Streha Kapitulli III
Të nesërmen në mëngjes, Amarda ishte në punë më
herët se zakonisht. Klinika Stomatologjike Meteor ndodhet
në të njëjtin pallat me apartamentin e saj.
Hodhi sytë ngadalë përreth ambientit ku punonte, si
ta kishte marrë malli. Brenda atyre mureve ndihej e sigurt.
Asnjëherë askush nuk kishte dyshuar e as do të dyshonte në
profesionalizmin e saj. Puna i bënte mirë, mjaft mirë. Ishte një
strehë, në të cilën ajo strukej posa kuptonte se askund tjetër
nuk do të gjente qetësi dhe siguri. Sa herë kishte probleme,
të cilat rezultonin të pazgjidhshme punonte me orar më të
zgjatur. Ishte një nga parimet e saj: Nëse problemet nuk
mund t’i zgjidhësh, të paktën mund t’i injorosh.
Aty kishte mjaft dritë dhe hapësirë. Kjo i pëlqente.
Ishin dy unite (poltrona, pra vendi ku ulet pacienti, me
pajisjet e tyre përkatëse), të cilët së bashku me dy dritaret e
mëdha që shërbenin njëkohësisht edhe si dyer për të dalë
në ballkon, krijonin një pamje dhe simetri të përsosur.
Ballkoni ishte mbushur me vazo, në të cilat ishin mbjellë
lule nga më të ndryshmet. I pëlqente që mëngjeseve të vinte
aty më herët se të tjerët dhe t’i sodiste. Aroma e tyre i kujtonte
shtëpinë në fshat. Për shkak të punës ishte detyruar të shkonte
gjithmonë e më rrallë te prindërit. Ndjente një përmallim
aq të madh, sa nuk arrinte ta shpjegonte. Kur ishte nisur
prej atje një javë më parë, herën e vetme që kishte shkuar
me makinën e saj, nuk reshtte së kthyeri kokën pas, sikur të
kishte lënë atje një pjesë të shpirtit të vet. Kishte ndjesinë se
po ikte për të mos u kthyer më. Ndoshta me kalimin e viteve
njeriu bëhet më i ndjeshëm, të paktën kështu mendoi. Gjithçka në këtë vend i falte qetësi. Kishte zgjedhur
të vetmin profesion, të cilin si prindërit, por edhe ajo e
donin me të vërtetë. Kjo ishte arsyeja kryesore që pothuajse
asnjëherë nuk kthehej në apartament e mërzitur, megjithëse
e lodhur e madje e sfilitur kthehej shpesh.
Apartamenti ishte edhe më i bukur prej kohës kur
mbrëmjeve e priste Arbri. Ai shprehte pakënaqësinë e tij për
kohën e gjatë që shpenzonte Amarda në klinikë, por kjo ishte
një prej atyre çështjeve për të cilat s’mund të diskutohej.
Autoklavi, i cili ndodhej në anën ku punonte Amarda
dha sinjalin e përfundimit të procesit. Sterilizimi kishte
përfunduar. Megjithëse Gerta, sanitarja, çdo mbrëmje kur
ata linin punën pastronte gjithçka dhe sterilizonte mjetet,
Amarda donte patjetër t’i sterilizonte edhe një herë. Nuk
hiqte dorë nga ky zakon. Eci drejt tij dhe këpucët e saj
s’krijuan asnjëfarë tingulli mbi dysheme. Bënte kujdes
të veçantë në përzgjedhjen e tyre. S’kishte rëndësi nëse
ishin këpucë, apo atlete, thelbësore ishte që ato të krijonin
një trinom të heshtur e harmonik ndërmjet shputave të
këmbëve dhe dyshemesë.
Pronari i klinikës, një burrë thinjash rreth të
shtatëdhjetave i kishte lënë dorë të lirë për sa i përket
mënyrës që punonte. Mes tyre kishte pasur një simpati të
ndërsjellët qysh në fillim, megjithëse një keqkuptim për
pak e kishte shkatërruar.
Dita e parë e Amardës në apartamentin e ri ishte
njëkohësisht edhe dita e sjelljes së paisjeve në klinikë.
Kur ajo ishte duke pritur mikeshën e saj Ajlën poshtë
pallatit, disa djem të rinj zbrisnin nga një kamion pajisjet
e klinikës dentare. Mënyra se si ata i shtynin e i tërhiqnin
e bëri Amardën të ndjehej keq, njësoj si me mobiliet e saj
disa ditë më parë. I kishte tërhequr vëmendjen se duhej të
ishin më të kujdesshëm në mënyrën se ku vendosnin duart
dhe si i mbanin pajisjet. Sidomos kur i pa se ishin duke
transportuar fare pa kujdes autoklavin, iu mbush mendja se ishin të papërgjegjshëm për punën që u ishte ngarkuar.
- Më me kujdes ju lutem! Jeni duke transportuar
autoklavin, i cili është delikat dhe kushton shumë!- u
përpoq të ishte njëkohësisht e qartë, por edhe e edukuar.
- Ti je pronarja? Jo s’je ti. Më mirë shih punën tate!
- Sikur të isha unë pronarja ju nuk do kishit rastin as t’i
shihnit e jo t’i preknit ato pajisje!
- Ehu goce! E hedhke lart shumë ti! Të pyes edhe një
herë, kot ëë, ti je pronarja? Në atë kohë zbriti nga makina Pandi Rrënja, një burrë
hijerëndë dhe autoritar. Menjëherë vuri re kontrastin e
madh mes një vajze të bukur dhe djemve që punonin. Duke
dëgjuar shkarazi bisedën kujtoi se Amarda ishte duke vënë
djemtë në lojë. Menjëherë ndërhyri për t’u dalë krahë.
- Unë jam pronari. Keni ndonjë problem ju zonjushë?
- Ah, ju jeni pronari?- i foli Amarda duke qeshur hidhur
nën buzë. - Unë s’kam asnjë problem zotëri, por probleme
do keni ju nëse transportoni pajisje aq të kushtueshme me
njerëz që nuk ua dinë vlerën.
Pandi Rrënja vërejti me kujdes se si ishte përskuqur
Amarda në fytyrë. As që i shkoi ndër mend se ajo përskuqje
tregonte një vajzë të ndrojtur e me sedër. Mendoi se kishte
marrë atë ngjyrë në fytyrë ngaqë ishte nxehur. I kishte zët
njerëzit që humbisnin gjakftohtësinë.
- E çfarë dini ju për vlerat? Po të dinit vërtet diçka për to
s’do merreshit me punën e të tjerëve dhe do mbanit gojën
kyçur. Mos ju ka lënë i dashuri që jeni bërë kaq nevrike?
- Dëgjoni zotëri, se u zgjat shumë kjo bisedë! Ju
s’keni asnjë të drejtë të ndërhyni në jetën time private.
Megjithatë, nuk mund të rri pa ju thënë se keni bërë
gabim të madh që keni zgjedhur të hapni një klinikë
dentare kur s’jeni mjek.
- E kush ju tha se nuk jam mjek?
