Sajesa Kapitulli IX
Në zgjim ndjehej e përhumbur. Sikur të ishte vetëm
një ëndërr! Fatkeqësisht nuk ishte. I duhej të fliste me
dikë, përndryshe koka atëherë kur nuk e priste, do
t’i shpërthente nga presioni i madh i mendimeve të
ndrydhura brenda saj. Patjetër duhej të fliste me dikë, por
me cilin? Nuk ishte e sigurt nëse dikush do ta kuptonte,
por sidoqoftë ia vlente ta provonte.
Telefonoi të atin. Ai zgjohej herët, ende pa rënë drita.
Zëri i tij oshëtinte si të përplasej në një ambient të zbrazët.
Amardës iu duk e çuditshme. E pyeti ku ishte. Ai iu përgjigj
se zëri oshëtinte ngaqë ishte në kabinën telefonike. I ati e
harronte telefonin vend e pa vend, si ishte e mundur ta
merrte me vete në banjë? U kujtua për telefonatat e shumta
që ajo kishte bërë nga i njëjti vend për vite me radhë,
ndaj i ati e quante kabinë telefonike. Edhe Arbri ankohej
vazhdimisht se nuk e dëgjonte mirë.
Në zërin e tij kapi diçka të çuditshme. Nuk ishte prej
zbrazëtirës, por diçka tjetër, të cilën s’mundi ta shquante
qartë, megjithëse po sforcohej shumë për ta zbuluar. Ftohtësi,
ja se çfarë arrinte të përçonte kjo telefonatë. Donte të fliste me
të ëmën, por Sokoli i tha se ishte në gjumë të thellë. Sapo të
zgjohej, me siguri ajo vetë do kërkonte të fliste me të. Kishte
ditë pa ia dëgjuar zërin së ëmës. Ajo i kishte dërguar disa
mesazhe, siç vepronte zakonisht. Nëse telefononte Amardën
dhe telefonin celular e kishte fikur, atëherë ajo i dërgonte një
sms, për t`i thënë atë që kishte ndër mend.
Sipas saj, për gjithçka ekzistonte koha e duhur dhe për
asnjë arsye nuk duhej të zhvendosej në një kohë tjetër të mëpasme. Ditët e fundit, jo vetëm që nuk ia kishte dëgjuar
zërin, por edhe mesazhet ia kishte dërguar pa i bërë më
parë zile. Ja që nuk ishte vetëm kjo. Ato ishin më poetike
dhe jo aq problematike sa mesazhet e zakonshme. Të ishte
për shkak të moshës? Kush e di!
Me të atin nuk foli për asnjë shqetësim të sajin.
Ftohtësia që kapi në zërin e tij e zmbrapsi. Pastaj, nuk
iu duk e rastit që në një bisedë telefonike të fliste për
pafundësinë e shqetësimeve të saj. Ai e pyeti disa herë
për shëndetin, për Arbrin, duke këmbëngulur që ajo të
thoshte diçka specifike. Iu përgjigj përciptas. Detajet
e lëndonin aq shumë, sa në vend të zemrës ndjente t’i
krijohej një plagë e madhe.
Me cilin të fliste? Kishte shumë nevojë për dikë që
ta dëgjonte, ishte lodhur së foluri me vete. Për herë të
parë ishte e gatshme të zgjidhte gjuhën, por me sa dukej
askush nuk ishte njëkohësisht i përshtatshëm dhe i
gatshëm për ta dëgjuar.
Dera e jashtme u hap lehtë dhe po në këtë mënyrë u
mbyll. Mos ishte Arbri? Mendoi një hop. Jo. Duhej të ishte
Ajla. Kishte harruar që ishte aty. Po si nuk i kishte shkuar
mendja tek ajo? Ajla pothuajse i ishte përgjëruar që të
hapej me të. Si mundi ta harronte? Ajo vriste mendjen për
të gjetur dikë të gatshëm e të përshtatshëm për ta dëgjuar,
kur Ajlën e kishte vetëm dy hapa larg. Sa e marrë dhe e
patakt ishte treguar! Vetë i kishte kërkuar të mbyllej në
dhomë. Ajla nuk e meritonte këtë.
