Thursday, January 11, 2018

Me prit...

Hakmarrja              Kapitulli XXI


      Plot gjashtë orë kishte Amarda para kompjuterit. Koha kishte vrapuar pa e ndjerë. Duart kishin mbajtur gjithë peshën e punës. Ato ishin sfilitur nga shtypja e tasteve të kompjuterit edhe pse Amarda përdori vetëm gishtat tregues, në përpjekje për të lëvizur sa më pak muskuj. Për sa kohë fashot s’ishin gjakosur, do të thoshte që s’kishte shkaktuar ndonjë dëm. Kur e ëma hyri në studio ishte e sigurt se do këmbëngulte sërish në të sajën, se duhej të çlodhej e të hante diçka. Por, ishte gabuar.
      - Ami! Të kërkon Klajdi në telefon. Më tha se celulari yt del fikur.
     - Ti e di që kur i hyj një pune e fik celularin.
      - Bën mirë zemra ime! Vetëm kështu mund të punohet seriozisht.
     Amarda ngriti receptorin e telefonit. Menjëherë e kuptoi se në aparatin tjetër, i cili ndodhej në dhomën e gjumit, receptori ishte gjithashtu i ngritur. S’mund të ishte bërë me qëllim, me siguri ishte harruar. Nuk kishte arsye që të dyshonte te e ëma. Në fund të fundit ajo ishte duke folur me një shok që e njihte prej një jete. Nga ana tjetër, s’e kishte pikasur ndonjëherë duke kryer këtë veprim, as gjatë periudhës së adoleshencës. Ishte absurde që të niste përgjimin e telefonit tani që e bija ishte rritur dhe qe bërë e zonja e vetes.
     - Alo, Klajdi!
      - Jam unë!- menjëherë ndjeu zemrën t’i dridhej kur dëgjoi zërin më të ëmbël në botë.
     - Abi! Zemra ime! Sa më paska marrë malli për të të dëgjuar zërin!
    - Edhe unë s’kam reshtur së menduari për ty... domethënë s’kam reshtur së menduari për atë që folëm bashkë.
      - Si thua, dalim për darkë sonte?
       Në vend të entuziazmit të tij dëgjoi një psherëtimë. Të darkonin të dy ishte një kënaqësi dhe ai s’kishte përse të reagonte kështu. Pas një grime me mendjen e vet Amarda e gjeti shkakun e psherëtimës. Arbri s’kishte faj. Vetëm para pak ditësh ajo i kishte kërkuar të dilte një herë e mirë nga jeta e saj. E kishte lënduar. Ndoshta do duhej ca kohë që gjithçka të kthehej si më parë. Thellë, në shpirtin e vet, ajo e dinte se kjo do të ndodhte, madje do ishte krejt ndryshe nga herët e tjera. Do ishte për gjithë jetën.
     - Ami, jam në apartamentin e Klajdit. Po të pres. Por, dua që ti të jesh e sigurt për rëndësinë e kësaj që po bëjmë.
     - Në rregull, po nisem menjëherë. Jam e sigurt se për momentin është çështja më e rëndësishme.
     - Nëse nuk e ndjen, më mirë lëre fare. Gjëja e fundit që dua është që të ndjehesh e detyruar për të bërë diçka të tillë, kaq të rëndësishme kundër vullnetit tënd.
     - Jam plotësisht e sigurt. Po nisem. Sa të hapësh e të mbyllësh sytë më ke aty jeta ime.
      Kur Amarda s’kishte dalë ende nga studioja, Soni i preu rrugën.
      - Përse me kaq ngut Ami?
      - Më duhet të dal ma!- iu përgjigj ajo duke e puthur, por e ëma iu duk e ftohtë dhe e palëkundur vendit. Me sa dukej ajo s’kishte ndër mend t’ia hapte rrugën. Padyshim që ishte zemëruar keq për punën e së ngrënës. Por, ja që Amarda kështu ishte. Kur niste një punë as që i binte ndër mend gjë tjetër. Arbri i thoshte se të jetonte me të ishte një kursim i vërtetë.- Mami!Nëse nuk e ke vënë re më ke zënë daljen!
      - Sigurisht që e kam vënë re. Unë kam probleme me zemrën, jo me sytë. - Dhe s’ke ndër mend të më lësh të dal?- Amarda vërtet e kishte me ngut, por nga ana tjetër po i pëlqente që së ëmës i ishte kthyer sensi i humorit.
      - Po qe nevoja do të të lidh, vetëm për të mos dalë.
