Klajdi Kapitulli XV
Kishte një arsye të veçantë përse Klajdi donte me
çdo kusht të gjente fajtorin. Ai e kishte dashur Klarën. E
kishte dashur me gjithë shpirt, ashtu siç dashuron dikush
për herë të parë. Kur ishin bashkë s’lodhej duke e soditur,
ndërsa kur ishin larg mendonte vetëm për të.
Klara nuk ishte shumë e gjatë, por kishte një trup
adhurueshmërisht të drejtë. Shpatullat pak më të ngushta
se e zakonshmja e bënin të dukej më femërore dhe më e
brishtë. S’ishte e kolme, por linjat e rrumbullakosura bukur
harmonizonin pjesët e mysëta me të lugëtat, duke krijuar
një pafundësi vijash të lakuara që të merrnin sytë. E ecura
e saj ishte aq e lehtë, saqë nuk mund ta dëgjoje, por vetëm
ta ndieje. Kur ngjiste, apo zbriste shkallët, s’kishte djalë në
shkollë që ta shpinte bisedën e nisur deri në fund. Vajzat e
shihnin vëngër. Ajo ishte e tëra një magnet për sytë e djemve.
Në maturë qëndruan në një bankë. Klajdi e shihte gjithë
kohën, madje adhuronte mënyrën se si ajo poziciononte
trupin. Asnjëherë nuk mbështetej pas dhe kishte një
qëndrim po aq të hijshëm sa prezantueset e ekraneve.
Kur ajo shprehu haptazi dëshirën për të studiuar gazetari,
të gjithë e përfytyruan si folëse në edicionin qendror
të lajmeve. Askush nuk do ia hiqte sytë deri në fund të
edicionit informativ.
Kishte tipare të zeza dhe lëkurë tmerrësisht të bardhë.
Kontrasti i krijuar ishte mahnitës. Sytë e zinj pis asnjëherë
nuk qëndronin të palëvizshëm nën këndet e vetullave. Flokët
përherë të krehura e të shtrira me kujdes dhe makijazhi
i rregullt të linin përshtypjen që posa kishte dalë nga parukeria. Mbi të gjitha, kishte një buzëqeshje që Klajdin e
linte pa mend. Por, ajo nuk buzëqeshte dendur, as nuk fliste
shumë. Kjo e bënte edhe më enigmatike, dhe e tërhiqte pa
mëshirë Klajdin që niste të fantazonte kohë e pa kohë.
Përgjatë orës së mësimit qëndronte kthyer nga mësuesi
që shpjegonte, megjithëse shpesh asgjë s’kuptonte, madje
as dëgjonte nga mësimi. Askush nuk ishte i zoti për të
kuptuar ç’bluhej në mendjen e saj. Klajdi ishte gjithmonë
i gatshëm ta ndihmonte me mësimet, në detyra, e sidomos
në testime. Ai nuk punonte asnjëherë me testin e tij, nëse
s’i kishte treguar Klarës të paktën gjysmat e pyetjeve. Për
të nuk kishte rëndësi nëse do merrte apo jo vlerësimin
maksimal. Buzëqeshja që i falte Klara ia kalonte të gjithave.
- Ç’do bëja unë pa ty Klajdi?- i tha ajo çiltër një ditë.
Ishte pushimi i gjatë dhe të tjerët kishin dalë jashtë. Në
klasë ishin vetëm ata të dy. Askush prej tyre s’kishte pasur
një arsye të qartë për t’u ndarë prej shokëve dhe për t’u
gjendur aty.
- Nuk e di Klara. Po unë do vdisja pa ty.
- Përse, apo se nuk do kishe kujt t’i zgjidhje ushtrimet
e matematikës? Ka njerëz që do ishin gati të të paguanin
për këtë.
- Edhe ti më ke paguar. Buzëqeshjet që më fal ti janë
më të shtrenjtat për mua.
- Mos fol më Klajdi se është turp që këto budallallëqe
të t’i dëgjojë njeri. As fëmijët e kopshtit s’kënaqen me
buzëqeshje, jo më ti dy metër djalë.
Askush s’i kishte folur atij në këtë mënyrë. Shprehje të
këtij lloji i kishte dëgjuar vetëm në filma. Fjalët e Klarës e
kishin zënë në befasi. Në raste të tilla njeriu mund të thotë
vetëm atë që mendon dhe ndjen në të vërtetë.