Duhej t`i kërkonte falje. I ra numrit të saj. E kishte
fikur. Ajla s’e fikte kurrë celularin, as kur ishte në orarin
e punës, vetëm sa i hiqte zilen dhe e vendoste me dridhje.
Nuk mund të jetonte pa të. Me siguri e kishte bërë për të
mos dëgjuar zërin e saj. Amarda do harronte ta merrte
më pas, ishte më mirë të vepronte si nëna e saj. Do t`i
dërgonte një sms ku t`i kërkonte falje. Ajla asnjëherë nuk
i kishte mbajtur mëri. Mendoi të bëhej gati dhe të shkonte në klinikë.
Aty mund të shpërqendrohej prej problemeve të saj të
pafundme, duke i injoruar si zakonisht. Mund të ishte e
dobishme. Duke veshur xhinsat blu dhe një këmishë ngjyrë
mjalti, mendonte se gjëja më e mirë ishte të merrte leje në
punë dhe të shkonte për disa ditë te prindërit e saj në fshat.
Aty mund të çlodhej. Ishte shumë e lodhur dhe kishte
nevojë të harronte. U përpoq të krihej, por krehri pothuajse
nuk ia arriti të depërtonte në kaçurrelat e saj rebel. Leu
buzët duke u dhënë vetëm pak shkëlqim. Do t`i kërkonte
Ajlës të shkonin së bashku. Ajo vetë ia kishte shtënë në
kokë këtë ide një natë më parë. Më pas u kujtua se duhej
të priste të nesërmen. E premtja ishte pushim. Prej vitesh
22 Marsi ishte festë zyrtare. Kishin plot tri ditë pushimi
në dispozicion. Duke veshur këpucët po mendonte se me
prindërit dhe me shoqen e saj më të mirë do ndihej si në
fëmijëri. Tani këta ishin tri njerëzit më të dashur dhe më
të rëndësishëm të jetës së saj. Me Ajlën gjithçka rregullohej
shpejt e shpejt, si përherë.
Para se të dilte u pa në pasqyrën e portmontosë, e
cila ndodhej përballë derës kryesore. Pamja e saj ishte e
rregullt si zakonisht. Në kokë i kumbuan fjalët e Klarës: Ti
vesh xhinsa si adoleshente dhe këmisha të gjata si plakat
që duan të mbulojnë celulitin. Flokët i ke si një kaçube.
Jo, ajo nuk do ndryshonte stilin e të veshurit për t’u bërë
qejfin të tjerëve. Pamja e jashtme ishte hallka e fundit në
zinxhirin e gjatë të problemeve të saj. Kishte nevojë që një
prej personave të dashur të dëgjonte zërin e përvuajtur të
shpirtit të saj dhe asgjë më tepër. Sa shumë dhimbje kishte
në të! Kishte nevojë të ndjehej e çliruar prej ndrydhjes së
vazhdueshme që i kish zënë frymën.
I ati dinte të lexonte edhe heshtjen. Ai kish aftësi të
veçanta për të dëgjuar e kuptuar njerëzit. Krijonte aq afërsi,
saqë të jepte përshtypjen se bëhej njësh me ta. Nuk besonte
se mund të ekzistonte diku një njeri tjetër i ngjashëm.
Në komunikimin me të ëmën ndjente një mur të
padukshëm. Çuditërisht, asnjëra nuk bënte përpjekje për ta
kapërcyer, aq më pak për ta rrëzuar. Pavarësisht gjithçkaje,
ajo mbetej nëna e saj, njeriu më i pazëvendësueshëm në
botë. Ishte plotësisht e bindur të shkonte në fshat. Atje ishte
vendi ideal për t`ia nisur nga e para. Kishte funksionuar
në të gjitha rastet.
Kur hyri në klinikë mori frymë e lehtësuar. Kjo ishte
mbretëria e saj. Këtu askush nuk mund t`i thoshte asgjë.
