Thirrja e fundit Kapitulli VII
Pa Arbrin shtrati ishte i madh e i ftohtë. I mungonte
gjithçka e tij. Nuk duhej ta humbiste. Nëse ndodhte, do
ishte përgjithmonë. Zemra i thoshte se këtë herë s’kishte
kthim pas. Mbylli sytë. Ajla kishte të drejtë. E kishte
tepruar me Klarën. E shumta ajo do merrej me të edhe
për nja dy ditë të tjera. Më pas çdo shikues do humbiste
interesin mbi këtë temë. Shqyrtoi gjithçka nga fillimi. Nëse
nuk kishte pranuar të martohej me Arbrin, kjo s’kishte
aspak rëndësi për shikuesit e lajmeve. Nëse ajo kishte
dhunti, ishte diçka personale dhe askush nuk kishte përse
ta fajësonte për asgjë. Nëse kishte tentuar të vriste veten,
as kjo nuk përbënte ndonjë lajm të veçantë. Kronika të
tilla kishte thuajse çdo javë. Ishin të paktën dy faktorë që do ta ndihmonin të hiqte
Klarën nga mendja. Një ishte puna. Aty askush nuk mund
të thoshte asgjë për të. Ishte një profesioniste e vërtetë. Në
gati dy vite punë asnjë pacient i vetëm s’ishte ankuar për
punën e saj. Ishte përmirësuar vazhdimisht dhe kishte
ende mjaft dëshirë e vullnet të përmirësohej. Arsyeja e dytë ishte Arbri, dashuria e jetës së saj.
Marrëdhënia e tyre kishte patur uljet dhe ngritjet e
veta, por fakti që ata ishin kthyer bashkë tregonte se
dashuria e tyre ishte më e fortë se cilado pengesë. Arbri
i kishte kërkuar të martoheshin. Me gjithë qenien e saj ajo
pranonte. Pavarësisht të gjithave, ai s’kishte thënë asgjë të
pandreqshme. Ata shumë shpejt do ishin bashkë. Me siguri
do ishin bashkë. Por, hija e Klarës nuk u ndahej.
Amarda dëgjoi turbullt zilen e celularit. Me sy ende të mbyllur po e kërkonte mbi komodinë , aty ku e linte
zakonisht. Me siguri duhej të qe Arbri. Hapi telefonin,
por personi në anën tjetër nuk po denjonte të përgjigjej.
Ndjente vetëm frymëmarrjen e çrregullt.
- Ami jam. Urdhëro!- u përgjigj e sigurt se ishte Arbri.
- Nuk ke nevojë të prezantohesh zemër. Të njoh nga
zëri, mos harro se kemi qenë shoqe, madje mikesha.
- Me aq sa më kujtohet, ti shkele mbi miqësinë tonë vite
më parë.
- E ke gabim zemër. Nëse do ishe treguar pak më
e zgjuar, do kuptoje se Arbri nuk bën për ty, ti meriton
shumë më tepër. Unë thjesht u kujdesa të ta hiqja qafe.
- Po me Gerin, çfarë ndodhi me Gerin? Mos më thuaj se
duhej të kujdeseshe edhe për të!
- Sa për Gerin, disa çështje janë ende të paqarta, por
diçka është e sigurt, ai djalë ka qenë dhe është shumë i mirë
për ty.
- Asnjëherë nuk të kam kuptuar Klara. Po kujdesesh
për të më gjetur masën e duhur. Gjithçka që më rrethon
është ose shumë e keqe, ose shumë e mirë. Gjithë ky kujdes
vetëm për mua! Çfarë kam bërë për ta merituar?
- Jeta të ofron edhe falas e dashur. Jo për gjithçka duhet
të paguash.
- Çfarë ka, ende je duke menduar Arbrin? Duhet ta
harrosh, sepse ti je një femër që çdo mashkull, përfshi edhe
Arbrin, do të të donte vetëm për një natë.
- Nuk është Arbri shënjestra ime. Si është e mundur që
ende s’e ke kuptuar?
- Jam unë?- pasoi një heshtje e shkurtër.- Ti nuk po më
kundërshton Klara, si është e mundur? Po unë kam qenë
shoqja jote edhe atëherë kur të gjithë të shpërfillnin, të
kthenin shpinën. Gjithmonë kam kujtuar se lufta jote ishte
për Arbrin.
- Bëre mirë që përmende fjalën luftë. Por ti asnjëherë
s’ke për të fituar. Ti je ajo gruaja që gatuan, pastron shtëpinë, hekuros rrobat. Të gjitha këto po të punësonte një punëtore
shtëpie, nuk do t`i kushtonin më tepër se 20 euro në javë.
Në këtë rast, ai përfiton plus ngrohjen dhe servirjen. Shto
edhe paratë e qerasë që nuk i paguan, ndoshta diku te 100
euro në muaj, meqenëse apartamentin e ndani bashkë.
