Wednesday, December 26, 2018

SEKRETET E MBESËS


Kur jemi bashkë koha fluturon e dashur.
Sa shpejt vjen ora për t'u ndarë Bahar!
Ende përmalluar të shoh me sy të përlotur,
Me doçkat e tua m'i fshin lotët ngadalë...

Do kujtoj sekretin pëshpëritur kësaj radhe,
se jam tezja më e mirë në botë.
Shpirti më këputet mbesa ime vogël,
ndoshta asnjë sekret tjetër s'do kuptoj...

Unë të flas e të flas shqip zemër,
shpejt e shpejt më përgjigjesh turqisht.
Të shoh mes dhimbjes së moskuptimit,
ti më sheh me sytë lutës së habisë.

Ç'sekrete më pëshpërite në vesh e dashur?
Po përse nuk m'i the edhe në shqip?!
Lotëve të tu shkaktuar prej moskuptimit,
tezja i fshij me një të ngrohtë përqafim.

Po kur të flasim nga larg mbesa ime,
ç'zhgjidhje t'i jap moskuptimit tim?!
Të të puth pas xhamit të telefonit,
por s'mund të t'i fshij lotët ndër sy...

Elda Gjini
2018





No comments:

Post a Comment