- Meqenëse qenkeni mjek do kishit bërë mirë të hapnit
një klinikë për qentë dhe macet dhe jo për njerëzit!- mbylli ajo bisedën dhe u ngjit në apartamentin e saj me Ajlën që
sapo kishte ardhur.
Fjalët e fundit e kishin futur në të thella Pandi Rrënjën.
Ajo çupëlinë kishte guxuar t’i thoshte se do ishte më mirë të
hapte ndonjë klinikë për qen e mace. Kjo e kishte goditur.
Ndoshta krejt pa dashje, por goditja ishte tepër e rëndë.
Profesioni i tij i vërtetë ishte veteriner. Një profesion i
braktisur për gati dy dekada. Së bashku me bashkëshorten
dhe dy fëmijët kishte emigruar në Itali. Nuk kishte
përbuzur asnjë punë që i kishte sjellë fati. Sipas tij çdo
punë e ndershme e fisnikëron njeriun, në të njëjtën mënyrë
që e fisnikërojnë edhe thinjat. Kur bënte këtë përcaktim
mbi thinjat, e shoqja i thoshte me shaka: Mirë thinjat na
fisnikëruakan, po me kilogramët e tepërt si t’ia bëjmë që të
gjejmë një justifikim se nuk na shëmtojnë? Ai i përgjigjej po
në të njëjtën mënyrë: Ka ikur koha e punës dhe e karriges
për ne, tani jemi në epokën e kolltukut. Ç’lloj pronarësh do
dukeshim sikur të zinim vetëm gjysmën e tij?
Paratë e mbledhura me shumë mund kishte dashur t’i
investonte diku, nuk i pëlqente t’i mbyllte në bankë. Me
interesat e ulëta dhe me këto kohë që po vijnë, thoshte ai,
paratë që fut në bankë janë të vdekura. Më në fund vendosi
të dëgjonte këshillën e një miku, i cili jo vetëm kishte jetuar
gjithë jetën në Tiranë, por ishte edhe një vëzhgues i mirë i
gjithçkaje ndodhte përreth.
- Dëgjo Pandi! Me përhapjen dhe thellimin e krizës
ekonomike shumë biznese do falimentojnë, ndërsa një
dhëmb i sëmurë të çon vetë te dentisti. Madje, prindërit
shqiptar shpenzojnë shumë më tepër se ç’kanë mundësi për
fëmijët e tyre. Mund ta specializosh klinikën me kalimin e
kohës në kujdesin e veçantë ndaj fëmijëve. Se ç’janë ca tela që
drejtojnë dhëmbët. Kam parë njerëz që janë gati të paguajnë
miliona vetëm për ato copa telash. Mendoje një herë!
- Do ta mendoj.- i ishte përgjigjur Pandi dhe e kishte
menduar seriozisht. Me zor të madh, duke u hedhur si një top pingpongu nga zyra në zyrë për një firmë, a për një
vulë kishte mundur të plotësonte gjithë dokumentacionin
e nevojshëm.
Gjithçka ishte gati, kur ajo çupëlinë i kishte trazuar
mendimet. I vinte plasje. E kush ishte ajo që ndërhynte në
punën e tij? Por edhe ai s’ia kishte lënë mangët. S’e kishte
zakon të fliste kështu, aq më pak një vajze të panjohur. Por,
përse të ndihej në faj? Në fund të fundit ajo vetë e kishte
kërkuar atë përgjigje.
Ksejdi Malkaj, mjeku stomatolog, personi përgjegjës
në përzgjedhjen e stafit dhe mbarëvajtjen e punës e kishte
gjetur Pandi Rrënjën të përhumbur në mendime. Ndaj
dhe e përshëndeti lehtë me dorë. Kishte jetuar për më
tepër se dhjetë vjet në Amerikë dhe atje kishte mësuar të
respektonte gjithçka. Jeta, mendimet, ndjenjat e një njeriu
i përkisnin atij vetë, askush s’kishte të drejtë të ndërhynte.
Ksejdi ka gjatësi mesatare, trup të rregullt dhe tipare në
harmoni të përsosur me njëra-tjetrën. Sytë, flokët, vetullat,
qerpikët, që të gjitha të kafenjta. Ngjyra e lëkurës është
pak esmere, por në dukje një nuancë më e çelët. Për shkak
të punës së vazhdueshme kontaktet e tij me diellin janë
shumë të kufizuara. Nëse pamja e tij mund të përcaktohet
e zakonshme, ai dallohet për energjinë e tij. Nuk merret me
ndonjë sport, por s’e tepronte me të ngrënën dhe përpiqet
me të gjitha mundësitë që të konsumojë produkte bio.
Ai diçka u tha djemve, të cilët po sistemonin pajisjet.
U foli qetë-qetë, por u tregua i prerë në atë që donte t’u
thoshte.
- Dëgjoni djema! Ajo kutia që ju çoni pa kujdes sa andej
këndej ka brenda autoklavin. Është delikat dhe kushton
shumë.
Pandi sikur u shkund nga mendimet, pothuajse dëgjoi
qartë.
- Më fal doktor, por nuk e dija!- tha djali si për t’u
shfajësuar dhe menjëherë u bë dukshëm më i kujdesshëm.
- Për t’u çuditur ëë... Hë mo çuna, nuk na tha edhe
ajo zoçka të njëjtën gjë?- përfundoi duke parë nga djemtë
e tjerë si të ishte duke pritur miratimin e tyre për fjalët e
thëna. Ata heshtën. Askujt në këtë botë s’i pëlqejnë vërejtjet
e jo më të pranojë se ka gabuar .
- Mbase dhe ajo ka qenë dentiste.- foli sërish djali,
ndërsa dy të tjerët s’kthyen përgjigje.
Pandi mbeti si i mpirë. Atëherë ai e kishte rënduar kot
me fjalë. Duhej ta falënderonte, në vend që t’ia përplaste në
fytyrë se pronari ishte ai. E si mund të arrish diçka të mirë
duke u ngutur?
Të nesërmen në mëngjes, kur Amarda ishte duke dalë
nga hyrja e pallatit, Pandi Rrënja e arriti në të njëjtin vend
ku kishin debatuar një ditë më parë.
- Mirëmëngjes!
Amarda e pa e habitur. Nuk dëshironte t’i fliste, madje
nuk donte as ta shihte.
- Duhej patjetër t’ju kërkoja ndjesë! Më falni, se nuk
u prezantova siç duhet dje. Unë jam Pandi Rrënja, i
diplomuar në veterinari dhe tani pronari i kësaj klinike
dentare.- përfundoi ai duke i zgjatur dorën.
Amarda ishte tensionuar aq shumë dje, saqë i ishte
prishur humori. S’kishte arritur ta shijonte ditën e parë
në apartamentin e saj të ri. Por, për nga natyra që kishte
s’mund të mbante zemëratë.
- Amarda Kristo… - i tha duke i zgjatur dorën, si për
të treguar se e kishte falur, por fjalët e saj u prenë në mes.
- E di, e di se çfarë do të thoni, mjeke stomatologe.
- Mos njihemi?
- Jo, por nuk keni vetëm ju nuhatje për profesionet.
Pranoni të punësoheni në klinikën time?
