Monday, January 15, 2018

Me prit...

Nata e fundit         Kapitulli VIII


     Nuk e dinte sa ecejake kishte bërë deri në kohën kur ra dera. Më kot iu shpeshtuan të rrahurat e zemrës. Ishte Ajla. Me siguri duhej të qe diçka serioze, përndryshe s’do ishte ende zgjuar në këtë orë.
     - Ami! Po flije?
     - Jo Ajla. Ç’është? Ke folur me Arbrin?
     - Do të të tregojë diçka. Eja të ulemi njëherë!
      - Më mirë mos fol! Kam kaluar në mbidozë lajmesh të këqija.
     - Pamjet që do të të tregojë s’kanë nevojë që t’i shoqërojë me fjalë. Vish diçka të mos ftohesh dhe eja të ulemi.
     U ulën aty ku ishin më parë. Të dyja ngulën sytë në ekranin e celularit të Ajlës. Përqendrimi zgjati për disa minuta.
     Më pas ra heshtja. Ajla nuk fliste. Mendonte se ajo tashmë e kishte bërë pjesën e vet. Priste që Amarda të thoshte diçka, ndërsa ajo ecte kuturu nëpër dhomë pa thënë një fjalë. Nuk komentoi asgjë me Ajlën. Ishte aq e tensionuar, saqë druhej mos thoshte diçka të pavend. Donte të fliste me Arbrin. Duhej. T’i telefononte, por a kishte të drejtë ta bënte? Jo pasi e kishte dëbuar nga apartamenti.
     - Ami, t`i telefonoj Arbrit?- e pyeti Ajla, duke kapur shqetësimin e fshehur pa kujdes në sytë e shoqes së saj. Zakonisht Amardës nuk i pëlqente kjo, por në këtë rast duhej të bënte një përjashtim. Ishte duke iu ofruar një zgjidhje.
     Pohoi në heshtje. Nuk kishte forcë të vepronte ndryshe. Të vetmen zhurmë e krijonte kërrcitja e dhëmbëve dhe e gishtave të saj.
     - Si thua, t’i kërkojë të vijë?
     Amarda ishte gati të hante veten me dhëmbë. Ajla e dinte ç`kishte ndodhur mes tyre, megjithëse ajo s’i kishte treguar asgjë, aq më tepër detajet. Me siguri duhej ta kishte bërë Arbri. I vinte turp, por jo nga shoqja e saj, nga vetja. Si kishte mundur të binte aq poshtë?
     - Po Ajla. Të lutem! Pasi bëri telefonatën u ul sërish në vendin e mëparshëm. Amarda shoqëronte si edhe më parë ecejaket e saj me mbledhjen e buzëve.
      - Mjaft Ami! Ma hoqe trurin. Ulu tani dhe shqepe gojën një herë e mirë!
     - Por...
     - Nuk ka asnjë por... ti mendon se është Arbri. E çfarë pastaj? Ç`të keqe ka këtu? Qëllimi është i qartë, të të ndihmojë. Ai diskrediton Klarën, rrjedhimisht gjithçka ajo thotë bëhet automatikisht e pabesueshme. Je ti që fiton në këtë rast.
     - Të lutem! Nuk dua të flas për këtë.
     - Thuamë një temë për të cilën do të flasësh ti e dashur! A ka ende diçka që të bën ta shqepësh gojën?
     - Mos më quaj ashtu! Nuk më pëlqen.
     - Si të duash. Për mua nuk ka problem.
     - Si thua, po fundosem?
     - Vetëm nëse është ajo që do.
      - Nuk e di më se ç’dua,- u mendua një hop dhe vijoi,- Ajla! Do të të kërkojë diçka, por mos ma merr për keq, të lutem!
     - Ky është luks e dashur. Ndodh kaq rrallë të më kërkosh diçka, saqë duhet shënuar në kalendar.- për një çast hetoi fytyrën e shoqes së saj, e cila iu duk ndryshe. - Përse u thartove në fytyrë? E thashë përsëri fjalën e ndaluar ëë? Pa dashje.
     - A mund të shkosh në dhomë? Dua të jem vetëm kur të vijë Arbri.