- Unë kënaqem me pak, mjafton që ti të jesh pranë meje
dhe të të shoh gjithë kohës. Ti më bën të lumtur Klara.
- Më fal Klajdi! Nuk e dija që qenke inpotent, se e
marrke kënaqësinë vetëm duke më parë.
- Përse tallesh! Unë e kisha seriozisht.
- Sikur ta dije ti sa seriozisht e kisha unë...
- Nuk po të kuptoj Klara...
- Ti shoku as më ke kuptuar e as do të më kuptosh
kurrë, fundja unë s’kam pritur gjë prej teje,- i tha duke
u çuar në këmbë e duke e zënë për faqesh siç veprojmë
me një fëmijë buçko. Më pas shkëputi duart dhe përplasi
njëkohësisht shuplakat 2-3 herë te çdonjëra prej faqeve të
tij.- Por unë nuk mërzitem me ty, se ti aq kapacitet ke! Ty të
punon vetëm një anë e trurit, tjetrën e ke si ato bashkësitë
boshe që je përpjekur disa herë të më bësh t’i kuptoj.
Vetëm se s’ke ditur të më japësh shembullin e duhur për
t’i ilustruar qartë. E di çfarë është më e keqja? Kjo pjesë
e trurit as ka për të t’u mbushur ndonjëherë. Dhe për atë
muhabetin tjetër... ti kënaqesh me pak se nuk je mashkull...
Klajdi u tërbua nga fjalët e fundit. Ajo e kishte trajtuar
si fëmijë, madje edhe më keq, si të mangët fizikisht e
mendërisht. Asnjëherë s’qe ofenduar kështu. Kur vinte
nga vajza që dashuronte, bëhej edhe më e padurueshme. I
vendosi dorën e majtë në supin e djathtë duke ia mbërthyer
fort krahun me krahun e tij, ndërsa me dorën e djathtë e
shtrëngoi fort pas qafës, dhe në të njëjtën mënyrë i mbajti
të bllokuar edhe krahun tjetër. Për të, që bënte çdo ditë të
paktën dy orë palestër, kjo ishte një lojë fëmijësh.
Klara s’pati mundësi të fliste. Gojën ia kishte zënë e
puthura që nuk do mbaronte pa iu zënë fryma plotësisht.
Klajdi e kishte vënë re se si e vështronte ajo, krejt ndryshe nga
sa vepronte me djemtë e tjerë. Ishte e pamundur të mos ndjente
për të. Kjo puthje do t’i shërbente si një test ndjeshmërie.
Klara kundërveproi. Ajo po e qëllonte me këmbë.
Fillimisht goditjet e saj ishin aq të lehta, saqë Klajdi pothuajse
u bind se edhe ajo ndjente. Klara nisi të godiste me gjithë
forcën e saj, ndërsa atij iu desh të përdorte gjithë forcën
për ta neutralizuar. Nuk ishte e vështirë. Një grimë më pas
ajo u ndal. U bë si e ngrirë. Nuk po i dorëzohej ndjenjës, siç priste Klajdi. Ajo thjesht po i dorëzohej situatës, pasi u
bind se nuk kishte asnjë mundësi për t’i shpëtuar.
Klajdi kuptoi se ishte duke bërë një gabim. Ndoshta
gabimin më të rëndë të jetës së tij. Vallë si kishte mundur të
arrinte deri këtu? E lëshoi i penduar. Nuk mund t’i thoshte
frazën që kishte dashur ta linte për në fund: Si mendon,
jam mashkull, apo jo? Ke nevojë për prova të tjera?
Me siguri ajo do t’i jepte ndonjë shuplakë fytyrës. E
kishte hak pas asaj që bëri. Ose... ajo do ta qortonte, do
ulërinte si e tërbuar dhe do ta shante. E kishte dëgjuar
Klarën të shante edhe më keq se djemtë.
Çuditërisht ajo nuk bëri asnjë nga këto. U ul në vendin e
vet dhe dridhej e tëra. Lotët që i dilnin nga sytë pa pushim i
mblidheshin në gushë. Merrte frymë me vështirësi, sikur ta
kishte mbytur e jo puthur. Dridhej si një gjethe fundvjeshte
dhe nuk thoshte asnjë fjalë. Klajdi u shtang. Kishte një jetë
të tërë që e njihte Klarën, dhe s’ishte në dijeni për këtë anë
të prekshme e të brishtë të karakterit të saj. Ajo s’mund të
ishte kështu. Nuk ishte.
