Dështimi Kapitulli X
Pandi Rrënja i kishte kërkuar disa herë Amardës të
shkonte në apartamentin e saj dhe të çlodhej, pasi sipas
tij kishte vërtet nevojë. Nga ana tjetër s’donte që ajo të
qëndronte vetëm. Foli me Gertën, sanitaren. Me pretekstin
se doktoresha ishte e lodhur dhe e sëmurë i kërkoi ta
shoqëronte dhe ta ndihmonte.
Amarda asnjëherë nuk kishte marrë dikë që ta
ndihmonte me punët, por ajo kishte një veçanti, ishte
shumë-shumë e rregullt. Me gjithë kohën e paktë që kishte
në dispozicion, apartamenti i saj shkëlqente nga pastërtia.
Ditët e fundit nuk i ishte përkushtuar ashtu siç do kishte
dashur vërtet. Kishte bërë vetëm ato punë që i qenë dukur të
domosdoshme. Për herë të parë dikush do ta ndihmonte. Për
këtë as të ëmën nuk e kishte lejuar. E kishte marrë malli për
të, sa do donte t`i dëgjonte zërin, por ishte orari i mësimit.
Do ta merrte më vonë, në orarin e pushimit të gjatë.
Gerta nisi nga puna. Të linte përshtypjen se e njihte
prej kohësh atë vend. Ajo e zotëronte këtë profesion
më mirë se ç`kujtonte. Jeta e vendos njeriun në prova të
vështira, dhe atij i duhet forcë dhe kurajë për ta përballuar.
Gerta i kishte harruar ëndrrat e dikurshme për karrierë në
fushën e mësuesisë. Jo se ishte njeri që kënaqej me pak,
por është një sfidë më vete që t’u sigurosh fëmijëve nevojat
më të domosdoshme jetësore. Pjesën tjetër që mbetej
mangët, ajo mundohej me mish e me shpirt ta plotësonte
me përkushtim, dashuri, përkujdesje. Ishte e gatshme për
sakrifica. Dhe pjesa më e bukur ishte se ajo merrte jo vetëm
dashuri, por edhe vlerësim në familjen e saj.
Amarda po ndjente një farë lehtësimi. Pastërtia ka efekt mjaft qetësues dhe pozitiv te femrat. U mbështet në
shtratin e saj dhe u mundua të çlodhej e të qetësohej. Ishte
e pamundur. Ai shtrat ishte aq i zbrazët pa Arbrin, saqë i
dukej se në mesin e tij ishte hapur një humnerë, e cila do ta
përpinte nga çasti në çast.
Shkoi në studio. Atje ishte një shtrat ku mund të
çlodhej. Të mos mendonte për askënd e për asgjë, pikërisht
kjo i duhej. Por ishte e pamundur. S’kishte pëllëmbë në
apartamentin e saj, sikundër nuk kishte një ditë të vetme
në jetën e saj, që të mos i kujtonte Arbrin. Kur mbështeti
kokën mbi jastëk ndjeu një zhurmë bezdisëse, e cila vinte
nga një letër e zhubrosur. Ishte letra që kishte shkruar Ajla.
Gerta e kishte gjetur dhe e kishte vendosur mbi shtrat,
ndoshta Amardës i duhet, kishte menduar ajo.
Hoqi mënjanë letrën duke e lënë të binte mbi dysheme.
Rehatoi kokën mbi jastëk. Mbylli sytë. Nuk donte të
mendonte asgjë, vetëm të qetësohej. Ishte e pamundur.
Koka i dukej aq e rëndë sa nuk mund ta ngrinte.
- Doktoreshë, ju kam përgatitur vaskën.
- Si the?- nuk po i besohej se e kishte dëgjuar vërtet.
Mos vallë po ëndërronte. Vetëm e ëma e llastonte kështu.-
Unë nuk meritoj kaq shumë!
Gerta iu afrua pranë shtratit ku ajo ishte mbështetur.
Përqendruar te sytë dhe shpërndarë në gjithë tiparet e saj,
Amarda gjeti dhembshurinë dhe dashurinë e një nëne.