     - Njësoj është, si të jem këtu, si në dhomë. Ti e di se unë e kam zakon të përgjojë pas derës. Është ves që më ka mbetur nga fëmijëria.
     - Prandaj je shoqja ime më e mirë, sepse je e veçantë dhe origjinale.
     - Shakaja që bëre nuk ta mbuloi fytyrën e thartuar. Natën e mirë shoqja ime e padashur!
     - Natën dhe faleminderit që më kupton Ajla.
     - Më falëndero për bindje më mirë.
     Dera u përplas pas Ajlës. Nuk e bëri me qëllim, por as nuk i erdhi keq. I vinte inat me veten. Kishin një jetë të tërë që ishin shoqe, ndërsa Amarda e trajtonte përherë si të qe e tepërt. Donte ta ndihmonte kur kishte nevojë për ndihmë, por ja që ajo s’kërkonte dhe as pranonte ndihmë. Nuk hapej asnjëherë për problemet që kishte, ndërsa Ajla, si e marrë, vraponte tek ajo sapo gjendej përballë një vështirësie dhe kërkonte mendim prej saj.
     S’mund të ikte në mes të natës, megjithëse durimi i kishte sosur. Do priste mëngjesin. Le të merrej Arbri me të. Në fund të fundit ky ishte fati i tij. Ajla ishte lodhur, i kishte ardhur në majë të hundës nga një shoqe e tillë.
     Ndezi MP3-shin dhe vendosi kufjet. Nuk e hiqte asnjëherë prej çantës. Vetë e dinte se si duronte për orë të tëra në bankë pa dëgjuar muzikë. Kur ndonjë klienti i binte zilja e celularit ishte gati t’i ulte interesat e kredisë,- megjithëse kjo nuk ishte në dorën e saj,- nëse e linte celularin të binte dhe nuk do përgjigjej.
     Më tepër se dëshirë për të dëgjuar muzikë, në këtë rast, ishte dëshirë për të mos dëgjuar askënd dhe asgjë. Kur i qe zhdukur dëshira për të përgjuar pas dere, do të thotë se i ishte zhdukur çfarëdolloj dëshire.
     Njihte disa mënyra për të larguar stresin, zemërimin, energjinë negative akumuluar brenda një njeriu: të bërtiste, të qeshte, të godiste diçka. Asnjëra prej tyre nuk i dukej e volitshme. Sikur të vepronte si dikur? Të shkruante një letër. Kështu vepronte kur ishte ende fëmijë dhe nuk i pëlqente të hapej me askënd. Shkruante radhë të tëra, pa i kaluar në filtrin e vetëdijes.
     Në kohën kur shkruante, autocensura zhdukej. Në përfundim vendoste pikë, shenjën e vetme të pikësimit në tekstin e shkruar pa kujdes. Për të lexuar as që bëhej fjalë. Me ta përfunduar e zhubroste dhe e fuste në sobën me dru. Në kohën kur shkruante, Ajla ishte aq e përqendruar sa nuk dëgjonte asgjë. Kufjet dukeshin si një ornament. Kur përfundoi, mori frymë e lehtësuar. Kështu ishte ndjerë sa herë shkruante një letër të tillë. Pasi iu gëzua për disa çaste suksesit, bëri letrën shuk. Sa keq që nuk kishte një sobë me dru për ta futur. Ajo duhej të digjej pa u lexuar. Nuk donte të dilte nga dhoma për ta hedhur në kosh. Mund ta përplaste disa herë me radhë pas murit, kjo ishte një tjetër mënyrë për t’u ç’tensionuar. Megjithëse shumëkujt mund t`i duket absurde, për Ajlën kjo mënyrë e shkarkimit të ngarkesave negative funksiononte.
     Arbri po vonohej. Amarda e priste me zemër të ngrirë. Nuk dinte ku ta çonte mendjen më parë. Ç`kishte bërë Arbri? Ajo nuk kishte të drejtë ta pyeste për asgjë. I vinte plasje kur mendonte se ishte ajo vetë që kishte krijuar distancë mes tyre. Vet i kishte kërkuar ta largonte Klarën me çdo kusht. Nuk i qe dukur me vend të ndiqte rrugën ligjore duke u mbështetur në këshillat e Klajdit.