Dy vite të shkuara, kur e gjetën gjysmë të zhveshur në
palestrën e shkollës me të dashurin e saj maturant, s’i kishte
bërë aspak përshtypje. As që derdhi ndonjë pikë lot. Ç’po
i ngjiste tani? Klara vazhdonte të dridhej, ndërsa ai, që i
kishte gjithmonë idetë e qarta, për herë të parë në jetën e
tij s’dinte si të vepronte. Nuk mund ta përqafonte, pasi ajo
do ta merrte si vazhdim të së mëparshmes. Atëherë ndjeu
një dëshirë të madhe, madje të çmendur për ta mbrojtur
Klarën nga çfarëdo, apo çdokush që e bënte të vuante.
- Të lutem Klara më fal! Nuk doja të bëja keq. Mendova
se edhe ti doje të njëjtën gjë... Ndoshta zgjodha mënyrën e
gabuar. Si thua, do më falësh?
- Të kam falur Klajdi,- iu përgjigj ajo me zë të
përvajshëm,- por m’u beto se nuk do ta bësh kurrë më!
Nuk jam e aftë për të duruar diçka të tillë. Jo më! Të lutem,
më premto se nuk do ketë një herë të dytë!
- Të premtoj!
- Tani të lutem, dil jashtë! Kam nevojë të rri vetëm.
Nëse ajo e kishte falur, atëherë përse Klajdi nuk vinte re
asnjë lehtësim në gjendjen e saj emocionale? Sa të vështirë
e kishte të kuptonte vajzat. Ishin ekuacion me kush e di se
sa të panjohura, dhe më e keqja ishte se ai nuk kishte asnjë
të dhënë. Kur ajo i kërkoi për së dyti ta linte vetëm, madje
kur e pa se ishte gati t’i përgjërohej doli pa fjalë. Kokën e
ktheu disa herë pas. Si kishte mundur të arrinte deri këtu?
I vinte plasje që ishte tetëmbëdhjetë vjeç dhe nuk
dinte si të sillej me vajzat. Kjo ndoshta vinte për shkak të
mungesës së përvojës të tij. Me siguri me kohën gjithçka
do ndryshonte. Ishte djali me elokuencën më të pastër
e të qartë, një nga nxënësit me rezultatet më të larta në
shkollë- e para absolute ishte Amarda - me trupin më të
formuar nga të gjithë, një nga dy djemtë më tërheqës -
Arbri ishte një konkurrent mjaft i fortë. E fundit, ndoshta
fare e parëndësishme në aspektin që ishte duke e shqyrtuar
veten, ishte djali që ndihmonte më tepër prindërit. Nuk
ishte i detyruar nga rrethanat si Ajla, familja e së cilës
luftonte për të mbijetuar dhe jo për të jetuar. Por, kështu
ishte ai. Nuk rrinte asnjëherë pa bërë diçka të vlefshme.
Kujtimi i asaj dite nuk i ndahej. Dukej sikur brehej
prej tij. Klara sillej me të si më parë, sikur atë episod ta
kishte fshirë nga kujtesa. Ndërsa ai ishte bërë edhe më
i kujdesshëm ndaj çdo detaji që lidhej me të. Kishte
vendosur se do përpiqej ta kuptonte Klarën. S’ishte një
sfidë që lidhej me të, por në radhë të parë me vetë Klajdin.
Nuk mund t’ia falte vetes një notë jokaluese në këtë fushë.
Ende nuk ishte i sigurt në vetvete. A ishte vallë Klara
dashuria e madhe e jetës së tij?
Ndoshta ishte diçka më shumë se një simpati. Por,
a mund ta quante dashuri? Nëse po, atëherë kjo ishte
dashuria e tij e parë. Mund të ishte edhe kalimtare. Fakti
që ai as donte t’ia dinte për lidhjet e mëparshëm të Klarës, apo për fjalët që qarkullonin pa ndërprerje në shkollë për
të, ndoshta ishte detaji tek i cili duhej të ndalej. Kjo vinte
ngaqë e donte vërtet Klarën, apo se qe diçka kalimtare?
