Monday, January 15, 2018

     SHEFI





     As vetë nuk di të them me saktësi si përfundova në karriken që ndodhem sot. Nuk mund të ankohem, pasi është mjaft e rehatshme. Rrotullohet pa zhurmë, rrëshket lirshëm mbi rrota, mund të zgjatet apo shkurtohet në pjesën e shpinës, madje baza e saj mund të largohet, apo afrohet nga dyshemeja. Por, ka edhe raste kur ajo më lodh, apo më keq akoma, kur prania e saj më duket e padurueshme. Jam plotësisht i sinqertë në pohimet e mia.
     Dua t’i largohem. Dhe kështu bëj. Rehatohem në kolltuk. Në butësinë e tij zhytem i tëri me mjaft dëshirë. Përballë është bari i vogël dhe unë shkas ngadalë vështrimin mbi kanatet e tij të drunjta. Trashësia e drurit nuk më pengon aspak të perceptoj shishet që gjenden përtej atyre kanatave. Të gjitha pa përjashtim kanë përmbajtje alkooli. Nuk mund të ndodhte ndryshe. Vendi më i përshtatshëm për to është pikërisht aty. Ngjan pak a shumë si një panair pijesh në miniaturë. Dhe është i gjithi imi.
     Mund të shkoj drejt tij, të marrë një gotë dhe të kthej në të pijen që më pëlqen më shumë sot. Të rehatohem sërish në kolltuk dhe me pijen që ma do shpirti, vodkë pjepri, të zhytem i tëri në këtë situatë të re të jetës sime. Por kjo s’është punë për mua. Unë s’mund t’i tejkaloj kompetencat e mia. Në fund të fundit unë jam një njeri që i përmbahet rregullave. Gjithçka duhet të bëj është të shtyp një buton. Kur  e pashë për herë të parë nuk arrija të gjeja një shpjegim bindës mbi ngjyrën e tij të gjelbër. Por, s’e kisha me ngut. Fundja, njeriu s’mund t’i mësojë të gjitha në një ditë.
     Me të shtypur butonin, në zyrë hyn Suela. Ka pamjen e një vogëlusheje, ose së paku mua më pëlqen që ta quaj kështu në mendjen time. Këpucët e saj krijojnë një trokitje të lehtë e ritmike mbi dysheme.  Nuk e shpjegoj dot specifikën e kësaj zhurme, por di të them se kjo ndodh vetëm me të. Ndoshta është për shkak të takave të larta.
     Me të hyrë aty në mënyrë të pashmangshme më drejton së paku dy fjalë Urdhëro! dhe Shef! S’më kujtohet ndonjë ëndërr rinie për t’u bërë shef, madje as ndonjë lojë fëmijërie ku unë të shfaqesha si lider. Ndonjëherë as vetë nuk arrij ta besoj që jam këtu ku jam. Por, ja që jeta kështu është. Ca gjëra thjesht ndodhin.   
    Vetëm një minutë më pas ajo është përkulur përballë meje, duke kthyer vodkë pjepri në gotën e kristaltë. Aroma e pjeprit përzjehet me parfumin e saj. Kështu shqisa ime e të nuhaturit sulmohet njëkohësisht nga aroma e pjeprit dhe e luleve. Më në fund po më ndodh diçka e bukur, pikërisht këtu, në zyrën time. Suela është përkulur përballë meje.
    Nuk ka dekolte të hapur, përkundrazi, një këmishë të bardhë, të mbërthyer deri në fyt. Kostumi i saj është blu i errët, xhaketë me kopsa metalike dhe pantallona me atë vizën e hekurosjes që të japin përshtypjen sikur janë të sapo presuara në fabrikë. Madje duket sikur ia kanë qepur veshur.