Amardës këto fjalë i erdhën të çuditshme. Si i ofronte
një vend pune nëse nuk e njihte? Kujtoi fjalët e tij një ditë
më parë. Ajo vërtet mund të falte, por jo të harronte. Si
mund të punonte në klinikën e një njeriu të tillë?
- Më vjen keq, por unë akoma s’jam diplomuar, më
duhen të paktën edhe dy javë. Sidoqoftë, faleminderit.-
sapo mbaroi fjalën ishte gati të kafshonte gjuhën. Për
apartamentin në të cilin sapo ishte transferuar prindërit e
saj ishin detyruar të merrnin para borxh te të afërmit e tyre,
por edhe kredi. Paratë që kishin mënjanë plotësonin vetëm
çerekun e shumës. Ajo kishte këmbëngulur që të zgjidhnin
këtë mënyrë. Paratë që deri atëherë prindërit ia jepnin asaj
çdo muaj, le të vazhdonin t’i hiqnin mënjanë e të paguanin
kredinë. Madje do kishte qenë shumë më mirë që këtë
veprim ta kishin bërë pesë vjet të shkuara. Kështu, në vend
që të paguanin qiranë, bënin një investim.
Në fillim ata hezituan, me frikën se nuk do ta
përballonin, por Amarda kishte këmbëngulur, duke iu
thënë që sapo të diplomohej do kërkonte punë. Kështu,
ajo jo vetëm që nuk do t’iu merrte më para, por edhe
do mundohej të kursente një pjesë të të ardhurave të
saj. Mendonte të punonte me orar të zgjatur. Përderisa
profesioni i pëlqente dhe gëzonte shëndet të plotë, përse
jo. Ishte duke pritur që ai t’ia përsëriste ofertën. Krenaria
nuk e lejonte të tërhiqte fjalët e sapo thëna.
- Nëse nuk dëshironi të punësoheni në klinikën time,
dakord, marrja e vendimit është e drejta juaj, por të paktën
mund të vini t’i hidhni një sy. Meqë jemi fqinj.
Amarda s’e mendoi dy herë. Pranoi të vizitonte
klinikën. Qysh në fillim i pëlqeu hapësira. I kishte zët ato
klinika dentare me vetëm pak metër katror. Në to mungon
ajri dhe frika e pacientëve, në veçanti e fëmijëve është e
përligjur. Këtu ishte ndryshe...
Të gjitha pajisjet ishin të reja dhe prodhuar pas vitit
2010. Amarda vuri re me kujdes se firma prodhuese ishte
lider në këtë fushë.
Aty u njoh me Ksejdin, mjekun stomatolog të diplomuar
në Amerikë dhe me një përvojë pune 6-vjeçare. Sapo u
prezantuan, flisnin me njëri-tjetrin çiltër e të shkujdesur, si të njiheshin prej kohësh. Shkëmbyen mendimet mbi
metodat më të reja në fushën e stomatologjisë. Ksejdi i
kishte praktikuar, ndërsa Amarda për pjesën më të madhe
të tyre vetëm kishte lexuar. Ai e pyeti se si po ecte me
temën e diplomës. Amarda i sqaroi se punën me temën
e kishte përfunduar prej kohësh dhe para pak ditësh ia
kishte dorëzuar pedagogut mentor. Priste ditën që do të
bënte mbrojtjen e saj para oponentit. Ksejdi i kërkoi, nëse
nuk e kishte problem, ta lejonte t’i hidhte një sy.
Sa e sa net kishte qëndruar thuajse pa gjumë duke
mbledhur materialet, duke përkthyer, përmbledhur,
duke formuluar e riformuluar. Asnjë nga të afërmit e saj
nuk do kishte kuriozitet, pasi nuk do arrinte të kuptonte
asgjë. Më në fund dikush qe ofruar vullnetarisht për
ta lexuar, pikërisht në këtë periudhë, kur ajo priste me
ankth ditën e mbrojtjes së tezës. Ksejdi do t’i shërbente
si oponent, kështu dita e madhe do ta gjente më të
përgatitur. Ai i dha kartëvizitën, në të cilën ishte edhe
adresa e postës elektronike.
Pandi Rrënja pa tek Amarda një dëshirë për të mësuar,
për të përparuar, për të vënë në praktikë gjithçka dinte
vetëm teorikisht. Kjo i pëlqeu. Megjithëse punësimin e
personelit ia kishte lënë në dorë Ksejdit do e thoshte një
përshtypje tijën për të.
Ndoshta ata të dy donin të flisnin gjithë ditën mbi
profesionin e tyre, por Amarda ishte e ftuara e tij. Duhej t’i
tregonte gjithë klinikën.
- Atëherë, shohim edhe pjesën tjetër?
- Sigurisht, me kënaqësi!
- Ky ambient këtu do jetë dhoma e mjekëve,- tha ai
duke treguar një kthinë të vogël,- ndërsa ky ambienti më i
madh do t’i lihet sime shoqeje për ta mobiluar. Ajo thotë se
duhet improvizuar një model dhome ndenjjeje.
- Ka shumë hapësirë, përse jo?
- Mua më pëlqen hapësira, ndoshta ngaqë fëmijërinë e kam kaluar në fshat. Vetëm atje njeriut i mbushen
mushkëritë me ajër.
Amarda buzëqeshi. Nuk donte të fliste me të mbi
këtë temë. Ajo ndjehej si e zënë në çark brenda mureve të
një apartamenti. Por jeta kështu është, s’mund t’i kesh të
gjitha. Ndonjëherë rrugëtimi jetësor të ngjan me ngjitjen në
pemë. Nëse do të ngjitesh në një degë, duhet të heqësh më
parë këmbën nga tjetra. Sa më lart të synosh, të duhet të
kacavirresh me këmbë e me duar pas degëve që sa vjen
e bëhen më të holla. Të kthesh kokën pas mund të jetë e
rrezikshme, madje ndonjëherë mund të rezultojë fatale.
E ç’i hynte në punë të lodhte veten kështu? Mjaftonin
dhe tepronin netët e shumta pa gjumë që kishte kaluar
duke rrahur me mend çështjen. Tani ishte koha më e
papërshtatshme për këtë.
- Ja, këtë hapësirën këtu, që është bosh, mendoj që pasi
të sigurojmë një klientelë të qëndrueshme, të shtoj numrin
e pajisjeve dhe të punësojë më tepër mjek.
- Për mendimin tim mos shpenzoni për të tjerë unitë,
sepse kushtojnë shumë, sidomos ajo markë dhe vit
prodhimi që keni përzgjedhur. Mundësoni një licencë që
t’ju lejojë të punoni 24 orë, në këtë mënyrë thithni pacientët.
Ai pacient që do vijë këtu natën, sepse nuk ka klinikë tjetër
hapur, nëse ngelet i kënaqur, herës tjetër do vijë edhe ditën
me diell. Për mendimin tim këtu mund të improvizoni një
zyrë. Jo gjithkënd mund ta prisni në dhomën e ndenjjes që
do mobilojë bashkëshortja juaj. Ka edhe biseda formale, të
cilat respektivisht do t’i përshtateshin një zyre. Pastaj një
raft i vogël me libra këtu nuk do ishte keq.