S’mund të bënte përcaktime të sakta, për sa kohë s’kishte
mundësinë për të bërë krahasime.
Vetëm kur Klara u afrua më tepër me Gerin, shokun e
tyre të klasës, ai çdo ditë e më shumë bindej se kishte qenë
dhe mbetej dashuri. Ai nuk e shihte dot me sy Gerin, madje
nisi ta urrente. Po priste vetëm një pretekst për ta shtënë në
dorë e për ta zhdëpur në dru. Por, Geri me atë fizikun e pakët
që e bënte t’i ngjante më shumë një femre se një mashkulli,
ishte tepër i kujdesshëm dhe i matur në fjalë e në veprime.
Disa herë e kishte provokuar, por ai kishte dredhuar
me kujdes pa rënë në rrjetën e Klajdit. Një ditë, pasi e kishte
parë që shkëmbenin puthje me Klarën pa pyetur nëse
dikush i shihte, madje pa u ndrojtur prej tij, s’kishte duruar
më. Ajo shprehja popullore që nuk mbante më ujë pilafi iu
duk e tejkaluar. Me kohë nuk bëhej më fjalë për pilaf, por për
supë. Nëse nuk e sillte rasti pretekstin, atëherë do ta sillte
ai. Duhej patjetër ta gjente vetëm. Në fakt, Geri pothuajse
gjithë jetën e tij kishte qëndruar vetëm. Ai s’kishte pasur as
shoqe e as shokë të vërtetë. Askush nuk kishte mundur ta
duronte për shumë kohë praninë e tij.
Më në fund Klajdit i erdhi në dorë rasti i artë. Geri ishte
duke ecur i vetëm në një rrugë dytësore të fshatit. Askush
nuk dukej vërdallë. Është orari kur fshatarët të lodhur nga
punët flenë thellë, për të vijuar punët e tyre me energji të
ripërtërira, kur dielli të mos u qëndrojë pingul mbi kokë.
Nxitoi hapin për ta arritur.
- Përse më sheh me ata sy Kothere?
- Me çfarë të të shoh tjetër? Mos do të të shoh siç shoh
një kuçkë? Do ëë...
- Kujt i flet ashtu ti more pis, more plehrë?- iu kthye
Klajdi, duke përdorur kalibrin më të rëndë të sharjeve që
ndodhej në fjalorin e tij. Mori forcë t’i gjuante me grusht e t’ia përsheshte turinjtë, por ai dredhoi me lehtësi. Sa hap
e mbyll sytë Klajdi u përplas përtokë, ndërsa parakrahu i
Gerit ishte mbi fytin e tij. Dielli ishte duke e parë në sy, si
për t’i dhënë zemër, por grushti i Klajdit nuk i arriti askund.
- Po pate b... grricu prapë me mua!- i tha Geri, i cili e
kishte sfiduar verbalisht dhe fizikisht. Sa mënyra të tjera
kishte për të sfiduar dikë? Po, ishte duke e sfiduar edhe me
vështrim. I dukej se përpara syve të tij ishte një tjetër njeri
dhe jo Geri që ai njihte.
Pa mbaruar mirë fjalën kërceu mbi një makinë të
shtrenjtë, BMV X5, të cilën Klajdi e kishte parë shpesh të
kalonte para gjimnazit. Ia kishte ënda një makinë të tillë,
por ajo kushtonte shumë. E dinte se të paktën edhe për
disa dekada nuk do arrinte ta blinte një të tillë.
Arbri si gjithmonë i përgjigjej duke u nisur nga
këndvështrimi i tij optimist e njëherësh edhe hokatar:
Mos çaj kokë plako! Pse ça jemi ne ta blejmë atë makinën
aq shtrenjtë sa këta të mangëtit? A e di ti se çdo makinë
brenda një viti humbet 2-5% të vlerës së saj? Dhe kjo vetëm
e vetëm se prodhohen modele të tjera, më të sofistikuara.
Modelet e reja priren të kenë gjithçka elektronike. Kur ta
blejmë ne atë lloj makine do ketë maksimumi 10% të vlerës
së sotme. Por, Arbri nuk u ndal specifikisht te vitet që duhej
të kalonin derisa të vinte ajo ditë e bekuar.