     Iu kujtuan fjalët e Ajlës dhe ndjeu të dridhura. Nëse ai bënte ndonjë hap të gabuar, ajo do ishte bashkëfajtore. Pesha më e madhe që mund të mbajë njeriu në jetë, sipas saj, ishte ndjenja e fajit, dhe ajo nuk mund të jetonte qoftë edhe një ditë në këtë mënyrë. E donte aq shumë, saqë s’do duronte kurrë ta shihte të vuante. Për të do ishte më mirë të vdiste.
     Amarda ishte e dërrmuar. Kishte përtypur me shumë dhimbje tradhtinë, më shumë se një herë, e megjithatë kishte mundur ta linte pas. Por kjo ishte ndryshe. Ishte dëshmi e gjallë e tradhtisë, përzierë me poshtërimin më të thellë. Tani nuk kishte më frikë se mos humbiste Arbrin. Tashmë e quante përfundimisht të humbur. Duhet të ruante atë pak dinjitet që i kishte mbetur. Nuk mund ta qortonte për asgjë. Duhej të kontrollonte veten dhe të ishte gjakftohtë.
     Arbri sapo u kthye pyeti për Ajlën. U lehtësua kur mësoi se po flinte. U rehatua në vendin e tij të zakonshëm. Amarda tirte biseda të përgjithshme, sa për të thënë diçka. Arbri përgjigjej vetëm duke pohuar, ose mohuar. Dukej i lodhur.
     Amarda priste kohën e duhur për të folur për atë që i interesonte. Kur ai me një justifikim koti u mbyll në dhomën tjetër për të folur në telefon, nuk duroi më. Gjithë jeta e saj kishte qenë një pritje e gjatë për çastet e duhura, një pjesë e të cilave nuk kishin mbërritur kurrë. Do t`i mblidhte gjithë forcat e saj. Nuk do t`i vinte më rasti për të folur me Arbrin.
     E ndjente se kjo ishte nata e tyre e fundit. S`mund të ishte një natë e paharrueshme për nga intimiteti, ky tashmë ishte një kapitull i përfunduar. Nuk donte t`i ikte kjo natë pa e shfrytëzuar në maksimum. Do t`i thoshte Arbrit të gjitha ato që nuk kishte pasur guximin t`ia thoshte më parë. Vetëm se duhet të përdorte pak takt. Ky i fundit s’i kishte munguar kurrë, ndaj përherë ishte ndrydhur duke mos folur.
     Priti që Arbri i heshtur të rehatohej në vendin e vet. U mendua edhe një herë mirë për atë që do t`i thoshte. Kur idetë iu bën më të qarta, u ul pranë tij.
     - Abi! Mendoj se ka ardhur koha të flasim hapur me njëri-tjetrin. Pa gënjeshtra, pa fshehur asgjë, duke mos u përpjekur të dukemi më të mirë nga sa jemi në të vërtetë.
     - Zemër! A mund të jesh pak më e qartë. Nuk të kuptova.
     - Ndërsa unë më në fund kuptova gjithçka, dhe nuk mundem më.
     - Të premtova. Edhe nëse nuk do më duash më si njeriun e jetës tënde, unë do të të qëndrojë pranë si një shok dhe do të të ndihmojë me aq sa mundem.
      - Mua nuk më duhet më një njeri si ti, as si i dashur e aq më pak si shok. Dhe ndoshta këtu qëndron edhe problemi më i madh, që ne nuk mundëm asnjëherë të ishim shokë. Do ishte normale që nga shokë të bëheshim të dashur dhe jo nga të dashur të bëhemi shok. Kjo është absurde.
      - E di ç’është absurde? Të mos bësh atë që ndjen, por të bësh atë që do bëjnë të tjerët, apo atë që do t`iu dukej normale të tjerëve. Për një herë të vetme në jetën tënde mendo vetëm për atë që do ti vërtet.
