Sunday, December 9, 2018



KAPITULLI VII    -    MBËRRITJA


   Netët e kaluara fillikat e të pagjuma më shtyn të marr një vendim. Më të rëndësishmin dhe më të guximshmin e gjithë jetës sime. Vjollca u përpoq të më ndalonte, duke më thënë se isha marrosur. Iu përgjigja se kishte plotësisht të drejtë, se isha marrosur pas birit të saj dhe isha gati të bëja çfardolloj çmendurie për të qenë me të.
   Mamaja m’u lut me lot në sy që të ndërroja mendje. Sipas saj ishte e rrezikshme mënyra si do shkoja për tek im shoq. Mund të vdisja. Unë e dija që ajo ishte njeriu që më donte më shumë në botë. E dija gjithashtu se lotët e saj ishin lotë zemre, të hidhëruar prej dhimbjes dhe parandjenjave të këqija. Por, në vendimin që kisha marrë s’më kthente pas askush dhe asgjë. Ajo që i thashë mamasë, nuk copëtoi vetëm zemrën e saj, por edhe timen.
   E sa rëndësi kishte nëse do vdisja apo jo rrugës për te im shoq? Po të vijoja të jetoja në atë shtëpi do vdisja pak e nga pak, ashtu siç kishte ndodhur me të. Ndryshimi i vetëm ishte se mua do vinin të më hidhnin një dorë dhe për të më mbuluar, ndërsa me të kishte ndodhur ndryshe, ajo ishte një e vdekur e pavarrosur.
   Në këto e sipër, ajo u kthye në anën tjetër. Me siguri nuk donte ta shihja e të më shihte me sy të përlotur. Kishte aq shumë dhimbje! Për herë të parë e pyeta se ku e gjente forcën për të duruar llojin e jetës që bënte. M’u përgjigj se forcën e merrte nga fëmijët e saj. Por, im vëlla tashmë kishte ikur. Isha e sigurt se ai nuk do kthehej më kurrë në atë shtëpi. Aty  mungonte oksigjeni. Ndërsa unë isha gati të ikja në mënyrën më të rrezikshme dhe absurde që mund të imagjinohet. Do të sajohej një hapësirë për mua në vendin e bagazheve në një autobuz që bënte rrugën për në Greqi. Do saldohej mbyllja, ndërkohë që unë do isha brenda. Vendi ku do qëndroja nuk do ishte më i madh se një arkëmort. Kjo nuk më trembte. Aspak.
   Nuk u dhashë rëndësi as lotëve, as këshillave, as lutjeve për të mos u nisur në atë mënyrë. S’kisha mundësi më të mirë, më duhej thjesht të ikja.
   Vendi ishte aq i ngushtë, saqë më dukej sikur kisha hyrë në një arkëmort të vërtetë. Nuk më mbetej shumë për të bërë. Duhej vetëm të përpiqesha, madje të luftoja me gjithë forcat e mia që të mbërrija gjallë. Shoferi i autobuzit më dha diçka për të pirë. Më tha që do më ndihmonte që ta përballoja më lehtë. As që kërkova më shumë informacion. Me siguri ai kishte shumë më tepër eksperiencë se unë në këtë fushë, megjithëse jam e sigurt se as kishte hyrë e as do hynte ndonjëherë në një vend të tillë, të ngushtë e të errët.
   U përpoqa të shkëpusja mendjen dhe shpirtin nga trupi. E dija që gjatë atij udhëtimi do vuaja vetëm fizikisht. Ëndrrat, projektet dhe shpresat për të ardhmen do mbeteshin të paprekura, të kaltra. Ndaj jam përpjekur shumë qysh prej asaj kohe të harroj ato orë të tmerrshme të udhëtimit. Por, sado që përpiqem seriozisht, nuk ia dal mbanë. Edhe sot që kanë kaluar më shumë se njëzet vjet, nuk ka natë që të mos zgjohem mes ankthit dhe frikës se do vdes pa e parë Bledin edhe një herë, qoftë edhe hera e fundit...