U duhej të prisnin të paktën edhe 20 vjet për ta marrë
atë makinë falas, por udhëtimi i pari, dhe njëkohësisht i
fundit, që do bënin me të ishte ta çonin për skrap. Pra, në
vend që t’i shpinte makina aty ku donin ata, duhej që ata ta
shpinin makinën aty ku duhej. Do ishte vërtet një udhëtim
për t’u mbajtur mend!
Sa herë e shihte atë makinë mbetej pa gojë, por ishte
hera e parë që e shihte nga poshtë. Nga ajo ditë u përpoq
ta harronte dhe të mos i hynte më në punë as llogaritja që
bënte Arbri për uljen e çmimit ndër vite.
Klajdi u ngit me të shpejtë. Pa vërdallë. Sa mirë që nuk e pa askush! Ende nuk e kishte mbledhur veten dhe të
kuptonte si kishte arritur Geri me dy lëvizje të thjeshta ta
hidhte përtokë. Për Klajdin e dinin të gjithë që bënte palestër
prej vitesh, ndërsa për Gerin as që dyshonte ndokush. Po
të futej mes vajzave s’mund ta dalloje prej tyre.
Të nesërmen, në orën e letërsisë, kur ishin duke bërë
përsëritjen për provimin e maturës shtetërore, analizonin
Ciklin e Kreshnikëve. Mësuesja u kërkoi nxënësve të
arsyetonin se përse Muji mes pares, gjasë dhe forcës zgjodhi
pikërisht forcën. Përgjigjja për të gjithë ishte e qartë, lidhej
me idealin e epokës.
Një pjesë e klasës nga bankat e fundit thoshin se Muji
ishte i mangët që zgjodhi forcën, kur mund të zgjidhte
paranë. Geri nuk vonoi t’u kthente përgjigje se Muji kishte
zgjedhur forcën me qëllimin e vetëm për të bërë para.
Mësuesja mblodhi buzët nga komenti i pavend i Gerit
dhe e qortoi me sy. Ai mori sërish pamje serioze, sikur të
mos kishte ndodhur asgjë. S’ndodhte ndonjëherë që ai të
pranonte gabimin e tij e aq më pak të kërkonte falje.
Mësuesja i drejtoi sërish të arsyetonin, përse me
shpikjen e barutit Muji dhe kreshnikët e tjerë u futën
në shpellë për të mos dalë më. Edhe kjo pyetje si e
mëparshmja nuk ishte e vështirë, mjaft të ndiqje të njëjtën
linjë. Një tjetër epokë kishte lindur dhe ideal i saj kurrsesi
nuk mund të ishte forca.
Klajdin e goditën këto fjalë. Ai s’kishte përdorur
trurin. Këtej e tutje duhej ta bënte. Geri e kishte hak një
mësim të mirë. Me zor do ta priste atë ditë kur t’i kthente
reston me gjithë interesa. Vetëm se këtë radhë nuk e kishte
me ngut. Ishte gati të priste. Nuk thonë kot se hakmarrja
është një pjatë që serviret e ftohtë. Do vinte dita kur Geri
të vlente po aq sa makina në të cilën kapardisej. Por jo
në udhëtimet e saj të zakonshme para gjimnazit, në
udhëtimin e saj të fundit, për skrap.
Shkolla për Klajdin u bë e padurueshme. Gerin nuk e shihte dot me sy. Kur pronari i BMV X5-ës u arrestua për
shpërndarje droge, kontrolluan edhe në shtëpinë e Gerit, po
me sa duket nuk gjetën asgjë të dyshimtë. Ndoshta e vërteta
ishte ndryshe, gjithmonë nëse iu referoheshe komshinjve.
Babai i Gerit iu dha mjaftueshëm para policëve saqë
ata ndryshuan procesverbalet. Pas kryerjes së analizave në
laborator, u bë e ditur se nuk bëhej fjalë për drogë, por për
allçi, të cilën babai i Gerit e kishte blerë për të bërë disa
riparime në shtëpi. Duke qenë se ishte usta, i nevojiteshin
materiale të ndryshme.