      - Duam, apo s`duam, ne jetojmë në të njëjtën botë që jetojnë edhe të tjerët. Është më mirë t`i hapim letrat mbi tryezë. Kjo është nata e fundit. E meritoj pak sinqeritet.     - Nuk kam qenë asnjëherë i pasinqertë me ty.- Arbri zgjodhi të fliste mbi sinqeritetin dhe jo mbi natën e fundit. Ajo ishte një temë mjaft delikate. Ishte mirë sikur ta harronin të dy.
     - Por, as i sinqertë nuk ke qenë dhe vazhdon të mos jesh. Përse?
      - Arsyeja është shumë e thjeshtë. Dua vetëm të të mbroj. Po të fsheh diçka, të cilën do të ta them në një kohë më të përshtatshme. Në këtë rast nuk jam unë që krijoj rrethanat, ato më kanë përfshirë në vorbullën e tyre.
     - S`të kam kërkuar ndonjëherë të më mbrosh! Nëse ti ndjehesh i përfshirë nga rrethana jo të favorshme, përse të mos flasësh me mua për to? Mendoj se është thjesht çështje zgjedhjeje.
    - Po sikur të jetë ndryshe? - Arbri e kuptoi se nuk duhej të fliste më tepër. Në gjendjen që ishte Amarda, nuk do t`i bënin mirë lajme të tilla.- Përse nuk ndërrojmë bisedë ? Është shumë vonë për t`u hidhëruar me debate të tilla.
      - Dakord. Si thua për të lundruar në internet?
     Të dy kaluan në studio dhe u ulën para kompjuterit, të lidhur me internetin, të cilin s’e fiknin asnjëherë. Arbrit iu duk e habitshme. Nuk po kujtonte asnjë rast që të kishin lundruar bashkë në internet. E megjithatë, mendoi, ka gjithmonë një herë të parë. Më e rëndësishmja ishte që ajo të kishte ende dëshirë për të bërë diçka bashkë, se çfarë, kjo pastaj kalonte në plan të dytë.
     Mund të kishte pritur gjithçka, kur Amarda hyri në You Tube.com por jo atë që pa. Ajo vendosi emrin e videos Gazetarja seksi. Nuk kishte menduar ndonjëherë se do shihnin një video kaq të fëlliqur bashkë. Ishte Klara, në praninë e një mashkulli, i cili shfaqej pak. Ai fliste duke e drejtuar për të kënaqur nevojat dhe dëshirat e tij, por zërin e kishte përpunuar sa për t`u bërë i panjohur, ndërsa fytyra nuk i shfaqej. Klara ishte aq e lirshme, si të qe aktore profesioniste e filmave porno.
     Amarda s’kishte nevojë ta shihte më këtë video, e kishte parë me Ajlën. Ajo hetonte fytyrën e Arbrit, muskujt më të vegjël të saj dhe detajet i regjistronte thellë në mendje. Donte ta ruante në kujtesë këtë pamje të fytyrës së tij. Nuk kishte dyshim se mashkulli në video ishte Arbri.
     I kujtohej se si e kishte filmuar në qendrën tregtare, plot dashuri e pasion. Më pas kishte vendosur celularin te një lodër pelushi. Kishte filmuar edhe veten, por jo në fytyrë, me shpinë. Në po atë mënyrë shfaqej edhe në videon me Klarën. Luftonte me veten për të mos përfytyruar sa pasion duhet të kishte vënë Arbri në këtë video.             Amarda s’kishte mundur të ishte e veçantë në jetën e tij. Me gjithë shpirt kishte dashur që ai të ushqente të njëjtat ndjenja të fuqishme si ajo. Për të ai ishte bota, ishte arsyeja për të besuar te e nesërmja. Nëse e nesërmja do të ishte pa Arbrin, më mirë të mos vinte kurrë.
     Iu kujtuan fjalët e Ajlës, ndoshta ai kishte menduar se duke e diskretituar Klarën do hakmerrej ndaj saj. Ky nuk ishte ndëshkim për Klarën, por për Amardën. Ajo s’e quante veten të fituar, siç pandehte shoqja e saj. Nuk mund të rrinte qoftë edhe një ditë tjetër me Arbrin. Ishte koha e lamtumirës.
