe një herë pamjen e sapoformuar.
Ishin pjesëzat e pajetuara të jetës së saj dhe ajo donte t’i
kishte sërish para syve. E shkuara i kishte dhënë një mësim të mirë. Do përsëriste për të mos harruar. Ishte e vendosur
të mos bënte më gabime të tilla.
- Mami! O ma, mos ke lëvizur atë puzzle nga studioja?
E vendosa në mur para se të dilja dhe nuk po e gjej.
- Nuk the asgjë kur dole, nuk përshëndet kur vjen dhe
si të mos mjaftojë, më kërkon llogari. Unë s’të kam edukuar
kështu.
- Të lutem ma më fal që nuk të thashë kur ika. Më fal
edhe që nuk të përshëndeta kur erdha. Tani a mund të më
thuash ku është ajo që po kërkoj?
- Është në vendin e vet. Atje ku duhej të ishte dhe
askund tjetër. Në kazanin e mbeturinave.
- Hë ma mos u tall tani! Ku është?
- Ta thashë se ku është. Në kazanin e mbeturinave. Të
betohem se e hodha. Për kokën tënde që e kam seriozisht.
Amarda doli në ballkon, por makina e bashkisë nuk
dukej më. Asaj i erdhi të qajë dhe ulëriu nga dhimbja. Përse
gjithçka që ajo e donte me gjithë shpirt duhej të zhdukej sa
hap e mbyll sytë? Por, ndoshta ishte për fajin e saj. Asnjëherë
s’kishte vrapuar për të arritur kohën, për të kapur çastet që i
fluturonin të pajetuara. Mori çelësat e makinës dhe doli me
vrap nga apartamenti. Makina s’mund të kishte shkuar larg.
Nuk ishte aq e vështirë për ta gjetur. Parkoi makinën
dhe mbeti e hutuar për disa sekonda. Punonjësi i pastrimit
e njohu menjëherë nga fotoja që kishte parë. I bëri me
shenjë që të afrohej. Shpejtoi për në kabinën e makinës.
- Këtë po kërkon?
- Po, s’di si t’iu falënderojë. Më duket e pabesueshme
që mund ta kem sërish. Tani nuk ishte nevoja për të
komunikuar me zë të lartë. Ai e kishte fikur makinën.
- Më pëlqeu dhe thashë t’ua çoj kalamajve. Përditë gjej
gjëra të bukura mes plehrave, po kjo ia kalon të tërave.
Amarda e falënderoi disa herë për veprimin e tij bujar,
duke i thënë se e kishte hedhur gabimisht. Kontrolloi më
kot xhepat teksa fliste me të. Ata ishin të zbrazët. Por, ndoshta më mirë kështu. Me siguri do ta ofendonte po t’i
jepte para. E falënderoi sërish me gjithë shpirt.
U kthye në apartament e menduar. S’kishte qenë e
vështirë të korrigjonte një gabim të së ëmës. Por, a mund të
rendje drejt çasteve të pa jetuara? Qeshi me vete. Si filozofe
s’vlente as pesë lekë. Gjëja e fundit që donte ishte të shihte
të ëmën të mërzitur, por duhet t’i thoshte patjetër diçka, që
ajo të ishte më e kujdesshme herë tjetër.
- Dëgjo mami! Të lutem shumë, të jetë hera e fundit që
i prek sendet e mia pa leje.
- Si the? U dashka të kërkoj leje për të pastruar
apartamentin tim?
- Të lutem ma, mos e përgjithëso rastin!
- Të hedhësh në kazanin e mbeturinave sendet e të
tjerëve mund të jetë vërtet gabim. Por, a e di bija ime se cili
është gabimi më i madh? Nëse nuk e di ende ta them unë,
të mbash mbeturina në shtëpi.
- Për të mirën e të dyjave uroj të jesh duke bërë shaka.
- Jo zemër, e kam shumë seriozisht dhe kjo është vetëm
për të mirë. Ende nuk e ke kuptuar se duhet ta nxjerrësh
Arbrin përgjithmonë prej jetës tënde? Jo vetëm atë, por
gjithçka tijën, apo që të bën ta kujtosh.
- Është jeta ime dhe unë mund të bëj çfarë të dua.
- Ndërsa ky është apartamenti im dhe unë kam të drejtë
të nxjerrë jashtë tij çfarëdo, apo këdo që nuk e dua. Dhe ja
ku po ta them se këmba e Arbrit nuk ka për ta kaluar kurrë
pragun e apartamentit tim për sa kohë të jem gjallë. Vetëm
kur unë të vdes do bësh sipas qejfit tënd.