Shto edhe 2 euro si taksë gjelbërimi, bëjnë në total mujor
182 euro. Totali vjetor shkon rreth 2200 euro. Është vlera
jote reale. Je me të vërtetë kursim në jetën e një mashkulli.
Në shtrat nuk do ta kënaqje kurrë një mashkull si
Arbri. Është më mirë të veprosh sipas planit të asaj shoqes
tënde budallaqe, Ajlës. Ndonjë plakaruq impotent do të të
përshtatej më mirë. Me Arbrin nuk do ia dilje kurrë.
Ende nuk e ke kuptuar se çdo milimetër katror në
trupin e një mashkulli duhet të ndihet më zot kur ai është
në shtrat me një femër? Kështu e ka ndjerë çdo milimetër
katror i trupit tim Arbrin. Dhe nuk ka qenë vetëm një natë
të jesh e sigurt, madje netët tona janë shtrirë përgjatë viteve.
Por, edhe sikur të kishte qenë një natë e vetme, do vlente
më shumë se ditët dhe netët e shpenzuara me ty. Ai është i
nxehtë, madje i zjarrtë, ndërsa ti komplet e ftohtë, e akullt.
Maksimumi në bashkimin tuaj do të jetë diçka e vakët, pak
a shumë si uji i lënë në diell.
Më shuaj një kuriozitet e dashur, sepse më kupton
besoj që nuk mund të humbisja kohën e vyer duke pyetur
Arbrin. Kur kryeni ritualin seksual a e fikni edhe dritën e
gjumit?
- Ti je një femër e pacipë, e paskrupullt Klara!
- Të paktën unë meritoj të quhem femër. Ndërsa ti je
e pazonja për një mashkull si Arbri dhe për çfarëdolloj
mashkulli tjetër. Je njëzetë e pesë vjeçe dhe nuk ke mësuar
ende të vishesh e jo më të zhvishesh. Vesh xhinse si
adoleshente, dhe këmishët e gjata e të gjera si plakat që
duan të mbulojnë celulitin. Flokët nuk i drejtove një herë.
Ngjan sikur në vend të kokës ke një kaçube. E vetmja, gjë
që ti kujton se e bën mirë, është të shkulësh dhëmbë. Por, edhe për sa kohë e dashur? Për aq vite akoma sa muskujt e
tu ende nuk kanë nisur të squllen. Më pas as dhëmbë nuk
do mund të shkulësh. Kjo është e ardhmja jote e dashur. Si
ndihesh kur të shpaloset para syve?
- Në jetën time nuk i kam marrë gjë askujt, ndaj në
ndryshim nga ty ndihem e qetë me shpirtin tim.
- E ç’do t’iu marrësh të tjerëve? Ti nuk ha dot as
kafshatën tënde. Sa bëhesh gati ta fusësh në gojë ta
rrëmbejnë nga dora.
- Ti di mirë t`u rrëmbesh kafshatën të tjerëve, apo jo?
- Nëse njerëzit janë të pazotë, këtë nuk duhet ta
përcaktojnë as si marrje e as si rrëmbim, por thjesht një
nder.
- Sa mirë për ty që arrin ta shohësh në këtë mënyrë!
Ndoshta je duke pritur falënderime.
- Mund të bëjë edhe pa to.
- Çfarë kënaqësie ndjen të rrëmosh në jetën time atë që
unë jam përpjekur ta harroj për vite me radhë?
- Jam thjesht duke bërë punën time e dashur.
- Jam e sigurt se nuk e bën për pagesë. Do kënaqeshe
edhe sikur të punoje falas.
- Është një profesion që e kam zgjedhur me dëshirë.
- Po të shkatërrosh të tjerët, është diçka që e bën me
dëshirë?
- Ti që flet për shkatërrimin! Ty kurrë nuk të ka
munguar asgjë. Veshjet e bukura e të kushtueshme, lodrat,
bukuria, inteligjenca, përkrahja, familja.
- As ty nuk të ka munguar veshja e bukur, as lodrat.
Për sa i përket pamjes, nuk besoj se ka mbetur njeri pa të
të quajtur gazetarja bukuroshe. Inteligjenca gjithashtu s’të
ka munguar, tjetër gjë nëse nuk lodhesh shumë për ta
përdorur, e aq më pak për ta kultivuar.
- Po përkrahja? Është e lehtë për ty të flasësh kështu.
Harrove që për katër vjet në gjimnaz mësuesja kujdestare
ishe mamaja jote?
- Sigurisht që jo, por me mua ishte më e rreptë se me
këdo tjetër, ndërsa me ty më tolerante.
- Nga mëshira. Asnjë arsye tjetër nuk kishte përveç
mëshirës. Le të përkrahim një jetime. Të mos e hedhim në
rrugë jetimen, ta udhëzojmë jetimen si të marrë statusin e
jetimes, ta lidhim me shoqatat bamirëse joqeveritare. Ku
ta kisha gjetur rrugën, do isha shumë më mirë atje se në
shkollë e sidomos më mirë se në shtëpi.
