Friday, November 29, 2024

PËRBALLË SHËMBËLLTYRËS


Je njeriu që i druhem ta kem përballë!

Të druhem se s' mund të të gënjej! 

Unë e di pyetjen që do më drejtosh të parën:

Ti s'mund të jesh Ti! Vallë kush je!?

Por edhe Ti e di si do përgjigjesha, e di Ti:

Por Unë jam, Unë... A mundem tjetër të jem!?

Dhe s'guxoj e s'guxoj t'i dalë përballë pasqyrës,

Shëmbëlltyrën time s'kam guxim ta gënjej.

TRIMËRI PËR DOBËSITË

   Më në fund! E gjete kurajon. E gjete më në fund kurajon dhe pranove brishtësitë e tua me zë të lartë. A duhet forcë për të pranuar dobësitë!? Po. Ndoshta kjo është trimëria më e madhe për këdo. 

   Eh! Mes një shtirjeje të përgjithshme dhe të përditshme, mes një gare të pafund dialogësh të çmendur, ku gjithësecili prej nesh shtiret se është më i fortë, se është më i  pasur, se është më i ditur, se është më punëtor, se është më i shëndetshëm, se është më empatik etj, etj... E pra... nuk është thjesht trimëri të pranosh brishtësitë e tua, por është heroizëm. 

   Ato brishtësi që prej vitesh je përpjekur t'i varrosësh, më në fund gjen guximin dhe përballesh me pasqyrën, përballesh me veten. Pranon se nuk je i pathyeshëm, por je i brishtë.  Përpjekja për t'i varrosur nuk ka mundur të reduktojë asnjërën prej tyre. 

 Më lini të jem fëmijë!


Kam endé nevojë të ndihem fëmijë!

Adoleshente? E rritur? Ka kohë të jem.

Por, s'do të jem më kurrë fëmijë, kurrë...

Kërkoj tepër kur të them endé... endé...

Të lutem,  në fëmijërinë time lermë!


E di e shtrenjta nënë që ke nevojë për mua,

Lodhesh aq shumë dhe ndihmë më kërkon,

Por... më lejo të lutem të jem edhe ca fëmijë.

Përkëdhelmë, llastomë dhe përralla tregomë!

Një ditë do jem si ti, ti si unë më jo e jo...


Dhe ty e dashur mësuesja ime, 

Që megjithëse vesh taka për gjatësi ta kaloj.

As ti ende mos më quaj të rritur, s'jam sa ty!

Këshilla?  Kritika? Vërejtje? Stop...

Më shumë fjalë të mira dhe  vështrim të ngrohtë.


Ti kushërira ime bukuroshe, mos më jep

më leksione për qerpikët dhe thonjtë!

As Instagram e as Tik-Tok s'më duhet,

As veshjet më sensuale në garderobë.

Gjithë sa më duhet është edhe ca kohë, veç kohë.


Mos u mërzisni për mua! Mos u shqetësoni!

S'dua të jem një Piter Pan në ishullin Askund.

Kam kohë mjaftueshëm të rritem e të rritem,

Thjesht më lejoni ta shijoj  fëmijërinë kështu.

Do të jem një ditë e rritur, por fëmijë më kurrë.


Elda Gjini

Nëntor 2024


Monday, October 31, 2022


5 VITE PA TY NËNË


Prej kohësh dhimbja disi e heshtur.

Heshtuar... e sërish  ulëret për ty...

Koha s'kthehet pas... kurrë s'kthehet.

Ti mungon si oazi mes shkretisë.

Përqafoj kujtimet, rrëmoj të shkuarën.

Mendja dihat nga udhëtimi në kohë.

Shpirti sfilitet se nuk gjen paqe.

Jetoj pa ty nënë dhe vuaj në qetësi,

Si shkretëtira pa oaz, që mbet po shkreti.


Elda Gjini. 

1 nëntor 2022




Thursday, January 27, 2022



THYERJE

Zhgënjimet në s'vrasin, lëndojnë...
Ëndrrat e thyera të copëtojnë...
Gënjeshtrat pa mëshirë të thërmojnë.
Dhe shpirti i vrarë nis të rënkojë...

Elda Gjini
2022

  HUMBA


Humba zërin në përballjet me jetën.

E humba... apo zgjodha të mos flas!?

Humba buzëqeshjen përballë fallcitetit.

E humba... apo s'doja të shkonte dëm!?

Humba forcën për të shpresuar.

E humba... apo s'doja të gënjeja veten!?

Humba guximin për të ëndërruar.

E humba... apo  s'besova më në ëndrra!?

Humba veten mes turmës laramane.

E humba...  duke u shndërruar në asgjë.


Elda Gjini

2021


 

RRËFIM


Dua t'i rrëfehem sot shpirtit tim,

Për më të madhin, më të madhin mëkat.

Dua t'i rrëfehem për tradhëti... tradhëtinë,

E t'i përgjërohem në gjunjë që t'më falë.

Se tradhëtija është mëkati i mëkateve.

E përbuz veten që kam rënë në grackë.

Falmë o shpirt që të kam tradhëtuar... Falmë!

Gjithë jetën time kam qenë mëkatare dhe jam.

Shpirtin tim nuk e pata shpirt dhe s'e kam.




Elda Gjini

2021


Sunday, October 31, 2021

 

KËMISHA BLU

E hekurosa këmishën blu ma!

Hekuri pa avull, sprucova lot.

Edhe pantallonat blu ... njëlloj...

Hekuros e puth... po s'të gjeta dot...

Ti s'i do lotët... aq më tepër natën...

Por nuk duhem qortuar, jo sot.

E di!? Në shpirt zbrazëtia m'është rritur

Është hapësira jote që askush s'e zë dot.