Pandi Rrënja dëgjonte me vëmendje dhe përpiqej të
parafytyronte ato që thoshte Amarda. Pamja i shfaqej e
gjallë në sytë e mendjes. Pasi bindej plotësisht se ishte ajo
që duhej pohonte i sigurt.
- Në këtë hapësirën këtu mendoj se mund të sajohet një
bar me vetëshërbim. Një ekspres i vogël kafeje dhe ujë nuk ju kushtojnë asgjë krahasuar me imazhin e mirë. Një televizor
këtu në mur, vendosur në një mbajtëse të përshtatshme.
Kolltukë dhe tryeza xhami të vogla, mbi të cilat mund të
vendosni disa revista, të cilat medoemos do të kenë lidhje
me shëndetin oral dhe jo me modën, siç veprohet rëndom
në shumicën e klinikave. Kur përfundoi së foluri u ndje
keq.- Mos e mora shumë seriozisht idenë e mobilimit? Në
fakt kam disa javë që kam menduar vetëm për mobilimin e
apartamentit tim. Me sa duket më është kthyer në ves.
- Më pëlqejnë njerëzit që marrin gjithçka me seriozitet.
Ky është virtyt dhe jo ves.
Kur e përcolli deri poshtë pallatit Pandi Rrënja i tha
të rikthehej të nesërmen, ajo mund të ndihmonte Ksejdin,
të njihte sanitaren me pajisjet dhe mënyrën e sterilizimit.
Në klinikë kishte punë edhe për një studente. Aty mund
të priste ditën e madhe të diplomimit. Amarda u tregua e
matur. Nuk foli për pagesë, apo kontratë punësimi, vetëm
premtoi se do vinte të nesërmen.
Sapo Pandi Rrënja u kthye në klinikë ndeshi vështrimin
e Ksejdit. Të dy ishin duke buzëqeshur vesh më vesh.
- Si thua shef i burimeve njerëzore, ia vlen të punësojmë
një vajzë pa përvojë, por me mesatare të lartë?
- Dëgjo pronar dhe shef i përgjithshëm, ajo vajzë mund
të jetë vërtet pa përvojë, por i ka shoqet e rralla. Zotëron
njohuri, dëshirë dhe vullnet për të mësuar e punuar.
- Atëherë, fjala e fundit?
- Nuk di ç’të them. Nëse asaj i intereson me gjithë mend
ky vend pune, këtë do ta tregojë mesazhi që do dërgojë
në adresën e postës time elektronike. Sa më shpejt të vijë,
aq më shumë ajo dëshiron të punësohet këtu. I kërkova t’i
hedh një sy temës së diplomës së saj. Më pas do jem më i
sigurt në përcaktime.
- Po për sa i përket praktikës, sa e aftë mund të jetë?
- Them se për disa kohë është e nevojshme të vëzhgojë. Që
të mos bjerë për keq në sytë e pacientëve, mund të bëjë rolin e asistentes, megjithëse si dhe të kam thënë, unë dua të punoj
vetëm. Le të bëjmë një përjashtim, por vetëm këtë radhë ama.
Më pas mund t’i kalojë rastet më të thjeshta. Vetëm duhet të
keni parasysh diçka. Nëse e punësojmë, më parë detyrimisht
ashtu siç thashë duhet ta trajnojmë. Ky i dashur mik është një
investim nga ana jonë. Për këtë arsye duhet të kujdesesh që
kontrata e punësimit të mos jetë afatshkurtër.
- Më duhet të pranojë se edhe këtë herë ke të drejtë.
Ksejdi, e di çfarë më bëri përshtypje tek ajo vajza, Amarda?
- Më mirë thuamë çfarë s’të bëri përshtypje. Në këtë
mënyrë me siguri do t’i bije më shkurt.
- Ti nuk dëgjove ç’më tha.
- S’kisha se si.
- Ksejdi, ajo ka ide identike me ty. Për punën e orarit
të klinikës dhe shndërrimin e një ambienti në bar të vogël,
për mobilimin. Madje më këshilloi të mos blija pajisje të
tjera, pasi për momentin do ishte një investim i madh dhe i
panevojshëm. Ishte si të të dëgjoja ty për së dyti.
- Si është e mundur?- tha Ksejdi, por më tepër se pyetje
drejtuar Pandi Rrënjës, ishte mendim me zë të lartë,- Me
aq sa fola me të nuk pata absolutisht asnjë mendim të
ndryshëm. Nuk më ka ndodhur ndonjëherë diçka e tillë
përgjatë jetës sime. Po pres edhe diçka të fundit.
- Për çfarë bëhet fjalë?
- Nëse edhe tezën e diplomës është duke e mbrojtur
me të njëjtën temë si unë, atëherë mund të them me bindje
të plotë se ne jemi bërë për të punuar bashkë.
- Ha-ha! E kisha dëgjuar si shprehje se dy njerëz mund
të bëhen për njëri-tjetrin, por jo në kuptimin e punës.
- Ti e di mirë që unë do t’i përkushtohem me mish e me
shpirt punës. Nuk më bie ndër mend për kuptimet e tjera. Do
doja përkrah meje një kolege të përkushtuar, me vullnet, të
gatshme për të punuar jashtë orarit sa herë të kemi pacient.
Asnjë pacient s’duhet kthyer mbrapsht, pavarësisht orarit,
apo problemit. E drejta qëndron gjithmonë në anën e tyre.
- Po intervistat e punës që ke bërë deri tani si kanë
shkuar?
- Pikësëpari, ti e di se unë po intervistoj vetëm
kandidate femra. Nuk dua të vijë ndonjë kaposh e të fryhet
kur sheh koleget, apo ndonjë paciente bukuroshe. Femrat
janë shumë më të përshtatshme për mendimin tim, më të
komunikueshme, më të kujdesshme, më të gatshme për të
ndjekur këshilla dhe për të zbatuar udhëzime.
- Mos kërkon të pendohem që të kam punësuar?
- Të lëmë mënjanë shakatë! Ti më njeh mirë, nuk jam
i tillë, aq më tepër pas asaj që kam kaluar. Për mua puna
është e shenjtë. Po thosha se të gjitha mjeket stomatologe
që kam intervistuar kanë një emërues të përbashkët, pyesin
fillimisht për pagën, duan që ajo të jetë fikse, duan një
orar të përshtatshëm për to, duan pushim në drekë për të
qëndruar pranë familjes. Shkurt, asnjë nuk ma ka mbushur
mendjen, madje as ato që kishin përvojë të gjatë pune.
- Nuk mendon se përvoja është e rëndësishme?
- Po, shumë, por me sa kam vënë re, stomatologet që
kanë më shumë përvojë nuk interesohen për metoda të
reja, dhe janë mbyllur në atë guaskën e tradicionales të
mësuar qysh në fakultet.
- Si përfundim?
- Hë për hë merremi me mobilimin, gjejmë sanitaren e
përshtatshme dhe para se të nisim
punën fillojmë me një reklamë të fortë.
