Thursday, December 6, 2018

🌲  PEMA MAGJIKE  🌲



Ajo mori portofolin e vogël dhe doli me ngut. E bija dyvjeçare me temperaturë nga mëngjesi kishte zënë shtratin dhe s'kishte vënë gjë në gojë. Kërkonte me ngulm Pemën e Krishtlindjeve.
   Ndjeu mornica në trup kur pa çmimet e pemëve gjigande në bazamentet e tyre. Aq kishin buxhetin në dispozicion për festat e fundvitit. Çfarë çmimesh të çmendura!
    Bleu pemën më të vogël, më të lirën dhe vrapoi të kthehej. Nga sytë e përlotur nuk i dallonte më shkallët. S'kishte blerë e nuk do blinte asnjë zbukurim për pemën. Nuk mundej.
     Hyri me ngut në shtëpi dhe u drejtua për në dhomën e gjumit. Nxorri një dorë pambuk nga jastëku i vet.
     E vendosi pemën mbi tavolinë dhe shpejt e shpejt krijoi efektin e dëborës me pambuk. Vajza qëndronte symbyllur sa të  mbaronte zbukurimi i pemës, duke i shtërnguar fort pëllëmbët e duarve pas fytyrës. Ajo priste me zemër të ngrirë reagimin e së bijës.
     Vajza hapi sytë dhe nuk bëri komente. U drejtua për nga karrikja dhe nisi ta tërhiqte zvarrë drejt pemës. Ajo e ndiqte me sy të hutuar. Vogëlushja hipi mbi karrike, zgjati doçkat e vockla dhe e përqafoi pemën. Pastaj e puthi e mallëngjyer.
     Dyvjeçarja ishte më e gjatë se pema, ama nuk shihte çmimin e ngjitur në bazament, por magjinë e festave dhe dashurinë e së ëmës. Për të ajo ishte  Pemë Magjike.
    Mamaja buzëqeshi e mallëngjyer...

Elda Gjini
2018

No comments:

Post a Comment