Me fat
-E di çfarë... ndonjëherë mendoj se është fat që u njohëm. Por, vetëm ndonjëherë ama,- i tha ajo duke buzëqeshur, fill pasi kishin përfunduar një bisedë të gjatë dhe të vërtetë.
Po po, një bisedë të vërtetë. Jo nga ato biseda elitare, në të cilat të dyja palët përpiqen me mish e me shpirt që të shpalosin horizontin intelektual për t'u ngjitur shkallares së horizontit të tjetrit. Një bisedë e vërtetë është ajo ku të dyja palët janë të vërteta.
Ajo ishte i vetmi njeri në botë me të cilën ai fliste pa drojë. Kurrë s'e kishte gjykuar. Kurrë nuk kishte thyer besimin e tij. Kurrë nuk kishte qenë e pavërtetë.
-Edhe unë mendoj ndonjëherë që është fat që jemi njohur,- i tha ai duke e parë në sy. Nuk buzëqeshi si ajo, kishte fytyrë serioze. Ajo s'i kishte parë ndonjëherë një fytyrë të tillë. Për herë të parë u spraps, duke mos e pyetur ç'kishte ndërmend. Druhej mos merrte ndonjë përgjigje të pavërtetë. Nëse ndodhte kështu, raporti i tyre shkatërrohej nga themelet. A s'ishte ngritur raporti i tyre mbi sinqeritetin?!
Ai udhëtoi në kohë... udhëtoi në kujtime... Mbërriti në kohën kur u njohën... Atë natë nuk kishte vënë gjumë në sy. Nuk arrinte të mendonte për askënd dhe për asgjë tjetër përveç saj.
Qysh atëherë ishte ndjerë me fat. Shumë më me fat kur mori dashuri prej saj dhe fatlum që ishte shndërruar në qendrën e botës dhe motivin e jetës së saj.
Ishte diçka për të cilën ai s'i kishte folur kurrë, së paku jo thellësisht. Por... edhe ajo kishte vepruar pak a shumë në të njëjtën mënyrë. Sikur të ishin të dy të kalbur në bestytëni... sikur të pohoni sinqerisht sa me fat ishin ndoshta fati i mirë do të zhdukej... ndoshta...
ELDA GJINI
2018