Ishte e zonja, e kujdesshme, e palodhur pra një profesioniste
e vërtetë. Sterilizoi mjetet e punës. Bëri kontrollin e
pajisjeve, mbajti shënime për çfarë nevojitej dhe ishte gati
për të nisur nga puna.
Kishte harruar të shihte lulet. Doli në ballkon dhe po
i sodiste me ëndje. Nuk i dhanë atë ndjesinë e çlodhjes së
përhershme. Ndërkohë kishte hyrë në klinikë një grua.
Ishte një paciente e rregullt e saj. Amarda u mundua që
të buzëqeshte, por me gjithë përpjekjet nuk ia doli mbanë.
Nga ana tjetër edhe pacientja iu duk ndryshe, madje u
interesua për doktor Ksejdin. Vetëm kur mësoi se ai do
vonohej për të paktën dy orë, vendosi të ulej. Nuk ishte në
gjendje të priste gjatë. Një dhëmballë i ishte infektuar dhe
e kishte lënë gjithë natën pa gjumë.
- Ju thashë herën e kaluar që duhet shkulur zonjë, por
ju patët frikë.- i tha Amarda pasi shqyrtoi filmin e grafisë.
- Kisha frikë, shumë frikë doktoreshë. Nuk kam
shkulur asnjë dhëmbë a dhëmballë në jetën time dhe më
duket e tmerrshme. Por tani jam e gatshme ta shkul, sepse
dhimbjet kanë qenë të padurueshme. Vetë e di se si e kam
pritur mëngjesin.
- Me këtë infeksion nuk mund ta shkulim. Do bëj
vetëm pastrim dhe mjekim dhe do t`ju jap antibiotik. Pa
u zhdukur infeksioni s’mund të ndërhyjmë. Amarda
përfundoi mjekimin dhe po plotësonte recetën. Në këtë rast
antibiotiku i vetëm që do bënte punë ishte augumentina.
- Doktoreshë, ju pashë në televizor, në Kanalin e
Lajmeve. Ishit ju, apo jo? Unë besoj...
- Po,- u përgjigj Amarda e bezdisur nga pyetja, së cilës
për fat të keq nuk kishte si t`i dredhonte.
- Im shoq më kërkoi të mos vija te ju, kishte frikë. Por
unë i thashë se ju njihja mirë. Duhej të qe vetëm ngjashmëri
e rastësishme.
- Ndaj pyetët se kur vjen doktor Ksejdi, apo jo?
- Po. E pashë që s’ju pëlqeu.
Amarda u ndje e rrënuar. Mbretëria e saj e patundshme
po goditej nga themelet. Ç`mund të bënte për ta shpëtuar?
A ishte me vend të largohej për ca ditë, apo jo? Po sikur
pacientët e saj të kishin frikë? Duhej të fliste me këtë grua,
sepse kishte nevojë të kuptonte më shumë në lidhje me
mendimet e pacientëve në këtë situatë të re dhe të pazakontë.
- Si mendoni zonjë, përse dikush, p.sh. bashkëshorti
juaj duhet të ketë frikë prej meje?- e pyeti Amarda duke
depërtuar thellë në sytë e saj. Donte ta merrte mesazhin sa
më të plotë, verbalisht dhe joverbalisht.
Gruaja u drodh si të kishte parë një shpirt të keq. U
çua, mori recetën, çantën dhe u drejtua për nga dalja.
- Më falni, por nuk kam kohë, më duhet të marr
antibiotikët dhe t`i pi çdo tetë orë, siç më thatë.
Amarda sa nuk plasi nga marazi. As përgjigje nuk kishte
denjuar të kthente ajo grua. Përgjatë dy viteve punë nuk i
kishte bërë keq askujt. Kishte marrë vetëm falënderime dhe
mirënjohje. Po sikur Pandi Rrënja t`i kërkonte të largohej
nga klinika? Ky po që do ishte fundi, mendoi. Më mirë të
vepronte siç kishte menduar më parë. Të ikte për ca ditë sa
ujërat të qetësoheshin. Ishte e sigurt se brenda një kohe të
shkurtër kjo histori absurde do harrohej.
