DASHURIA NUK NJEH KUFIJ
Nga koha kur nisi dializën, të shoqen e kishte ndjerë të largët.... Dializa e lodhte, ndoshta e bënte edhe ca tepër nevrik. Sidoqoftë, kjo nuk justifikonte heshtjen e saj. Celularin nuk e hiqte nga dora. Ai e shihte me dhimbje si përhumbej e gjitha në të. Ajo nuk kishte qenë kështu më parë...
Kaq ishte... Ia pranoi më në fund vetes. Ajo ishte martuar me të pavarësisht diferencës së madhe në moshë. Sipas saj dashuria nuk njihte moshë... Po i gjithë rrethi i tyre, disa me zë e disa nën zë, e vijonin mendimin më tej. Dashuria nuk njeh moshë, por njeh llogari bankare. Dhe kaq shpesh e kishte dëgjuar ai këtë, saqë nuk arrinte të shquante se cila pjesë e frazës ishte e vërtetë.
Ajo s'i kishte lënë kurrë shkas të dyshonte në pjesën e parë të frazës, por kishte shpenzuar aq shumë nga llogaria e tij bankare, sa për të vërtetuar edhe pjesën e dytë të asaj fraze të mallkuar.
Mjeku i këshilloi të ndërprisnin dializën dhe të nisnin përgatitjen për transplant. Transplant? Po a nuk ishte super i kushtueshëm ai?
Asnjëri prej fëmijëve të tij të rritur, apo të afërmëve s'kishte pranuar t'i dhuronte një veshkë. Ndjesë për fjalën dhurim. Askush nuk pranoi t'i shiste një veshkë. Po tani?
Mjeku i tha të mos shqetësohej për asgjë. Për gjithçka kishte menduar bashkëshortja e tij. Bashkësjortja? Çudi! Atij i kishte dhënë përshtypjen se ajo nuk mendonte më për të. Sëmundja e kishte shndërruar në një plak të matufepsur, ndërsa ajo i ngjante një drenushe të plagosur...
Kjo ishte ndoshta një mënyrë e mirë që ajo të shmangte shoqërimin e tij në spital. Nga bashkëshorte, ajo ishte shndërruar në shoferen e tij, në infermjeren, shoqëruesen etj etj. Ndoshta ishte një mënyrë për t'i dhënë fund. Mos po mendonte t'i jepte fund gjithçkaje?
Qysh në fillim ai kishte jetuar me ankthin që kjo ditë mund të vinte. Por ishte herët... shumë më herët nga sa e kishte menduar.
Deri në ditën e transplantit vijoi e njëjta situatë mes tyre. Ai nuk guxoi ta pyeste për asgjë duke e parë drejt e në sy. Kishte frikë nga përgjigjet e saj. Ndaj zgjodhi heshtjen.
Edhe në shoqërimin e tij për në sallën e operacionit ajo nuk ishte e pranishme. U largua rreth dy orë më parë duke e përqafuar dhe duke qarë me ngashërim. Lot krokodili. Kështu mendoi ai. Por sërish nuk foli, s'tha asgjë.
Tre fëmijët e tij e shoqëruan në sallë dhe e pritën në dalje, përtej xhamit të dhomës së reanimacionit. Transplanti ishte realizuar me sukses. Por ajo nuk ishte aty. Me siguri do ta shihte pasi të kthjellohej nga përgjumja e thellë që e vendosnin qetësuesit.
Kur hapi sytë s'pa askënd përtej xhamit. Askënd. Pak nga pak po zhytej i tëri në një krizë nervore. Të gjithë e donin për para... vetëm për ato të mallkuara para. Edhe bashkëshortja e re... edhe fëmijët e rritur. Vetëm fëmijët e vegjël dukej se e kishin shpirtin ende të pastër dhe e donin pa kushte. Por edhe për sa kohë?! E ëma me siguri do ua helmonte shpirtin. Ndoshta pikërisht tani ishte duke e kryer këtë flliqësi.
Në kulmin e krizës kërkoi me ngulm që të kishte pranë bashkëshorten. A e kishte ajo guximin t'i thoshte edhe njëherë frazën e gënjeshtërt që dashuria nuk njihte moshë?!
Si përgjigje të kërkesës së tij mori një dozë të lartë qetësuesish. U përpoq me të gjitha forcat të luftonte efektin e tyre, por s'mundi.
S'mund të thoshte sa kohë kaloi derisa u rizgjua. Ishte shndërruar në një bishë të tërbuar. Mblodhi forcat dhe u çua nga shtrati. Menjëherë infermjeria thirri mjekun. Ai po kalonte një krizë nervore. Kërkonte me ngulm të shoqen. Fjalët që i vendoste asaj ishin ndër fjalëm më poshtëruese që mund t'i thuhen një femre.
Pas mjekut ia behën edhe fëmijët e tij të rritur. Mjeku i lejoi të hynin në dhomën e reanimacionit.
Të tre fëmijët ishin me sy të përlotur. Lot krokodili... Kështu mendoi ai sërish për ta, si edhe për të shoqen më parë.
Derdhi një lum ofendimesh dhe sharjesh në drejtim të tyre...
U kërkoi me ngulm që t'i thërrisnin të shoqen. Urgjentisht. Ata nisën të qanin me ngashërim.
Ajo nuk mund të vinte as sot, as kurrë. Ajo kishte qenë dhuruesja e veshkës për bashkëshortin e saj. Gjatë operacionit kishte pësuar një sulm në zemër dhe nuk ishte zgjuar më.
Të tre ata e kishin quajtur oportuniste gjithë ato vite që ajo kishte qenë me babain e tyre. Sot ishin duke vajtuar për të njësoj si në varrimin e mamasë së tyre. Ajo nuk i kishte dhuruar babait të tyre vetëm një veshkë. Ajo i kishte dhuruar jetën e saj.
Përse?! Sepse dashuria nuk njeh moshë. Sepse dashuria nuk njeh kufij.
Elda Gjini
2018

No comments:
Post a Comment