- Mami! A e kupton se çfarë po thua? Unë jam njëzetë e
pesë vjeçe dhe u dashka të të marr leje? Jam aq e rritur dhe e
zonja sa për të ditur çfarë duhet të bëjë me jetën time. Përse
më trajton kështu? Me ç’të drejtë më vendos këto kushte?
- Me të drejtën që ma jep mëmësia. Dhe aq vite sa ke ti
mbi shpinë, po aq vite kam edhe unë që nuk mendoj më për
vete, që nuk jetoj për vete dhe për askënd tjetër veç teje. Çdo qindarkë, jo e kursyer, por e hequr mënjanë duke lënë shumë
nevoja të tjera të paplotësuara, ka shkuar për shkollimin
tënd, për kurset që ke ndjekur, për... nejse kjo s’ka rëndësi.
Sa shumë u prek kur dëgjoi të ëmën të fliste në këtë
mënyrë! Mos do t’i kujtonte edhe veshjet, mos ndoshta edhe
ushqimin? Ajo e dinte se ata ishin lodhur e stërmunduar,
por në fund të fundit a nuk është misioni i çdo prindi të bëj
maksimumin për fëmijën e vet?
Amarda vuri re se si e ëma vendosi dorën mbi zemër.
Megjithëse kishin kaluar vite dhe këtë veprim e kishte parë
me qindra herë, s’ishte mësuar ta shpërfillte. Për herë të parë
nuk u mallëngjye. Fillimisht ndjeu një neveri ndaj vetes.
Mos nuk ishte sa duhet një vajzë e mirë? Po fundja më mirë
kështu. Ndoshta ishte koha e duhur të mendonte për vete.
Edhe ajo kishte një zemër. Megjithëse nuk e vendoste dorën
mbi të, ishte aq e ndjeshme, saqë plot tri herë kishte qenë gati
t’i jepte fund jetës, sepse e kishte ndjerë se nuk mundej më.
- Mos u shqetëso ma!- i tha duke e përqafuar siç vepronte
zakonisht. Ti e di se unë nuk jam mosmirënjohëse. Do të të
shpërblej çdo qindarkë të shpenzuar për mua. Çdo sakrifice
tënde kundrejt meje do t’i përgjigjet një sakrificë imja.
Soni u mallëngjye. S’e kishte menduar aq të lehtë
bindjen e së bijës. Ndoshta edhe e kishte tepruar pak.
A mos vallë e kishte kaluar masën? Ajo nuk përmendte
asnjëherë mirësitë që u bënte të tjerëve, për më tepër së
bijës. Sidoqoftë, tani nuk duhej të mendonte më për këtë.
Rëndësi kishte që ajo t’ia arrinte qëllimit të saj. Ishte e
gatshme të ndiqte çfarëdolloj rruge. Nuk do lejonte për
asnjë arsye në botë që vajza e saj të martohej me një vrasës.
Nuk do lejonte që në dejet e nipërve, apo mbesave të saj të
vërshonte gjaku i Arbër Spiros. Ishte gati të vetsakrifikohej
pa e menduar dy herë vetëm e vetëm të arrinte përmbushjen
e qëllimit të saj të shenjtë.
- Tani më fal ma, po dal. Duhet të takojë shefin, sepse
nuk ishte më parë në klinikë. Nuk di të të them sa do vonohem. Ndoshta shkoj edhe diku tjetër për të përfunduar
diçka që e kam lënë pezull. Sidoqoftë, flasim më vonë.
Kur Amarda u kthye në apartament, përshëndeti të
ëmën dhe u fut në studio. Kishte marrë disa materiale
për t’i përkthyer nga anglishtja dhe italishtja, gjuhë që i
zotëronte shkëlqyeshëm. Soni këmbënguli se duhej që më
parë të hante drekë e më pas të niste punën. Nuk e besoi të
bijën kur i tha se kishte ngrënë jashtë. E njihte mirë. Kur ajo
niste një punë gjithçka përreth saj pushonte së ekzistuari.
Soni e shihte Amardën tek përkthente me një lehtësi
të habitshme nga të dyja gjuhët. I tha se e bënte për një
shoqen e vet përkthyese, që të arrinte të dorëzonte në
kohë materialin. Ajo kishte fëmijën të sëmurë dhe Amarda
duhej ta ndihmonte, përndryshe ajo humbiste punën. E
ëma i buzëqeshi dhe e inkurajoi për të vazhduar. Kështu e
kishte edukuar ajo vajzën e vet, të mos përbuzte asnjë punë
të ndershme. Ishte vërtet krenare për të.

No comments:
Post a Comment