Pas disa minutash erdhi edhe një pacient tjetër. Ishte një
mesoburrë. E shihte si të donte të zhbironte çdo muskul në
fytyrën e saj. I vinte t`i ulërinte në fytyrë dhe ta flakte jashtë.
Nuk e donte përqindjen që do fuste në xhep nga pagesa e tij. Por, ishte një profesioniste dhe duhej të sillej si e tillë. Etika
profesionale nuk duhej anashkaluar për asnjë arsye.
Pastrimi i dhëmbëve ishte një procedurë mjaft e gjatë,
plot 40 minuta, dhe ajo ndihej e torturuar nga sytë e tij që
i nguleshin ngado. Ishte një fytyrë e parë, por s’mbante
mend se ku. Në klinikë nuk kishte qenë ndonjëherë, për
këtë ishte e sigurt. Më në fund mbaroi. Kur i dha këshillat
e fundit për higjienën orale, iu duk sikur shpëtoi nga një
sëmundje e pashërueshme. Gati-gati sikur nxori një masë
tumorale nga trupi i saj. Në kohën kur po hiqte dorezat e
punës, pacienti ishte duke i zgjatur dorën.
- Urime doktoreshë! Jeni një profesioniste e vërtetë.
Amarda i dha dorën e hutuar. Në shtrëngimin e dorës
dhe në shkëmbimin e fundit të vështrimeve, iu duk njeri
tjetër dhe jo ai pacienti i mëparshëm që e bezdiste me
vështrime dhe me ankime të kota se ishte duke ndjerë
dhimbje.
Pati përshtypjen se më parë ishte duke aktruar dhe
vetëm ky i tanishmi ishte i vërteti. Nuk e pyeti nëse e
kishte parë në televizor. Nuk donte që edhe ai të ikte pa
e përshëndetur si zonja më parë. Për më shumë se një orë
nuk pati asnjë pacient dhe kishte kohë të mjaftueshme të
mendohej, por edhe të shqetësohej në lidhje me atë që do
të ndodhte në klinikë këtej e tutje. S’mund të duronte që
vendi i punës të kthehej në arenë cirku dhe pacientët të
performonin si palaço.
Kur erdhi doktor Ksejdi, në klinikë nuk kishte asnjë
pacient.
- Amarda, nga koha kur ke ardhur në klinikë ke folur
me dikë në telefon?
- Jo. Ti e di se unë e fik celularin para se të nis punën
dhe e ndez kur mbaroj.
- Po lajmet i ke parë sot?
- Nuk i shoh pothuajse asnjëherë, aq më pak në
mëngjes. Vetëm për çështjet që më interesojnë vërtet mund të ulem para ekranit dhe të shoh kronikën përkatëse.
- As unë nuk i shoh lajmet, por sot do bëjmë një
përjashtim. E di që nuk do të të pëlqejë.
- Jam e sigurt se do ta hapësh në Kanalin e Lajmeve.
Përsëri Klara... si nuk u lodh kjo vajzë?
E intervistuara e parë ishte mamaja e Xhoelit të vogël.
Më tepër se një intervistë, dukej sikur Klara ishte interesuar
për një rrëfim të gjatë dhe të plotë të saj.
- Të çuarit e djalit tim shtatëvjeçar, Xhoelit në një
klinikë dentare, në klinikën dentare Meteor u kthye në një
nga eksperiencat më të pakëndshme të jetës së tij dhe simes
njëkohësisht. Dentistja që punon aty, Amarda Kristo,
përfitoi prej besimit që unë tregova ndaj saj, duke i lënë
në dorë tim bir, dhe e ktheu atë kundër meje, duke bërë që
unë të dukem një nënë jo e mirë dhe e pakujdesshme. Në
këtë mënyrë ajo mundohej të krijonte personalitetin dhe të
lartësonte figurën e saj.