- Bëhemi dot gati për të shtunën tjetër?
- Pse jo të hënën, kemi më tepër kohë, fillimjave…
- Për mua e shtuna është ditë e mbarë. Sidomos për
time shoqe kjo është dita, thotë ajo, në të cilën duhet të
nisësh diçka të rëndësishme. S’mund të mos ia bëj qejfin.
Si thua?
- Shpresoj të jemi gati.
Amarda ndërkohë që pinte kafen e mëngjesit me Ajlën
ishte gati të vraponte për në apartament dhe t’ia dërgonte doktor Ksejdit temën e diplomës. E donte dëshpërimisht atë
vend pune, ishte gati të përgjërohej për ta pasur, por e dinte
që në këtë mënyrë do humbiste nga personaliteti i saj dhe
këtë nuk mund t’ia falte vetes. Ajla, e cila në përgjithësi kishte
nuhatje të fortë e kuptoi se ajo bluante diçka në mendje.
- Ami, kur do vijë koha të ulesh për kafe e ta kesh
mendjen vetëm te kafja dhe te ndonjë thashethem? Fundja,
siç bëjnë të gjithë.
- Besoj kur të dal në pension. Nëse ti pranon që deri
atëherë të jesh shoqja ime.
- Nuk shpresoj shumë. Sot njerëzit kur dalin në
pension s’mendojnë të pleqërojnë të qetë, por të punojnë
përsëri, derisa të munden, thua se do t’i marrin ato para
të mallkuara andej nga do shkojnë. Nuk shohin të kapen
fort e fort për krahu me njëri-tjetrin, të marrin nipin a
mbesën për dore dhe të shkojnë në ndonjë park, ose diku
me pushime. Janë bërë njerëzit qen të lekut janë bërë.
- Kështu e mendon ti veten kur të dalësh në pension?
- Unë nuk mendoj si Arbri, se do jetojë njëqind e ca
vjet. Sapo të fillojë një punë për të qenë e të heq ca para
mënjanë, do ia nis nga udhëtimet nëpër botë.
- Do vazhdoj thuaj, pse në pak vende ke qenë?
- Ato vende në të cilat kam qenë unë janë të kalibrit të
lehtë.
- Po të imagjinoj pas disa vitesh: pensioniste,
njëkohësisht turiste e kalibrit të rëndë së bashku me…
- As mos e zër me gojë. Të kam thënë se pa kaluar të
tridhjetë e pestat s’kam ndër mend të ndërroj statusin, më
pas të shohim. Do gjendet ndonjë xhaxhi i krimbur në para
për mua. Dëgjo se si e imagjinoj unë veten pas…
Amarda s’ishte duke e dëgjuar mikeshën e saj
ëndërrimtare të përshkruante udhëtimin e saj në të
ardhmen. E kishte dëgjuar dhjetëra madje qindra herë.
Ajla vinte nga një familje me tri fëmijë. Motra e saj ishte një
vjeçe më e vogël dhe vëllai dy vjet pas saj. Megjithëse kishin përfunduar gjimnazin me rezultate shumë të mira, s’kishin
mundësi ekonomike të vazhdonin studimet e larta. Komuna
nuk mund t’u jepte bursë, pasi Ajla në atë kohë vazhdonte
të merrte bursë dhe nuk lejohej më tepër se një person në një
familje. Të gjithë punonin në serën e vogël që kishin mundur
të ngrinin, ama pothuajse asnjëherë nuk u ecnin punët aq
mbarë sa për të mbyllur gjithë problemet e tyre financiare.
Ajla kishte qenë e detyruar të punonte së bashku
me ta në periudhën e gjimnazit, ndërsa përgjatë kohës
së studimeve ishte bërë eksperte në shitjen e produkteve
kozmetike. Asnjëherë nuk e hiqte revistën që reklamonte
produktet nga çanta, madje as tani që punonte në bankë.
Klientet e saj ishin kryesisht studente. Askush s’e kishte
dëgjuar të ankohej prej punës që bënte. Shkonte në çdo
seminar që zhvillohej dhe përpiqej të merrte informacionin
maksimal për firmën dhe produktet. Sa më e kualifikuar të
ishte, aq më mbarë do t’i ecnin shitjet.
Duhej të merrte sa më pak para nga shtëpia. I therte në
zemër kur mendonte se po diplomohej në kurriz të motrës
dhe vëllait të saj. Ëndërronte të martohej me një njeri të pasur.
Do kishte mundësinë të ndihmonte familjen e saj. Motra
dhe vëllai s’duhej të jetonin përjetësisht në fshat. Mbante
mend fjalët e gjyshes: Gjëja e gjallë nuk të bën zengjin, gjëja
e gjallë vetëm të mban gjallë. As toka nuk të bën zengjin, ajo
të mundon e ta merr shpirtin ca e nga ca. Toka, tokë të bën.
Prandaj mëso bijë dhe bëhu njeri me shkollë!
Kishte dhe një arsye tjetër që ajo donte patjetër të
martohej me një njeri të pasur. Kur ishin në gjimnaz të
gjithë e kishin zakon të thërrisnin Gerin, shokun e tyre të
klasës kothere, për shkak të mbiemrit të tij Kotherja. Kur
Ajla e kishte thirrur një ditë si gjithë të tjetër ai i kishte
thënë: Kothere duhet të të thërras unë ty e jo ti mua. Ti nuk
ke as bukë të hash e as b... për të veshur.
E kishin dëgjuar të gjithë. Ajo s’e deshi veten. Nuk mund
ta kundërshtonte. Sado hidhur t’i vinte, fjalët e Gerit ishin të vërteta. Sa ishte përpjekur ta linte pas atë kohë! Kudo që
kishte mundësinë të shkonte, në një restorant luksoz, në
një vend të bukur, e sidomos kur kishte shkuar në vendet
fqinje, Ajla bënte pafundësisht foto. Rrinte orë të tëra duke
përzgjedhur më të bukurat dhe më pas i postonte në facebook.
Të gjithë duhej ta dinin që ajo s’ishte më Ajla e dikurshme,
që kur shokët dhe shoqet e saj hanin diçka, kishte rolin e
vëzhgueses. Justifikimi i saj i vetëm ishte dieta. Ndoshta
të gjithë e kuptonin se ishte vetëm një justifikim, pasi ajo
s’kishte pasur ndonjëherë qoftë edhe një gram mbipeshë.
Amarda nuk ishte aspak dakord me Ajlën, se njeriu
s’duhet të punojë duke shfrytëzuar gjithë mundësitë
e veta, për të hequr para mënjanë. Sa më shumë rritej,
kuptonte se në jetë asgjë nuk ishte e përhershme dhe e
sigurt. As miqësia, as dashuria, as martesa nuk zgjasnin
përgjithmonë.
Një ditë prindërit e saj nuk do ishin më dhe ajo mund
të ngelej fill e vetme. Nëse do kishte një motër, ose vëlla do
ndjehej më e lehtësuar. E kishte vendosur, apartamenti duhej
të bëhej patjetër i saj. I zihej fryma kur kujtonte si kishte
jetuar me qera për pesë vjet. Nuk ishte materialiste dhe as
mendonte se në këtë mënyrë do ishte e lumtur, por e donte
sigurinë dhe ngrohtësinë që të falë një apartament i gjithë yti.
