Thursday, December 27, 2018

SIKUR...



Mësuam të jetojmë pa ty nënë...
Tepër e vështirë, por ia dolëm mbanë.
Shumë mund për t'i ridhënë ngjyra jetës,
ngjyra që pa ty shkëlqim nuk kanë.

Mësuam të bëhemi të forta,
madje edhe kur s'jemi, të ngjajmë.
Ecëm dhe ecim përpara,
siç na mësove, me kokën lart.

Por, a e di e dashur nënë?
Pa ty asgjë s'është si më parë.
Pa ty brengat bëhen më të rënda.
Pa ty gëzimet s'marrin krahë.

Edhe kur jemi të gjithë bashkë,
Të lumtur, rreth të voglit Deniz,
sytë edhe në buzëqeshje na përloten...
Sikur këtë gëzim ta ndanim me ty...

Me sa shumë mund e lodhje na rrite,
e dimë veç ne, e dimë veç ne dhe ti...
Sikur të ishe me ne sot, as mund, as lodhje!
Nënë! Pafund do t'jepnim lumturi...

Elda Gjini
2018

No comments:

Post a Comment