      - Mirë atëherë, e bëjmë kështu. Më lër të dal këtë herë dhe kur të kthehem më lidh fort me dy litarë. Njëri prej tyre të jetë i ngrënshëm, p.sh. me salsiçe. Të premtoj se duke u përpjekur të këpus litarët, njërin prej tyre do ta asgjësojë me shumë dëshirë.
     Amarda e përqafoi fort të ëmën. Soni u drodh e tëra kur kuptoi, jo vetëm vrullin, por edhe ngazëllimin e së bijës. Situata po i dilte jashtë kontrollit. Mos ishte koha të vepronte? Vendosi dorën mbi zemër. Frika e vetme ishte se mund të mos jetonte mjaftueshëm për të përmbushur detyrën e saj si nënë. Duhej të shpejtonte. Asgjë s’mund të mbetej pezull.
      Amarda mbeti keq kur Arbri s’iu përgjigj përqafimit të saj. Ajo vërejti si e mikloi sapo e pa, e ndjeu si u drodh mes krahëve të saj, kuptoi se zemra e tij shpeshtoi rrahjet kur trupat e tyre të mbështetur pas njëri-tjetrit çliruan elektricitet. Përse vallë bënte indiferentin? Ishte e kuptueshme se kësaj radhe i nevojitej kohë. Përse të ngutej? Kishte gjithë jetën përpara, dhe jeta e saj s’i përkiste askujt tjetër, madje as asaj vetë. Jeta e saj i përkiste Arbrit.
     Pas disa minutash ishin ulur të tre rreth tryezës së kuzhinës. Nuk dinin nga t’ia nisnin. Fillimisht dëgjuan Klajdin të tregonte i përlotur dhe i mallëngjyer për ceremoninë e varrimit të Klarës.
     - Nga gjithë shoqëria e gjimnazit mungonit vetëm ju të dy. Më mirë kështu. Ndoshta prania juaj do krijonte situata të pakëndshme. Të tjerët ishin pa përjashtim. Kishte shumë njerëz, jashtëzakonisht shumë. Të jepte përshtypjen se gjithë ajo pjesëmarrje në fund të fundit ishte edhe një lloj proteste për të kërkuar me çdo kusht fajtorin. Disa krime barbare ndaj femrave kanë mbetur pa autor. Duket se kjo ka ndikuar fuqishëm edhe në psikologjinë e njerëzve të thjeshtë.
      I dashuri i Klarës sillej në mënyrë të çuditshme. Shihte ngultas ngado e këdo. Nuk reshti së filmuari dhe së fotografuari. Sa për fjalimin e tij mbi trupin e Klarës, ishte më mallëngjyesi që kishim dëgjuar ndonjëherë. Është i vendosur të gjejë me çdo kusht fajtorin. Dikush pëshpëriti se i ngjante personazhit të një tragjedie të njohur antike. S’më kujtohet se për cilën tragjedi ishte duke folur.
     - Atëherë përse të mos e pranojmë në skuadrën tonë?- tha Amarda, por pa me habi se asnjëri prej dy djemve s’e miratoi mendimin e saj. U ndje e detyruar të zbuste tonet në favor të situatës.- Ne s’do të ndryshojmë thelbin e qëllimit tonë. Ndryshimi i vetëm është se nga trio do bëhemi kuartet.
     Amarda u nevrikos nga heshtja e dy djemve. Ajo nisi të kërciste gishtat, më pas edhe dhëmbët. Buzët e tulta u zhdukën sakaq për disa minuta. Arbri dhe Klajdi kuptuan se ajo s’dinte gjë në lidhje me denoncimin që i dashuri i Klarës i kishte bërë Arbrit.
     Që prej asaj dite të mallkuar, ajo s’kishte parë më televizor. Nëse ishte ende gjallë, qe thjesht fat, dhe televizori s’kishte asnjë meritë për këtë, përkundrazi. Ajo nuk kishte duruar ta dëgjonte intervistën e Pandi Rrënjës deri në fund. Në të kundërt, ndoshta s’do kishte ndodhur ajo që ndodhi. Dëgjoi vetëm pjesën ku përdori ironinë.
      Më pas ai foli shtruar dhe seriozisht për doktoreshë Amardën. Veçantia e punës së saj ishte përkushtimi dhe dashuria ndaj profesionit të stomatologes. Në dy vitet që kishte punuar në klinikën Meteor, të gjithë pacientët, pa përjashtim, kishin mbetur të kënaqur nga puna e saj. Përkushtimi dhe devotshmëria kishin dhënë frytet e veta. Ajo tani ishte mjeke stomatologe me eksperiencë, ligjërisht dhe profesionalisht e aftë për të hapur një klinikë më vete. Dëshmitë e panumërta të kualifikimeve të ndryshme, apo certifikata pjesëmarrjeje në seminare të shumta, ishin një tjetër tregues i rritjes së vazhdueshme profesionale.