Buzëqeshja e saj s’mund të ishte veçse një përkujdesje
mëmësore. Dhe kishin vetëm disa vite diferencë moshe.
Pyeti veten me zërin e brendshëm: Kaq mirë i bën
mëmësia çdo femre?
- Jo Gerta, jo! Unë nuk e meritoj përkujdesjen dhe
dhembshurinë tënde, të paktën jo deri në këtë masë.
- Ju meritoni shumë më tepër. Lodheni aq shumë në
klinikë, dhe nuk keni dikë që të kujdeset për ju. Më falni që
ndërhyj në jetën tuaj, por me pagën që merrni nuk duhet të
prekni asnjë punë shtëpie me dorë. Aq sa paguheni për një, apo dy orë punë që bëni, merrni dikë që bën gjithë punët e
javës në apartamentin tuaj.
- Nuk e kisha menduar ndonjëherë.
- Nëse e shihni se keni nevojë për ndihmë, unë jam gati
të punoj për ju në çfarëdolloj orari, pa asnjë lloj pagese.
- As mos e përmend atë fjalë.
- Unë vetëm nga ju u punësova në klinikë. Im shoq nuk
do të më lejonte të punoja në shtëpitë e të tjerëve, ndërsa te
ju është ndryshe. Unë bëj be për kokën tuaj.
- Ty të ka mbajtur në punë vetëm puna jote dhe jo unë.
- Në klinikë jam ndjerë e respektuar si askund tjetër,
dhe kjo falë jush.
- Nuk ke marrë asgjë më tepër nga sa meriton. Dhe të
lutem Gerta, më thirr në emër, sa herë ta kam thënë! Kur
më drejtohesh me ju më duket vetja plakë. Vazhdimisht
ia kishte përsëritur këtë Gertës, por ajo nuk hiqte dorë
nga e saja. E ndjente veten tejet të respektuar. Një pjesë të
respektit ajo e kthente pas në këtë formë. Kështu ishte ajo.
Amarda pasi veshi rrobëdëshambrin shpejtoi hapin
drejt vaskës. Mori me vete edhe letrën për ta hedhur në
kosh. Sigurisht edhe celularin, nuk donte të humbiste
telefonatën e së ëmës, e kishte marrë shumë malli për t`i
dëgjuar zërin.
Gertës i kërkoi, madje iu lut të largohej. S’mund të
abuzonte më tepër me bujarinë e kësaj gruaje. Edhe asaj
Amarda iu duk më e çlodhur dhe e qetë. Me punët hë për
hë kishte mbaruar.
Amarda u fut në vaskë. Avujt e ujit kishin ngopur ajrin.
I dukej vetja sikur ishte futur mes një mjegulle të dendur.
Sa pas dore e kishte lënë veten. Gjithë problemet i kishin
hipur mbi kokë dhe s’e linin të merrte frymë. Gerta kishte
të drejtë. Ajo kishte aq para sa të paguante dikë për t`u
kujdesur për apartamentin. Sot nuk e kishte ndjerë veten
mirë, kur dikush tjetër bënte punët e saj. Ndoshta ishte
normale t’i ndodhte një zonje shtëpie herën e parë që dikush merrte të drejtën të vinte dorë mbi objektet për të cilat ajo
ka gjithmonë një histori për të treguar, në mos që nga lindja
e tyre, qysh nga blerja, apo dhurimi. Gradualisht, të zonjat
e shtëpive mësohen sa u duket diçka krejt normale, madje
lënë çelësat e shtëpisë apo apartamentit, pa e ndjerë të
nevojshme të jenë të pranishme gjatë pastrimit.
Mes asaj mjegulle avulli, Amarda nisi të analizonte
zbrazëtinë e jetës së saj. Atë e mbushte vetëm puna. Nuk
bënte asgjë për të fituar miq të rinj, dhe kohë mbas kohe
humbiste nga miqësia e vjetër. Në këtë kategori nuk
futeshin vetëm shoqëria e gjimnazit, por edhe e fakultetit.
Adresën në facebook pothuajse nuk e përdorte, po ashtu
edhe adresën në twitter që ishte hapur kohë më vonë.
