Avokati Kapitulli XIV
Pasi foli shtruar me të atin, Arbri u nis për në studion
e avokatisë në të cilën punonte Klajdi. Avokati kishte
përfunduar gjyqin dhe qe kthyer në zyrë. Duhej patjetër
të fliste me të. Në karrierën e tij profesionale ai njihte
vetëm fitore.
Klajdi i ishte futur kësaj çështjeje me mish e me shpirt.
Ai e ndjente se shoku i tij ishte i pafajshëm, pavarësisht
bindjes së plotë në alibinë e sajuar. Por, ishte pikërisht ajo
sajesë që e kishte bërë Arbrin t’i shpëtonte burgut. Vallë
edhe për sa kohë?
Klajdi e kuptoi që Soni gënjeu, mund edhe ta justifikonte
për veprimin e kryer, madje plotësisht. Sidoqoftë, koha
nuk premtonte që të rrëmonte në arsyet që e kishin shtyrë
të ndërmerrte një vendim të tillë. Ajo kështu ishte. Një
grua e guximshme dhe e pavarur. Asnjëherë nuk ishte
treguar egoiste e as pragmatiste. Shquhej për ndihmën e
pakushtëzuar që u jepte të tjerëve, pa kërkuar asnjëherë
diçka në këmbim. Nëse ajo kryente një veprim, pas tij
kishte përherë një arsye të fortë.
Por, çështja kryesore ishte tjetër: Ku e kishte kaluar
natën Arbri? As që do merrte mundimin ta pyeste, vetëm
nëse ai do t’i tregonte vetë. E njihte mirë. Prej tij nuk mund
të nxirrje gjë, as me grepa. Mjaft ta kishte vendosur, dhe
goja e tij qëndronte e kyçur.
Sapo u prezantua me avokatin, Arbri pati përshtypjen
se po takonte jo vetëm një profesionist shumë të zotin, por
edhe një njeri tepër të veçantë, dhe kjo s’kishte të bënte me
ndonjë aspekt të caktuar, por në tërësi me gjithë figurën e tij.
Kostumi, këmisha, kravata, këpucët, rripi i
pantallonave, ora, unaza që të gjitha ishin vërtet të
kushtueshme dhe të përzgjedhura e të kombinuara me
mjaft shije. Arbri e njihte mirë këtë fushë dhe syri rrallë
e gënjente. Ndjehej një dorë femre në gjithë këtë mes, por
edhe para, shumë para të shpenzuara.
Për ta bërë tëndin suksesin nuk mjafton të
mbështetesh vetëm te puna. Nëse do të ecësh shumë në
jetë dhe të ngjitesh përherë e më lart, duhet të kujdesesh
për gjithçka. Kush e di? Ndoshta edhe detajet mund të
bëjnë ndonjëherë ndryshimin.
Ai ishte rreth të dyzetave, shtatlartë dhe i mbushur,
mjekrosh, me fytyrë e kokë të rrumbullakët dhe tipare të
rregullta. Flokët, që pothuajse i kishin rënë të gjitha, nuk
binin shumë në sy. Të linte përshtypjen se ishte qethur
sipas modës më të fundit për meshkuj, dhe njëkohësisht
më absurdes. Modës së tullacëve.
Kopsat e kostumit i kishte të gjitha të mbërthyera, por
Arbri ishte një vëzhgues mjaft i mirë. Po të kishin gojë
kopsat, nuk do rrinin pa folur e pa u ankuar. Mjaftonte që
avokati të shtonte qoftë edhe disa kilogramë dhe të gjithë
do ta kuptonin gjuhën e heshtur të kopsave.
Nëse një xhaketë nuk mbërthehet, pikërisht atëherë
nisin problemet e vërteta në pamjet e një mashkulli. Arbri
e dinte këtë, por me sa dukej edhe avokati e dinte mirë. Ai i
kishte shkuar pranë limitit të peshës kritike, pa rrezikuar ta
prekte atë. Të linte përshtypjen se ishte i zoti, madje mjaft i
zoti, jo vetëm në fushën e tij, por në cilëndo fushë.