Falë Kanalit të Lajmeve u binda për atë që dyshoja, se
ajo nuk ishte një vajzë normale dhe të qenët pacient i saj,
sidomos në rastin e një fëmije përmban në vetvete një rrezik,
i cili duhet shmangur me çdo kusht. Zgjidhja e vetme është
të mos hysh në këtë klinikë. Ndaj dhe unë vendosa të ndaj
eksperiencën time me ju.
Amarda mbeti gojëhapur nga habia për mënyrën
se si ajo grua shtrembëronte realitetin. Në vend që ta
falënderonte se i mësoi të birin të lante dhëmbët dhe ia
hoqi si me dorë frikën e të shkuarit te dentisti, fliste për të
në ekran si të ishte duke folur me gratë e shkallës.
E intervistuara e dytë ishte vajza që ngjante me një
kukull barbi. Ishte veshur sërish me po ato ngjyra. Fustani
i saj ishte i bardhë e i shkurtër, ndërsa xhaketa, gjithashtu
e shkurtër ngjyrë rozë. Amarda instiktivisht ngriti kokën,
si të donte të shihte ngjyrën e këpucëve të saj. Të bardha
apo rozë?
- Të vajturit në një klinikë dentare mund të jetë gjithmonë e frikshme për këdo. Por, eksperienca ime e fundit nuk kishte
në vetvete thjesht frikë të papërligjur. Hyra në klinikën
dentare Meteor me besimin e plotë për të marrë shërbimin
e specializuar për të cilin kisha nevojë, dhe që në fund të
fundit e meritoja, meqë isha unë që paguaja.
Kjo u kthye në një nga eksperiencat më të pakëndshme
të jetës sime. Në ekranin tuaj pashë fytyrën e dentistes, e
cila jo që nuk më trajtoi me respekt siç dhe e kishte për
detyrë, por më bëri të ndjehesha aq keq sa të humbisja
ndjenjat. Kuptova se ajo kishte vërtet diçka që nuk shkonte
dhe kjo nuk ishte thjesht përshtypja ime. Kjo eksperiencë
kaq e hidhur është e para dhe njëkohësisht shpresoj të jetë
e fundit në jetën time.
Unë jam tani aq e informuar dhe kjo vetëm falë Kanalit
të Lajmeve, sa për të mos shkelur më në klinikën dentare
Meteor. Kur të dëgjoni arsyet e mia besoj se të gjithë do të
më jepni të drejtë...
Ajo vijoi me rrëfimin e saj se si kishte humbur ndjenjat,
sepse dentistja, jo vetëm që nuk e kishte trajtuar me respekt,
por e kishte ofenduar.
- Po tani, si do veprojmë?- pyeti Amarda së cilës i
kishin shembur kështjellën e ndërtuar me aq mund.- Kjo
situatë po merr tatëpjetën.
- Them se duhet të presim shefin. Kjo çështje po bëhet
e madhe. Në rastin e përmendjes së klinikës ka diçka më
shumë se një konflikt personal mes teje dhe asaj gazetares...
- Klara Ristanit.
- Duhet zbuluar gjithçka rreth saj. Jam i sigurt se edhe
shefi që po vonohet është duke u marrë me këtë çështje.
sapo tha këto fjalë, doktor Ksejdi e ndjeu veten të ulët. Ishte
duke menduar vetëm për klinikën dhe imazhin e saj dhe
jo për mënyrën që mund t’i kishte përjetuar Amarda të
gjitha ato shpifje. Vetëm dy ditë më parë ajo kishte humbur
ndjenjat. Ç’mund t’i ndodhte tjetër?
- E di se ç’po mendoja? Të marr disa ditë pushim dhe të shkojë te prindërit.- As Amarda nuk ishte duke menduar
për vete. Puna u kishte hyrë të dyve në gjak. Klinika ishte
bërë pjesë e pandarë, jo vetëm e jetës, por edhe e shpirtit
të tyre. Përbaltjen e emrit të saj e shihnin si zvetënimin e
vlerave morale të një qenieje njerëzore.
- Në asnjë mënyrë!
- Si the?- e pyeti e habitur. Ishte hera e parë që i fliste
kështu. Ai po ndërhynte në jetën e saj, në vendimet që
duhet të merrte ajo.
