DASHURITE
Asnjëherë s'i kam gjykuar librat nga numri i faqeve. Për mua janë kryevepra ata libra që më rrëmbejnë dhe nuk çlirohem prej tyre edhe kur kam përfunduar leximin.
Kështu më ndodhi me "Sonatën e Krojcerit" të Tolstoit. Për mua, megjithëse vetëm një novelë, erdhi më madhështore se romani voluminoz "Lufta dhe paqja".
Sapo përfundova së lexuari, ia sugjerova një shoqes sime, duke i thënë se ishte një vepër madhështore. Ajo buzëqeshi. S'duhej patjetër një diplomë në letërsi për të qenë një njeri që mban gjithmonë një libër në vend të një objekti dekorativ mbi çentron e komodinës.
Në këmbim të kësaj novele më solli një tjetër novelë të Tolstoit që nuk e kisha lexuar "Lumturia e familjes". Më paralajmëroi se kjo novelë do më trishtonte më shumë se ç'do trishtohej ajo.
E ç'mund të ishte më trishtuese se një burrë që vret bashkëshorten e vet nga xhelozia dhe që asnjëherë s'është i sigurt nëse ajo e tradhëtoi, apo ishte fryt i imagjinatës së tij?
Nisa leximin e novelës. Një histori e mrekullueshme dashurie që tejkalonte diferencën në moshë, e lindur në një mjedis romantik në provincë.
Pas disa vitesh që është martuar, ka jetuar në kryeqytet, pasi është bërë nënë dhe është velur nga jeta e salloneve, zonja ndjen një zbrazëtirë të tmerrshme brenda saj. Ku shkoi dashuria? Ajo ka nevojë për të.
Ia hap zemrën të shoqit dhe i kthehen shtëpisë në provincë, ambjentit romantik ku lindi dashuria e tyre e madhe. Por ... dashurinë nuk e gjejnë askund.
S'mund të rigjejë dashurinë e dikurshme, ajo nuk ekziston më, është transformuar në diçka tjetër. Tani e vetmja lumturi është ajo familjare.
Kishte të drejtë shoqja ime. Novela më trishtoi pafund. Kështu u ndodhte të gjithëve? A vdes dashuria? S'mund të ishte e vërtetë!
U pendova që e lexova. Imazhi i dashurisë së vdekur s'më hiqej nga mendja. Megjithëse nuk isha ende nënë, instikti i nënës më thoshte se dashuria për fëmijët ishte e madhe, e pamatë. Por kjo s'do të thoshte se dashuria mes bashkëshortësh ka si datë skadence lindjen e fëmijëve.
M'u deshën disa ditë për t'u çliruar prej ndikimit të novelës. Vetëm atëherë kur i thash vetes: Njëra dashuri s'ka përse domosdoshmërisht të vrasë tjetrën. Ato fare mirë mund të bashkëjetojnë të dyja brenda nesh, madje ta ushqejnë njëra-tjetrën.
Dhe kisha të drejtë. Kisha plotësisht të drejtë. Koha ma vërtetoi këtë më së miri.
Po ti, si mendon?
Elda Gjini
2018

No comments:
Post a Comment