- Me ty është e kotë të flasësh Klara. Ti nuk arrin të
kuptosh asnjë dhe asgjë.
- Sikur të qe vërtet kështu! Unë kam arritur të kuptojë
shumë në jetë, ndërsa mua askush nuk ka arritur të më
kuptojë, të më ndihmojë.
- Të paktën ty nuk të kanë nxjerrë të pathënat në
edicionin e lajmeve.
- Nuk do ia dilnin dot, sepse nuk mbarojnë.
- Pothuajse po ia del të më bësh të qesh.
- Unë të besoja Amarda Kristo. Zëri i Klarës kaloi
papritur nga notat e zemërimit në nota pikëllimi. Amarda
arriti ta shquante menjëherë. Profesioni i gazetares e
kishte afruar shumë me aktrimin. Pse jo, ajo mund të ishte
një aktore e përsosur. Diçka ishte e sigurt, do t’i merrte
mendjen gjithë regjisorëve.- Edhe Arbri Spiron e besoja.
Vetëm ju do më kuptonit, por nuk e bëtë. S’deshët. Kisha
nevojë për ndihmë! Sa pak kuptuat nga unë!
Ti e dashur kujtove se unë kisha nevojë për një shoqe,
e cila të rrinte gjithë kohën me mua, sa për të mos u ndjerë
e braktisur. Gabove. Gjëja e fundit për të cilën kisha nevojë
ishte një pullë poste.
Arbri, jo që nuk arriti të më kuptonte, por më keqkuptoi.
Ajo që ndodhi mes nesh mbrëmjen e maturës, nuk ishte
për mua, as dëshirë e as pasion. Ishte hakmarrje. Thjesht
hakmarrje.
A e di se me ç’kënaqësi jam paguar në marrëdhënien
me Arbrin? Me dhimbjen tënde e dashur. Nëse s’do ekzistonin vajzat si ti, jeta për një vajzë si unë do ishte më
pak e komplikuar. Për mua është fatkeqësi që ti ekziston.
Vetëm fatkeqësi.
- Nuk arrijë të të kuptoj Klara. Çfarë kërkon?
Amarda priti përgjigje prej Klarës. Ajo s’fliste.
Frymëmarrja e saj e çrregullt ende i përplasej në vesh.
Përse nuk fliste? Iu duk sikur po ngashërehej. Dhe cila
pa, Klara! Njeriu që nuk kishte shfaqur një herë të vetme
ndjeshmëri përgjatë jetës së vet. Epo, kjo nuk durohej
më, ishte e tepërt.
- Çfarë kërkon? Fol dreqi e mori, çfarë kërkon prej
meje?
Në fund e ngriti zërin aq shumë sa... hapi sytë. E
pabesueshme. Mos kishte qenë në ëndërr? Celularin e kishte
në dorë. Në kokë i përplasej ende zëri i Klarës që kërkonte
ndihmë. Sikur të mos ishte në pritje të një telefonate nga
Arbri, do ta kishte vërvitur celularin nga dritarja.
Kishte vite që s’fliste me Klarën. Ishte munduar aq
shumë ta harronte. S’ia kishte dalë mbanë. Imazhi i saj
e kishte ndjekur pas si një hije e zezë. Një ditë, atëherë
kur s’e priste, kjo hije kishte marrë pamjen e saj të plotë.
Klara po hakmerrej ndaj saj, megjithëse s’kishte qoftë
edhe një arsye të vetme për ta bërë këtë. S’do fitonte
asgjë duke iu kundërvënë. Më mirë ta injoronte. Vetëm
nëse nuk do mendonte për të do ta largonte nga jeta e
saj. Pikërisht, atëherë kur donte ta zbonte një herë e mirë,
ia kishte behur kjo telefonatë, apo ndoshta i qe fanitur
kjo pseudotelefonatë. As ajo vetë nuk ishte në gjendje të
bënte një përcaktim të saktë.
Duhej të qetësohej. Gjithë kjo trysni po e rrënonte.
Vendosi celularin mbi komodinë. Mund të kishte shumë
pasiguri atë çast, por nëse flasim për siguri, ishte vetëm
një. Kjo ishte thirrja e fundit prej ish shoqes së saj.
Nëse Klara e përkufizonte si thirrje për ndihmë
ishte thjesht dhe vetëm hipokrizi. Amarda kishte qenë gjithmonë pranë saj dhe plotësisht e gatshme për ta
ndihmuar. Kjo ishte një thirrje për të lënë vragë në zemrën
e Amardës, për t’ia prishur gjumin, për t’ia njollosur
ndërgjegjen, për t’ia vrarë ëndrrat. Vetëm hakmarrja
e Klarës mund të ishte aq gjithëpërfshirëse, saqë të
ngërthente brenda saj kufijtë e jetës dhe të vdekjes. Vallë
a do të mund të shuhej ndonjëherë?

No comments:
Post a Comment