- S’duhet të largohesh nga klinika. Nëse kjo ndodh
është si të pranojmë se gjithçka që u tha është e vërtetë. Ti
nuk je kështu, nuk dorëzohesh lehtë, apo gaboj?
- Unë nuk dorëzohem lehtë, por këtë herë janë bërë
shumë probleme bashkë.
- Mjaft të kesh vullnetin t`i marrësh një nga një dhe ato
zgjidhen. Nëse i lë të gjitha së bashku, përfundojnë të të
marrin frymën.
- Kujt i thua!
- Në rastin konkret, asnjëra nga të intervistuarat nuk
përmendi joprofesionalizmin tënd. Secila prej tyre e vuri
theksin te mënyra e komunikimit. Një dëgjues i kujdesshëm
do vinte re se në fakt, ishte një problem i tyre dhe jo yti.
Komunikimi është përparësia e vetme që ke kundrejt meje,
në veçanti me fëmijët. Doktor Ksejdi priti që ajo të qeshte
pas këtyre fjalëve, por nuk mori as buzëqeshje. - Vërtet pacientet nuk përmendën joprofesionalizmin
tim, por as profesionalizmi im nuk u përmend gjëkundi,
apo gaboj? Dhe ishte pak e vështirë për t’i kuptuar drejt,
pasi që të dyja pohonin duke mohuar.
- Edhe një herë të lutem Amarda, si the që pohonin?
- Të pohosh duke mohuar është një nga mënyrat e
parapëlqyera të mjaft shkrimtarëve, të cilët u përkasin
epokave dhe stileve të ndryshme. E kam mësuar në
gjimnaz. Edhe vetë u habita që e mbajtkam mend ende.
- Ti veçove një tipar të përbashkët të të folurit të tyre, por jam i sigurt se kishte shumë më tepër.
- Sigurisht. Fjali të gjata, të cilat të lodhin veshin kur i
dëgjon. Struktura e njëjtë: hyrja ku përmendej eksperienca
e pakëndshme me dentisten, njohja me figurën time
përmes Kanalit të Lajmeve, vetëndërgjegjësimi, thirrja për
ndërgjegjësim teleshikuesve, duke i bërë kundër reklamë
klinikës sonë. Pjesa e fundit, të gjitha detajet e eksperiencës
së hidhur e të papërsëritshme në klinikë për shkak të
mungesës sime të taktit në komunikim. Stili i ligjërimit
ishte më shumë libror se bisedor. Dhe diçka tjetër. Klara
pothuajse nuk ndërhyri me pyetje. Më shumë se intervistës
i ngjante vetërrëfimit spontan.
- Nëse dy vepra do të kishin kaq shumë të përbashkëta,
në ç’përfundim do kishe arritur ti Amarda?
- Fare e thjeshtë. I ka shkruar i njëjti autor.
- Bingo! Këto nuk janë dëshmi, por...- doktor Ksejdit i
ngecën fjalët në grykë. Nga arka u njoftuan për ardhjen e
një pacienti.
- Do punosh ti. Dakord? Është një ditë normale pune.
Amarda po mundohej të mblidhte veten. Doktor Ksejdi
kishte të drejtë. Ishte një ditë normale pune. Zemra po i
dridhej. Problemi më i madh ishte se ajo ndjente edhe duart
t`i dridheshin. Herë-herë mendonte se ç’do të ndodhte me
të pas disa dhjetëra vitesh.
E tmerronte ideja se një ditë duart e saj do të dridheshin
në mënyrë të pavullnetshme, dhe ajo do ishte e paaftë për të
punuar. Për momentin e harroi emrin e asaj sëmundjeje nga e
cila vuante edhe gjyshi i saj. Ai kishte qenë infermier, por në
fshat të gjithë e thërrisnin doktor. Këshilli i komunës i kishte
dhënë titullin Qytetar Nderi. Ishte aq krenare kur përmendte
se ishte mbesa e tij! S’kishte njeri të mos e njihte. Sa e sa jetë
kishte shpëtuar ai duke rendur ditën dhe natën, në shi apo në
diell, me atë biçikletën e tij të lartë e të rëndë. Ndërsa tani, për
ironi të fatit duart e tij s’mbanin dot gotën për të pirë ujë. Jeta
ndonjëherë di të jetë edhe më mizore se vdekja.