Ndërsa e-mailin e përdorte disi më dendur, por ndonjëherë
një mesazh i ardhur priste ditë të tëra e ndonjëherë edhe
javë për t’u lexuar.
Më e çuditshme nuk ishte zbrazëtira, por mungesa
e çfarëdolloj përpjekjeje për ta mbushur atë. Madje as që i
bënte përshtypje gjithë ajo zbrazëtirë e kobshme. Ndoshta
ishte pikërisht ky shkaku që e kishte bërë Arbrin herë pas
here të lodhej prej saj dhe të kërkonte dikë tjetër. Përse vallë
ishte rikthyer tek ajo? A e kishte dashur vërtet? Me këto
mendime nuk do shkonte askund. Mbylli sytë sërish. U
shkëput plotësisht prej realitetit. Kur ishte shumë e lodhur, i
ndodhte të dremiste edhe në karrige. Arbri i thoshte me shaka
se ndoshta ishte koha të dilte në pension të parakohshëm.
Ishte në klinikë. Një ditë e zakonshme pune. Aty hyn
Klara, mikrofoni që mban në dorë ka logon e Kanalit të
Lajmeve.
- Ç`di të bësh ti Amarda Kristo? Ke marrë fund. Ti nuk
di të bësh asgjë, asgjë. As të sillesh me pacientët s’di. Ke
marrë fund Amarda. Pranoje!
- Unë di ende të bëjë diçka e dashur, madje ndryshe
nga gjithë mjekët stomatologë që ti mund të njohësh.
Ulu të ta tregoj!
Klara duke qeshur gjithë ironi u ul në poltronë.
Amarda mori darët. Klara ende e ironizonte dhe e pyeste
duke zgjatur mikrofonin se ç`dinte të bënte.
- Ja, këtë di të bëjë ende, madje më mirë se çdokush
tjetër.
Duart nuk i dridheshin, nuk përdori anestezi. Ia kapi
dhëmballën e fundit sipër me darë, atë dhëmballë që
shënohet nga mjekët stomatolog me numrin tetë, ndërsa
gjyshja e quante dhëmballa e syrit dhe ia tërhoqi aq fort sa,
së bashku me dhëmballën dara tërhoqi pas edhe një pjesë
të nofullës.
Hapi sytë e tmerruar. Me zor merrte frymë. Nuk ishte
gjendur ndonjëherë para një makthi të tillë. As në ëndërr
s’kishte ndjerë kënaqësi. Amarda ishte e bindur se Klara i
kishte shkatërruar jetën, por gjithsesi nuk ndjeu asnjë lloj
kënaqësie kur i shkaktoi asaj këtë dhimbje të tmerrshme.
Ndjeu të dridhura në trup.
Sa herë shihte ëndërr sikur i shkulte dhëmbë dikujt, ai
ose dikush tjetër vdiste patjetër. Kishte ndodhur të paktën
disa herë. Po dridhej e tëra. Edhe uji ishte ftohur, madje
mjegulla e mëparshme pothuajse ishte davaritur. Gjurmët
e saj dukeshin vetëm në xhamat dhe pasqyrat e veshura.
Pllakat e kaltra të mureve i ngjanin një qielli dikur të kaltër,
pushtuar nga re gri, të cilat rigonin shi mbyturazi.
Hapi ujin e nxehtë. Trupi nisi t`i ngrohej nga pak.
Sinjali i celularit për mbërritjen e një sms-je e shkëputi
nga mendimet. U çua me të shpejtë nga vaska. Ndoshta
ishte e ëma. Ndërsa trupi i saj lëshonte avull dhe kullonte
ujë pikë-pikë, ajo fshiu vetëm duart dhe mori celularin.
Koshi i plehrave i pambyllur plotësisht, ngjante sikur ishte
duke kafshuar letrën e zhubrosur që ajo kishte hedhur më
parë. E tërhoqi në mënyrë instiktive, sikur të ishte duke e
shpëtuar nga gllabërimi. U fut sërish në vaskë dhe hapi
mesazhin. Ishte thjesht një njoftim promocional për paketat
e reja telefonike. U ftoha kot, tha me vete. Hapi letrën e zhubrosur. Diçka duhej të kishte aty. E njohu menjëherë
shkrimin e Ajlës. Ajo shkruante shkujdesur e pa kokëçarje.