   Kur u zgjova u gjenda në shtratin e ri bashkëshortor, duke marrë serum. Bledi ishte mbështetur në një kolltuk. Pranë tij, në një karrike qëndronte Nikoja. Nuk e di sa kohë kisha në atë gjendje. Dija vetëm që ia kisha dalë mbanë të mbërrija gjallë tek im shoq. Kjo ishte gjëja që kisha dashur më shumë se gjithçka. Ia kisha dalë mbanë. Tani na mbetej vetëm të jetonim të lumtur.
   Kur e thirra Bledin në emër, ai sa nuk fluturoi nga gëzimi. Më puthi mbi flokë disa herë. Nikoja më shtrëngoi dorën plot dhimsuri. Të dy më pyesnin pareshtur si ndihesha, aq sa më hutuan. Ndieja lodhje dhe dobësi, vetëm kaq.
   Kërkova të më hiqnin serumin. Bledi e shkëputi vigonin dhe mjekoi vendin ku më parë qëndronte ai, ndërsa tani po dilnin disa pikëza gjaku. Më pas vendosi leukoplast.
   Sa ditë kisha në atë gjendje? As Bledi dhe as Nikoja nuk m’u përgjigjën dhe më kërkuan ta lija atë bisedë. Rëndësi kishte që  isha mirë. Kërkova të ngrihem prej shtratit. Nuk mbaja mend ndonjë sëmundje që të ishte treguar më e fortë se unë. Në familje kisha marrë  edukatë spartane në lidhje me këtë. Një femër mund të qëndronte në shtrat vetëm kur ishte lehonë.
   Më në fund Bledi u thye. Kërkova  të më sillte një triko para se të ngrihesha nga shtrati. Megjithëse ishte korrik dhe kisha veshur një komplet pizhamesh  me mëngë të gjata, sërish kisha ftohtë. Bledi nxori nga dollapi një triko timen. Sa mirë i kishte sistemuar ato pak rroba që kisha sjellë me vete! Unë ndjeva aromën karakteristike të mobiljeve të reja. Më në fund isha në shtratin tonë, po ndieja aromën e dollapit tonë dhe im shoq ishte duke më veshur si të isha fëmijë.  Më mbërtheu të gjitha kopsat e trikos dhe më mbështolli të tërën mes krahëve të tij.
   Më pas, duke më parë në sy më pyeti përse e bëra një çmenduri të tillë. Mund të kisha humbur jetën.  E pash thellë në sy për disa sekonda. Ishte i zbehtë në fytyrë, ndërsa sytë e tij të përflakur dëshmonin për pagjumësinë dhe lotët që kishte derdhur. E kisha bërë për të. Nëse s’mund të isha pranë tij, të mbytesha në vështrimin e tij, të më pushtonte të tërën mes krahëve të tij që më jepnin siguri, të më mbulonte me të puthura, të zgjohesha pranë tij, për mua jeta s’do kishte asnjë vlerë.
    Sytë i morën ngjyrë të gjelbërt dhe një shkëlqim të parezistueshëm. Me siguri edhe sytë e mi kishin marrë po të njëjtën nuancë dhe shkëlqim. Ishte njeriu që më bënte të lumtur, plotësisht të lumtur dhe unë doja aq shumë që ta bëja të lumtur. Ne do ishim përgjithmonë bashkë e të lumtur dhe do të kishim disa fëmijë, si në përralla. Ai më bënte ta shihja të ardhmen plot ëndrra,  shpresë dhe ngjyra. Më mbuloi të tërën me të puthura dhe më pas më mori në krahë dhe u drejtua për nga kuzhina që ishte në katin e parë. Me siguri në këtë mënyrë më kishte shpënë në dhomën tonë të gjumit, në shtratin tonë, por unë fatkeqësisht nuk mbaja mend asgjë. I pëshpërita në vesh se duhej të më shpinte dhe një herë në dhomë në krahë dhe t’ia nisnim edhe një herë nga e para.