      Pamja e tij do ta ndihmonte për ta harruar më lehtë. Pikërisht kjo do i duhej. Ajo kishte lexuar jo pak psikologji. Dashuria s’përfundon kur e urren një njeri. Urrejtja është një ndjenjë shumë e fortë, është vetë dashuria, por që përkohësisht ka marrë tjetër formë dhe vlerë negative. Dashuria vdes kur një njeri të neveritet.
     Kjo ishte situata ideale për t’i dhënë fund një herë e mirë dashurisë së jetës së saj, asaj dashurie të gënjeshtërt që e kishte mbajtur shtrënguar në kthetrat e saj të pamëshirshme duke ia zënë frymën. Ndoshta ajo që Amarda kishte quajtur dashuri të madhe të jetës së saj, nuk kishte qenë aspak dashuri, ndoshta qe thjesht një iluzion.
     - Përse më kërkove të shoh këtë video? Deri këtu ke arritur? Mendon se duke poshtëruar Klarën në sytë e mi do rrisësh përmasat e tua. Është si të duash të pastrohesh me ujë të pistë.
     - Nuk ka asnjë lidhje me Klarën, por me ty. Nuk mendoja kurrë të arrije deri këtu. Pa e kuptuar as vetë, Amarda ishte ngritur nga vendi ku qëndronte ulur, ishte vendosur përballë Arbrit dhe i tregonte kërcënueshëm gishtin tregues të dorës së djathtë.- Si arrite deri këtu!? Aq më tepër thirrja: Nëse ke edhe ti një video të tillë me gazetaren seksi, përse të mos e ndajmë së bashku? Si arrite deri këtu?!
     - Deri ku? A ishe ti që më kërkove të përdorja çfarëdolloj mjeti kundër Klarës? Tani s’duhet të më qortoje, por të më përgëzoje për gjetjen origjinale.
     - Ndoshta s’kam të drejtë morale të të qortoj. Por diçka nuk mundem të rri pa të ta thënë. Nuk dua të kem asnjë lloj lidhjeje me një njeri që bën një video të tillë. Mund të bëje çfarë të doje me Klarën, por nuk kishe asnjë të drejtë ta hidhje në You Tube.
     - Më korrigjo nëse gaboj. Sipas teje kjo video të dëmton ty. Ti nuk po shqetësohesh për Klarën, për ish shoqen tënde të ngushtë, për pothuajse ish motrën tënde, por për vete. Përse nuk përpiqesh për një çast të vendosësh veten në vend të saj? Përse nuk bën një sforco, fare të vogël, për ta kuptuar situatën në të cilën ndodhet ajo?
      - Ende duhet të mendoj për Klarën? Jo, pas gjithçkaje që ka ndodhur. As ajo e as ti nuk keni të drejtë të më kërkoni t’ju kuptoj. E di çfarë Arbri? Jam lodhur duke u përpjekur të kuptojë të tjerët. Kam harruar veten time, madje e kam mohuar në emër të të tjerëve. E di çfarë? Mjaft më! Nuk kam nevojë as për mbrojtjen tënde, as për shpjegime, as për shoqëri e as për ndonjë broçkull tjetër të këtij lloji.
     - Më thuaj diçka që ju nevojitet, madhëria juaj!
     - Mund të të them çfarë nuk më nevojitet. Ironia jote e athët. Dhe jo vetëm kjo, kam nevojë të mos e shoh më fytyrën tënde. Kurrë më. Ik një herë e përgjithmonë dhe merr çdo gjë tënden nga apartamenti im. Tani!
     - Zemër, të lutem mos u nxeh! Nuk të bën mirë për shëndetin.
   - E di çfarë nuk më bën mirë për shëndetin? Ti.
    - Ami, zemër,- foli Arbri me zë të dridhur e duke e përkëdhelur lehtësisht mbi dorë e mbi supe,- qetësohu se po nxjerr nga goja fjalë për të cilat më pas do pendohesh.