Që kur kishte nisur punë në bankë thoshte se vetëm për të
firmosur i hynte në punë shkrimi i dorës. Lexoi:
E dashur ish shoqja e jetës sime
nuk është qëllimi i kësaj letre të të bëjë të më kërkosh falje
për gjithë të kaluarën tonë sepse nuk më duhen as të falurat
dhe as justifikimet e tua mund të qëndrosh e qetë dhe e pa
bezdisur në guaskën tënde sepse unë që nuk munda të të
nxjerrë prej saj një jetë të tërë nuk mund t`ia dal mbanë
tani dhe as që shpresojë të më falësh për dështimin sidoqoftë
ti vijo e qetë rrugën tënde duke ditur se unë isha e vetmja
shoqe që të kishte mbetur të shpreh ngushëllimet për fundin
e epokës së shoqërisë tënde nëse të ngushëllon dije se unë nuk
do jem vetëm pasi kam një duzinë me shokë e shoqe të tjera
nga të gjitha rrethet e Shqipërisë.
Mbeti e hutuar, madje ndjeu mpirje në gjithë trupin.
Përse t’ia kishte shkruar Ajla një letër të tillë? Mungesa
e shenjave të pikësimit vështirësonte të kuptuarit saktë.
Apo, në rastin më të mirë e kishte bërë tekstin të humbiste
kuptimin, ose të merrte një tjetër kuptim, që ndoshta nuk
kishte aspak lidhje me të. Ishte si të shumëzonte me zero
edhe një nga rolet e jetës së saj, atë të shoqes së ngushtë.
Kishte marrë fund. E zhubrosi letrën përsëri. Nuk
dinte ç`të bënte me të. E pa t`i binte nga dora dhe të zhytej
në vaskë. Ndjeu se uji u ndot nga prania e saj dhe ajo nuk
mund të qëndronte më aty. U ngrit me të shpejtë dhe po me
atë ngut u shpëla. S’mund ta duronte atë ndjesi të shëmtuar
mbi lëkurë. U mblodh me rrobëdëshambër, ndërsa flokët i
mblodhi shkujdesur me peshqir. Prej tij zgjatohej një fije
dhe po i binte mbi sy. U drejtua për nga dhoma të merrte
gërshërët, nuk mund të duronte diçka të parregullt.
Prej andej dëgjoi zërin e televizorit, i cili ishte hapur në Kanalin e Lajmeve. Ajo nuk mbante mend ta kishte ndezur.
Në televizor u shfaq Pandi Rrënja. Intervista ishte live
dhe realizohej nga Klara. Si kishte mundur ajo të hynte në
klinikë? Si kishte guxuar? Me siguri shefi do ta mbronte.
Do thoshte se Amarda nuk ishte as mendjemadhe e as
hipokrite, dhe se punonte me përkushtim duke i respektuar
në maksimum pacientët. Duhej të thoshte gjithashtu, se
ishte mjaft rigoroze në punë. Ishte pikërisht kjo që i duhej.
- Në radhë të parë ju falënderoj për intervistën. Është
nder për mua të dal në Kanalin e Lajmeve, një nga televizionet
më prestigjioz dhe të besueshme në vend, dhe për më tepër
të intervistohem prej gazetares më bukuroshe.
Sa për intervistat që ju paraqitët, sigurisht që i ndoqa
dhe nuk mund të mohoj asnjërën prej dëshmive. Por,
unë nuk e kam hapur këtë klinikë që njerëzit të vijnë e
të paguajnë për të biseduar, dhe atyre, meqenëse nuk
u pëlqen biseda, të ikin. Po të mos u pëlqejë të flasin me
doktoreshën, le të vijnë e të fjalosen me mua. Unë jam
gjithë ditën i papunë... Nëse të flasësh për njerëzit të quajnë
thashethemexhi, flasim për kafshët. Unë jam veteriner dhe
kam mjaft njohuri në këtë fushë.