Ishte hijerëndë dhe pamja e tij të impononte respekt. I
matur dhe njëkohësisht mjaft i drejtpërdrejtë. Megjithatë,
Arbri ndjente diçka në karakterin e tij, të cilën nuk
arrinte ta përkthente në fjalë. Ishte si ajri, përhapej ngado
dhe njëkohësisht s’kishte një formë të përcaktuar, të
perceptueshme qartë.
Njeriu që kishte përballë, veç të tjerash ishte tmerrësisht enigmatik. Kishte përshtypjen se as Klajdi
nuk dinte ndonjë gjë të madhe për natyrën e tij. Mahnitej
nga shkalla në të cilën ai zotëronte aftësinë e hënës, për
t’u treguar njerëzve vetëm atë anë që kishte vendosur t’u
tregonte, asgjë më tepër.
Sytë i kishte më të mprehtë se të një zogu grabitqar.
Ndoshta ishte një përshtypje e tillë për shkak të karrierës
super të suksesshme të njeriut që kishte përballë. Ishte
një ndër avokatët që kishte tarifat më të larta në Tiranë.
Kjo i jepte një tjetër të drejtë, të mos pranonte si klient
të vetin çdokënd që futej në studion e tij të avokatisë.
Kriteret e veta përzgjedhëse i dinte vetëm ai dhe nuk
diskutoheshin me askënd.
- Së pari dua të të bëj një pyetje, nëse tani je i lirë, përse
këmbëngul për të gjetur vrasësin e gazetares?- e pyeti ai
duke e zhbiruar me sytë prej shpendi grabitqar, në po atë
mënyrë që depërton një tryelë sapo e mbështesim diku
dhe nisim ta rrotullojmë. Arbri ndjeu se ai u ndal vetëm
pasi i kishte prekur palcën.
- Për sa kohë vrasësi i Klarës të jetë i lirë, do ndjehem
si në liri me kusht. Gjithkund do të përballem me
paragjykimet dhe akuzat e heshtura të të tjerëve. Unë nuk
mund të jetojë në këtë mënyrë. Im atë më ka ngulitur mirë
në kokë se në jetë duhet të jem faqebardhë dhe ballëlartë.
Vetëm kur ta shoh vrasësin e vërtetë në kafazin e hekurt
do jem plotësisht i lirë.
Avokati e pa me vëmendje, si të donte ta çmonte Arbrin
sa vlente. Në fund të procesit buzëqeshi me dashamirësi.
Nuk krijonte afrimitet me klientët e tij, por ky djalë nisi t’i
pëlqente qysh në fillim. Në pamje të parë i kujtonte veten
në vitet e rinisë. Edhe ai dikur kishte qenë kështu, por nuk
ishte fjala për pamjen e jashtme, jo për flokët e zinj e të
dendura që i shkëlqenin, as për hovin rinor që i lexohej në
sy. Edhe ai kishte qenë idealist, plot me ëndrra dhe dëshirë
për ta ndryshuar botën dhe për ta bërë më të mirë.
Tani jetonte në një dimension tjetër jetësor. Ëndrra për
të ndryshuar botën dhe për ta bërë më të mirë, s’mund
të realizohet kurrë, nga askush. Ajo nuk ishte gjë tjetër,
veçse një iluzion. Ëndrra të tilla, utopike, jo vetëm që nuk
realizohen ndonjëherë, por të bëjnë që përveç zhgënjimit
të madh që sjellin me vete, të durosh edhe brengën që je
treguar kokë e këmbë i krisur dhe qesharak.
Duhet ca kohë për ta stërvitur veten, për të mos u
treguar kurrë më i krisur e qesharak. Dhe kur ia del mbanë,
arrin në përfundimin se të kujtosh atë kohë, së bashku me
deziluzionet që ajo ka pjellë, nuk është asgjë më shumë se
një shpenzim i kotë i kohës tashmë të vyer.
