Thursday, January 18, 2018

KUKULLA


   A e mban mend atë kukull të bukur, mrekullinë e fëmijërisë sonë!? Mos u nxito për të mohuar. E di motra ime e dashur që ne s’kemi pasur asnjëherë një kukull të vërtetë. Nuk ishte për mungesën e dëshirës sonë, as neglizhencë nga ana e prindërve tanë të përkushtuar maksimalisht ndaj nesh. E jetuam fëmijërinë në atë kohë që na erdhi, nuk e zgjodhëm ne të jetonim në një kohë pa lodra të vërteta.
    Nëse nuk të kujtohet kukulla, do të të postojë një foto timen  me të në krahë.  Por, po të kërkojë paraprakisht të mos tallesh me veshjen. Është verë dhe unë kam një fustan të bardhë shumë të bukur, po që më rri aq i ngushtë, saqë nuk arrijë ta kuptojë si kam mundur të hyjë brenda tij. Si të mos mjaftonte, materiali është poljestër. Në atë kohë vetëm këtë material dalloja symbyllurazi. Më bënte të djersija. E ndieja t’më ngjitej pas lëkurës e t’më bëhej njësh me të. Por, unë nuk ankohesha asnjëherë, sepse më pëlqente vetja me atë fustan.
    Të lutem, mos u tall me këpucët e lëkurës ngjyrë kafe,  që sikur të mos mjaftonte ishin edhe me qafa. E solli rasti që babi të shkonte në Tiranë në muajin korrik dhe m’i bleu, paçka se ishin të paktën katër numra më të mëdhenj se këmba ime. Për shumë vite në vazhdim ato këpucë i mbathëm me krenari dhe lumturi unë dhe më pas ti. Ishim të vetmet në shkollën tonë të fshatit që kishim këpucë lëkure ngjyrë kafe, mbi të gjitha të blera në Tiranë.
    Buzëqeshja ime është e shtangët, e ngrirë. S’kishte si të ndodhte ndryshe. Ajo kukull nuk ishte jona. E kisha marë te të afërmit tanë, sa për foto. Ne e vlerësonim si një objekt të çmuar dhe unë nuk mund ta përqafoja dhe të qeshja e lumtur, siç bëja me kukullën tonë të madhe, e cila ishte aq e fortë, saqë mund ta përdorje edhe për t’i shkaktuar fraktura dikujt. Unë thjesht e mbaj në duar kukullën në foto, me shumë kujdes, madje edhe me frikë, se mos pa dashje i shkaktoja diçka të pakëndshme.
    E di motra ime dashur!? Me kalimin e viteve u shërova nga adhurimi për atë kukull të mrekullueshme. U shërova në kohën kur kuptova se edhe pronarët e saj, të afërmit tanë, ishin johumanë, thjesht  kukulla, njësoj si ajo që adhuronim në heshtje dhe ëndërronim syhapur të kishim edhe ne një të tillë.


    M’u desh shumë kohë për të kujtuar me dashuri dhe nostalgji kukullën tonë të madhe dhe të fortë. Atë kukull që më bëri së pari të provoja instiktin mëmësor.
    Nejse, këtë ta tregojë herë tjetër, për sot nuk mund të durojë të flasim më për kukulla. A nuk mendon edhe ti se sot kujtuam mjaftueshëm prej tyre! Uhuuu! Gjithë familjen e të afërmëve tanë.

Elda Gjini

No comments:

Post a Comment