Me kohën, patjetër do ia arrinte të kishte edhe klinikën e vet.
S’mendonte si Ajla, të vërdallisej sa ishte e re, dhe kur
të lodhej të gjente ndonjë të kamur, pa pyetur për moshën e
tij. Amarda donte të arrinte ato pikësynime që i kishte vënë
vetes, dhe mbi të gjitha, donte t’i arrinte me forcat e saj.
Pasi e peshoi edhe një herë me mend, vendosi të mos
ngutej për të dërguar mesazh në postën elektronike të
doktor Ksejdit, do kuptonin se e donte dëshpërimisht atë
vend pune.
E la për pasdite. Ndërsa në klinikë do shkonte qysh të
nesërmen në mëngjes. Edhe sikur të mos punësohej s’do
ishte ndonjë sakrificë, ajo gjithë ditën e kishte bosh. Ishte më mirë të merrej me diçka të dobishme, se sa të ulej në
ndonjë kafene, apo të ngulej para televizorit.
Ajlës nuk i tha asgjë për faktin se priste të punësohej.
Nëse një çështje e diskuton me të tjerë dhe dëgjon mendimet
e tyre, përfundon që nuk di të thuash se cili është mendimi
yt. I tha vetëm të atit në mbrëmje, se ndoshta mund të
gjente një punë. S’kaloi në detaje. Ai, urtë e butë, siç e
kishte zakon, e këshilloi të punonte pa marrë parasysh
pagesën edhe nëse ajo ishte minimale, madje edhe nëse
nuk do kishte pagesë. Mendonte se përkrah një dentisti me
përvojë e bija kishte ç’të mësonte. Me të ëmën foli gjatë, por
për çështje të përgjithshme. Nuk ia përmendi mundësinë
e punësimit. Ndoshta nuk bëhej asgjë dhe ajo s’donte ta
zhgënjente. Çdo zhgënjim bëhej plagë në shpirtin e saj.
Ksejdi ishte befasuar që tema e diplomës ishte e
njëjtë me të tijën. Ndenji deri vonë atë natë dhe e lexoi
të gjithën. Titullohej: Efektet e pirjes së duhanit tek indet
periodentale. Ilustrimi me foto ishte befasues. Ishte e
qartë se pjesën më të madhe të fotove ua kishte bërë vetë
pacientëve të sëmurë. Një pjesë e bibliografisë ishte po
ajo që kishte shfrytëzuar edhe Ksejdi vite më parë. Duke
pasur po ato mendime, po ato ide, po ato synime do ishte
një kënaqësi të punonin bashkë.
Amarda pati një ndjesi të çuditshme sapo hyri në
klinikë. Pa e kuptuar ai vend ishte bërë i dashur për të. Për
disa minutash, së bashku me doktor Ksejdin, shkëmbyen
mendime në lidhje me punimin e saj. Ishte bukur për
secilin prej tyre të kishte dikë që e kuptonte.
Më pas të tre folën gjatë për mobilimin e sallës pritëse.
Kur idetë u qartësuan kontaktuan një mobilieri. Kjo punë
konsiderohej e mbaruar. Amarda u mor me përzgjedhjen
dhe këshillimin e sanitares, për mënyrën se si pastrohen
pajisjet dhe sterilizohen mjetet. Gerta ishte një grua rreth
të tridhjetave, e matur e fjalëpak. Dukej serioze dhe e
përkushtuar.
Në fillim Amarda nguroi, pasi ajo ishte me arsim
të lartë. Një pagesë sanitareje s’do ta kënaqte, mendoi
ajo. Më pas vendosi të fliste hapur me të. Ajo e donte
dëshpërimisht atë vend pune. Ishte e gatshme të pranonte
edhe me gjysmën e pagës që i ofronin. Në këtë periudhë
edhe të shoqin e kishte pa punë. Duhet t’ia jepnin atë
vend, patjetër. Atëherë u vendos, Gerta do ishte sanitarja e
klinikës. Amarda kishte bërë zgjedhjen më të mirë.
Më vonë, të tre ishin duke diskutuar mbi reklamën.
S’i ngjante një mbledhjeje pune të zakonshme, pasi aty
nuk kishte as tryezë e as karrige. Ndërsa nga serioziteti
me të cilin flisnin i ngjante më tepër një mbledhjeje të
jashtëzakonshme.
- Them se duhet të zgjedhim një vajzë me buzëqeshje të
bukur, por dhëmbë të lënë pas dore,- këtu iu kujtua shprehja
e Arbrit mbi gojën e virgjër, por nuk do guxonte kurrë të
thoshte një shprehje të tillë.- Bëjmë ç’duhet bërë, filmojmë
hap pas hapi. Gjithçka reale. Nisim me radiografinë. Me
sa di unë, një pjesë e klinikave me emër nuk e ofrojnë këtë
shërbim. Gërryejmë, mbushim, pastrim të përgjithshëm,
gurëza, pllakëza, zbardhim. Ndoshta në rastin më të mirë
mund të ketë edhe ndonjë dhëmb që i mungon.
Mendoj, se më e përshtatshme do ishte një fytyrë
femërore. Le të jetë një vajzë e thjeshtë. Nuk besoj se në
këtë rast na duhet ndonjë fytyrë e njohur. Vajza të bukura
ka, madje edhe nga ato që as e dinë se janë të tilla.
Ksejdi dhe Pandi panë njëri-tjetrin në sy. Të dy kishin
në kokë po atë mendim, nëse ekzistonte një vajzë që ende
nuk e dinte se ishte e bukur, e kishin para syve. Nuk u
bënte punë. Dhëmbët e saj ishin të përsosur.
Plani u pëlqye, u aprovua dhe u vu në zbatim shpejt.
Reklama u realizua shumë më mirë nga ç`e prisnin. Niste
me uljen e pacientes së ngrysur në poltronë dhe pamjen
e mjeruar të dhëmbëve të saj. Pas vizitës, radhën e kishte
radiografia, asnjë veprim nuk kryhej pa shqyrtuar më parë filmin e saj. Këtu Ksejdi dhe Amarda dilnin me shpinë. Më
pas fillonin gërryerjet, heqja e nervit, mbushjet e në fund
pastrimi i plotë i dhëmbëve.
Patën fatin, siç e kishte quajtur Amarda, që pacientes
i mungonin dy dhëmbë. Për të dy u bë implanti, metodë
e cila i vendos dhëmbët aq mirë saqë duken krejt natyral.
Ndoshta është pikërisht kjo arsyeja që shpesh njerëzit e
zakonshëm këtë metodë e quajnë mbjellje.
Ksejdi dilte një herë me pamje ballore, ndërsa Amarda
vetëm me shpinë, kur sterilizonte mjetet dhe duke
ndihmuar doktor Ksejdin, për të cilin përmendej diploma
në një nga universitetet më të mira amerikane në këtë
fushë, si dhe eksperienca e punës atje.