   Në kuzhinë më pritën me duartrokitje. Ishin pesë fëmijët dhe kunata ime, Mirela. Nuk mund ta harroj duartrokitjen e binjakëve që sapo ishin ngritur në këmbë dhe me zor arrinin të ruanin ekuilibrin. Kur Bledi më lëshoi ngadalë në njërin prej kolltukëve të kuzhinës, fëmijët më rrethuan dhe më mbuluan me pyetje dhe përqafime. Deri atëherë nuk e dija sa shumë i doja fëmijët. I përqafova të gjithë me radhë duke u thirrur në emër. Ata u habitën. U shpjegova se ata ishin të rëndësishëm ndaj i njihja të gjithë. Mirela i qortoi, duke ju thënë se isha sëmurë dhe kisha nevojë për qetësi. Por, unë nuk isha sëmurë, ndihesha  pak e lodhur dhe asgjë më shumë. Ata fëmijë po më jepnin gjallërinë që i kishte munguar jetës sime.
   U ngrita në këmbë për të takuar kunatën time. Megjithëse ajo kundërshtoi, s’mund ta takoja duke qëndruar mbështetur kolltuk. Në librin e rregullave  me të cilin isha rritur edukata ishte një ndër kapitujt më të rëndësishëm.
   Mirela më pyeti se çfarë dëshiroja për të ngrënë, apo për të pirë dhe çfarë më pëlqente që të përgatiste për darkë. Ajo kishte detyrë të gatuante për atë familje të madhe e të zhurmshme. Një detyrë jo e lehtë, duke pasur parasysh që së bashku me mua në atë shtëpi bëheshim njëmbëdhjetë vetë. Unë buzëqesha, duke i thënë të mos shqetësohej për mua. Në përgatitjen e darkës do ta ndihmoja.
     Ajo më pa me qortim. Sipas saj nuk isha në gjendje për të bërë asgjë. Unë kundërshtova, duke i thënë se isha gati t’i demostroja të kundërtën. Duke e parë në sy, u ngrita në këmbë ngadalë dhe u drejtova për nga kuzhina. Ajo më buzëqeshte plot dhembshuri. Ishte siç ma kishte përshkruar Vjollca, e çiltër, e dashur, e papërtuar dhe shumë pastërtore. Aty gjithçka shndrinte nga pastërtia. Hapa frigoriferin dhe mora një nga shishet e shumta me ujë që gjendeshin atje. Mora gotën dhe po e mbushja. Pyeta Mirelën, nëse ishte e bindur që isha mirë. Ajo më buzëqeshi sërish gjithë dashamirësi dhe më pas mori një pamje së cilës s’mund t’i jepja një shpjegim nisur nga situata në të cilën ndodhesha.
   Pas meje dëgjova disa zëra njëherësh që thirrën “Surprizë!” shishja dhe gota më ranë përtokë duke u bërë copash. Pash si në mjergull Bledin duke rendur drejt meje. Më mbajti në duar para se të rrëzohesha përtokë. Kur hapa sytë gjendesha në të njëjtin vend ku më kishte vendosur Bledi edhe më parë.
   Mirela më mbante pranë hundës një pambuk me alkool që të vija në vehte. Ndërkohë i shoqi po i thoshte se ishte faji i saj. Këtë radhë nuk po zbatoja rregullat e mirësjelljes nga libri me të cilin isha rritur. Nuk munda të çohesha në këmbë për t’u prezantuar me kunatin tim. Ndihesha shumë e dobët dhe e pafuqishme. Përshtypja e parë më thoshte se ai ishte ndryshe nga Nikoja, më i çiltër, më i përzemërt. Ndoshta edhe Mirela kishte ndikimin e saj. Sidoqoftë, do kisha gjithë kohën e botës për të bërë konstatime dhe analiza. Duhej të përballasha me situatën në të cilën ndodhesha.
   E shfajësova kunatën, duke thënë se nuk ishte faji i saj. Bledi shpejtoi të dilte në përfundimin se nëse nuk ishte faji i saj, ishte faji im që isha ngritur. M’u duk një akuzë e rëndë, e cila më tregonte të papërgjegjshme në sytë e të gjithëve, madje edhe në sytë e fëmijëve. 