     Pasi u vendos se grupi i tyre s’kishte nevojë për prurje  të tjera, pak a shumë u bë një plan dhe u ndanë linjat kryesore që do ndiqnin. Për disa minuta ra heshtja. Secili prej tyre bluante me mendjen e vet se nga do t’ia niste. Megjithëse Klajdi mbulonte anën ligjore, e cila ishte vërtet mjaft e rëndësishme, shpirti i vërtetë i grupit ishte Arbri. Fajtori do të gjendej me çdo kusht dhe ai mund t’i rikthehej jetës së mëparshme, atje ku e kishte lënë.
      E dinte se hë për hë Soni e kishte në dorë. Duhej të vepronte shpejt. Pastaj s’do t’i druhej më. Nëse ajo bënte dorën grusht do shtrëngonte brenda tij vetëm ajër. Donte apo s’donte Soni Kristo, shumë shpejt do bëhej zyrtarisht vjehrra e tij.
      Me të rënë zilja e derës Klajdi shpejtoi për ta hapur. I kishte ardhur në majë të hundës me Oltin që harronte çelësin, s’ishte hera e parë, por për fat të keq as e fundit. Kur pa Oltin të shoqëruar nga dy policë, çdo gjë u bë e qartë si drita e diellit. Mori dhe lexoi fletën që mbante në dorë njëri prej tyre. Dokumenti zyrtar kishte firmë dhe vulë, ndërsa data i përkiste asaj dite. Madje, ishte marrë në duar ende pa u tharë boja e vulës. Punonjësi i policisë kishte shenja boje në dorën e majtë. Dukej qartë se ishte mëngjarash.
      Arbri s’u habit që erdhën për ta marrë. Ai e dinte se ishte i lirë përkohësisht. Vetëm se kishte nevojë për kohë. Nëse merrte masën burgim pa afat e dinte që ishte shumë më e vështirë, madje e pamundur për të dalë prej andej. A do mund të arrinin te fajtori i vërtetë Klajdi dhe Amarda? A do dilte nga burgu para se të thinjej i tëri?
     Mosbindja, apo kundërshtimi do ishin të kota. Ishte gati të shkonte pas tyre. Donte ta përqafonte edhe një herë Amardën, dashurinë e jetës së tij. Ndoshta për herë të fundit. Soni do t’i bënte lavazh trurit të saj dhe brenda një kohe të shkurtër ajo do shkëputej përfundimisht prej tij. Sa gabime kishte bërë ndaj saj! Jeta po tregohej mizore duke mos i dhënë kohën e mjaftueshme për të shlyer të paktën ndonjë prej tyre.                      Amarda humbi ndjenjat në krahët e tij. S’ka fjalë në botë me të cilat të përshkruhej dhimbja e Arbrit. E vetmja gjë që ai kishte përmbushur me devotshmëri në jetën e vet, ishin vuajtjet e pandërprera që i kishte shkaktuar.
      Megjithëse kishte bërë kursin e ndihmës së shpejtë, u desh edhe ndihma e Klajdit për ta sjellë Amardën në vete. Ndërkohë, Olti u mor me diçka tjetër. Policët po prisnin qetë-qetë të ulur te shkallët, duke pirë nga një birrë të ftohtë. Puna e përditshme e Oltit në një internet-kafe i kishte mësuar shumë në lidhje me komunikimin dhe pijet. Por s’mund t’i mbante aty gjithë natën.
      Amarda erdhi në vete. Ajo s’ishte në dijeni për akuzat e bëra ndaj Arbrit nga ish i dashuri i Klarës. Ku ta dinte se pas arrestimit kishte mundur të shpëtonte vetëm në sajë të alibisë që kishte sajuar mamaja e saj?
      E mblodhi veten shpejt, dhe i premtoi Arbrit se do bënte gjithçka për ta nxjerrë nga burgu. Ishte aq e këputur sa nuk doli për ta përcjellë, madje s’mundej as të qëndronte ulur. Ai i pëshpëriti diçka në vesh, më pas i kërkoi falje për të gjitha dhimbjet dhe vuajtjet që i kishte shkaktuar. Amarda ia lidhi fort duart pas qafës. Për ditë me radhë e kishte pritur Arbri puthjen e saj, e cila i dëshmonte se askush dhe asgjë s’mund t’i ndante. Por, ndoshta tani ishte vonë. Tepër vonë.
     Me sy të përlotur i kërkoi të kujdesej për veten. Ndërsa Oltin e luti që ta shoqëronte Amardën për në apartamentin e saj. Olti e pa me ca sy të çuditshëm. Edhe pa porosinë e tij ai do kujdesej po njësoj për shoqen e vet.
