Thursday, January 18, 2018

 
     FRIKE

                            I dashur!
   Po të drejtohem me letër, sepse duke të parë në sy s'mund të të them gjithë sa kam për të të thënë.
   Kur të shoh në sy rikuptoj se të dua më shumë nga ç'kujtoja. Harroj ç'kisha ndër mend dhe gjithë sa të them është të dua.
   Sot më propozove të jetojmë bashkë. Si gjithmonë, s'munda të të them jo. Fundja... kur kam pasur ndonjëherë guximin të të kundërshtoj!?
   Nga çasti i parë kur të pashë në sy, nuk ndjeva vetëm dashurinë tënde, e cila menjëherë bëri që të lindë dashuria ime. Ndjeva se ti kishe një pushtet absolut mbi mua. S'më mbetej zgjidhje tjetër, veçse të të bindesha.
   Unë kam qenë dhe do jem  jotja. Jo në kuptimin e fanatizmit të rëndomtë e vulgar, sepse askush veç teje s'më ka bërë tijën. Kështu shpreheni ju meshkujt, apo jo?
   Ti je dashuria ime e parë, dashuria ime e vetme, e përjetshme. Ti je djali i parë që kam parë në sy, që më ka përkëdhelur flokët. Je i vetmi që i kam pëshpëritur aq fjalë të ëmbla, të cilat më parë as e dija që ekzistonin.
   Dhe përsëri, këto nuk janë arsye të mjaftueshme për të të thënë se jam vetëm jotja. A e di përse jam vetëm jotja? Sepse nuk jam e vetvetes.
   Unë s'kam më pushtet mbi qenien time. Ai të përket ty. S'mund të mar asnjë vendim, të ndërmar ndonjë inisiativë. Gjithë sa bëj është bindja.
   Kam frikë të jetojë në një shtëpi me ty i dashur. Në po atë mënyrë që ndjej dashuri të pamatë për ty, ndjej edhe një frikë të pafundme.
   Ndoshta kjo të duket e pakuptimtë, pa logjikë. Fundja kështu janë të gjitha ndjenjat, përfshi edhe dashurinë.
   Unë kam shumë frikë të jetojë me ty i dashur, sepse s'mundem të të them jo, s'mundem të të vendos kufij. As që dua të imagjinojë ç'mund të më ndodhë. Unë do mbetem në çfardolloj situate njeriu që të bindet verbërish, peng i vendimeve të tua.
   Besoj në Zot, por dyshoj se ai mund të jetë i pranishëm njëkohësisht në gjithë shtëpitë ku ka femra vullnetdobëta. Ç'më mbetet për të bërë vallë?
   Unë s'di të jetojë pa ty. Nuk mundem as ta mendoj. Kam frikë. Ti je dashuria ime, jeta ime, oksigjeni im.
   Mbetem në pritje. Jo të përgjigjes tënde. Unë s'kam guxim të ta jap këtë letër, do ta gris sapo ta nënshkruaj. Megjithëse, dyshoj se do gjej guximin për ta nënshkruar.
   Mbetem në pritje të asaj që ti do vendosësh për jetën time, për fatin tim.
   Përjetësisht vetëm jotja, me dashuri të pamatë dhe frikë të pafund...

No comments:

Post a Comment