Tuesday, January 16, 2018


ENDERRIM

  
       A ëndërroj? Sigurisht që po, në çdo kohë dhe për gjithçka. Madje, ndonjëherë vras mendjen gjerë e gjatë: Si është të ndalesh së ëndërruari një herë e përgjithmonë? Dhe pasi jam përsiatur në sa e sa shpërqendrime dhe ëndërrime, rikthehem aty ku nisa. Të jap përgjigje. Të mos ëndërrosh do të thotë të vdesësh.
   Por, kjo ҫështje s’është aq sipërfaqësore sa ҫ’duket në pamje të parë. Për mua nuk mjafton të ëndërrosh, por të luftosh pareshtur që ëndrrat të marrin jetë. Për mua: Nëse nuk ëndërron je e vdekur. Nëse ëndërron dhe nuk përpiqesh t’u japësh ëndrrave jetë, je në gjendje kome.
   Rasti ka edhe përjashtime. Një kategori njerëzish, fatkeqësish shumë e madhe në numër, që ëndërrojnë, por për të tjerët. Rasti më tipik për mua, prindërit e mi. Për ju prindërit, apo të afërmit  tuaj. Ata punojnë, mendojnë, sfiliten pareshtur, vetëm e vetëm  për të na siguruar një të ardhme sa më të mirë. Janë gati të japin edhe jetën për ne. Itinerari i rrugëtimit: lindje, rritje, edukim, shkollim, fejesë, martesë, blerje shtëpie, makine, rritje fëmijësh etj. etj. Përgjatë këtij udhëtimi të gjatë e të vështirë, harrojnë veten. Ndaj dhe për mua është njësoj sikur të jenë në një gjumë letargjik.
   Nuk pretendoj të kem shumë njohuri nga psikologjia, por zgjimi nga letargjia e këtij grupimi mund të jetë jashtëzakonisht traumatik. Kur fëmijët, madje ndonjëherë edhe niprit e mbesat  arrijnë të dalin në jetë dhe s’kanë më nevoja për sakrificat e tyre, më në fund ata hapin sytë. A e di se  ҫfarë shohin para tyre? Asgjë. Kur kthejnë kokën pas... gjithҫka. Vitet kanë ikur tashmë për të mos u kthyer. Ata as që e kanë vënë re. A munden të ëndërrojnë përsëri vetëm për veten e tyre? Fatkeqësisht një pjesë  nuk ia dalin. Kanë harruar një herë e mirë ta bëjnë këtë. Vendi i ëndërrimeve, i cili ka mbetur i zbrazët prej shumë kohësh,  u shërben  parafytyrimeve të trishta të plakjes dhe tmerrit të vdekjes. E ҫ’rëndësi mund të ketë që tashmë janë zgjuar nga letargjia? Gjithë sa u mbetet është qëndrimi i shtangët dhe pritja e ankthshme e vdekjes. Me ҫfarë ngjajnë? Me mumjet. Me disa detaje të vogla: në vend të fashove kanë rroba. Në vend të aromës së keqe, emetohet ankth, dhe tmerr, jo aq nga frika prej vdekjes, sa nga frika për jetën që i pret. Të kthyer në hije të vetvetes, gjithë sa mund të bëjnë, është të trazojnë jetën e atyre për të cilët u vetsakrifikuan. Po a ia vlejti gjithë sa bënë? Gjithsecili mund ta gjykojë vet. Për mua jo.
   Këtu mer shkas ëndrra ime më e madhe në jetë. Të mos kem në ndërgjegje një, apo më shumë jetë të pajetuara për fajin tim, si dhe të mos heq dorë nga ëndrrat e mia për faj të askujt. E di mirë që nuk është aspak e lehtë për të realizuar ëndrrat, por unë jam e gatshme t’i përvesh mëngët mirë.
   Ndaj të njëjtat mendime me vëllanë tim binjak. Sapo përfunduam provimet e Maturës Shtetërore, nisëm punë. Prindërit nuk na lejonin që të punonim më parë. Sipas tyre, angazhimi i vetëm për ne duhej të ishte shkolla.
   Megjithëse asnjëri prej nesh nuk do kryejë studimet e larta, shkollën e mesme dhe provimet i morëm me seriozitet, të paktën deri diku. S’kishim përse të sfiliteshim, siҫ bënë një pjesë e shoqeve dhe shokëve tanë që do të shkojnë në universitet. E dinim fare mirë që studimet tona do mernin fund aty. Ekonomia familjare nuk na lejon të shkojmë më tej.   
   Puna që gjetëm unë dhe im vëlla ishte në kuzhinën e një restoranti, që për fat të  mirë nuk e kemi larg shtëpisë. Ëndrra ime ishte të bleja një aparat fotografik profesional, ndërsa e tim vëllai një kompjuter, prodhim i këtij viti.
    Dita e parë ishte sfilitëse. Kishim punuar trembëdhjetë orë pa u ndalur, si të ishim robotë. Kishim larë gota, pjata, tiganë, tenxhere të stërmëdha. Por, më shumë se gjithҫka, energjitë m’i kishin shterur sobat e gatimit dhe furrat, të cilat dukeshin sikur nuk ishin pastruar kurrë. Kishim qëruar qepë, hudhra, patate. Këmbët i ndieja të fryra, sikur do të më plasnin. Megjithëse i mbajta në ujë të ftohtë, më dukeshin të nxehta. Im vëlla nuk e jepte veten. Më solli disa kuba akulli në një qese plastike. Të paktën ato më bën të mos e ndieja dhimbjen.
   Dhe unë sërish ëndërroja. Ëndërroja aparatin tim fotografik që do ta blija shumë shpejt. Ëndërroja në kuzhinën e restoranit, me këmbët e fryra të rrethuar nga kuba akulli.

  




No comments:

Post a Comment