    Le të themi se veshja e saj tejkalon çfardolloj parashikimi tim të mëparshëm për veshjet femërore. Këtu më duhet të qesh me vete. E kur paska ndodhur që unë të kem ëndërruar për një veshje femërore? Le të themi se e kundërta ka ndodhur shpesh, madje shumë më shpesh. Por, kjo s'përbën ndonjë çudi në vetvete nëse i referohesh një djali të moshës sime. Çudi përbën fakti që në këtë zyrë jam si i burgosur. Unë s’mundem më as të ëndërroj e as të fantazoj.
   Për një çast shkundem prej mendimeve të ngrysura dhe përpiqem t’i shpie sa më larg. Më duket vetja njeriu më me fat dhe më i rëndësishëm në botë. Kam shumë më tepër nga sa kam dëshiruar. Pikërisht në këtë kohë kthej kokën nga karrikja. Nuk di përse, por sa herë e shoh ajo se ç’ka një efekt mistik mbi humorin tim. Po ç’dreq pushteti ka ajo karrike mbi mua?
   E kapa gotën fort me të dyja duart dhe e piva me fund vodkën e pjeprit që më kishte hedhur Suela. Në stomak ndjeva një djegie të lehtë. Para se të nisja punë në këtë zyrë unë nuk pija.  
   Mes gjithë të mirave që i lakmojnë jo pak vetë, të qenurit shef ka edhe një të keqe të madhe. Koha e lirë është me tepri, por unë s'mund të dal jashtë. Nuk e kam fjalën për jashtë vendit, por për të dalë jashtë zyre. Para se të hyja në punë kisha bërë një marrëveshje të tillë, pak të çuditshme. Nëse doja të punësohesha si shef, atëherë do isha një shef me kohë të plotë. Nuk duhej të shkoja me vonesë në punë, por as të dilja para orarit zyrtar, në mos po lamtumirë karrikes.
     Mamaja më shihte teksa lidhja kravatën. I mbushte sytë me lotë. Më thoshte se kishte ëndërruar gjatë të vinte kjo ditë.  Nuk arrij ta kuptoj përse një nënë mund ta ëndërrojë të birin me kravatë. Por, ndoshta nuk ishte thjesht dashuria për kravatën. Ajo e kishte inatin me xhinsat. Sidomos me ato modele që shfaqeshin të zbardhura e të grisura. Sapo nisa punë i hoqi menjëherë nga garderoba ime.
    Përsëri sytë më shkuan te karrikja. Pamja e saj se ç’më krijonte një gjendje ankthi. Kishte vetëm një mënyrë për të mos e parë. U ula në të. Mund të them ç’të dua, por rehatinë s’mund t’ia mohoj.
    Suela më njoftoi se dikush kishte ardhur të më takonte. S’e kisha idenë kush. I dhashë leje të hynte. Në fund të fundit, s’do më shkëpuste nga kurrfarë pune. E vetmja punë që bëja prej dy javësh ishte të nënshkruja. Vulën që gjendej mbi tryezën time të punës e përdorte Suela. Ajo më tregonte se ku duhej të nënshkruaja dhe sapo unë kryeja të vetmen punë për të cilën paguhesha, ajo vuloste djathtas nënshkrimit tim.
    Ndoshta pata një përshtypje të gabuar, por buzët e Suelës ishin mbledhur dhe balli i qe rrudhosur. Diçka kishte ndodhur që ia kishte prishur qejfin vogëlushes. S’e kisha parë ndonjëherë kështu. I harrova shpejt këto detaje. Në fund të fundit tani ishte koha për diçka tjetër, për diçka ndryshe. Ishte vizita e parë jozyrtare që më bëhej qysh nga marrja e detyrës. Kush mund të ishte?
     Në atë kohë u dëgjua një vërshëllimë. Për herë të parë në zyrën time hyri pakëz jetë. E njoha menjëherë. Ishte Altini, shoku im i gjimnazit. Ishte çapkën i pandreqshëm. S’e kisha harruar sinjalin tonë me vërshëllimë, por tani jam zyrtar dhe jo vetëm veshja duhet të jetë serioze. Ndërsa ai kishte veshur ato lloj xhinsash që ime më urrente për vdekje, një t-shirt ngjyrë portokalli dhe atlete të bardha. Ajo që Altini nuk toleronte ishte mungesa e gjallërisë dhe humorit. Kudo ku ishte ai kishte jetë.  