   U ktheva drejt tij dhe i thashë se nuk ishte as faji i Mirelës dhe as faji im. Fajin duhej ta kërkonte te të tjerë persona. Sapo mbarova fjalinë, ai m’u afrua dhe po më shihte në një mënyrë të çuditshme, sikur të isha duke deliruar. Unë e çova deri në fund akuzën e nisur. E kisha dëgjuar Bledin dhe kunatën greke duke pëshpëritur ëmbël pranë shtratit tim. Ndaj më kishte rënë nga dora shishja dhe gota. Vërtet nuk i kisha parë fytyrën, por zëri i saj më kishte mbetur në kujtesë.
   Bledi buzëqeshi, duke m’u përgjigjur po me zë të ultë se isha gabuar. Eleni kishte qëndruar pranë shtratit tim dhe ishte kujdesur për mua. E pra, unë kujtoja se kisha dëgjuar dicka, por nuk kisha parë asgjë. Urova me gjithë shpirt që të isha duke u gabuar dhe Bledi të kishte të drejtë. Nuk doja që martesa jonë ende pa nisur të përfundonte.
    Bledi më vendosi dorën në ballë, si për të më akuzuar se isha duke deliruar. Më solli një gotë ujë dhe një tabletë, të cilën e gëlltita pa pyetur se çfarë ishte. Ndërkohë Mirela pastroi gjithë qelqet që ishin përtokë.
   Më në fund Eleni u afrua për të më takuar. Kush e di ç’punë i kishte dalë që ishte zhdukur në momentin që humba ndjenjat. Megjithëse e pafuqishme, u ngrita në këmbë për ta takuar. Këtë radhë nuk u shqetësova aspak për librin e rregullave me të cilin isha rritur, por për librin e ri të rregullave që kisha shkruar mbi jetën dhe familjen time.
   Ajo mund të ishte e bukur, e zgjuar, e pasur, mund të jetonte në vendin dhe shtëpinë e saj, por Bledi ishte im shoq. Do t’i bëja sytë katër. Uroja përsëri me gjithë shpirt të isha gabuar, por nëse ajo për të cilën dyshoja ishte e vërtetë, sipas librit tim të rregullave lidhja ime me tim shoq kishte marrë fund. Nëse kjo ndodhte, s’di nëse do kisha forcën e duhur për ta përballuar.
   Fakti që Bledi reagoi me qetësi s’di nëse duhej të më qetësonte, apo të më shqetësonte. Edhe ngjyrën e verdhë që i ra në fytyrë nuk dija si ta interpretoja. Sidoqoftë, nuk ishte rasti të ngecja në atë çast, por të vijoja të jetoja. Koha do t’i nxirrte vetë në pah të vërtetat, qofshin ato të ëmbla, apo të hidhura.
   Këtë radhë nuk ishte nevoja që të ngrihesha nga vendi ku ndodhesha, të gjithë u mblodhën drejt meje dhe Eleni mbante tortën në duar. Njëri prej fëmijëve nisi të këndonte këngën e ditëlindjes, ndërkohë, Mirela bëri shpejt e shpejt ndryshimin duke e kthyer foljen në shumës, pra urimet nuk ishin vetëm për mua, por edhe për Bledin. Po më pëlqente mënyra e saj për ta ç’dramatizuar situatën, pra ajo tortë nuk ishte se falë Zotit kisha shpëtuar gjallë, por që ne ishim së bashku. Në fund të këngës, Bledi u afrua dhe më puthi lehtë në buzë, s’kishte si të ndodhte ndryshe me gjithë ata fëmijë. Më pas të gjithë me radhë më përqafuan. Pas përqafimeve të fëmijëve, veçanërisht të binjakëve që më përqafuan njëkohësisht, ndjeva një dëshirë të pamatë për t’u bërë nënë sa më parë.
   Pas ngrënies së tortës i kërkova Bledit të kthehej në punë. Ndihesha më mirë dhe do kishim kohë në mbrëmje për të qëndruar së bashku.



No comments:

Post a Comment