KAPITULLI VI - NË
FAMILJEN E RE
Vjollca më kërkoi të hyja me këmbën e djathtë në shtëpinë e tyre. Kështu
bëra, ndonëse s’kam besuar kurrë te bestytnitë. Në fund të fundit, nëse kjo
s’do të më sillte asgjë të mirë, s’mund të më sillte as ndonjë të keqe.
Futja ime në atë shtëpi shënonte një fazë të re të jetës sime. Kisha me
të vërtetë nevojë të besoja se gjithçka do shkonte mirë. Isha duke provuar aq shumë ndjesi njëherësh,
saqë isha përshtjelluar si pa e kuptuar. Gjithë sa duhej të bëja ishte të
merrja frymë thellë dhe të isha e qetë.
Ajo
shtëpi më jepte një siguri të veçantë. I ngjante një çerdheje të ngrohtë. Me të
drejtë. Njerëzit që jetonin aty ishin të lumtur. Kjo u lexohej në sy. Sa shumë
doja të bëhesha njësh me ta!
Vjollca dhe Ylli ishin një çift ideal në cilindo aspekt. Të realizuar në
planin profesional dhe atë personal. Kishin rritur dhe edukuar tre djem të
mrekullueshëm. Djemtë s’kishin ndjekur studimet e larta, ndonëse të tre kishin
përfunduar gjimnazin me rezultate të shkëlqyera. Kjo jo për faj të ndokujt,
ndoshta për faj të kohës, e cila e kishte parë universitetin si diçka të
rëndomtë e të pavlerë, ndërsa emigracionin si një mundësi të artë për të
ardhmen.
Flori, më i vogli i vëllezërve ishte martuar para dy vjetësh dhe kishte
dy djem binjak, të cilët qysh nga lindja gëzonin shëndet të plotë. Kështu,
mamaja e tyre Mirela ia kishte dalë mbanë e vetme të kujdesej për ta.
Nikoja, vëllai i madh i Bledit ishte martuar me një vajzë greke, Eleni.
Emrin e ri e kishte dhuratë nga bashkëshortja. Ajo ishte disa vite më e madhe,
por ç’rëndësi mund të kishte kjo? Ata jetonin të lumtur së bashku me tre djemtë
e tyre.
Sipas fjalëve të Vjollcës, nusja greke ishte e përsosur. Kishte meritë
të veçantë që tre vëllezrit jetonin të lumtur e në harmoni të plotë nën të njëjtën
çati. Gjithashtu, ata ishin të angazhuar në rrobaqepësinë që ajo kishte
trashëguar nga familja e saj. Duke pasur një punë të qëndrueshme dhe duke
punuar me orar të zgjatur e të stërzgjatur, ekonomia e tyre ishte përmirësuar
ndjeshëm. Secili prej vëllezërve kishte llogarinë e vet bankare me disa zero.
Ata ishin rritur dhe edukuar me dashuri për punën. Prindërit e tyre ishin
shembull i gjallë për faktin se përkushtimi në punë, jo vetëm përmirëson
ekonominë familjare, por edhe të ngjit në shkallët më të larta të suksesit duke
të të dhënë kënaqësi.
Sa
më shumë i shihja ata të katërt, sa më shumë përpija rrëfimet tyre për kohë të
afërta e të largëta, vetbindesha se përkrah Bledit dhe mes familjes së tij më
priste një jetë e lumtur. E ku ka më mirë se njerëzit që duan dhe respektojnë
njëri-tjetrin, duke marrë gjithësecili vendin që i përket? Jeta po tregohej
bujare me mua, duke më dhënë ç’ka s’kisha pasur, por e kisha ëndërruar
pareshtur. Këta njerëz vlerësonin familjen si gjënë më të shtrenjtë dhe luftonin
me mish e me shpirt për ta mbajtur atë të bashkuar e të lumtur për të rritur të
ardhurat.
As
kam qenë e as jam materialiste, por mendoj se të ardhurat e mira janë të
domosdoshme për familjen në përgjithësi dhe për rritjen dhe arsimimin e
fëmijëve në veçanti. Ndaj sapo të shkoja në Greqi doja të punoja, jo vetëm
brenda shtëpisë, punë që çdo femër e cila vlerëson dhe do familjen e vet e bën
me përkushtim të plotë, por edhe në rrobaqepësi. Ishte shumë e rëndësishme për
mua t’i dilja për zot vetes dhe familjes. Doja t’i lija pas fjalët e gjyshit se
ishte duke na mbajtur me pensionin e tij. Sado i mirë të ishte Bledi, nëse unë
nuk kisha të ardhurat e mia do ma përplaste një ditë në fytyrë dhe unë nuk isha
aq e fortë sa për ta duruar.
Iu
betova vetes atë çast se do luftoja me
mish e me shpirt për familjen time dhe në mënyrë të veçantë për fëmijët që do
kishim. Isha e sigurt se me dy prindër të dashur e të përkushtuar s’do t’u
mungonte kurrë asgjë.
Biseda e ngrohtë, atmosfera e qetë dhe e këndëshme që ishte krijuar u
ndërpre nga zilja e telefonit. Ylli kishte një urgjencë në spital. Nikoja u
ofrua ta shoqëronte me makinë. Më bëri përshtypje se Ylli as shfaqi mërzi e as
u ankua. Hoqi kravatën dhe xhaketën me rrëmbim, përveshi mëngët e këmishës dhe
duke kërkuar ndjesë doli nga apartamenti duke i zbritur shkallët me një frymë.