Inati që kishte me Gerin ia la ca nga ca vendin inateve
të reja. Klara po i hidhte sytë nga i dashuri i shoqes së
saj të ngushtë. E keqja ishte se Amarda nuk po kuptonte
asgjë. Nga ana e vet, edhe Arbri shtirej sikur nuk kuptonte,
por herë pas here Klajdi vinte re se si ai shkrihej i tëri nga
vështrimet dhe buzëqeshjet e Klarës. Atmosfera në klasë u
bë e padurueshme, madje mbytëse.
Në provimet e maturës shtetërore, për shkak të
emrit Klajdi dhe Klara ishin njëri pas tjetrit. Gjithçka bëri
Klajdi bëri edhe Klara. Në pyetjet me zhvillim në letërsi
ai ia formulonte përgjigjet ndryshe, që të mos penalizohej
asnjëri. Të dy u vlerësuan me të njëjtat pikë. Jo me pikët
maksimale, por me notën maksimale. Në matematikë
Klajdi nuk hasi në asnjë vështirësi dhe mori vlerësimin
maksimal. Klara mori vetëm disa pikë më pak. Në lëndët
me zgjedhje preferencat përkonin tek anglishtja, dhe
ndaheshin në histori për Arbrin dhe njohuri për shoqërinë
për Klarën. Ai me kujdes mori testin e saj dhe i punoi të
gjitha pyetjet. Shkrimi i të dyve pothuajse nuk ndryshonte.
Vetëm mësuesja e letërsisë mund t’i dallonte, pasi i qe
stërvitur syri për një kohë të gjatë me estë që korrigjonte.
Meqenëse koha në provimet me zgjedhje ishte më e
shkurtër se në provimet e detyruara - po t’i referoheshe
secilës lëndë - Klajdi nuk arriti të punonte tezën e historisë
deri në fund. Kur mori vlerësimin me notën nëntë nuk u habit, por bëri sikur, thjesht për t’u shfajësuar dhe ua
hodhi fajin korrigjuesve.
Kur drejtoresha i sugjeroi të dërgonin një kërkesë
për rishikim testi në zyrën arsimore, ai i kërkoi të mos e
bënte. Ndoshta nuk kishte qenë aq i saktë sa mendonte.
Klara mori përsëri nota maksimale. Fatmirësisht të dy
fituan zgjedhjet e para.
Ai kishte bërë aq shumë për Klarën, ndërsa ajo asgjë
për të. Në fund të fundit, ai s’i kishte kërkuar asgjë në
këmbim. Në mbrëmjen e maturës, atëherë kur ai nuk e
priste, ajo i qe afruar.
- Dëgjo Klajdi! Gjëja e fundit që dua është të më quash
mosmirënjohëse. Unë do të ta shpërblej ndihmën që më ke
dhënë në provime.- Klajdi e pa me mosbesim. Asaj nuk i
zihej besë. Sytë i kishin marrë një shkëlqim të çuditshëm,
si sytë e një maceje. Ishte hera e parë që e shihte ashtu. Ajo
po i afrohej akoma, duke u përkëdhelur djallëzisht pas tij.
Ishte më mirë të mos afrohej më. Vetëm ai e dinte se ç’mund
i duhej për t’i rezistuar.- Si thua për një natë bashkë?
Klajdi mbeti pa gojë. Iu desh të bënte të paktën gjysmë
hapi pas. Ajo ishte afruar aq shumë, sa ishte bërë njësh me
të. Nuk i kishte shkuar në mendje një shpërblim i tillë. I
dukej se të dy kishin dalë në shitje. Madje ishte shkëmbim
mall me mall. Trupi i Klarës, për një natë të tërë, në
shkëmbim të trurit të tij për një vit shkollor.
Kjo duhej të ishte poshtëruese për të dyja palët. Por
ja që për Klarën nuk ishte kështu. Ajo fliste për këtë
shpërblim sikur të ishte duke i ofruar një birrë. Sidoqoftë,
s’mund të ishte i ashpër me të. Ishte përpjekur për muaj
me radhë ta nxirrte nga zemra dhe nga jeta e tij, por nuk
ia kishte dalë mbanë.
