Tuesday, May 1, 2018


RINISJE

Do vij,
gjumin të ta trazoj.
Do vij,
ëndrrat të t’i marr.
Do vij,
ti jetën do mallkosh,
ashtu si edhe unë më parë.

Ti fle dhe udhëton në ëndrra,
me dikë po udhëton.
Mendoj fytin të të shtërngoj,
të të marr frymën,
pastaj të shkoj.
Të t’i marr rrahjet e zemrës.
T’i shkatërroj të tuat ëndrra.
Të të lë krejt si një cung.
Sa shumë do t’ma kishte ënda!

Po ç’më duhet fryma jote?!
Po ç’më duhet gjumi yt?!
S’më duhen ëndrrat e tua,
rrahjet e zemrës gjithashtu.

Erdha dhe ika sërish...
S’gjeta asgjë që më përket.
Asgjë s’mora nga ty,
kishe rinisur një tjetër jetë.

Elda Koço
1997

No comments:

Post a Comment