Kur i gërryente dhëmballën pacientit i dukej se ishte
duke gërryer shpirtin e saj. Kur hoqi nervin me gjilpërën e
posaçme mendoi: Sa mirë do të qe sikur edhe nga shpirti i
njerëzve ta hiqnin dhimbjen në këtë mënyrë. Pothuajse nuk
e shihte fytyrën e pacientit. Në vend të saj shihte fytyrat e
pacienteve që ishin ankuar për të në mikrofonin e Klarës.
Sapo pacienti doli nga klinika u qetësua dhe mori
frymë thellë. Duart ca nga ca u qetësuan. Në klinikë erdhi
Pandi Rrënja. Ishte koha e mbledhjes. Amarda sapo hyri
në zyrën e tij pothuajse humbi ndjenjat. -Doktor Ksejdi e
ndihmoi të ulej në karrike. Pandi Rrënja u inatos me doktor
Ksejdin që e kishte lënë Amardën të punonte. Ishte hera
e parë që veprimi i tij i dukej jo vetëm i gabuar, por edhe
i papërgjegjshëm. Ai s’kundërshtonte vetëm punën e
Amardës, por edhe qëndrimin e saj në klinikë. Ishte tepër e
lodhur. Këmbëngulte se ajo duhej të çlodhej.
Doktor Ksejdi nisi t’i fliste tërë vetbesim për përfundimet
në të cilat kishin arritur me Amardën. Vetrrëfimet ishin
thjesht sajesa. Pandi Rrënja buzëqeshi nën buzë.
- Dëgjoni me vëmendje. Libri që unë po u lexoj nipit dhe
mbesës sime titullohet Hetuesit e vegjël. Është i shkrimtarit
amerikan Ron Roi dhe krijon një seri me rreth 18 libra nëse
nuk gabohem. Ju të dashurit e mi nuk jeni Roza dhe Dinku
që të hetoni, ndaj do t’ju lutesha të vijoni të qetë punën tuaj.
- Amarda! Ne nuk jemi hetues, por mjek stomatologë,
dhe si të tillë, tani duhet të ngrihemi e të bëjmë punën tonë.
Hetimet do ia lëmë në dorë Joshit. Më fal, shefit.
- Doktor Ksejdi! Urime, nuk e dija se edhe ti lexoje libra
për fëmijë. Lëre mënjanë ironinë dhe ulu shpejt, sepse do
flas vetëm një herë dhe nuk pres absolutisht asnjë koment
për këtë që do them!
Kam zbuluar se pronari i Kanalit të Lajmeve është
njëkohësisht edhe pronar i një klinike dentare të
porsahapur fare pranë nesh. Thelbi i problemit është
konkurrenca, e cila fshihet dhe struket më së miri pas figurës së gazetares, Klara Ristanit. Më e shumta që
publiku mund të perceptojë është xhelozi dhe mllefe të
vjetra mes vajzash, pra mes saj dhe Amardës.
Një hakmarrje e vogël televizive është e këndshme për
t’u ndjekur nga kushdo. Sidomos tani që vëmendja është
përqendruar te videot e shumta të gazetares bukuroshe
të publikuara në internet. Askujt nuk i bie ndër mend për
konkurrencën. Askujt veç meje sigurisht,- foli ai më i sigurt
se kurrë,- unë kam në dispozicion njerëz të specializuar
dhe planin e përsosur për të vënë çdo gjë në vendin e vet.
Këtë bisedë e deklaroj të mbyllur.
Amardës i erdhi në mend videoja e Klarës në internet.