Pamja e fundit ishte vajza e lumtur që çohej nga karrigia
me dhëmbët vezullues. Kur ajo përmendte emrin e klinikës,
edhe vetë shkëlqente si një meteor. Mamaja e Amardës sa
herë e shihte këtë reklamë, ndjehej krenare. Ëndrrat dhe
planet që ajo kishte thurur për të ardhmen e së bijës kishin
nisur të merrnin jetë. Instinkti i nënës i thoshte se në atë
vend pune ajo do ishte gjithmonë e sigurt dhe e vlerësuar.
Pesë javë pas çeljes së klinikës Amarda ishte e kënaqur
me progresin që kishte bërë. Megjithëse merrte rastet më të
lehta, përsëri ndjehej mirë. Të shihte doktor Ksejdin duke
punuar ishte si të vijonte studimet, çdo ditë mësonte diçka
të re.
Ajo për të cilën doktor Ksejdi e çmonte më shumë
kolegen e tij të re ishte trajtimi psikologjik që u bënte
pacientëve. Shpesh, kur ishte me Pandi Rrënjën e
nënvizonte këtë cilësi të koleges së tij të re.
- Amarda për trajtimin psikologjik që u bën
pacientëve, sidomos fëmijëve, meriton një përqindje nga
paga ime. Ajo di të komunikojë me njerëzit, t’i qetësojë,
t’u shpjegojë me fjalë të thjeshta procedurat e punës. Ajo
i bën fëmijët të ndjehen sikur kanë shkuar në një park
lojërash e jo në një klinikë dentare.
- Nëse do të kalojmë një përqindje nga paga jote në
pagën e doktoreshës, për mua s’ka problem,- ia ktheu
Pandi Rrënja me të qeshur.
- A e di se çfarë më ndodhi një ditë kur Amarda ishte
në pushimin e shkurtër të drekës? Një burrë rreth të
pesëdhjetave hyn në sallë.
- Urdhëroni zotëri, uluni ju lutem!- i them gjithë
edukatë dhe burri ulet e rehatohet mirë,- Hapeni gojën ju
lutem!
- Po pse ta hap gojën? Mua nuk më dhemb dhëmbi.
- Për të bërë një kontroll.
- As kontroll nuk kam nevojë të bëjë.
- Atëherë për të bërë një radiografi.
- As radiografia s’më duhet. S’më hyn në punë.
- Po pse u ulët në poltronë atëherë?
- Doktor, ju vetë më kërkuat të ulem e të rehatohem.
Unë nuk erdha për këtë punë.
- Po përse erdhët?
- Solla djalin, por ka kaluar një sëmundje të rëndë kur
ishte i vogël dhe ka pak frikë.
- Silleni brenda ju lutem! Ufff!
Pas pak hyn së bashku me djalin, i cili më shumë
se i frikësuar m’u duk i ndrojtur. Një djalë ndoshta
pesëmbëdhjetëvjeçar. Ende pa hapur mirë gojën djali,
zotëria iu afrua më shumë se unë dhe nisi të më tregonte
me gisht.
- Ky dhëmbi këtu është krimbur dhe duhet mbushur,
ndërsa kjo dhëmballa duhet shkulur patjetër, është
degraduar shumë, s’ia vlen ta mbushësh. Jam i bindur se
mbushja do t’i binte brenda muajit.
Kur mbaroi punë me mua, filloi me djalin.
- Dëgjo të keqen babi! S’duhet të kesh frikë. Është njësoj
sikur t’i jesh afruar bukëzës së grerëzave dhe papritur njëra
prej tyre do të të pickojë. Kaq është puna.
- Dëgjoni ju zotëri!- iu drejtova aq ashpër sa askujt më parë në jetën time, ndoshta sepse askush s’kishte guxuar
të fuste hundët e as gishtat kështu në profesionin tim.- Në
radhë të parë s’jam grerëz, por mjek stomatolog. Së dyti,
nëse do isha grerëz, s’do thumboja djalin, por juve, madje
me shumë kënaqësi.
Ai më pa me habi. Unë e harrova etikën profesionale,
por edhe ndoshta jo. Ai s’ishte pacienti im.
- Është e drejta juaj të më lejoni ose jo të mjekoj
dhëmbët e djalit. Por, nëse më duhet të punoj me të, s’kam
nevojë për asistencën tuaj. Duhet të qëndroni në sallën e
pritjes. Nëse keni nevojë të diskutoni më parë me djalin,
bëjeni, por jashtë kësaj klinike. Dhe tani më falni, por sa të
vendosni ju, unë duhet të merrem me një pacient tjetër. Për
mua koha është e çmuar.
- Qëndroi apo iku?
- E ç’rëndësi ka kjo tani?
- Nëse ke larguar një pacient më duhet të jap masën
Vërejtje.
- Ndërkohë përgatit edhe Fletë lavdërimi për doktoreshë
Amardën. Po të ishte ajo, me siguri gjithçka do kishte ecur
si jo më mirë. Përherë di të komunikojë pa keqkuptime.
Në rastet kur Amarda mund të mësonte diçka të re,
doktor Ksejdi me takt i kërkonte që ajo t’i jepte ndonjë mjet,
apo material. Të dy e dinin se ishte një fazë e përkohshme,
ajo mësonte shpejt.
Puna e vërtetë që Amarda nisi të bënte e vetme, pa
qenë nën hijen e doktor Ksejdit, ishte pastrimi i plotë i
dhëmbëve: gurëzave, pllakëzave, zbardhja e shkëlqimi me
solucion të veçantë. Ksejdi hoqi dorë përfundimisht nga
kjo procedurë, e cila zgjaste rreth 40 minuta.
Amarda mundohej të bënte po ato veprime si në një ditë
normale pune. Nuk e kuptonte përse sot i vinte ndërmend
gjithçka e kaluar aty, si të ishte duke bërë bilancin e
përgjithshëm të punës së saj. Ishte e lehtë të komandonte
duart e bardha e të shkathëta, me gishtat e hollë e të gjatë.
Vetëm atë parandjenjën që i zinte frymën s’kishte
mundur ta ndalte. Nuk i vinte ndër mend asnjë ide se si
mund të çlirohej prej saj, përveçse të vijonte me rutinën e
një dite të zakonshme pune.
Meqenëse koha i premtonte, bëri inventarin e mjeteve.
U duheshin: doreza, amalgam, kompozitë, freza dhe
disa mjete të tjera. I shkroi me të shpejtë të gjitha në një
bllok të vogël me kaligrafinë e saj të shkëlqyer. Kur i jepte
recetë pacientëve, ajo shoqërohej me habinë e tyre. Nuk u
ndodhte shpesh të kuptonin një shkrim mjeku.
Pacientin e parë e kishte në orën shtatë pa një çerek.
Kishte në fakt kërkesa të veçanta për orët e para të mëngjesit,
apo orët e vona në mbrëmje. Kjo vinte si pasojë e dinamikës
që ofron jeta për një pjesë të madhe të njerëzve. Amarda dhe
doktor Ksejdi kishin propozuar qysh në fillim një shërbim
njëzetë e katër orësh. Nuk ishte aspak e lehtë të realizohej.
