ESEJA E KRAHASIM – KONTRASTIT NE LETERSI
NJËKOHËSIA DHE SHUMËKOHËSIA NË ROMANIN MODERN HISTORIK
“Salambo” e G. Flober dhe “Sytë e Simonidës” Dhimitër Shuteriqi
“Salambo” e G. Flober (1862) dhe “Sytë e Simonidës” Dhimitër Shuteriqi (1998), janë të dy romane historik.
“Salambo” na ҫon në Kartagjenën e shk. III pk, në luftrat punike mes kartagjenasve dhe romakëve. “Sytë e Simonidës” na ҫon në Bizantin e shk. XIV.
Në të dy romanet kemi nota romantike, përshkruhet bota ekzotike, jeta, zakonet, veshjet, morali etj.
Secili prej romaneve ka një linjë romanike dashurie. Por, ëndrra e dashurisë së vërtetë, dërrmohet nën presionin e forcave brutale. Heroinat e romaneve, përkatësisht Salambo dhe Simonida, kanë besim tek forca e dashurisë, kërkojnë prej saj, prej të dashurit. Ja që magjia e dashurisë, poetika e saj, thërmohet nga realiteti prozaik i kohës. Ajo ҫka mbetet është vetëm një iluzion.
Të dy romanet janë njëkohësisht edhe romane modern. Përbërës të modernitetit: simbolika e personazheve, arketipat, grotesku, absurdi, kontrasti (në strukturë) etj.
Gjithashtu, edhe ndërtimi ritmik është një shprehje e modernitetit. Kjo vërehet më tepër në romanin “Salambo”. Floberi, pasi shkruante, lexonte me zë frazat e romanit, për të ndjerë ritmin dhe muzikalitetin e tyre.
Mënyra se si shkrimtari “sillet” me kohën, se si e përdor atë, e bën një vepër moderne, ose jo.
Shumëkohësia është një nga përbërësit kryesor të prozës moderne.
Te “Salambo”krijohet shëmbëlltyra e kohës historike. Rrëfehet për luftrat punike midis kartagjenasve dhe romakëve. Rrëfehet për personazhe historikë si Hamilkari, por edhe për personazhe të trilluara. Efekti që ato përcjellin te lexuesi, është se flitet vetëm për Kartagjenën e shk III pk dhe vetëm për ngjarje historike.
Ky përfundim del nga leximi i parë, por për një lexues që njeh mirë edhe historinë e kohës në të cilën jetoi Floberi, ndodh ndryshe. Nga ky lexues, në roman, midis rreshtave që rrëfejnë për shk III pk në Kartagjenë, lexohet Franca e shk XIX, në kohën e Floberit, nën tiraninë mbretërore.
Përftesa niset prej historisë, për në bashkohësi. Mund të themi se kemi një analogji kohore, e cila mbetet e jashtme. Këtë lidhje e bën lexuesi, duke pasur parasysh si tekstin, po ashtu edhe historinë. Brenda përbrenda veprës s’mund të flasim për analogji kohore, mund të themi vetëm se flitet për Kartagjenën e shk III pk dhe jo për Francën e shk XIX.
Në “Sytë e Simonidës” hasim shumëkohësi. Kemi një ngjarje që zhvillohet në shk XIV. Në këtë shekull na shpjenë kronika të ndryshme, shënime, ditare dhe letra të gjetura. Mbi gjithë këto është ndërtuar një histori, e cila herë-herë merr edhe nga legjendat.
Shpesh kalohet gjashtë shekuj më vonë, në shk XX, pra në bashkohësi. Në këtë shekull, ku sytë e Simonidës nuk ekzistojnë më. Dikush i ka verbuar ata sy të mëdhenj prej ikonave. Por edhe lufta që bën shqiptarët me fustanella të bardha pas gjashtë shekujsh duket e kurorëzuar. Shqiptarët e kanë fituar tashmë Pavarësinë. Rrëfehet për vitet 1912, 1915 dhe arrihet deri në njëzetë e pesë vjetorin e Pavarësisë.
Por, duke na dhënë Bizantin e shk XIV, duke na dhënë veshjet e shqiptarëve, dhe se sa të vështirë e kishte Bizanti me këtë vend. Jepen toponime të shumta, me anë të të cilave tregohet që populli shqiptar është një popull i lashtë, autokton dhe me tradita, që mbrojti trojet e veta me gjak dhe nuk e humbi kurrë krenarinë, dinjitetin, moralin. Kjo luftë kurorëzohet me Pavarësinë e vendit.
Kronikani simbolizon kujtesën historike, ndërsa poeti është një urë lidhëse, midis shk XIV dhe atij të XX.
Te “Salambo” kemi një analogji kohore, por ajo është e jashtme.
Te “Sytë e Simonidës” kemi shumëkohësi. Flitet për shk XIV, por edhe për shk XX. Pra, kemi njëherësh histori dhe bashkohësi.
No comments:
Post a Comment