Profesionalisht s’kishte rëndësi nëse klienti ishte apo
jo fajtor. Për avokatin ishte e rëndësishme që, para se të
pranonte një çështje të ishte i sigurt se do ta fitonte atë.
Kështu, ai mund të ishte njëherësh faqebardhë e ballëlartë,
duke mos e ndjerë aspak nevojën për të qenë idealist, por
thjesht pragmatist.
Paratë nuk ishin një problem i tij, por i klientëve. Ata
që nuk i përballonin dot tarifat e shihnin studion nga
jashtë, ndërsa avokatin në kronikat informative, pasi ai
kishte fituar çështjen gjyqësore të radhës. Nuk dihet me
siguri, por mund të bëjmë hamendësime, nëse ekraneve
publiku kishte parë më tepër avokatin pas triumfeve të tij,
apo Arbrin që ishte model.
E shihte dhe imagjinonte veten në vendin e tij. Mos
vallë profesioni i avokatit do të kishte qenë i duhuri për
të? Vëmendja ndaj detajeve në dukje të parëndësishme,
dhe nuhatja tepër e mprehtë në cilëndo situatë, madje
edhe sharmi i tij, ishin të shkuara dëm në profesionin e
stomatologut. Në profesionin që ai kishte zgjedhur dikur,
më mirë të mos e përdorte nuhatjen fare. Gojët e virgjra
nuk ishin një rast i mirë për të shfrytëzuar deri në fund
nuhatjen. Sa për mprehtësinë e tij për të kapur detajet, këtij
profesioni as që i hynin në punë. Aparati i radiografisë nuk mund të linte asnjë detaj pa kapur e më pas pa e stampuar.
Sa për sharmin, mund ta shfrytëzonte vetëm e vetëm për të
krijuar raport intim me ndonjë nga pacientet e tij. Por, kjo
ishte gjëja e fundit që i shkonte ndër mend.
- Së pari djalosh, unë flas gjithmonë pa dorashka. Ne
jemi të tre së bashku, vetëm sepse ti je miku i Klajdit. Klajdin
e kam punësuar, jo se kishte më shumë dhjeta në librezën e
notave se kandidatët e tjerë për këtë vend pune, por sepse
ka një intuitë të hatashme. Por, ai duhej që paraprakisht të
të shpjegonte diçka. Nëse je i lirë dhe ndaj teje nuk ka asnjë
procedim penal, ti praktikisht s’ke nevojë për avokat.
- Doni të thoni se nuk mund të bëni asgjë për rastin
tim?
- E para nuk ke përse ta etiketosh nën emrin rasti im.
E dyta, zbulimi i fajtorit është detyrë e prokurorit dhe jo e
avokatit.
- Kjo do të thotë se...
- Të lutem mos më ndërprit se nuk kam mbaruar. Së
treti, dhe ajo që për mua është më e rëndësishmja, unë nuk
pranoj askënd si klientin tim, nëse më parë nuk i ka hapur
gjithë letrat mbi tryezën time të punës. Ti e di ku e kam
fjalën, apo jo?
- Po!- u përgjigj Arbri pa u munduar të fshihte diçka.
Me Klajdin nuk do kishte vepruar kështu, megjithëse e
kishte mik prej një jete të tërë. Ndoshta mund ta kishte
mbyllur argumentin për të mos e hapur më, ose ndoshta do
kishte ndërruar bisedë. Ama, autoriteti i padiskutueshëm i
avokatit e bënte që në këtë rast të vepronte ndryshe. Ndjeu
nevojë për pak kohë, sa të mendonte përgjigjen që do t’i
jepte. Nga ana e vet as avokati nuk e nguti, ai lexoi në
fytyrën e tij nevojën për të reflektuar. Më mirë kështu.