    - E di për çfarë do pendohem,- i tha ajo duke bërë disa hapa pas,- madje e gjithë jeta s`do të më mjaftojë për t`u penduar, për ty, vetëm për ty. Gabimi i parë dhe më i madh i jetës sime ishte që të fala kur më tradhtove. Gabimet e mëpasme rrodhën pas tradhtive të tua të mëpasme. Sa qesharake jam bërë. Nuk do të më mjaftojë gjithë jeta për t’u penduar.
     - Ami! Do zgjosh Ajlën!
     - Për herë të parë në jetën time nuk dua t`ia di për askënd. Jam në apartamentin tim, është jeta ime.
    - Zemër!
    - Nëse të ka mbetur qoftë edhe një fije dinjitet, megjithëse dyshoj shumë nëse ke pasur ndonjëherë, dil prej këtej, dil edhe nga jeta ime pa bërë më potere!
    - Por...
    - Nuk ka asnjë por... merr ç`ke për të marrë, sepse pragun e apartamentit tim nuk ke për ta kaluar për sa kohë të jem ende gjallë. Të betohem mbi gjënë më të shtrenjtë që kam, mbi vdekjen time.
     - Të lutem qetësohu! Nëse ti do që të dal, dal. Në këtë apartament më duhesh vetëm ti dhe asgjë tjetër, kështu që s`kam asgjë për të marrë. Qetësohu dhe flasim nesër.
     - S`ka më nesër. Lamtumirë Arbër! Mos u pafshim më kurrë.
    Arbri eci ngadalë drejt derës, ndërsa Amarda vetëm dy hapa pas tij me të njëjtin ritëm. Donte ta mbyllte mirë derën pas daljes së tij. Ai qëndroi në prag, u kthye drejt saj dhe u mundua ta shihte thellë në sy. Mundim i kotë. Nuk ishin sytë e zakonshëm, plot dashuri, mirëkuptim e butësi, të cilët ai ishte mësuar të shihte në njeriun e dashur, as sytë e thellë që tregonin dhimbje pa kufi. Ishin sy të turbulluar, mbushur me tërbim. Kishte përballë një njeri të transformuar së brendshmi deri në atë pikë, sa ai s’po e njihte më.
      - Edhe diçka të fundit Amarda Kristo. Vërtet mendove qoftë edhe për një çast të vetëm se mund ta kisha bërë unë atë poshtërsi? Unë të publikoja një video të tillë? Për asnjë arsye në botë nuk do t`i bëja diçka të tillë një vajze, cilado qoftë ajo, as Klarës. Zëri ishte përpunuar e ndryshuar edhe fytyra nuk dukej, por trupi i mashkullit, veprimet e tij megjithëse në gjysmerrësirë shquheshin qartë.
     Nëse ti ke dyshuar qoftë edhe për një çast të vetëm se djali në video ishte dashuria e madhe e jetës tënde, në këtë rast jam unë që duhet të të them lamtumirë. Sidoqoftë, është më mirë nëse flasim nesër. Në ndryshim nga ty, unë di ende të fal.
     Amarda përplasi me forcë derën pas tij. Arbri që e akuzonte se s’dinte të falte! Ç’i kishte bërë kësaj jete që e përballte me prova kaq të vështira? Nuk po kuptonte më asgjë. Nuk e dinte nëse inatin e kishte me Arbrin, apo me veten. Por, s’bëhej fjalë vetëm për inat. Vetëvlerësimi i saj kishte zbritur nën zero. Nuk arrinte asgjëkund të kapte fillin e jetës së saj, ai ishte ngatërruar keqas. Nëse do mendonte për çdo problem që kishte, do çmendej. U përplas mbi shtrat dhe u përpoq të mos mendonte asgjë. Ishte e pamundur.
     Në mendje i vinte fytyra e pikëlluar dhe e përlotur e Arbrit. Në sytë e tij kishte parë dhimbje si asnjëherë më parë. Ishte faji i saj. Sado të përpiqej, s’mund ta nxirrte nga zemra. Dhimbja e tij ishte njëkohësisht edhe dhimbja e saj. Për rreth dy orë u përpoq të mos mendonte asgjë, dhe kur ia doli mbanë, nuk mundi ta shijonte asgjënë, e zuri gjumi. Fjeti rëndë për disa orë.

No comments:

Post a Comment