Saturday, July 7, 2018

VDEKJA E NJE DASHURIE


    A e di në çfarë je shndërruar për dashurinë tënde?! Ndoshta ende s'e ke kuptuar, ndoshta s'do që ta kuptosh.
    Je kthyer në një maskë mjerane oksigjeni. Vetëm kaq arrin t'i japësh dashurisë tënde. Dhe ajo ia del mbanë, por jo të jetojë. Thjesht mbijeton.
    Dashuria do kohë, do nga koha jote. Dhe ti i jep, por jo ç'i duhet asaj. Ti i jep grimcat e kohës që i teprojnë përditshmërisë tënde. Je duke e trajtuar dashurinë si një qen të braktisur, të cilit do t'i hidhje me dhembshuri dhe keqardhje kockat e mbetura nga tryeza jote e gostisë.
    Dashuria angullin prej dhembjes. S'i duhet dhembshuria, as keqardhja jote. Ajo do vëmendje, përkushtim.
    Brerjeve të befta të ndërgjegjes i kundërsulmon në çast. Nis të pëshpërisësh ca vargje romantike, që as vet s'di ku dhe kur i ke lexuar. Vërtet mendon se dashuria jote ka nevojë pikërisht për këtë?
   Dashuria jote lëngon, lëngon si një gjallesë në çastet e fundit të jetës së vet. Dhe ti s'bën absolutisht asgjë për t'ia hequr prej duarsh vdekjes dhe ta kesh përjetësisht.
    Arrin ta kuptosh se dashuria jote mund të vdesë një ditë, ashtu siç dhe lindi?! Ndoshta s'do ta kuptosh...
    Dashuria nuk është egoiste. Mjaft t'i japësh e të jep. T'i japësh kohë, vëmendje, përkushtim,  pasion... Dhe ajo të jep jetë, të jep lumturi.
    E ndërsa dashuria frymon nën kllapi, t'i i drejton një buzëqeshje ngushëlluese gjithë keqardhje. Mendon se kështu do ta mbash në jetë?! Dashurisë nuk i duhet mëshira jote egoiste.
    Dashuria mbledh forcat e fundit që i kanë mbetur dhe të sheh drejt e në sy. Ke ndryshuar aq shumë së fundi, saqë s'mundi të të njohë. Sytë e tu janë të shuar.
    Dashuria e përlotur zgjat duart drejt teje. Jo për të të afruar. Të largon prej vetes. Shkëput e sigurt maskën e oksigjenit që i kishe vendosur s'di përse dhe me fillin e zërit të shuar të jep lamtumirën e vet.
    Sepse dashuria s'mund të jetojë qosheve, kthinave, skutave të kohës, vëmendjes dhe përkushtimit tënd. A e kupton përse?!
    Dashuria është e madhe, e pamatë... Do vdiste nga dhimbja e mungesave, pa arritur kurrë të tkurrej e zvogëlohej.

Elda Gjini

No comments:

Post a Comment