Amarda fiku televizorin dhe përplasi telekomandën
pas murit. Gërshërët e rënda i ranë nga dora me zhurmë.
Gjithçka kishte marrë fund për të. Roli i stomatologes
gjithashtu nuk kishte përmbushur pritshmëritë e
nevojshme... as për mendimin e shefit. Ndjente se koka po
i shpërthente. Vetëm e ëma mund ta nxirrte nga kjo situatë.
Formoi numrin e saj. Asnjë përgjigje. Provoi ta merrte me
numër të fshehtë. Përse të mos e provonte ndryshe? Në
fund të fundit s’kishte ç’të humbiste. Le të ishte në mësim,
le ta linte një herë dreqin e mësimit përgjysmë për të folur
me të bijën që ishte në pragun e çmendurisë. Në fund të
fundit rregullat janë bërë për t`u thyer.
Zilja po binte. Sa mirë që nuk e kishte fikur!
Sapo telefoni u hap ajo priste të dëgjonte zërin e ëmbël të së ëmës, por kur dëgjoi një zë mashkulli t`i përgjigjej, e
mbylli telefonin. Mos kishte gabuar numër? Jo. I ra sërish.
- Alo! Kush jeni?
- Ju kush jeni që përgjigjeni në telefonin e Soni Kristos?
- Unë jam shoku i dhomës.
- Cili thatë se jeni?
- Shoku i dhomës thashë. A doni t`i them diçka kur
të zgjohet? Më vjen keq ta zgjoj tani, sepse ka kaluar një
natë mjaft të lodhshme dhe unë mund ta kuptoj më mirë se
kushdo tjetër. Edhe unë vetë ndjehem i sfilitur.
Amarda nuk mund të thoshte asnjë fjalë. I dukej se
gjithkush po tallej me të dhe po e vinte në lojë. Ç’ishte ky
shok dhome i së ëmës? Ç’ishte ky mirëkuptim i plotë dhe
kjo sfilitje e përbashkët?
- Edhe një herë ju lutem, cili thatë se ishit?
- Dëgjoni vajzë, na lini të qetë, sepse nuk mund t’ia
lejojmë vetes luksin të merremi me njerëz që nuk kanë ç`të
bëjnë veçse t`na bezdisin.
Amarda mbylli celularin. Ja ku dështoi dhe në rolin e saj
të fundit, si vajzë. E ëma nuk donte t’ia dinte për të. Ia kishte
lënë celularin në dorë një zot e di se kujt dhe për ç’arsye. Për
ditë të tëra as i kishte rënë ndër mend të fliste me të bijën.
Pati sërish atë marrje mendsh si edhe më parë në klinikë.
Nga përhumbja e solli ndër mend vetëm zilja e celularit.
E hapi, por askush nuk përgjigjej. Dëgjoheshin vetëm të
qeshura. Kush tallej me të? Deri këtu kishte arritur! Zilja e
celularit s’pushonte së rëni. Ajo shtrëngonte veshët me duar,
por zhurma i depërtonte deri në tru. Tani askush nuk dilte
ballazi të fliste me të, madje as për të folur nuk denjonin.
Kishin ndot prej saj. Ajo nuk vlente më asgjë, asgjë.
Vrapoi në banjë. E hodhi celularin në vaskë. Duhej të
shpëtonte prej tij. Në vesh i oshtinin të qeshura. Ajo kishte
dështuar gjithkund dhe nuk vlente as si stomatologe, as si
e dashur, as si shoqe, as si vajzë. Ajo ishte një zero.
Të gjitha fytyrat e njohura, dikur të dashura qeshnin dhe talleshin me të. Secili prej tyre në fazën e vet finale.
Vetëm e ëma s’denjonte të shfaqej vet. Në vend të saj
shfaqej një djalë i ri, i cili i kërkonte ta linte të qetë të
ëmën që ishte në shtrat. Të gjitha këto ishin shumë,
jashtëzakonisht shumë, për t’u përballuar. Mbi tryezë
ishin gërshërët që ajo kishte lënë më parë. Ky ishte imazhi
i fundit që u regjistrua në kujtesën e saj.

No comments:
Post a Comment