     Kërcitja e derës ishte mizore. Ajo ndante dy botë, duke vendosur mes tyre mure të trashë dhe hekura të lartë. Për fat të mirë, Klajdi shoqëroi Arbrin, dhe do ishte i pranishëm në marrjen e tij në pyetje.
      Pasi u mendua një hop, Olti u kthye te Amarda me një gotë në dorë. Ajo e pa e habitur. Këtë radhë s’kishte shfrytëzuar njohuritë e mara nga puna, por nga gjyshja që e kishte rritur. Ajo thoshte se kur njeriu ndihet i këputur i bën mirë një gotë ujë me sheqer. Receta e gjyshes dha rezultat brenda pak minutash. Amarda tani ishte në gjendje të qëndronte ulur.
      - Olti! Duhet të gjesh personin që hodhi videon e parë të Klarës në You Tube.
      - Mund të gjej adresën nga e cila është hedhur videoja, por jo personin.
     - Ti më ke thënë se ka raste që adresat kontrollohen dhe s’mund të hapen me emra, apo të dhëna të tjera të rreme.
     - Po, por s’mund të flasim për vërtetim të dhënash në Shqipëri. Ti e di vetë se ne jetojmë në një botë plotësisht të lirë.
     - As unë s’po flas për në Shqipëri.
      - Dakord! U tha u bë. Po tjetër?
      - Dua të gjesh çfarëdolloj informacioni që lidhet me Gerin.
     - Për Gerald Kotheren? Ç’e do! Me dy mendje e kisha t’i jepja apo mos t’i jepja dorën në varrimin e Klarës. Vetëm ta shihje sa me të madh e mbante veten! Fryhej e krekosej sikur të kishte zbritur nga retë. Shokë të tillë më mirë t’i humbasësh se t’i gjesh.
      - Të lutem Olti! Çfarëdolloj informacioni në lidhje me Gerin mund të jetë i rëndësishëm dhe asnjëri prej tyre s’duhet neglizhuar. Sa më shpejt të mbledhim dhe të përpunojmë të dhënat, aq më shpejt del Arbri nga burgu.
      - Ti dyshon se në video është Geri? - Jam e sigurt, dua vetëm të ma vërtetosh. - Dyshon se Geri mund të ketë vrarë Klarën?
      - Jam e bindur. Më duhet vetëm të gjejë provat e nevojshme.
      - Tani që më dhe detyrat mund të të shoqërojë në apartamentin tënd? Po të mos ma kishte lënë porosi shoku im do të të kisha lënë të ikje vetëm në mes të natës, si një qen i braktisur.
     - Lëri shakatë Olti! Mund t’i spostosh në kohën kur të dalë Arbri nga burgu.
     - Maksimumi brenda dy ditëve Arbri do dalë. Jam i sigurt për këtë. Atëherë s’ka nevojë njeri për shaka por për format truri. Me gjithë këto që kanë ndodhur kohët e fundit... Nejse, tani dalim. Rrugës flasim me Klajdin se ç’ka arritur të bëjë.
      - Dakord! Olti, se për pak harrova, ku është celulari i Arbrit?
      - Ja ku e ke, merre! Sikur ta dinte ai se do t’ia përgjonin!
      - Lëri shakatë! Ai ka disa kontrata pune të rëndësishme, të cilat me sa duket do anulohen. S’jam e sigurt, por ndoshta duhet paguar edhe ndonjë dëmshpërblim në zgjidhjen e tyre.- tha Amarda, ndërkohë që çelësi rrotullohej për të mbyllur derën e apartamentit.
      Makinës i dha Olti. Shoqëroi Amardën deri në hyrjen e apartamentit, pastaj u kthye sërish me makinën e saj. Ishte ajo që këmbënguli për këtë, sepse ishte vonë. Meqenëse Klajdi nuk i tha asgjë shpresëdhënëse, Amarda do ta takonte të nesërmen herët në apartamentin e tyre. Më pas, me makinën e saj do shkonte ku të qe e nevojshme. S’do kursehej për asgjë për ta nxjerrë Arbrin prej andej një orë e më parë. Ai s’ishte vend për të. Vendi i Arbrit ishte përkrah saj.
     Vetëm se dikush, dikush që ishte shumë pranë saj nuk mendonte kështu. Arbri kishte kaluar vijën e verdhë dhe për këtë duhej të ndëshkohej. S’ishte rasti të mendoje shumë për të gjetur fjalën e duhur. Kjo ishte thjesht dhe vetëm hakmarrje.

No comments:

Post a Comment