- Për të qenë i sinqertë, duhet të them se ideja e
shpërblimit më pëlqen. Madje e kam hak. Por, nëse do
vërtet të më shpërblesh duhet të jetë për dashurinë që
unë ndjej për ty. Klara! Në emër të kësaj dashurie unë të kam ndihmuar, duke vendosur interesat e tua para
interesave të mia. Shpërblimi që unë meritoj është të
shkëputesh seriozisht nga Geri, të heqësh nga mendja
Arbrin dhe të lidhesh me mua.- Shkëlqimi ishte zhdukur
sakaq nga sytë e Klarës. Klajdi s’e kishte menduar që kjo
do ta bënte të vuante aq shumë. Më e padurueshme ishte
e qeshura e saj gjithë ironi.
- Më vjen keq Klajdi! Një natë do bëja si do bëja, mund
edhe të mbyllja sytë, por më shumë se një natë me ty...
kurrë. Do ishte shumë monotone.
Asnjë fjalë të pavend nuk tha Klajdi atë natë. Mendimet,
ndjenjat, fjalët që të gjitha i mbylli përfundimisht brenda
tij. E pa sërish Klarën në sy, duke dashur ta lexonte nga
brenda. Tani sytë e saj s’e kishin më atë shkëlqimin djallëzor
të mëparshëm, por një lloj ngrohtësie që sa herë e gjente
aty, dashurohej sërish. Ai e përqafoi dhe e puthi ngadalë
dhe lehtësisht në faqe. Edhe Klara e përqafoi, madje edhe e
puthi, gjithashtu në faqe.
Ai ndjeu Klarën të dridhej në krahët e tij. Ishte pothuajse
i sigurt që edhe ajo ndjente për të. Por, çfarë e pengonte,
çfarë e bënte të mos ia shprehte dashurinë? S’mund ta
dinte. Ai nuk do ta nguste. Me kohën do ta kuptonte, dhe
së bashku do kapërcenin çdo pengesë. Gjithçka duhej të
vinte natyrshëm. Klara u shkëput prej krahëve të tij dhe i
ktheu shpinën. Ishte plotësisht i bindur se ajo u largua që
ai të mos ia shihte sytë e përlotur. Kjo ishte provë e gjallë
e dashurisë së saj. Ç’mund të kërkonte më tepër nga jeta?
Klajdi i kujtonte të gjitha, ndërkohë që mundohej të
gjente se cila ishte rruga që ai duhej të ndiqte për të shkuar te
e vërteta. Rrugëtimi do ishte i gjatë dhe i vështirë. Sidoqoftë,
ai ndihej i vendosur për t’i shkuar deri në fund. S’kishte
ndonjë detyrim kundrejt Klarës. Ajo asnjëherë s’kishte bërë
diçka për të, thjesht kishte nevojë t’i provonte vetes se kishte
shumë më tepër vlera dhe merita nga sa i kishte njohur ajo.
Edhe diçka tjetër. Ai s’kishte arritur ta kuptonte për aq kohë sa ajo jetoi. I ra ndër mend një shprehje që i kishte thënë
Arbri vite më parë: Mos u mat me Klarën, ajo e ka hapin më
të madh se tëndin! Klajdit aso kohe i kishte ardhur plasje.
E përse Arbri që kishte të dashur dhe në të njëjtën kohë
matej me Klarën, e kishte hapin më të madh? Ç’e pandehte
veten ai? Arbri e kishte vënë re mospëlqimin e Klajdit për
ato që i tha, ndaj u ndje i detyruar të shtonte: Unë s’e kam
hapin më të madh se ty, por kam aq aftësi sa ta fus Klarën
sa herë të dua në shtrat dhe asnjëherë në jetën time.
Por, dukej se krahasuar me Klarën edhe Arbri i kishte
hapat e vegjël. Në periudhat e ndryshme që ai e kishte
futur Klarën në shtrat, pashmangshmërisht e kishte futur
edhe në jetën e tij. Kjo kishte ndikuar aq shumë në lidhjen e
tij me Amardën, saqë asaj i qe larguar dëshira për të jetuar.
Ç’e bënte Klarën të kishte një ndikim të tillë te
meshkujt? Sa zemra kishte plagosur ajo dhe sa lidhje kishte
shkatërruar! Tani ajo për fat të keq nuk mund të vraponte
më. Në këtë rast, hapi i Klajdit nuk dukej më i vogël. Po
të përpiqej ai mund t’ia dilte mbanë të kuptonte një vajzë,
madje jo një vajzë çfardo, por Klarën.

No comments:
Post a Comment