- Mund të kthehem këtu kur të jem gati?
- Sigurish, por vetëm atëherë dhe jo më parë. Së pari,
bisedën e sotme konsideroje mes miqsh. Së dyti, herën e
ardhshme do të jemi avokati dhe klienti përballë njëri- tjetrit. Unë bëj të pamundurën për të mbrojtur interesat e
klientëve të mi. Vendos gjithë aftësitë dhe potencialin tim
në dispozicion të klientit.
- Mund t’ju pyes për diçka? Si mik?
- Patjetër,- u përgjigj avokati duke parë orën. Nuk po
përpiqej të mos i jepte rëndësi njeriut që po i fliste. Për të
koha ishte vërtet flori. Ajo programohej, jo vetëm në orë e
minuta, por deri në sekonda.
- U duket një veprim pa mend që Klajdit të shkojë në
varrimin e Klarës? Ndoshta atje mund të kapë ndonjë detaj
që më vonë me siguri mund të na hyjë në punë. Avokati
nuk foli, ndaj dhe Arbri u ndje i detyruar të vijonte.- Herët
a vonë unë do t’i hap gjithë letrat mbi tryezën tuaj, ndaj
besoj se është mirë që ato të shtohen. Klajdi është i vetmi që
mund të më ndihmojë për këtë. Pastaj, ju vetë pranuat se ai
ka intuitë të hatashme.
- Së pari, ai nuk e ka as për detyrë e as për detyrim
të shkojë si avokat. Së dyti, si një person civil, ai gëzon të
drejtën t’i bëjë një vizitë miqësore kujt të dojë dhe kur të
dojë. Dhe së fundi, është më mirë që ti të mos dukesh atje.
Askujt nuk i hyjnë në punë turbullirat, dhe jam i sigurt
se prania jote mund të shkaktojë jo vetëm turbullira, por
trazira të vërteta.
Në shtrëngimin e duarve me avokatin, pati përshtypjen
se shumë shpejt do të kishte nevojë për shërbimet e tij.
Kishte shkruar në mendje çdo fjalë të tijën. Avokati,
me ta marrë në dorë një çështje, vendosej plotësisht në
dispozicion të klientit për të përmbushur deri në fund
nevojat dhe interesat e tij. Karriera e tij profesionale nuk
njihte asnjë humbje, vetëm fitore.
Devotshmëria në përmbushjen e detyrës së tij të
shenjtë kishte një çmim. Ky çmim nuk ishte thjesht i lartë,
por plotësisht i papërballueshëm për xhepat e Arbrit. Ku
do t’i gjente gjithë ato para? Nuk mund të mbështetej tek
i ati. E dinte që ai kishte para mënjanë. Dinte gjithashtu se ai s’do nguronte për t’ia dhënë, deri në qindarkën e fundit.
Po Ilvi? Po të merrte kursimet e të atit, vëllai i tij i vogël
do qëndronte në shtëpi. Nëse djali i tretë i çiftit Spiro do të
mbetej pa universitet, kjo do ishte një katastrofë e vërtetë
për familjen. Imagjinonte brengën e prindërve, zemërimin
e Andit dhe shembjen e kështjellës së ëndrrave të Ilvit,
arkitektit të ardhshëm.
Ai nuk e donte këtë. Vërtet liria është më e çmuar se
gjithçka, por ka kufij. Edhe nëse arrinte të dilte nga burgu
e t’u shpëtonte hekurave, përsëri do ishte një kriminel,
madje-madje një vrasës ordiner. Vrasësi nuk duhet të
përkufizohet vetëm si ndarësi, me ose pa dashje, i trupit
të dikujt nga shpirti i tij. Vrasës është edhe ai që ndan
përfundimisht një njeri nga ëndrrat e veta. Për asnjë arsye
në botë s’mund të vinte dorë mbi paratë e të atit, do ishte
njësoj sikur të ngrinte dorë ndaj të vëllait.

No comments:
Post a Comment