Tuesday, January 8, 2019

PREMTIMI


Ditën e fundit të vitit e nisa me ty.
Sepse jetës time pafund i mungon...
Fare pranë... sy ndër sy... ndër sy,
Pavarësisht se më buzëqesh,
Pafund... pafund më trishton...
Dielli i sapolindur dukej i mekur,
Mardhur bryme ishte gjithçka.
Gjithçka zbardhur... ngrirë...
Të heshtura selvitë lartësoheshin sakaq,
Lulet që të kisha mbjellë ishin vyshkur,
Goditur prej të ftohtit ishin tharë...
Por, unë lule do të të mbjell sërish...
Veç prit të kalojë ky acar!
Mbështeta shuplakat mbi mermer,
Mbi mermerin e akullt vetmitar,
E ftova ftohtësinë t'më hynte në shpirt,
Me ftohtësinë e akullt të të ndjeja më pranë.
Thyer pendimesh rash në gjunjë,
Pa lotë para teje... lotët ishin tharë...
Dhe ndjesë të kërkova... pafund ndjesë
Nevojë kisha të dija se më falë...
Ndjesë për veprime e mosveprime...
Ndjesë për të thëna e të pathëna fjalë...
Ndjesë për gjithë  brishtësitë e shkuara...
Të premtova se edhe kësaj here do t'ia dal.
I bëra grusht duart e mpira... grusht...
Derisa thonjtë i ndjeva në mish...
Të pëshpërita sakaq një premtim...
Një premtim që e dim veç unë e ti...
U largova me buzëqeshjen tënde në sy,
Me brymën që ndërgjegjen më zbardh...
Me premtimet që ktë vit do t'u jap jetë,
Me ty... përjetësish në shpirt do të të mbaj.

Elda Gjini
2019

No comments:

Post a Comment