Me sa kuptoi nga ato që tha Pandi Rrënja, duhet të qenë
publikuar edhe shumë të tjera. Pra, ajo thirrje që kishte
lexuar një natë më parë kishte funksionuar. Sa do donte
që reputacioni i Klarës të binte nën zero! Pas publikimit të
videove ajo nuk duhej të kishte sy e faqe as për të dalë në
rrugë, dhe jo më në një ekran televizori. Për herë të parë që
nga mëngjesi vuri buzën në gaz.
Me siguri qëllimi fillestar ishte për ta diskretituar
Klarën, por efekti ishte i kundërt me atë që pritej. Reagimi
erdhi shpejt, jo vetëm nga Kanali i Lajmeve, por edhe nga
kanale të tjera televizive. Shoqata e gazetarëve e pa si sulm
ndaj figurës televizive të një gazetareje, dhe jo si përpjekje
për të diskretituar moralisht një vajzë. U bë një temë dite në
rrjetet e ndryshme sociale. Të gjithë ishin të një mendimi,
se ai djalë, apo ata djem, cilëtdo qofshin ata, nuk kishin
asnjë të drejtë të publikonin video të tilla. Vajza ishte me të
dashurin e saj dhe mund të bënte ç`të donte. Intimitetin e
tyre, cilido djalë nuk kishte të drejtë ta bënte publik.
Çudia më e madhe ishte se në këtë debat u përfshinë të
gjitha moshat. Kjo temë shërbeu si kryeartikull me komente
për disa nga gazetat me tirazhin më të madh në vend.
Amardës i vinte plasje. Përvoja e punës së saj
dyvjeçare shumëzohej me zero nga videoja që kishte dalë prej kamerave të sigurisë së qendrës tregtare Mesdheu dhe
dy intervistave të pacienteve të depresuara të shfaqura
në ekran. Ajo madje diskretitohej publikisht se kishte
dashur të vriste veten. Më e keqja ishte se edhe këtu kishte
dështuar, si në shumë aspekte të jetës së saj.
Nga ana tjetër, Klara që vepronte si një prostitutë me
eksperiencë shumëvjeçare, dilte viktimë, madje një heroinë.
Kot nuk thoshin: I paç fatin, por jo zanatin. Mungonte vetëm
që t`i jepnin ndonjë medalje, apo ta bënin qytetare nderi
në fshatin e tyre të lindjes. Ky ishte kulmi i hipokrizisë së
kësaj shoqërie meskine, me rrënjë e me degë konservatore,
po që sillej si moderne, duke i dhënë të drejta të plota një
vajze të ekranit të sillej si një aktore filmash porno.
Nga përhumbja në mendime e solli në vete zilja e
celularit, të cilin e kishte vendosur mbi tryezë. As që e
mbante mend se e kishte hapur. Por, në situatën e rëndë
në të cilën ndodhej, mund edhe t’ia falte vetes gabime të
tilla. Të tre lexuan qartë se thirrja që po kryhej ishte nga
Arbri. Gjëja e parë që i erdhi ndër mend ishte ta bllokonte
thirrjen, por s’donte që problemet e saj t’i mësonin të tjerët.
E hapi pa dëshirë dhe me përtesë.
- Ami, në klinikë je? Kam për të të dhënë një lajm
vërtet të mirë. Çështja për të cilën në asnjë mënyrë nuk
të flisja dot mbrëmë, pasi të tilla ishin rrethanat, më në
fund u zgjidh në mënyrën më të mirë të mundshme. Do
të duhet të presësh disa orë derisa të vijë personalisht
për të të dhënë lajmin e mirë. Kjo do të jetë një ditë e
paharrueshme në jetën tënde, jam i sigurt. Amarda ia mbylli telefonin pa e përshëndetur. Pandi
Rrënja dhe doktor Ksejdi shkëmbyen vështrime të habitur.
Amarda u ndje edhe më keq. Doktor Ksejdit i dukej se ajo po
e përballonte situatën mjaft mirë. Nëse do t’i tregonte vendin
Arbrit, jeta e saj do të qe më pak e komplikuar. Me siguri ishte
shumë më e fortë nga sa pandehnin të tjerët dhe ajo vetë.

No comments:
Post a Comment