Jo më kot ai ishte idhulli i Aldës.
Vjollca s’më lejoi ta ndihmoja në përgatitjen dhe shtrimin e darkës.
Sipas saj, herën e parë që vija aty meritoja të pritesha si mysafire e veçantë.
Do kishim raste të tjera për të shijuar gatimet e mia.
Këshilloi Bledin të më tregonte pjesën tjetër të shtëpisë. Ndjeva si u
përflaka në fytyrë dhe ula sytë përdhe. S’doja të më shihte ndokush në fytyrë,
aq më pak në sy. Pjesa tjetër e shtëpisë ishin dhomat e gjumit. Mua më pëlqente
që kjo familje s’ishte tradicionale- prapanike si imja, por edhe kaq moderne?!
Bledi më zuri për dore dhe më drejtoi për nga dhoma e gjumit. Sapo hymë
në të, ai mbylli derën. Vijoja të mbaja sytë përdhe. Zemra më dridhej si një
zog i vogël pushëverdhë, i cili sapo ka dalë nga veza dhe përballet për herë të
parë me botën. Tëmthat më trokisnin prej inatit dhe nervozizmit. Isha lodhur
duke marrë urdhra. Si guxonte Vjollca?!
Bledi e vuri re ndryshimin, madje shndërrimin që kishte pësuar papritur
gjendja ime emoconale dhe më këshilloi të ulesha. Në dhomë i vetmi vend ku mund
të ulesha ishte një shtrat bashkëshortor. Unë s’lëviza nga vendi. Ai më shkoi
dorën lehtë drejt mjekrës, duke më ngritur fytyrën. Sapo shkëmbyem vështrimet,
shpirti nisi të më shkundej prej shqetësimeve. Ishin thjesht flluska sapuni,
asgjë më tepër. Duhej të falënderoja pareshtur fatin që kishte bërë një rrugët
e jetëve tona. Bledi ia dilte mbanë aq mirë të më largonte mërzinë e brengat e
të më bënte të lumtur, plotësisht të lumtur.
Më
këshilloi të ulesha. Vendimin më të rëndësishëm të jetës sonë e kishim marrë
mbi një shtrat bashkëshortor që nuk ishte yni. Kush e di se ç’vendim të
rëndësishëm do merrnim kësaj here? Shakaja e Bledit, çiltërsia dhe ëmbëlsia në zërin e tij më bëri
të kuptoja se s’kisha asnjë arsye per t’u shqetësuar. Ime vjehrrë na kishte
këshilluar të qëndronim bashkë, vetëm ne të dy. A mund të kishte gjë më të
bukur në botë?
Sapo
u ula, Bledi më pushtoi duart me të vetat dhe më pyeti nëse doja të martohesha
me të. Ishte një lojë fëmijësh? Jo. Buzëqesha e lumtur. Të martohesha me Bledin
ishte gjëja që doja më shumë në botë. Nuk doja as ceremoni madhështore, as të
ftuar, madje as fustanin e bardhë që është ëndrra e çdo vajze. Gjithë sa doja
ishte Bledi. Më mjaftonte martesa civile. Por, kisha edhe një kusht. Natën e
parë të dashurisë duhej ta kalonim në një shtrat që ishte vetëm yni. Bledi më
mbështolli të gjithën. Mes krahëve të tij ndihesha e sigurt dhe e lumtur. Më pas
u puthëm. E humba konceptin kohë. Ishim vetëm ne dhe dashuria jonë. Edhe
ëndrrat e kaltra për të ardhmen tonë.
Vjollca kishte përgatitur një darkë të shkëlqyer. S’mund të bëhej
krahasim mes gatimit të saj dhe të sime mëje. Mamaja përgatiste më receta
tradicionale, ndërsa Vjollca receta moderne. Nëse do merrja më të mirën nga të
dyja, me siguri do bëhesha amvisë e përsosur.
Darka kaloi këndshëm. Për herë të parë në jetën time piva aq verë saqë
ndjeva të më vinte mendja vërdallë. Kapa kohën e duhur për t’u ndalur.
Nata
jonë e parë së bashku. Ishim në shtratin e Nikos dhe Elenit. S’dija ta
shpjegoja përse ky fakt më krijonte një gjendje të ankthshme. S’di përse më
krijonte një parandjenjë të keqe. Po kur kisha nisur të besoja në parandjenja
unë?!
Kur
drita e diellit depërtoi perden e trashë dhe hyri në dhomë, ndjeva trishtim. E
doja aq shumë Bledin dhe isha aq e lumtur, saqë nuk doja të ndahesha asnjë çast prej tij. Ardhja e mëngjesit në një
mënyrë, apo në një tjetër do të thoshte ndarje.
Ditët me Bledin ishin fantastike dhe fluturuan aq shpejt, saqë nuk më
besohej që i kisha jetuar vërtet. Më dukej sikur kishte qenë fantazia ime, e
cila sajoi ëndrrën e mrekullueshme. Por,
kur shihja unazën në gisht, bëja lidhjen me realitetin.
No comments:
Post a Comment