Pandi Rrënja thoshte se tani ishte vetëm një hap larg. Kjo do
ta bënte edhe më të rëndësishme klinikën e tyre.
Megjithatë, ata kishin qenë të gatshëm të punonin
edhe jashtë kufijve të orarit të detyruar. Kështu, Amarda
ishte e gatshme të vinte në mëngjes herët dhe Ksejdi të
rrinte vonë në mbrëmje, deri në mesnatë. Këtu ishte kufiri
i lejuar. Asnjë prej tyre nuk i thyente rregullat. Të dy ishin
të përkushtuar në punë, profesionist të vërtetë, dinamik, të
komunikueshëm, gjithë ide të reja. Pandi Rrënja e quante
veten me fat që i kishte. U thoshte shpesh, se ata ishin bërë
për të punuar për të. Paga që merrte secili ishte shuma e
pagës bazë plus një përqindje mbi xhiron, një formulë e
kënaqshme për të dyja palët.
Amarda u shkëput nga mendimet. Pacienti kishte
ardhur. Ishte një fëmijë i vogël, një djalë shtatëvjeçar. I gjori
ai! Jo vetëm që ishte zgjuar herët, por i duhej të shkonte
edhe te dentistja.
- Sa djalë i bukur! Sa djalë i rriituur! Si të quajnë ty
zemër?
- Xhoel.- u përgjigj djali me zërin që i dridhej.
- Ulu Xhoel dhe mos ki frikë! Shiko, nuk kam asgjë në
dorë.
- O teta, të rri në këmbë kur të ma vizitosh dhëmbin?
- Jo xhan, s’është e mundur. Ulu të lutem!
- Po në këmbë nuk bëhet dot?
- Dëgjo zemër, nëse do patjetër të bësh diçka në këmbë,
përse nuk shkon në tualet të bësh çiçin?
Djali nuk foli, por Amarda e kuptoi menjëherë që
e teproi. As në marrëdhëniet joformale me të afërmit
s’e kishte zakon të fliste kështu. Sikur të bëhej fjalë për
komunikimin me shkrim, ishte mundësia që këto fjalë të
vendoseshin në kllapa, të zhgarraviteshin sipër, apo të
fshiheshin me korrektor. Para rastit në të cilin ndodhej nuk
mund të bënte asgjë. Pa se si u thartua fytyra e mamasë së
tij. Megjithatë, as që i shkoi ndër mend që t’i kërkonte falje.
- Ju lutem zonjë,- iu drejtua ajo qetë-qetë,- uluni dhe
merreni djalin në prehër! Ajo u ul pa fjalë dhe mori të birin në prehër. Dukej
sikur i kishte ngrënë macja gjuhën.
- Hape gojën! Të lumtë!
Bëri një kontroll të plotë me pasqyrën e vogël. Te
fëmijët e vegjël, që kishin ende dhëmbët e qumështit s’ishte
nevoja për radiografi. Mori një pasqyrë më të madhe në
dorë.
- Shiko këtu zemër! Ky dhëmbi i bardhë dhe i
shëndetshëm po mbin poshtë këtij të voglit dhe të
krimburit. Ne do ta shkulim që ai të mos mbijë i shëmtuar,
dakord? Si thua?
Djali rrinte në heshtje. Akoma nuk ishte bindur, as
pohonte, as kundërshtonte.
- Vetëm duhet të më japësh fjalën se do t’i lash dhëmbët
çdo ditë, në mëngjes dhe në mbrëmje përpara se të flesh.
Dakord?
- Unë nuk di t’i laj dhëmbët, nuk i kam larë asnjëherë.
- Ashtu? Po të pështysh di?
- Po, po. Më mirë se gjithë shokët.
- Mirë, eja pak me mua!
Amarda e mori djalin për dore pa i kërkuar leje së
ëmës. Në fund të fundit nuk ishte duke bërë diçka të
keqe. Pas disa minutash djali u kthye i qeshur tek e ëma
duke i treguar dhëmbët që shkëlqenin nga pastërtia. Sytë
i shkëlqenin akoma më tepër. Ndjehej krenar për atë që
sapo kishte mësuar.
- Mami, shiko!- tha djali duke i treguar kutinë me
furçën brenda,- është e imja.
- Sa ju detyrohem për furçën doktoreshë?
- Asgjë, është një dhuratë për Xhoelin.
Tani djali ishte gati të ulej pa të ëmën. Amarda ia shkuli
me kujdes dhëmbin që lëvizte, dhe në vend të tij i vendosi
tampon steril. I dha këshillat që duhej të ndiqnin dhe u
përshëndetën.
Kur ëmë e bir arritën te dera, djali iu shkëput nga
dora dhe vrapoi drejt Amardës. Iu hodh në qafë duke e
përqafuar.
- Ti je dentistja më e mirë në botë!
- Edhe ti je djali më i bukur dhe më i dashur në botë,-
e përqafoi dhe ndërkohë sytë iu përskuqën. Sa e vështirë
ishte të punonte me çamarrokët e vegjël, por fjalët e tyre
të sinqerta ishin balsam për shpirtin e saj. Në një ditë si kjo
pesha e tyre ishte edhe më e madhe.
Iu kujtua ardhja e një mësueseje që jepte mësim në klasën
e dytë. Ngelën mjaft të kënaqura me punën e Amardës, ajo
dhe vajza e saj e vogël. Brenda javës vërshuan aty gjithë
nxënësit e saj. Amarda ishte lodhur aq shumë me zhurmat
dhe tekat e fëmijëve, saqë i qe dukur vetja si mësuese filloreje.
- Kur të shkosh në klasë, thuaj që doktoresha ishte
shumë e keqe dhe ti pate shumë-shumë dhimbje,- i tha
njërës prej vajzave, kur pa se nuk ishte më në gjendje të
merrej me fëmijë të tjerë.
- Jo, jo! Unë nuk gënjej asnjëherë,- e pa Amardën
ngultas në sy dhe vijoi pa iu dridhur qerpiku,- do t’iu
them që dentistja është shumë e mirë dhe dhëmbi nuk më
dhembi fare.
Amarda nuk e priste një përgjigje të tillë. Si është e
mundur që fëmijë kaq të vegjël të komunikonin në këtë
mënyrë? I ledhatoi me adhurim flokët vogëlushes.
- Po bëja shaka zemër, s’e kisha seriozisht!
- Mua më pëlqejnë shakatë.
Me përjashtim të zhytjeve në kujtime dhe sjelljes ndër
mend të gjithë kohës që ishte punësuar aty, dita ishte më
se e zakontë. Amarda vuante. Zemra e saj përpëlitej në
kraharor si një zog i mbyllur në kafaz. Doktor Ksejdi diçka
nuhati dhe i tha disa herë se mund të largohej sa të çlodhej.
Amarda nuk pranoi.
Me të shkuar në apartament i duhej të përballej me
veten dhe nuk ishte ende gati. Do ta zgjaste sa më shumë
të qëndruarit në klinikë. Kjo ishte streha e vetme në të cilën
ndjehej e sigurt si të ishte në një kështjellë të fortifikuar.

No comments:
Post a Comment