     Nuk e mbaj mend sa herë trokiti dorën me timen e sa herë më përqafoi. Dukej njeriu më i lumtur që më shihte shef. Kjo fjalë tingëllonte çuditshëm në buzët e tij. E ftova të uleshim e të rehatoheshim në kolltuk. Butoni jeshil e solli menjëherë Suelën aty. Ajo e dinte se ç’duhej të bënte. Vendosi mbi tryezë gotat e kristalit dhe mori shishen me martini të bardhë. Ishte pija e preferuar e Altinit.              
     Sikur të bëhesha shef për të paktën një ditë!
     Suela u soll sikur të mos kishte dëgjuar e as kuptuar gjësend, por unë e pash se si mblodhi buzët dhe vetullat.
      -A t’ia hip një herë karrikes tënde?-  kështu fliste, nuk kishte përse të më mbetej qejfi. Dhe me t’ia hipur nisi të rrotullohej, të shkiste me ndihmën e rrotave dhe të afrohej e të largohej nga dyshemeja. E përshkroi si një mrekulli. S’e kuptova në e kishte fjalën për karriken, apo për të qenurit shef. Në fund të fundit s’kishte ndonjë ndryshim të madh prej të dyjave. Atëherë kur nuk e prisja m’u lëshua me një pyetje që më gjeti të papërgatitur.
    -Si mendon ti shoku, i duhet gjetur shefit karrikja, apo karrikja shefit?
     Nga situata më nxori Suela.
    -Shef! Duhet të bëheni gati për mbledhje!
     Në kohën kur Altini shoqërohej për të dalë nga zyra, më premtoi se do kthehej sërish. Nuk i ktheva përgjigje, ndoshta ngaqë s’kisha kohë, pas pak do niste mbledhja.
     U ula në vendin tim dhe nisa të mendoja. Ende s’i kisha kthyer përgjigje pyetjes së Altinit, ndoshta duhej ta mendoja në një kohë më të qetë.
      Pas disa minutash në zyrë hyri Suela. Ishte përskuqur në fytyrë sikur ta kishin zënë në faj.
    -Mos ke emocione për mbledhjen?- i thashë. S’nevojitej ndonjë zgjuarsi e madhe për të kuptuar ironinë time të rrafshët.
    -Më fal shef! M’u duk zgjidhje për të dalë nga situata.
     Në mbrëmje në shtëpi mamaja dhe babai më mbytën me këshilla se si duhej të sillesha dhe ç’njerëz të prisja në zyrë. Duhej të mësoja gjëra të reja, që më hynin në punë dhe t’i harroja ato që s’më duheshin. Mos kishin folur me Suelën? Me siguri ajo duhej t’u kishte treguar për Altinin.
     Të nesërmen në mëngjes e kisha mbledhur mendjen. I kërkova Suelës të sillte një karrike në zyrën time dhe ta vendoste në kahun tjetër të tryezës së punës. Ajo zyrë ishte shumë e madhe për të qëndruar vetëm.
    Sapo e solli, i kërkova të ulej. M’u duk si e zënë në faj. Isha i sigurt se kishte folur me prindrit e mi. Ishte në pritje të akuzave të mia. S’munda ta akuzoja. Nuk më vinte keq për të, por për veten. A mund të ekzistonte një shef si unë pa ekzistuar një sekretare si Suela?
    -Si mendon,- i thashë,- ç’mund të bëjë për të qenë i dobishëm? 
    -Ju jeni mjaft i dobishëm shef!- më tha ajo duke u përskuqur në fytyrë. Ishim aq pranë njëri-tjetrit, po aq larg nga e vërteta.
    Dhe s’kishte si të ndodhte ndryshe. Qëndronim në kahe të kundërta të tryezës së punës. Unë, i ulur në karriken time, isha shefi.

No comments:

Post a Comment