Ende ndiej aromën tënde, të nënës,

Kokën mbështete mbi kraharorin tim.

Në vesh më buçasin grahmat e fundit,

Dhimbja e pamatë... më ike pa kthim.

E hekurosa këmishën blu ma!

Hekuri pa avull, sprucova lot.

Edhe pantallonat blu... njëlloj.

I hekurosa zemërvrarë. A do t'i vesh sot!?

Ende e ndiej aromën tënde në këto rroba,

Ndjej kokën tënde  mbi prehrin tim...

Përqafimin tim të fundit... të dëshpëruar

Dhe shpirtin tënd në fluturim pa kthim.


Elda Gjini

01.11.2021



Friday, September 10, 2021

 


ZGJEDHJE, APO ZGJIDHJE!?


Dashuria është zgjedhje.

Nëse zgjedh të duash dikë më shumë se veten.

Dashuria është zgjidhje.

Nëse gjen dikë që të zgjidh gjithë problemet.


Elda Gjini

2021


Saturday, November 2, 2019

Me fat

    -E di çfarë... ndonjëherë mendoj se është fat që u njohëm. Por, vetëm ndonjëherë ama,- i tha ajo duke buzëqeshur, fill pasi kishin përfunduar një bisedë të gjatë dhe të vërtetë.
    Po po, një bisedë të vërtetë. Jo nga ato biseda elitare, në të cilat të dyja palët përpiqen me mish e me shpirt që të shpalosin  horizontin intelektual për t'u ngjitur shkallares së horizontit të tjetrit. Një bisedë e vërtetë është ajo ku të dyja palët janë të vërteta.
    Ajo ishte i vetmi njeri në botë me të cilën ai fliste pa drojë. Kurrë s'e kishte gjykuar. Kurrë nuk kishte thyer besimin e tij. Kurrë nuk kishte qenë e pavërtetë.
    -Edhe unë mendoj ndonjëherë që është fat që jemi njohur,- i tha ai duke e parë në sy.  Nuk buzëqeshi si ajo, kishte fytyrë serioze. Ajo s'i kishte parë ndonjëherë një fytyrë të tillë. Për herë të parë u spraps, duke mos e pyetur ç'kishte ndërmend. Druhej mos merrte ndonjë përgjigje të pavërtetë. Nëse ndodhte kështu, raporti i tyre shkatërrohej nga themelet. A s'ishte ngritur raporti i tyre mbi sinqeritetin?!
    Ai udhëtoi në kohë... udhëtoi në kujtime... Mbërriti në kohën kur u njohën... Atë natë nuk kishte vënë gjumë në sy. Nuk arrinte të mendonte për askënd dhe për asgjë tjetër përveç saj.
    Qysh atëherë ishte ndjerë me fat. Shumë më me fat kur mori dashuri prej saj dhe fatlum që ishte shndërruar në qendrën e botës dhe motivin e jetës së saj.
    Ishte diçka për të cilën ai s'i kishte folur kurrë, së paku jo thellësisht. Por... edhe ajo kishte vepruar pak a shumë në të njëjtën mënyrë. Sikur të ishin të dy të kalbur në bestytëni... sikur të pohoni  sinqerisht sa me fat ishin ndoshta fati i mirë do të zhdukej... ndoshta...

ELDA GJINI
2018
 

Friday, March 22, 2019


MOTRA



Ti je shoqja ime më e mirë.
Ti je mikja e përjetshme, po.
Kur koka më mbushet brenga...
Mbi prehrin tënd s'e vendos dot.
Largësia fizike më pengon...
Largësi shpirtërore s'ka kurrë.
Mbështes kokën në shpirtin tënd.
Paqëtohem në dashurinë që më përkund.


Elda Gjini
2019

Tuesday, January 15, 2019

MISHTORE



Dëshirat e tua të gjitha mishtore...
Edhe ëndrrat ngjyer në mish...
Planet nisin prej mishit...
Për t'u realizuar sërish në mish.
Shpirtit ia ke hapur kanatash dyert,
Le t'ia mbath i lirë... nuk të duhet frymë.
Mish... mish të duhet... vetëm mish...
Mendjes ia ke ulur grilat... po, po ulur...
Mendja jote s'ka nevojë për ndriçim...
Epshet preferojnë hijet... po, po hijet...
Nëse ka errësirë... errësira është më mirë.
Kështu tregëton epshet e tua...
Dëshirat që lindin e nginjen në mish.
Mishrat i shet si të mundesh...
Herë në ankand... në ofertë... Hajde mish!
Mishrat i shet... i shet...  i rishet...
T'i  blejnë e riblejnë por sërish ke mish...
Po shpirtin nëse shet... s'mund ta riblesh...
E shet... por s'mund ta blesh sërish.

Elda Gjini
2019

Thursday, January 10, 2019

MIRAZHE




Verës krijova kështjella pafund...
me rërë dhe ëndrra... po po ëndrra...
Fryt i imagjinatës sime të sëmurë...
Ëndërrimet sa shumë m'i do zemra!
Mirazhe i servira syve të mi...
Mirazhe mendjes që realitetin bishtnon.
Mirazhesh mbusha shpirtin tej e mbanë...
A thua mirazhet zemrën shërojnë...
Dimri asnjë kështjellë... asnjë nuk shëmbi.
Mirazhet lëndëzoi ... lëndëzoi pamëshirë...
Mardhi... ngriu... përjetësoi imazhet...
Imazheve të gënjeshtra, në kurth kam hyrë...
Mirazhet peng më kanë marrë... peng...
Në rob jam kthyer se s'përdora logjikë...
Rob i imazheve të gënjeshtra rob...
Gënjeshtra në sy... në mendje... në shpirt...

Elda Gjini
2019